Këshilltarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës u thirrën këtë të martë në selinë rozë për të marrë direktivat për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut.
Mbledhja u drejtua nga kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino dhe zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, ku u formulua dhe u firmos teksti i kërkesës për shkarkimin e Veliajt, i cili do të bazohet në argumentin e mungesës së tij prej më shumë se 3 muajsh.
Burime për mediat bëjnë me dije se se rezistencë për të firmosur kërkesën ka bërë këshilltari Aldo Mërkoçi, (ish kreu i MJAFT dhe këshilltar i Arbjan Maznikut), edhe pse në fund ka hedhur firmën së bashku me të gjithë kolegët e tij.
Merkoçi ka kërkuar që në deklaratë të shënohet se Veliaj i ka shërbyer qytetit dhe fjalë të tjera për punën e tij të mirë dhe kërkesa i është marrë parasysh.
Pra, me pak fjalë, në kërkesë thuhet se Erion Veliaj ka punuar mirë për Tiranën, por duhet të shkarkohet, një paradoks. Këshilltarët janë vënë në rresht nga Edi Rama për të shkarkuar Veliajn.
Në përfundim të mbledhjes u vendos që Këshilli Bashkiak të mblidhet ditën e martë, 23 shtator, në orën 16:00, për të votuar për shkarkimin e Erion Veliajt.