Kamerat e sigurisë në banesën e deputetit të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, kanë qenë jashtë funksionit në momentin kur ndodhi shpërthimi me lëndë plasëse, që tronditi zonën e Kamzës pak pas mesnatës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:55 në rrugën “Arjan Sala”, në murin rrethues të banesës së ligjvënësit demokrat. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor po shqyrton pamjet filmike të tjera nga zonat përreth për të identifikuar autorin e shpërthimit.
Në deklaratën e tij për policinë, Xhelal Mziu ka theksuar se nuk dyshon tek asnjë person dhe ndodhej në banesë së bashku me bashkëshorten kur ndodhi shpërthimi.