Është publikuar programi 4 vjeçar i qeverisë “Rama 4”. Programi është i ndarë në tre shtylla: Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenie për të Gjithë.
Dokumenti përfshin çështje që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, ekonominë dhe shërbimet publike.
Parashikohet digjitalizimi i administratës dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në ofrimin e shërbimeve. Në drejtësi, programi përfshin miratimin e kodeve të reja dhe ndryshime në infrastrukturën gjyqësore.
Në planin ekonomik është vendosur objektivi për një rritje mesatare prej 4% në vit dhe një nivel të ardhurash për frymë prej 15 mijë eurosh deri më 2029.
Në sektorë si turizmi, energjia, bujqësia dhe zhvillimi rural, janë përfshirë reforma dhe digjitalizim shërbimesh. Në arsim, dokumenti parashikon ngritjen e laboratorëve inteligjentë, forcimin e arsimit profesional dual dhe lidhje më të ngushta të universiteteve me partnerë ndërkombëtarë.
Kujtojmë se ky është mandati i katërt i kryeministrit Rama, ndërkohë që shumë nga premtimet e mëparshme nuk janë realizuar plotësisht.
Pjesë nga programi
• Transformojmë shërbimet e punësimit me sistem të zgjuar orientimi karriere dhe platformë të dedikuar për emigrantët që duan të rikthehen e të punojnë në Shqipëri.
• Ulim papunësinë e përgjithshme në 6% deri në 2030 dhe papunësinë e të rinjve nën 15%.
• Paga minimale në 500 euro deri në 2026, me 18 muaj pa asnjë taksë shtesë për punëmarrësit me paga të ulëta.
• Paga mesatare kombëtare 1,000 € deri në 2030; në sektorin publik 1,200 €.
• Garancia Rinore ofron punë, trajnim ose arsim për mbi 40,000 të rinj brenda 4 muajve nga regjistrimi.
• Forcojmë barazinë në paga dhe politikat aktive për punësimin e grave. • Zgjerojmë modelin dual të arsimit profesional në partneritet me biznesin dhe certifikim ndërkombëtar të kualifikimeve.
• Deri në 2030, 1 në 3 nxënës ndjek arsimin profesional; shkollat profesionale kthehen në qendra multifunksionale me konvikte moderne dhe kurse afatshkurtra për profesione të kërkuara.
• Garantojme kushte të barabarta pune, trajtim dinjitoz, sistem social të qëndrueshëm dhe të besueshëm.
• Vijojmë me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale për njohjen e pensioneve, duke siguruar kushte të barabarta pune dhe mbrojtje sociale të plotë për shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
• Ndërtojmë programe të dedikuara për diasporën për rikthim të talenteve, transferim expertise dhe ndërmjetësim punësimi në sektorët prioritarë.