Asnjë krim nuk është i përsosur. Dikur do të gjendet me doemos një provë. Dikush, diku patjetër që mund të ketë parë diçka. Edhe vrasësi më profesionist e ka një pikë të dobët. Ndodh që edhe ai gabon.
Megjithatë gabimet e tij, jo gjithmonë shfrytëzohen nga autoritetet, që në shumë raste ndodh t’i japin kohë për t’u zhdukur.
Aq kohë sa të kalojë kufirin qoftë edhe në këmbë. E më pas gjithçka mbyllet me një shpallje në kërkim.
Kjo ka ndodhur edhe në Vlorë, më 27 prill të vitit 2025. Një vrasës i huaj, me kombësi rumune, tashmë i identifikuar, ka qëndruar dhe ka lëvizur lirshëm në Vlorë për 6 ditë.
Ka arritur të realizojë krimin për të cilin ishte paguar, qarkullon me makinë në disa rrugë të qytetit, përshkon rrugë nacionale pa u penguar nga askush dhe në fund, gati 5 orë pas vrasjes, del nga territori shqiptar dhe humb çdo gjurmë.
Ky person, tashmë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është Daniel Cornea, 53 vjeç, shtetas rumun, me njërin nga prindërit grek dhe që jeton në Athinë.
Ai akuzohet nga Prokuroria e Vlorës si personi që ka kryer ekzekutimin e 58-vjeçarin Renato Hoxha, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 27 prillit 2025, në lagjen “Hajro Çakërri”.
Krimi dukej si një ngjarje që ekspozoi edhe një herë përplasjen mes grupeve të Vlorës, megjithëse viktima ishte një person pa të shkuar kriminale dhe me një profil të ulët. I ndaluar si person i dyshuar për bashkëpunim në vrasje, është 37-vjeçari Evis Mehmetaj, i cili mesditën e datës 1 maj 2025 u la në burg nga Gjykata e Vlorës, për përkrahje të autorit të krimit dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasjen e Renato Hoxhës. Evis Mehmetaj, me origjinë nga Tropoja, djali i ish-deputetit demokrat, Xhevdet Mehmetaj, jetonte në Tiranë por shpesh herë udhëtonte në Dubai. Nga ana tjetër ai njihet edhe si mik i Roan Brahimit, i ekzekutuar në maj të vitit 2024 në Athinë. Ndërsa më 17 prill 2025 Brahimit i vranë edhe të atin, Gjovalin Prendin, në Pllanë të Lezhës. Ngjarje që vijon të jetë pa autor.
Grupi hetimor ka dyshime se Renato Hoxha mund të jetë vrarë për hakmarrje, por edhe për t’i mbyllur gojën. Pasi ka dyshime që mund të ketë qenë person, që ka pasur dijeni për disa krime të ndodhura në Vlorë. Policia ka dyshime se Hoxha mund te ketë pasur rolin e informatorit dhe për këtë arsye është ekzekutuar. Një ndër ngjarjet që po hetohet si një lidhje e mundshme me vrasjen e Renato Hoxhës, është edhe ekzekutimi i Gëzim Sinomatajt me snajper, më 7 janar të vitit 2024. Por përveç saj po verifikohet edhe atentati me eksploziv ndaj Bernard Sinomatajt, i ndodhur në Tiranë më 21 dhjetor të vitit 2024. Të dy këto ngjarje, duket se kanë ngritur dyshime të dyfishta për hetuesit në lidhje me rolin e Renato Hoxhës, qoftë si person që mund të ketë pasur informacione për ngjarjen e parë në Vlorë, qoftë nëse ka dhënë informacione për ngjarjen e dytë të Tiranë. Ky dyshim e kthen atë në objektiv të dy grupeve rivale, por pa përcaktuar me saktësi se cilit prej tyre.
Një tjetër detaj që e ka shtyrë grupin hetimor drejt kësaj piste, është edhe fakti se Hoxha kohët e fundit kishte filluar të ruhej, i druhej një atentati, kjo edhe për shkak se kishte instaluar disa kamera pranë banesës së tij.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar lëvizjet e autorit të vrasjes, para dhe pas realizimit të ngjarjes, por pa arritur të identifikohej, për shkak të maskimit që kishte kryer. Nga verifikimet rezulton se vrasësi e ka pritur Hoxhën për afro 90 minuta pranë pallatit derisa ai të dilte. Ndërsa është mësuar edhe rruga që ai ka ndjekur me makinë për t’u afruar në vendngjarje e më tej për t’u larguar.
Hetuesit kanë mundur të zbulojnë edhe lëvizjet e vrasësit, i cili rezulton që deri në Ksamil të jetë larguar me të njëjtën makinë. Aty ekzekutori ka zbritur dhe ka ecur në këmbë ndërsa më pas ka përdorur një taksi. Sipas të dhënave të grupit hetimor ka dyshime se autori i vrasjes është larguar në Greqi ilegalisht përmes Qafë Botës.
Ndërsa pas arrestimit të Evis Mehmetaj, si person që ka dhënë ndihmë në ngjarje, duke pretenduar nga vetë ai se i ka dhënë makinën një miku, e cila më tej me targa të ndryshuar është përdorur në ngjarje. Makina e përdorur në krim, sipas Policisë i ishte blerë një gruaje nga Vlora nga Evis Mehmetaj. Nga ana tjetër, atij i është sekuestruar edhe telefoni. Përmes tij por edhe shumë provave të tjera, është arritur në përfundimin se urdhri për vrasjen e Renato Hoxhës është dhënë nga Dubai.
Më 23 maj 2025, tre persona u shpallën zyrtarisht në kërkim nga policia e Vlorës, për sa i përket vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxha. Të tre të dyshuari rezultoi se ishin larguar nga Shqipëria. Bëhej fjalë për shtetasin rumun, i cili dyshohet të ketë pasur rolin e ekzekutorit, si dhe dy shtetas shqiptarë, për të cilët ka dyshime të forta që kanë marrë pjesë dhe kanë organizuar vrasjen. Shtetasi rumun, dyshohet të jetë personi i maskuar që shfaqen në pamjet e kamerave të sigurisë, të sekuestruara nga Policia menjëherë pas ngjarjes. Ai është fiksuar edhe para ngjarjes, duke vëzhguar terrenin, por edhe pasi ka realizuar krimin dhe largohet nga vendngjarja.
Burime të Policisë thanë se është shpallur edhe Alesio Dobrozi, që sipas informacioneve rezulton se ndodhej në Dubai. Dobrozi po ashti njihet si miku i ngushtë i Roan Brahimit.
Të dy, Brahimi dhe Dobrozi u shpallën në kërkim fillimisht në vitin 2021, për një incident të rëndë që ndodhi në një lokal në Zejmen të Lezhës, më 13 nëntor të atij viti. Në lidhje me ngjarjen Policia e Lezhës arrestoi në atë kohë një 21-vjeçar pasi dyshohej se kishte bashkëpunuar i Ramazan Rrajës, Roan Brahimit dhe Alesio Dobrozit, të cilët u dyshuan si autorë të asaj ngjarjeje. Të armatosur dhe me maska, ata u futën në lokal për të gjetur kushëririn e pronarit të lokalit, me të cilin kishin konflikt. Në pranga ra Ardit Luli, i cili akuzohej se pas ngjarjes kishte fshehur tre autorët që të mos gjendeshin nga policia. Policia tha në atë kohë se tre të dyshuarit, ishin larguar jashtë vendit, në drejtim të Dubait. Tashmë, vetëm një prej tyre ndodhet në qeli, Ramazan Rraja. Roan Brahimi u vra në Greqi në maj të vitit 2024, ndërsa Alesio Dobrozi aktualisht është shpallur në kërkim për vrasjen në Vlorë.
Nga ana tjetër, Dobrozi ka qenë një ndër ata që ishte shpallur në kërkim policor edhe për vrasjen e Brilant Martinajt, si person që mund të kishte dijeni për krimin.
Bashkë me Dobrozin dhe shtetasin rumun, që dyshohet të ketë pasur rolin e ekzekutorit, në kërkim rezulton edhe një tjetër shtetas shqiptar, që po ashtu ndodhet jashtë vendit.
Ndërsa, rreth 3 muaj pas vrasje, Policia e Vlorës arrestoi një tjetër person për këtë ngjarje. Kleanth Bylykun, apo i njohur ndryshe si Armando Gega, 43 vjeç, nga Vlora. Ndaj tij ishte vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”, në mungesë, i dyshuar si bashkëpunëtor i vrasësit rumun, duke i dhënë ndihmë në mënyrë të vazhdueshme.
Më datë 30 korrik 2025, Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, në mungesë ndaj Kleanth Bylykut, masë që është ekzekutuar më 1 gusht 2025, në orë 13:35 nga punonjësit e Policisë Gjyqësore dhe tashmë çështja penale në ngarkim të tij është në fazën e hetimit.
Gjykata e Vlorës
Nga aktet rezultoi e provuar se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë më, 29 korrik 2025 ka depozituar kërkesën për caktimin e masës së sigurimit për shtetasin Kleanth Bylyku, si i dyshuar se ka marrë pjesë në vrasjen e shtetasit Renato Hoxha. Nga aktet rezulton se Prokuroria më 27 prill 2025 ka regjistruar procedimin penal nr. 600, ndër të tjerë, në ngarkim të personit ndaj të cilëve zhvillohen hetime, Kleanth Bylyku. Fakti penal i referohet datës 27 prill 2025, ku rreth orës 06:25, Salla Operative e Policisë Vlorë ka marrë njoftim se në lagjen “Hajro Çakërri” të qytetit të Vlorës, pas supermarketit është gjetur i vrarë me armë zjarri një shtetas. Viktima ka rezultuar të jetë shtetasi Renato Hoxha alias Alfred Hoxhaj, i datëlindjes 09.03.1967, lindur dhe banues në Vlorë, lagja “Hajro Çakërri”, me gjendje civile i divorcuar, i vetëpunësuar si roje në disa subjekte private në zonën ku banon. Ai është gjetur i pajetë dhe me dëmtime si ato të shkaktuara nga armët e zjarrit, në rrugicën këmbësore të terrenit kodrinor dhe të pyllëzuar që të çon për në banesën e tij private në këtë vend.
Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, rreth orës 06:15, viktima rezulton se sapo kishte dalë i vetëm nga banesa për aktivitetin e tij të përditshëm dhe kur ka qenë gati në gjysmën e kësaj rrugice është sulmuar me armë zjarri, sulm nga i cili besohet se ka gjetur dhe vdekjen e menjëhershme. Për ngjarjen në fjalë njoftimin e parë në Polici e ka dhënë nëpërmjet telefonit bashkëjetuesja e viktimës, e cila në momentin e krimit ndodhej në shtëpi.
Nga administrimi dhe këqyrja e pamjeve filmike, ka rezultuar se autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, ka përdorur disa minuta para ngjarjes dhe disa minuta pas realizmit të saj automjetin tip fuoristradë, marka “Land Rover”, modeli “Range Rover Sport”, me targa AB898IH. Nga verifikimet dhe veprimet hetimore procedurale të kryera në lidhje me pronësinë dhe posedimin e këtij ka rezultuar se pas blerjes së këtij mjeti nga një kompani private, në filialin Kamzë, në Tiranë, ai është marrë fizikisht nga ambientet e kësaj kompanie nga ana e shtetasit Evis Xhevdet Mehmetaj, 37 vjeç, banues në Tiranë, person i cili më pas ia ka dorëzuar dhe vënë në dispozicion këtë automjet personave që kanë marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e vrasjes.
SIGURIMI I MAKINËS PËR VRASJEN
Më 28 prill 2025, në orën 14:00, është bërë ndalimi me iniciativë për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, i shtetasit Evis Mehmetaj, 37 vjeç, lindur në Bajram Curri dhe banues në Tiranë. Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet se u ka dorëzuar personave të përfshirë në organizimin dhe realizimin e vrasjes së Renato Hoxhës, automjetin e përdorur prej tyre në ngjarje, “Range Rover Sport”, me ngjyrë gri dhe targë AB8981H.
Nga verifikimet e kryera në lidhje me pronësinë dhe posedimin e këtij automjeti rezulton se ka qenë në pronësi të një kompanie private, me filial në Kamzë. Për këtë fakt është shkuar në filialin e kësaj kompanie, ku është marrë kontakt me administratorin dhe punonjës të tjerë në lidhje me automjetin në fjalë. Prej tyre është mësuar se kjo makinë është shitur prej tyre nëpërmjet një “Faturë shitje”, më datë 9 prill 2025, shtetases Dylbere S., 58 vjeçe, banore e qytetit të Vlorës dhe se automjeti është marrë fizikisht nga ambientet e kompanisë nga një person i panjohur prej tyre.
Dosja e Prokurorisë
Në këtë kompani janë administruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë për datën 9 prill 2025, për periudhën me interes në lidhje me automjetin e sipër përmendur dhe gjithashtu është administruar me procesverbalin përkatës fatura e shitjes e mbajtur për shitjen e automjetit. Pas këtyre veprimeve është bërë shoqërimi dhe pyetja me shkrim e punonjësve të kësaj kompanie me dijeni me interes rreth shitjes së automjetit. Nga pyetja me shkrim e këtyre shtetasve ka rezultuar se në datën 9 prill 2025, shoferi i kësaj kompanie është kontaktuar nëpërmjet telefonit nga një shtetas i panjohur prej tij, që i është prezantuar si nipi i Palit, ky i fundit punonjës roje i kësaj kompanie dhe i interesuar për të blerë automjetin fuoristradë, “Range Rover Sport”. Pas disa bisedave personi i panjohur ka pranuar ta blejë automjetin në fjalë dhe për këtë fakt i ka nisur në telefon foton e dokumentit kartë identiteti të shtetases Dylbere S., me qëllim që blerja e automjeti të bëhej në emër të kësaj shtetase. Pas rënies dakord se paratë për blerjen e automjetit do kalonin nëpërmjet bankës është vendosur gjithashtu që automjeti të mund të merrej nga ambientet e kompanisë pas lëshimit të faturës së shitjes.
Më pas punonjësi i kompanisë ka marrë një tjetër telefonatë, po atë datë nga personi i panjohur, i cili i ka kërkuar që ta orientojë për të shkuar tek filiali për të marrë automjetin. Orientimi është bërë përmes një videocall dhe më pas personi i interesuar ka shkuar aty. Kur është ndodhur në ambientet e kompanisë dhe pasi ka marrë dhe automjetin “Range Rover” i ka kërkuar një punonjësi, që të vinte me të në makinë, me qëllim për ta orientuar për të dalë me makinë në rrugë kryesore, pasi nuk e njihte zonën dhe punonjësi ka pranuar duke hipur në mjetin “Range Rover” dhe e ka ndihmuar duke i treguar rrugën që duhet të ndiqte.
Dosja e Prokurorisë
Për sa i përket thënieve me shkrim të shtetasit Evis Mehmetaj, ai ka pohuar se është kontaktuar me telefon nga një lidhje shoqërore e tij, i quajtur Alesio Dobrozi me qëndrim në Dubai, i cili i ka kërkuar të shkojë tek kompania që ndodhej në Kamzë dhe të marrë një automjet “Range Rover”, pasi këtë automjet e kishte blerë lidhja e tyre e përbashkët shoqërore e thirrur “Poçi” nga Vlora. Alesio i ka kërkuar gjithashtu që pasi ta merrte këtë automjet t’ia dorëzonte “Poçit”. Deklaruesi ka pranuar këtë fakt dhe pasi e ka marrë makinën në fjalë pohon se po atë ditë në orët e mbrëmjes ia ka dorëzuar mjetin “Range Rover” personit të thirrur “Poçi”, në vendin e quajtur “Sheshi-Shqiponja”, Tiranë dhe sipas deklaruesit ky ka qenë dhe momenti i fundit që ka qenë në posedim të këtij mjeti. Këto të dhëna janë dokumentuar edhe nga këqyrja e aparatit telefonik celular të shtetasit Evis Mehmetaj.
Nisur nga rezultatet e hetimit në lidhje me blerjen e automjetit “Range Rover Sport”, me targë AB898IH, automjet i cili është përdorur nga autori i dyshuar në realizimin e ngjarjes, ku është dokumentuar fakti se për blerjen e këtij automjeti është përdorur foto e dokumentit, kartë identiteti e shtetases Dylbere S., më datë 29 prill 2025, në orën 12:00 është shkuar në banesën private të kësaj shtetaseje, në lagjen “Osman Haxhi” Vlorë. Në banesë janë gjetur vetëm dy vajzat e saj të moshës 32 dhe 27 vjeçe ndërsa vetë ajo fillimisht nuk i gjet në shtëpi. Megjithatë, Policia gjeti në atë shtëpi mbetje të bimëve narkotike dhe për këtë arsye u bë shoqërimi i dy vajzave të Dylbere S., ndërsa vetë ajo u shoqërua nga ambientet e punës.
Nga pyetja me shkrim dhe këqyrja e celularit të saj, është dokumentuar fakti se djali i saj, Igli, më datë 5 prill 2025 i ka telefonuar nënës së tij nëpërmjet aplikacionit Whatsapp dhe i kërkuar asaj që t’i niste një foto të kartës së saj të identitetit dhe ajo ia ka nisur, por pa pasur dijeni se për çfarë i nevojitej. Ajo pretendon se nuk ka pasur dhe nuk k dijeni mbi asnjë rrethanë apo fakt në lidhje me blerjen nga ana e saj të automjetit “Range Rover”.
IDENTIFIKIMI I VRASËSIT RUMUN

Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se më datë 21 prill 2025, në orën 17:44, pra 6 ditë para vrasjes së Renato Hoxhës, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë – Botë, vjen nga territori i shtetit grek në këmbë dhe futet në territorin shqiptar, shtetasi rumun, Daniel Cornea, 53 vjeç. Pasi hyn në territorin e shqiptar, ky person hipën në taksinë e shtetasit Bujar T., të cilit i është marrë deklarim nga ana e grupit hetimor. Ai ka shpjeguar se shtetasi i huaj i ka kërkuar që të shkojë në qytetin e Vlorës. Me të ka komunikuar në gjuhën greke dhe nga biseda që ka pasur më të i ka thënë se ishte 53 vjeç, është shtetas rumun dhe një nga prindërit e ka shtetas grek. I ka thënë se jeton në Athinë dhe në bisedë e sipër i ka përmendur se ka punuar si kapiten anije e është i pamartuar. Gjatë rrugës taksisti nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe i ka thënë që do ta çonte deri në Shijan, Sarandë dhe në Vlorë do ta çonte një taksist tjetër. Në Shijan e ka zbritur dhe e ka marrë taksisti me emrin Pajtim K.
Më 29 prill 2025, grupi hetimor ka pyetur një tjetër taksist, Asqeri L., i cili punon në zonën e Ksamilit dhe Sarandës. Ai ka deklaruar se në datën 27 prill 2025, pra ditën e vrasjes, rreth orës 11:00 ka qenë në qendër të Ksamilit dhe aty i ka shkuar një person rreth moshës 40 vjeç, i cili i ka kërkuar që ta çonte në Mavromat. Në automjet ka hipur shtetasi Daniel Corea, i cili ishte i veshur me këmishë të bardhë dhe me tip stampash me ngjyra të errëta, me xhinse dhe atlete me ngjyrë të hapur dhe ishte i gjatë rreth 185 cm. Këtë shtetas taksisti e ka transportuar deri në Qafë Botë.
LËVIZJET E VRASËSIT NË VLORË
Nga këqyrja e pamjeve filmike të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, tri ditë para vrasjes, në datën 24 prill 2025, konstatohet automjeti “Range Rover”, që lëviz në qytetin e Vlorës në momente të ndryshme. Nga ndjekja në dinamikë e lëvizjes së këtij automjeti rezulton se shtetasi rumun, Daniel Cornea ka përdorur këtë automjet. Ai identifikohet fizikisht nga këqyrja e pamjeve filmike të një furre buke në orën 06:33 të kësaj date, i cili parkon automjetin pranë furrës, futet brenda dhe blen produkte ushqimore. Në atë moment ai është i veshur me një palë atlete me ngjyrë të zezë, me pantallona me ngjyrë të zezë, me një xhiboks me dy shenja identifikuese në të dy krahët e tij me ngjyrë të bardhë, me një bluze me ngjyrë si në gri të veshur poshtë xhiboksit, me flokë të qethur shkurt.
Automjeti në këtë datë është evidentuar në disa vende të qytetit të Vlorës dhe ndër to edhe në afërsitë vendit të ngjarjes, në rrugën automobilistike përballë Ambulancës së qytetit. Janë këqyrur dhe evidentuar momente të autorit dhe automjetit “Range Rover” të përdorur për të shkuar të kryente ngjarjen dhe konkretisht në këto momente:
Dosja e Prokurorisë
Më datë 27 prill 2025, në orën 04:40, në lagjen “1 Maji” Vlorë, në rrugën automobilistike “Mis Durhan”, shfaqet automjeti i përdorur nga autori. Në orën 04:41, automjeti shfaqet në lëvizje në rrugën automobilistike “Zaho Koka”, me sens lëvizje nga “Kryqëzimi i tregut të fruta perimeve” për në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Postës së Çoles”. Në orën 04:43, makina shfaqet në lagjen “Isa Boletini”, në rrugën automobilistike “Mustafa Bello”. Në orën 04:43, në brendësi të lagjes “Isa Boletini”. Automjeti vjen në këtë vend nga ana veriore e lagjes, rruga “Rrap Sherifi”, e cila të nxjerr në rrugën automobilistike “Sulejman Delvina”. Automjeti parkohet në sheshin midis pallateve dhe banesave private në këtë vend. Në orën 04:47, nga automjeti, i cili ndodhet i parkuar, nga dera e përparme e anës së majtë zbret autori i dyshuar, që pasi e mbyll dhe siguron me pult dyert, fillon ecjen më këmbë me drejtimin nga veriu duke ndjekur rrugën “Rrap Sherifi”, rrugë dhe drejtim nga i cili erdhi në këtë vend automjeti në fjalë.
Ecja e autorit ka shpejtësi normale. Në orën 04:56, autori i dyshuar i ngjarjes shfaqet duke ecur në lagjen “Hajro Çakërri”, në zonën kodrinore pranë një hoteli, zonë që ndodhet në anën lindore të rrugës automobilistike “Sulejman Delvina”, që ndodhet pas godinës së zyrave të IKMT Vlorë, në rrugicën e lagjes në këtë vend, rrugicë me shtrirje të përgjithshme Jug-Veri. Autori vjen nga ana jugore e rrugicës dhe ndjek këtë rrugicë duke shkuar në anën veriore të saj, deri sa del nga fushëpamja e kamerave. Në orën 04:58 e gjithë kjo rrugicë përshkohet nga autori për rreth 2 minuta.
Dosja e Prokurorisë
Në orën 05:08, autori i dyshuar i ngjarjes shfaqet në lagjen “Hajro Çakërri”, në zonën kodrinore pas godinës së Prokurorisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, në rrugicën në këtë vend me drejtimin lindje- perëndim, rrugicë e cila lidh zonën kodrinore të lagjes në fjalë me rrugën kryesore automobilistike “Sulejmani Delvina”. Autori vjen nga ana lindore e kësaj rrugice, përshkon këtë rrugicë deri në fundin e saj derisa del në trotuarin e rrugës automobilistike “Sulejman Delvina”. Në këtë trotuar ai merr drejtimin për nga veriu, drejtim nga i cili ndodhet dhe Poliklinika e qytetit dhe vendi i ngjarjes. Në orën 05:09, autori i dyshuar shfaqet në rrugën automobilistike “Sulejman Delvina”, në trotuarin lindor të kësaj rruge duke ecur më këmbë. Ai vjen nga rrugica e lagjes ku u shfaq pak çaste më parë dhe vazhdon ecjen në këtë trotuar me drejtimin nga veriu, drejtim nga i cili ndodhet dhe Poliklinika e qytetit dhe vendi i ngjarjes. Në orën 05:10, autori i dyshuar i ngjarjes shfaqet në lagjen “Hajro Çakërri”, në vendin midis Poliklinikës së qytetit dhe një supermarketi, duke hyrë në rrugicën e lagjes në këtë vend, rrugicë që të çon dhe tek vendi ku ka ndodhur ngjarja.
Para hyrjes në këtë rrugicë autori i dyshuar vjen nga ana jugore e rrugicës, anë në të cilën ndodhet dhe Poliklinika e qytetit dhe vazhdon ecjen në rrugicë me drejtim nga lindja derisa del nga fushë pamja e kamerës, që e ka evidentuar. Autori i dyshuar ka ecje me shpejtësi normale dhe kokën e ka të përkulur përpara. Në orën 05:11, autori i dyshuar i ngjarjes shfaqet në të njëjtin vend, në vazhdim të rrugicës së lagjes, ku u shfaq pak çaste më parë, në pjesën e pasme të pallatit, ku ndodhet dhe supermarketi, duke ecur në këmbë me drejtimin për nga fillimi i rrugicës që të çon për në banesën e viktimës. Ai është i veshur me një palë tuta me ngjyrë të zezë, me atlete me ngjyrë të zezë me çorape me ngjyrë të bardhë, me një xhup me ngjyrë si në blu të errët, me një marsup të hedhur nga ana e majtë në kraharor, në kokë mban një kapele me strehë totale rrethore me ngjyrë jeshile të errët, me një pjesë kapuçi bluze me ngjyrë si në jeshile, me maskë covidi me ngjyrë të zezë të vendosur, me duart të futura në xhepat e xhupit.
Në orën 05:12. autori i dyshuar i ngjarjes shfaqet në të njëjtin vend, në vazhdim të rrugicës së lagjes, ku u shfaq pak çaste më parë, në lulishten e sapo ndërtuar në anën lindore të pallatit të ri të sapo ndërtuar dhe këtu evidentohet se ai fillon të hyjë në rrugicën ku u gjet i vrarë Renato Hoxha, duke ngjitur shkallët e para prej betoni të kësaj rrugice deri sa del nga fushëpamja e kamerave.
LARGIMI PAS VRASJES
Momentet e largimit të autorit, pasi ka kryer vrasjen e Renato Hoxhës, më datë 27 prill 2025, po ashtu janë dokumentuar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë. Në orë 06:19, autori i dyshuar i ngjarjes shfaqet në lagjen “Hajro Çakërri”, shumë pranë vendngjarjes, në lulishten e sapondërtuar dhe këtu evidentohet se ai del dhe zbret në këtë lulishte nga shkallët prej betoni të fillimit të rrugicës, ku u gjet i vrarë Renato Hoxha. Në orën 06:20, autori i dyshuar i ngjarjes shfaqet në të njëjtin vend, në rrugicën e lagjes në pjesën e pasme të pallatit ku ndodhet supermarketi duke ecur më këmbë me drejtimin për nga skaji jugor i rrugicës, skaj që të çon më pas në rrugën kryesore automobilsitike.
Dosja e Prokurorisë
Autori vazhdon lëvizjen për nga rruga dhe kur del në fund të rrugicës, në trotuar ai merr drejtimin për nga Jugu, drejtim në të cilin ndodhet Poliklinika e qytetit dhe më larg godina e Prokurorisë e Gjykatës, deri sa del nga fushëpamja e kamerës. Edhe në këtë moment ecja dhe veprimet e tij janë të njëjta si në evidentimin e pak çasteve më parë. Në orën 06:22, autori i dyshuar shfaqet në rrugën “Sulejman Delvina”, në trotuarin lindor të kësaj rruge duke ecur më këmbë. Ai vazhdon ecjen në trotuar me drejtimin për nga Jugu dhe më pas hyn në rrugicën e lagjes në këtë anë, rrugicë e cila të çon në pjesën kondrinore të lagjes në këtë vend, pas godinës së Prokurorisë. Në orën 06:23, ai shfaqet në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrugicën në këtë vend me drejtimin Lindje-Perëndim, rrugicë e cila lidh zonën e kodrinore të lagjes në fjalë me rrugën kryesore automobilistike “Sulejman Delvina”.
Në orën 06:29, autori i dyshuar i ngjarjes shfaqet duke ecur në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë, në zonën kodrinore pranë një hoteli. Ai vjen nga ana veriore e rrugicës dhe ndjek këtë rrugicë duke shkuar në anën jugore të saj deri sa del nga fushëpamja e kamerave. Në orën 06:30 e gjithë kjo rrugicë përshkohet nga autori në më pak se 2 minuta. Në orën 06:36, në lagjen “Isa Boletini”, në vendin ku është i parkuar automjeti i përdorur nga autori, ai i afrohet mjetit dhe pasi hap me pult dyert hipën brenda duke hapur derën e përparme të anës së majtë. Në orën 06:38, automjeti “Range Rover”, fillon lëvizjen duke ndjekur rrugicën e anës lindore në këtë vend deri sa del nga fushëpamja e kamerës.
Dosja e Prokurorisë
Në orën 06:43, në lagjen “Pavarësia”, në rrugën automobilistike “Pelivan Leskaj” pranë një hoteli, shfaqet në lëvizje automjeti i autorit, me sens lëvizjeje nga vendi i quajtur “Çentrale” për në vendin e quajtur “Skelë”. Përshkon rrethrrotullim e “Skelës” dhe më pas hyn në rrugën “Kosova” duke marrë drejtimin për nga Jugu ose vendi i quajtur “Vola”, fillimi i rrugës “Transballkanike”. Pasi kalon këtë kryqëzim, automjeti vazhdon ecjen në rrugën “Zaho Koka” me drejtimin për nga “Rrethrrotullimi i Çoles” në rrugën “Transballkanike”. Pasi përshkon rrethrrotullimin në fjalë automjeti hyn në rrugën “Hasan Kushta” dhe në këtë rrugë evidentohet edhe targa e automjetit AB898IH. Automjeti ndjek këtë rrugë deri në skajin lindor të saj, vend në të cilin kjo rrugë bashkohet me bulevardin kryesor, rruga “Sadik Zotaj”. Kur hyn në rrugën “Sadik Zotaj” automjeti merr drejtimin për nga Veriu deri sa del nga fushëpamja e kamerës.
Në orën 06:44, në lagjen “1Maji”, Vlorë, në rrugën automobilistike “Sazani” pranë një hoteli, shfaqet në lëvizje automjeti i përdorur nga autori, me sens lëvizjeje nga vendi i quajtur “Vola” për në vendin e quajtur “Soda”. Në orën 07:13, në lagjen “1Maji”, në rrugën “Sazani” shfaqet në lëvizje automjeti, i cili vazhdon lëvizjen në këtë rrugë deri sa del nga fushëpamja e kamerës.
Makina e autorit të krimit ka vijuar lëvizjet nëpër qytetin e Vlorës deri në momentin kur ndodhet pranë Portit Detar dhe aty ndryshon sensin e lëvizjes. Në orën 08:46, mjeti shfaqet në lagjen “Kushtrimi”, në rrugën “Damian Humariti”, pranë një karburanti duke lëvizur në drejtim të rrethrrotullimit të Nartës. Pasi përshkon këtë rrethrrotullim automjeti hyn në lagjen “11 Janari” në rrugën që të çon te rrethrrotullimi i vogël i Pus Mezinit. Pasi përshkon këtë rrethrrotullim makina hyn në “Bypass” me drejtim për nga fshati Babicë. Por pasi ka hyrë në këtë rrugë dhe ka përshkuar rreth 500 metra, automjeti i autorit kthehet në vend dhe ndërron sens lëvizjeje në këtë rrugë duke u kthyer edhe një herë andej nga kishte ardhur. Më pas makina shihet që hyn në rrugën e vjetër nacionale Vlorë-Levan dhe vazhdon drejtimin për nga dalja e qytetit të Vlorës deri sa del nga fushëpamja e kamerës. Në këtë moment ora shënon 08:48. Në orën 09:01, në fshatin Novoselë Vlorë, në vendin e quajtur “Pompat”, në rrugën e vjetër nacionale Vlorë-Levan, shfaqet në lëvizje e njëjta makinë me drejtim lëvizje nga fshati Novoselë për në fshatin Levan dhe vazhdon lëvizjen pa ndalur deri sa del nga fushëpamja e kamerës.
Dosja e Prokurorisë
Në orën 09:06, në fshatin Levan, në rrugën e vjetër Vlorë- Levan, në aksin rrugor Ferras –Levan, shfaqet sërish. Në orën 09:41 automjeti “RangeRover” kalon në rrugën nacionale Memaliaj-Tepelenë. Në orën 10:06 shfaqet në kryqëzimin e rrugës Kardhiq-Sarandë me rrugën Tepelenë-Gjirokastër, ku kthehet për në rrugën Kardhiq-Sarandë. Në orën 10:57 shfaqet në rrugën Sarandë-Ksamil, me drejtim për nga Ksamili. Në orën 11:00, është fiksuar nga kamerat edhe në vendin e quajtur “Posta Ksamil”, vend ku parkohet makina dhe zbret nga vendi i shoferit shtetasi rumun Daniel Cornea. Ai merr me vete një çantë rrobash me ngjyrë të zezë dhe pasi mbyll makinën dhe largohet.
Në orën 11:52 autori shfaqet duke u afruar në këmbë në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë-Botë. Në atë kohë ai mban të veshur në trup një këmishë tekstili me mëngë të gjata, me ngjyrë të kaltër, një palë pantallona xhins të gjata me ngjyrë bojëqielli dhe në këmbë ka të mbathura si atlete me ngjyrë gri. Në sy mban syze dielli, në supin e djathtë dhe në pjesën e belit në anën e majtë ka një çantë tip marsup me ngjyrë të Zezë, i ndryshëm nga ai që i është evidentuar në pamjet në qytetin e Vlorës dhe në dorë mban një çantë dore sportive. Pasi kalon sportelin e regjistrimit, lëviz në këmbë për në drejtim të territorit grek.
TAKIMET E VRASËSIT ME BASHKËPUNËTORIN
Një shtetas i huaj, që është porositur për të kryer një vrasje, gjithmonë ka nevojë për ndihmën e një vendasi. Qoftë për t’i mësuar rrugët, qoftë për ta shoqëruar, por edhe për ta pajisur me mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit. Kjo ka ndodhur edhe me rumunin Daniel Cornea, i cili rezulton të ketë qëndruar në Vlorë për 6 ditë. Nga data 21 prill 2025, kur ka hyrë në territorin shqiptar nga Qafë Bota e deri 5 orë pas vrasjes, më 27 prill, kur është larguar drejt Greqisë përmes të njëjtës Pikë Kufitare.
Provat e mbledhura nga grupi hetimor, të paktën deri në këtë fazë, kanë zbuluar njërin nga personat që e ka ndihmuar gjatë qëndrimit të tij në Vlorë. Ai është Kleanth Bylyku, apo i njohur ndryshe edhe si Armando Gega, i arrestuar 3 muaj pas vrasjes së Renato Hoxhës.
Nga verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë, është provuar implikimi i tij në ngjarje dhe takimet me vrasësin rumun, Daniel Cornea, duke filluar nga data 23 prill 2025. Policia ka arritur të zbulojë lëvizje e Kleanth Bylykut me dy automjete. Një “Mercedes Benz GLK”, me ngjyrë të kuqe dhe një “Audi Q3”, me ngjyrë blu.
Fillimisht janë verifikuar lëvizjet e “Range Rover” që përdorej nga Daniel Cornea dhe “Mercedes Benz GLK”, që përdorej nga Kleanth Bylyku. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë të dy këto makina, kanë ardhur në rrugë të ndryshme dhe janë parë njëra pas tjetrës pranë një pikë karburanti, në orën 02:05 të asaj date.
Dosja e Prokurorisë
Në ornë 02:05 në pamje vihet re automjeti “Range Rover”, i cili vjen nga rruga Levan-Vlorë përshkruan rrethrrotullimin e Nartës dhe sapo afrohet në hyrje të rrugës që shkon tek karburanti, njëkohësisht automjeti i markës “GLK” me ngjyrë të kuqe, ia bën disa herë me drita të gjata. Në këtë moment “Range Rover”, vërehet që ul shpejtësinë. Në këtë kohë “GLK” fillon lëvizjen dhe pas disa metrave e parakalon e del përpara “Range Rover”. Në orën 02:07, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i “Omonias” në rrugën “Transballkanike”, vërehet të ecin njëri pas tjetrit dy automjetet, i pari është “GLK” dhe menjëherë pas tij “Range Rover”. Në këtë formë dy makinat lëvizin njëra pas tjetrës deri në afërsi të “Ujit të ftohtë”.
Nga ana tjetër, grupi hetimor ka identifikuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë nga hoteli ku ka qëndruar Daniel Cornea dhe lëvizjet e tij të datës 22 prill 2025, deri sa është takuar me Kleanth Bylykun, në zonën e ish-kombinatit të peshkut, në rrugën “Çajupi”,
Në pamje vihet re automjeti “Mercedes Benz GLK”, i cili vijon rrugën derisa humbet nga fushëpamja e kamerave të sigurisë por pas pak minutash kthehet dhe brenda saj dallohen dy persona. Njëri në vendin e pasagjerit dhe tjetri në vendin e shoferit. Nga sa shquhet nga cilësia e kamerës, njëri nga personat ka pjesën anësore të flokëve të qethur shkurt gati në zero, dhe ky automjet pasi ecën për disa metra mbrapa, qëndron në kryqëzimin e rrugës “Çajupi”. Në orën 22:53 në pamje vihet re se nga vendi i parë i pasagjerit zbret një person, i cili është identifikuar si autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi Daniel Cornea, i cili vazhdon lëvizjen në këmbë.
Por përpara se të identifikoheshin lëvizjet dhe takimet me vrasësin rumun, grupi hetimor ka dokumentuar edhe takimet e Kleanth Bylykut me personin që ka marrë makinën “Range Rover”, më 9 prill 2025 në Kamzë, në Tiranë dhe e ka dërguar në Vlorë. Në atë periudhë, Bylyku është identifikuar se lëviz me automjetin “Audi Q3”, me ngjyrë blu.
Dosja e Prokurorisë
Më 9 prill 2025, në orën 17:49, në qytetin e Vlorës, në lagjen “11 Janari”,” vërehet të kalojë një automjet “Audi”, ku vërehet se në dy sediljet përpara janë dy persona të seksit mashkull, të cilët po drejtohen drejt autostradës Vlorë-Levan. Në orën 18:19, në rrugën Fier-Lushnjë në, vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”, kalon automjeti “Audi” me drejtim lëvizje nga qyteti i Fierit për në qytetin e Lushnjës. Në orën 19:19 në qytetin e Tiranës, në vendin e quajtur “Shqiponja”, me drejtim lëvizjeje për nga vend i quajtur “Zogu i Zi”, shfaqen automjetet “Range Rover ” dhe “Audi” njëra pas tjetrës, që marrin kthesën në mbikalimin e doganës dhe vazhdojnë rrugën me drejtim Tiranë-Kamëz. Në orën 20:30 në rrugën Lushnjë- Fier, te “Pushimi i Shoferit”, kalojnë të dy makinat njëra pas tjetrës me një distancë prej 1 sekonde, me drejtim Lushnjë-Fier.
Lëvizja e dy makinave njëra pas tjetrës është fiksuar nga kamerat e sigurisë përgjatë gjithë rrugës derisa kanë mbërritur në Vlorë por edhe gjatë lëvizjes nëpër qytetin e Vlorës.
Më datë 11 prill 2025, janë fiksuar edhe momente të tjera të makinës “Audi”, ku vërehet se në drejtim të saj është Kleanth Bylyku. Pas identifikimit të tij, janë parë të gjitha lëvizjet e mëparshme që ai ka kryer në zona të ndryshme në Vlorë dhe takimet që ka zhvilluar.
Më datë 17 maj 2025, në orën 15:15, në rrugën Vlorë-Fier, pranë një restoranti në fshatin Panaja, automjeti “Audi” është gjetur i braktisur dhe i aksidentuar jashtë rrugës. Nga verifikimet e kryera ky automjet rezultoi të ishte në pronësi të shtetasit Gazmend B., i cili nga verifikimet rezultoi se ndodhej jashtë Shqipërisë.
Nga tërësia e të gjitha veprime e hetimore proceduriale të kryera deri në këto momente, është dokumentuar fakti se shtetasi i huaj Daniel Cornea, i biri i Radian dhe i Liliana, i datëlindjes 19.03.1972, lindur në Rumani në qytetin e Tulceas, është autor i vrasjes, në rolin ekzekutorit, të shtetasit Renato Hoxha, ngjarje e ndodhur më datë 27 prill 2025 në lagjen “Hajro Çakërri”, të qytetit të Vlorës. Nga dinamika e evidentuar lind dyshimi i bazuar në prova, se ky shtetas e ka kryer këtë vrasje kundrejt pagesës, për llogari të personave të tjerë, gjithashtu dyshohet se po nga këta persona i janë siguruar kushtet, mjetet, armët e zjarrit dhe banesa në qytetin e Vlorës, që ai të bënte të mundur realizimin e ngjarjes. Nga veprimet procedurale të kryera, del qartë dhe është dokumentuar fakti se shtetasi Kleanth Bylyku, ka kryer veprime konkrete duke ndihmuar dhe bërë të mundur realizimin e ngjarjes, arritjen e qëllimit kriminal, veprime të cilat të krijojnë dyshimin e arsyeshëm për përfshirjen e tij në ndihmën e ekzekutorit të vrasjes.
Dosja e Prokurorisë
Konkretisht për shtetasin Kleanth Bylyku është dokumentuar fakti se ai është personi që ka shoqëruar më 9 prill 2025, me automjetin “Audi Q3”, ngjyrë blu, personin që ka marrë automjetin “Range Rover”, Eris Mehmetaj, në qytetin e Tiranës, duke e shoqëruar në qytetin e Vlorës dhe konkretisht deri në unazën e qytetit, automjet i cili është përdorur më pas nga Daniel Cornea për të kryer vrasjen e Renato Hoxhës. Gjithashtu, Kleanth Bylyku, më datë 22 prill 2025, dyshohet se ka përdorur automjetin “Mercedes Benz GLK “, me ngjyrë të kuqe, duke lëvizur së bashku me autorin e ngjarjes Daniel Cornea. Kleanth Bylyku ka shërbyer si ndihmës në kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim. Ai ka asistuar kryerjen e veprës penale që në fazat e para të realizimit e planifikimit të saj, duke shërbyer si personi që ka asistuar e siguruar arritjen në Vlorë të automjetit, që do përdorej nga ekzekutori ditën e ngjarjes e më tej duke e shoqëruar ekzekutorin, duke e ndihmuar në mënyrë relevante, që të njihte viktimën dhe zonën ku do të kryente vrasjen, duke qenë se Daniel Cornea ishte i huaj.
Të paktën me aq sa rendit në dosje deri në këtë fazë Prokuroria e Vlorës, vrasja e Renato Hoxhës rezulton të jetë kryer nga një grup i strukturuar kriminal dhe duket se hetimet për këtë ngjarje do i kalojnë Prokurorisë së Posaçme. Bëhet fjalë për një grup të mirëfilltë, që ka në përbërje financuesit e urdhëruesit, që dyshohet se ndodhet në Dubai, vrasësin që është paguar e në këtë rast është një shtetas i huaj, të dy këta të shpallur në kërkim dhe dy persona të tjerë të arrestuar, që sipas Prokurorisë kanë kryer veprime konkrete duke kontribuuar në realizimin e vrasjes së Renato Hoxhës.
Megjithatë edhe pse duket se gjithçka është zbardhur tashmë nga Prokuroria, vijon të mbetet ende i paqartë motivi i krimit. Arsyeja se përse u urdhërua t’i mbyllej goja përjetësisht një 58-vjeçari, që punonte si rojë.
E çfarë e bën edhe më të rëndë ngjarjen, janë lëvizjet e një vrasësi të huaj pothuajse në të gjithë territorin e Vlorës. Për 6 ditë ai shëtiti kudo. Hyri në këmbë në kufi dhe doli po në këmbë. Lëvizi me tri taksi të ndryshme. Drejtoi një “Range Rover” për disa ditë, u shoqërua me një person që të paktën në Vlorë konsiderohet me rrezikshmëri të lartë kriminale e megjithatë nuk i ra në sy asnjë patrulle Policie. Madje as disa orë pas realizimit të vrasjes. Kamerat tregojnë se Daniel Cornea ka ardhur rrotull në Vlorë, ka ikur deri diku e është kthyer prapë mbrapsht, por askush nuk e ka parë. Diçka më shumë se 5 orë pasi realizoi vrasjen, me atë ecjen e qetë, siç shfaqet edhe në kamerat e sigurisë, ai la gjurmët e fundit në kufirin shqiptar. Sot është i shpallur në kërkim bashkë më atë që besohet se e financoi për vrasjen.
/Emisioni “Gjërat Tona”