Nga Boldnews.al
Disa mijëra fëmijëve në periferinë perëndimore të Tiranës, në zonën e Kombinatit dhe të Astirit, në Unazën e Re, janë të detyruar edhe këtë vit të ri shkollor që të udhëtojnë shumë larg banesave të tyre për të ndjekur mësimin në shkolla publike ose, për ata që kanë mundësitë financiare, të arsimohen në shkolla private.
Zona pranë Unazës së Re, e njohur si “Astiri” është një lagje e re, e konsoliduar në periudhën 2005-2010 dhe e shumëfishuar gjatë viteve të mëvonshme. Aktualisht, projeksionet zyrtare numërojnë mbi 70 mijë banorë, kryesisht familje të reja, të cilat kanë fëmijë në moshë shkollore.
Një hapësirë rezidencile gjigande, me dhjetra pallate shumëkatëshe, nuk ka asnjë çerdhe, kopsht apo shkolla publike të arsimit parauniversitar.
Kryebashkiaku (tashmë i arrestuar) për korrupsion dhe pastrim parash i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka premtuar në tre fushata rresht ndërtimin e godinave publike arsimore në zonën e Astirit dhe Yzberishtit. Por, prej vitit 2015, kur u ul për herë të parë në karrigen e numrit Një të Tiranës, e deri sa u arrestua, në shkurt 2025, Veliaj nuk e mbajti kurrë premtimin që u dha prej vitesh banorëve të zonës.
Kantieri i shkollës mes pallateve në Astir
Në Dhjetor të vitit 2024, Bashkia e Tiranës, e drejtuar në atë kohë efektivisht nga Veliaj, shpalli tenderin me fond limit 368.652.533 lekë të reja (mbi 3.6 milionë euro) “Për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në rrugën Muhamet Çaushaj”.

Tenderi u fitua nga kompania “Dion-al” për një vlerë prej 297.893.376 lekë të reja (rreth 3 milionë euro) dhe kontrata u lidh për Bashkinë Tiranës nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani, në mars të vitit 2025.
Në Prill të vitit 2025, kryeministri Rama, i cili mori jo-zyrtarisht edhe “frenat” e Bashkisë së kryeqytetit pas vendosjes në qeli të Erion Veliaj, u shfaq në kantierin e këtij investimi, së bashku me kryetaren e bashkisë në detyrë, Ristani dhe Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu.

“Kur kemi qenë me Ogertën përpara disa ditësh këtu, kjo ishte kërkesa, por aty ju thashë që do ta fillojmë së shpejti”, deklaroi Rama, duke e konsideruar nisjen e ndërtimit të shkollës në periferinë fundore të “Astirit” si një premtim të mbajtur, megjithëse është në qeveri prej më shumë se 12 vitesh.
Kantieri i shkollës së re në zonën e “Astirit” gjendet në një hapësirë, e cila fillimisht ka qenë e destinuar si zonë çlodhëse për disa godina të larta banimi shumë-katëshe, të cilat e rrethojnë nga tre anë.

“Boldnews.al” konstatoi se shkolla e re, kur të përfundojë, në anën e djathtë të saj, nuk do të jetë më shumë se dy metra nga një pallat 10-katësh. Banorët e godinës e dinë shumë mirë që, kur shkolla e re të bëhet funksionale, do të jetë një shqetësim i përditshëm për jetesën dhe qetësinë e tyre. Megjithatë, të etur për një shkollë publike ku të arsimojnë fëmijët e tyre, qytetarët e zonës shprehen të gatshëm që “të durojmë zhurmën, mjafton të kemi ku t’i çojmë”, siç deklaruan disa prej tyre për “Boldnews.al”.
Godina tre-katëshe e shkollës së pritshme mund të akomodojë deri në 900 nxënës, siç i shpjegoi kryeministrit Rama, kryebashkiakja e komanduar e Tiranës, Ristani, gjatë vizitës së tyre në Prill të këtij viti.

Punimet, sipas projeksioneve të kontratës, duhet të përfundojnë brenda 12 muajve, maksimalisht në Prill të vitit 2026. “Boldnews.al” konstatoi se punimet janë në fazën mbi themelet, megjithëse mbetet për t’u parë nëse do të arrihet mbarimi i ndërtimit në afatin kontraktual.
Gjithësesi, të paktën 900 nxënës, të cilët duhet të akomodohen në shkollën e pritshme në rrugën “Muhamet Çaushaj”, në Astir, do të duhet që edhe këtë vit shkollor të vijojnë “eksodin” në shkolla të tjera në Tiranë, publike apo private.
Kantieri në Yzberisht, “merr pushimet”
Në Tetor të vitit 2024, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dha “lajmin e mirë” se ishte vendosur të ndërtohej një kompleks parauniversitar në zonën e Yzberishtit, i përbërë nga një shkollë 9-vjeçare dhe një gjimnaz. Ai nuk e shprehte ngazëllimin për këtë “lajm” në studion e një televizioni kombëtar.
Veliaj, i cili qëndroi për gati 10 vjet në postin e kryetarit të Bashkisë, u kishte premtuar mijëra banorëve të Yzberishtit ndërtimin e shkollës së që në fushatën elektorale të mandatit të tij të parë, në vitin 2015.

Gjithësesi, nën parimin “më mirë vonë se kurrë”, Bashkia shpalli në 31 dhjetor 2024 tenderin “Për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme, rruga ‘3 Dëshmorët”, Yzberisht”, me fond limit 694.106.416 lekë të reja (rreth 7 milionë euro). Procedura u fitua nga bashkimi i operatorëve “NG Structures” & “G.P.G Company”, të cilat paraqitën ofertën me vlerë 517.848.248 lekë të reja (rreth 5.2 milionë euro). Kontrata u nënshkrua në qershor 2025.
Dy shkollat pritet të akomodojnë në total rreth 1500 nxënës (900 nxënës në arsimin 9-vjeçar dhe 600 në arsimin e mesëm).

Gjatë muajit korrik 2025, disa makineri të rënda të kompanive fituese u shfaqën në kantier, duke sheshuar disi terrenin, por më shumë duke krijuar re gjigante pluhuri për dhjetra pallate shumë-katëshe që gjenden në zonë.
“Pluhuri ishte shkatërrues, aq më tepër në kulmin e vapës, pasi na detyroi të mbanin dyer e dritare mbyllur, megjithatë e pranuam këtë sakrificë për të mirën e fëmijëve, pasi presim që t’u ndërtohet shkolla”, thonë disa banorë të zonës, që banojnë ngjitur me kantierin e punimeve.

Zona e Yzberishtit është e populluar kryesisht nga familje të reja, të cilat jetojnë me qira ose kanë blerë apartamente me kredi dhe kostot për arsimimin privat të fëmijëve të tyre janë një luks që nuk ua përballon shumë buxheti familjar. Ndaj, pluhuri shkatërrues për organizmin, gjithësesi nuk ua prish dëshirën për të pasur një shkollë publike sa më afër shtëpive.
Por, pasi vapa dhe pluhuri u larguan me korrikun, në kantierin e Yzberishtit nuk ndihet më asnjë zhurmë makinerie. Prej gati dy muajsh, në terren gjenden vetëm disa dërrasa që pritet të përdoren për themelet dhe roja, i cili shtyn vapën e këtij shtatori duke shëtitur cep më cep të murit rrethues.

Kontrata e punimeve parashikon që dy shkollat e reja, të cilat pritet të ndërtohen pranë njëra-tjetrës, të jenë gati për të pritur 1500 nxënës të zonës pas dy vitesh, në 2026. Banorët e Yzberishtit u ka mbetur vetëm shpresa, megjithëse prej një dekade janë ushqyer me premtime të parealizuara. Gjithësesi, edhe për të paktën dy vite të tjera, fëmijët e zonës do të vijojnë “eksodin” e arsimimit.
“Shyqyri Peza” në Kombinat, si pëlhura e Penelopës
Për të tretin sezon arsimor radhazi, rreth 800 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Shyqyri Peza”, në Kombinat, do të duhet të “shëtisin” në godina të tjera arsimore të zonës, pasi ndërtesa vijon të jetë në rikonstruksion, që duket se nuk mbaron kurrë.
Në dhjetor të vitit 2023, Bashkia e Tiranës urdhëroi zhvendosjen e fëmijëve së kësaj shkolle për të ndjekur mësimin pasdite pranë “Lasgush Poradecit” dhe “Betim Muços”, pasi godina do të përfshihej në rikonstruksion dhe zgjerim.
Në janar të vitit 2024, Bashkia nënshkroi kontratën me bashkimin e operatorëve “Bajrami N” & “Colombo”, me ofertë 113.5 milionë lekë të reja (mbi 1.1 milionë euro) për “Rikonstruksioni i shkollës “Shyqyri Peza”.

“Boldnews.al” ka konstatuar më herët se, të paktën deri në shtator 2024, punimet për rikonstruksionin e shkollës “Shyqyri Peza” nuk kishin nisur, megjithëse kishin kaluar rreth 8 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Punimet nisën efektivisht diku rreth Tetorit 2025, kohë kur u shfaqën makineritë dhe punëtorët e parë.

Kontrata parashikon që punimet duhet të përfundojnë brenda 12 muajve nga nisja e punimeve. Për shkak të vonesave në hapat fillestarë, shkolla duhet të mbaronte rikonstruksionin, maksimalisht në Tetor të vitit 2025.
Por, “Boldnews.al” konstatoi se në kantier po vijojnë punimet. Nga ajo që duket me sy të lirë, vlerësohet tërësisht e pamundur që 800 nxënësit e shkollës “Shyqyri Peza” në Kombinat të rikthehen në një kohë të shpejtë në godinën e tyre.

Skela druri e hekuri, pirgje dherash, mure të prishura. Kjo është panorama që shihet me sy të lirë këtë Shtator në zonën e punimeve.
Nxënësit e “Shyqyri Pezës”, si edhe prindërit e tyre, janë të detyruar që edhe këtë vit shkollor, të vijojnë me “eksodin” në shkolla të tjera, me shpresën se bashkia dhe kompanitë private t’i japin fund punimeve, të cilat janë shndërruar si “pëlhura e Penelopës”.