Pas vendimit të Uashingtonit për ta pezulluar procesin e Dialogut Strategjik, odat ekonomike dhe shoqëria civile kanë paralajmëruar pasoja të drejtpërdrejta në ekonominë e Kosovës dhe në perspektivën e partneritetit me SHBA.
Vendimi i fundit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik të planifikuar me Kosovën vlerësohet si shuplaka më e rëndë që ka mundur t’i jepet vendit.
Ndikimi përveç aspektit politik, po vlerësohet të jetë i madh edhe në atë ekonomik.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë reaguar me shqetësim të thellë pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
DhTIK thekson se marrëdhëniet me SHBA-të janë jetike për Kosovën, duke kujtuar se Amerika ka qenë gjithmonë partner strategjik në ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik. Institucioni vlerëson se çdo veprim që dëmton këtë raport është kundër interesave të qytetarëve dhe të ardhmes ekonomike të vendit.
“Për ne, marrëdhëniet e fuqishme dhe të qëndrueshme me SHBA-në janë jetike, pasi SHBA ka qenë gjithmonë partneri ynë më i madh strategjik dhe ka dhënë mbështetje vendimtare për ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës. DhTIK vlerëson se çdo veprim apo deklaratë që rrezikon prishjen e këtij raporti është në dëm të interesave të qytetarëve dhe të ardhmes ekonomike të Kosovës.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka qenë e para që ka kërkuar nga qeveria që me urgjencë të heq taksën ndaj prodhimeve amerikane, por hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi ishin të vonshëm dhe pa ndonjë efekt pozitiv”
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.
Pezullimi i kësaj nisme të rëndësisë strategjike për Kosovën, sipas OEAK, përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës.
“Në këtë moment vendimtar, është thelbësore që Qeveria e Kosovës të ndryshojë menjëherë qasjen e saj dhe të angazhohet në një koordinim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Kosova nuk ka mbështetës dhe partner më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ky realitet duhet të reflektohet në veprimet dhe vendimet e institucioneve të saj”.
Kjo Odë thotë se vetëm përmes bashkëpunimit konstruktiv dhe përafrimit me aleatët më të besueshëm, “Kosova mund të garantojë stabilitetin, të debllokojë mundësitë ekonomike, si dhe të sigurojë mirëqenie afatgjate për qytetarët e saj”.
Oda Ekonomike Amerikane thotë se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e avancimit të partneritetit ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës dhe u bën thirrje të gjithë hisedarëve politikë e jopolitikë në Kosovë që të veprojnë me përgjegjësi dhe urgjencë për të rikthyer besimin dhe dialogun.
Në një reagim, Oda Ekonomike e Kosovës shprehu shqetësim serioz, duke e cilësuar pezullimin e Dialogut Strategjik si “një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Republikës së Kosovës”.
OEK thotë se imazhi i Kosovës si destinacion i sigurt dhe i përshtatshëm për investime duhet të trajtohet si prioritet kombëtar.
“Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.
Pezullimi i kësaj nisme, e cila ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Republikës së Kosovës.
Odës Ekonomike thekson se përmirësimi i imazhit të Kosovës si destinacion i sigurt dhe i përshtatshëm për investime duhet të jetë prioritet kombëtar.
“Mungesa e investimeve të huaja, së bashku me rënien e investimeve nga diaspora, po krijon një situatë tejet sfiduese për ekonominë e vendit, e cila tashmë po përballet me vështirësi të shumta. Mungesa e investimeve të huaja direkte, e kombinuar me rënien e investimeve nga diaspora, po e çon ekonominë drejt një situate gjithnjë e më sfiduese”.
Kurse, Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 ka shprehur shqetësimin e saj mbi deklaratën e fundit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, duke vlerësuar se tensionet politike dhe mosfunksionimi i plotë institucional mund të prodhojnë pasoja serioze për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Zhvillimi ekonomik i Kosovës, sipas G7, është i pandarë nga sundimi i ligjit, funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve dhe respektimi i plotë i normave kushtetuese.
“Në mungesë të një mjedisi të tillë, investimet e huaja dhe vendore pësojnë rënie, ndërmarrjet përballen me barriera të shumta dhe besimi i tregjeve në Kosovë dëmtohet ndjeshëm. Një klimë e pasigurisë politike jo vetëm që ngadalëson proceset reformuese, por gjithashtu ul nivelin e konkurrueshmërisë së vendit në rajon dhe komprometon perspektivat për zhvillim të qëndrueshëm. Në këtë kuadër, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përbëjnë bazën e ekonomisë, janë më të ekspozuarat ndaj pasojave të paqëndrueshmërisë”, thotë G7 në një reagim dërguar mediave.
Tutje, theksohet se sidomos ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë përballen me sfida të theksuara në sigurimin e qasjes në financa, planifikimin afatgjatë të investimeve dhe zgjerimin e kapaciteteve të tyre.
“Këto kufizime përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për rritjen ekonomike dhe pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit zhvillimor të vendit”, u tha në këtë reagim.
Ndërkaq, Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) përmes një reagimi zyrtar ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me pezullimin e Dialogut Strategjik midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
Sipas Këshillit, ky zhvillim duhet të shërbejë si një thirrje për veprim të menjëhershëm për udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës.
Ata bën thirrje që Kushtetuta dhe rendi kushtetues i Kosovë të respektohen, dhe të veprohet pa vonesë për krijimin e institucioneve.
“Për një kohë tani, AARC ka paralajmëruar për një erozion në partneritetin Kosovë-SHBA.
Marrëdhëniet diplomatike janë në një pikë të ulët historike, dhe pezullimi i Dialogut Strategjik është shembulli më i fundit dhe më alarmues i këtij përkeqësimi. Ky trend duhet të përmbyset menjëherë. Rindërtimi i besimit dhe partneritetit kërkon koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çdo nivel”, shkruhet në reagimin e tyre.
Tutje shkruhet se në praktikë, nuk ka sovranitet për Kosovën pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
“Pamundësia dhe mosgatishmëria për t’u angazhuar në dialog ka krijuar polarizim ekstrem në Kosovë. Edhe çështjet që janë përcaktuar dhe zgjidhur qartë nga Kushtetuta janë shndërruar pa nevojë në mosmarrëveshje ligjore dhe kushtetuese.
Patriotizmi dhe dashuria për Kosovën nuk do t’i përkasin asnjë individi apo partie politike të vetme. Përkundrazi, qeveritë – qofshin ato që veprojnë në cilësinë e kujdestarit apo si të plotfuqishme – dhe partitë politike kanë detyrimin të udhëheqin me përgjegjësi dhe të krijojnë një mjedis për dialog politik. Çështjet e sovranitetit, detyrimeve ndërkombëtare, pavarësisë dhe interesave të tjera jetësore shtetërore i përkasin të gjithë popullit të Kosovës, jo vetëm një partie apo qeverie”.
Ndër të tjerash, Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) thekson se “shpirti pro-amerikan i popullit të Kosovës nuk duhet të manipulohet ose keqpërdoret kurrë”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë të premten njoftoi se SHBA ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën. Referuar deklaratës së Ambasadës veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.
Në postimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë thuhej se ShBA-të kanë pezulluar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”.
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.
Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka hyrë në një dialog të tillë strategjik me SHBA-në./Monitor