Kur Lasgushi u godit me fletërrufe për një libër të vonuar, ai u bë simbol i një kohe kur turmat gjykonin pa gjykata. Sot, historia përsëritet: gjyqtarët shënjestrohen publikisht nga vetë Kryeministri, në një doktrinë moderne të “fletërrufesë” që sfidon pavarësinë e drejtësisë. Gjuha e pushtetit rrezikon të delegjitimojë gjyqësorin, duke e kthyer popullin në gjykatës dhe duke minuar themelet e shtetit të së drejtës.
Sa herë ka ndonjë përvjetor lindje a vdekje të Lasgushit, rëndom nëpër rrjet do të gjenden shkrime për të dhe ndër to, ndër më interesantët, është një fletërrufe e 25 shkurtit 1972, e Bibliotekës Kombëtare, drejtuar atij që nuk ju përkul me heshtje peshës së regjimit. Në përmbjatje të fletërrufesë “shokut Lazar Gusho” i kërkohet llogari për mbjatjen e një libri jashtë afatit. Biblioteka, me anë të një gjuhe të montuar, të zbrazët e të thatë, i thotë se kjo e ngarkonte me përgjegjesi për mos përhapjen e librit; qëndrimi është i pahijshëm; nuk i shërben disiplinës proletare; kështu shpërdorohet fondi i librit dhe krejt në fund, si për ta kërcënuar, i kujtojnë se kjo përbën vepër penale.
Është bërë e udhës këto ditë, që Kryeministri bën tabelë qitje ndonjë magjistrat. Këto ditë ishte rradha e gjyqtarit Ligoraq Toshi. “Ligoraq” siç e quajti ai. Ai tha “Gjykatësi Ligoraq me siguri nuk e ka parë të udhës të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe as nuk e ka menduar që mos o zot, në rast zjarri ky dyqan të kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit.”
Mendimi i parë! A e dini ju shoku Ligoraq se ndërtimet pa leje janë në dëm të komunitetit? A e dini ju shoku Ligoraq […]? Këtu të çon kujtesa pas leximit të fletërrufesë së Kryemnistrit ndaj magjistratit. Përtej problemeve të verbit, që nuk janë vetëm të tilla por kanë edhe ngarkesa të tjera, ajo kujton fletërrufenë e Bibliotekës Kombetare në ’72. Ato ngjasojnë si dy pika uji. Zotësia e Kryeministrit në artin e fjalës është një fakt i gjithëpranuar dhe çuditesh kur lexon të tilla reagime. Pastaj, kujton dhe i jep të drejtë se ai i ka qëndruar besnik konceptit të fletërrufesë dhe qëllimi është tjetër kund.
Gjykatësi Ligoraq Toshi, e të tjerë para tij (magjistratët Elsa Gjeli, Klarent Demiraj, Hazbi Balliu), nuk mund të jenë Lasgushi, megjithatë ata kanë një gjë të përbashkët. Të gjithë janë viktima të doktrinës së njohur të Revolucionit Kulturor Kinez. Autori Yu Hua, në librin “Njeriu që shet gjak” shkruan se: “U bë ca kohë që po zhvillohet Revolucioni i Madh Kulturor dhe vetëm tani kam filluar të kuptoj diçka çfarë është ai. Në fakt, është larje e hesapeve të vjetra. Pra, nëse dikur të ka ofenduar dikush, ti i shkruan një fletërrufe dhe e ngjit në muret buzë rrugës. Në fletërrufe […] mund ta akuzosh për çfarë të duash. Këto kohë nuk ka as gjykata, as polici, e vetmja gjë me shumicë janë akuzat. Bëj një akuzë sipas qejfit, shkruaje ne fletërrufe dhe nuk është më nevoja të merresh me të, janë të tjerët që ia japin dënimin me vdekje.”
Duke lexuar Yu Hua, lehtësisht kuptohet se nuk është se Kryeministri nuk di, përkundrazi ai thjesht atë do. Ngjashmëria mes fletërrufesë në murin e Bibliotekes Kombetare dhe asaj moderne në hapësirën personale në rrjetet sociale, janë të kohëve të ndryshme, në formë të ndryshme por qëllimin e kanë të njëjtë. Fletërrufeja është doktrinë dhe si e tillë duhet zbatuar nëpërmjet disa hapave për të arritur qëllimin.
E para është gjuha e përdorur. Është e njëjtë, po aq e vakët, e montuar, pa përmbjatje faktesh, e zhveshur veç emra, stigmatizime (Gjeli, Balliu), dhe populizëm. Në fund struktura e shkrimit po e njëtë. Po ashtu si Lasgushit që i kujtohet Kodi Penal, vjen fyerja dhe kanosja duke e quajtur të paaftë, të papërgjegjshëm, “të pa atdhe” dhe se në vijim do merren masa.
Nëpërmjet gjuhës vijmë tek përmbjatja. Në fletërrufetë klasike dhe moderne nuk ka fakte e as kundërshtim faktesh. Ajo është bosh për nga mendimi. Por ky është pikërisht qëllimi. Pa paraqitjen e fakteve, asgjë nuk mund të jetë e vërtetë. Kështu, lexuesve të fletërrufesë u hiqet mundësia për të bërë vlerësim kritik mbi rastin. Por, nëse lihen mënjanë faktet, ka marrë fund liria. Njerëzit, pa kuptuar po i nënshtrohen kështu bindjes të Kryeministrit sepse e kanë të pamundur të bëjnë dallimin mes asaj që dëgjojnë nga goja e tij dhe asaj që realisht është.
Përfundimi? Ashtu si në Revolucionin Kulturor Kinez, gjyqi është bërë. Fajtori në litar. Kryeministri nuk ka më nevojë të merret me rastin dhe gjyqtarin. Janë masat e uritura që e bëjnë këtë. Për këtë shihet moria e komenteve poshtë fletërrufesë së Kryeministrit, që e kanë “shqyer” figurën e gjyqtarit në fjalë dhe gjyqësorit.
Ndërsa me fjalët pa përmbajtje, goditet individi dhe zhbëhet autoriteti i funksionarit publik, problemi tjetër dhe më i rëndë i fletërrufesë të Kryeministrit, është në qëllim dhe dëmi që i bën kulturës shtetërore. Fletërrufetë ishin (dhe duket janë ende) mjete të partisë dhe popullit. Kështu institucionet dalin jashtë loje. Kryeministri apo çdo politikan kështu bypas-on institucionet, të cilat kanë autoritetin e dhënë nga Kushtetuta për të vepruar dhe çështjet i zgjidh vetë me popullin. Policia, inspektoratet (që janë të panumërt nën varësinë e Kryeministrit) këshillat gjyqësorë (që falë zotit nuk janë nën varësinë e tij), inspektori i lartë, etj. etj., dalin jashtë veprimit dhe nuk ushtrojnë dot kompetencat e tyre. Me gjyqtarin dhe Lasgushin tashmë merret populli. Në skenë del triumfues ai që mund të paguajë për dritat më të forta.
Nga “lavire” në “pis” dhe reforma e madhe e gjyqësorit në mes
Në 2011, Kryeministri i kohës e quajti Kryeprokuroren në detyrë “lavire bulevardi”. Të gjithë e konsideruan se kjo qe një shkelje e rëndë e pavarësisë së gjyqësorit. Madje, shpesh përmendej si kazus për nisjen me emergjencë dhe domosdoshmëri të referomës së madhe në gjyqësor.
Dhe ajo u bë, të paktën në letër. Në 2016, u bë reforma më e madhe në strukturën kushtetuese të vendit pas miratimit të Kushtetutës të vitit 1998. U shkrinë institucionet ekzistuese të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, funksionet u shpërndanë në disa institucione, të cilat u krijuan prej fillimit dhe të gjithtë magjistratët, përfshirë dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kaluan një proces verifikimi të njohur si vetting. Pasojat e saj tashmë dihen. Gati gjysma e trupës gjyqësore u largua nga detyra. Institucionet e reja që u krijuan synuan një pluralitet pjesmarrje nga gjyqësori, që ruante shumicën dhe pjesa tjetër nga shoqëria civile, akademia dhe avokatia. Këta të fundit që kanë dhe drejtimin, zgjidhen nga Kuvendi, pra politika.
Katërmbëdhjetë vjet pas etiketimit si “lavire” dhe tetë vjet pas reformës, Kryemnistri aktual e quajti një magjistrat “pis”. Reforma u bë, “e keqja” e pretenduar u largua nga sistemi. Gjyqtarët ikën, politikanët mbetën. Gjuha vazhdon të jetë e njëjtë. Dhe këtu vijmë tek problemi real i deklaratave të kryeminstrave. Gjyqësori nuk ka qenë problem, pavarësia e tij është problemi.
Problemet e gjuhës së dhunës ndaj magjistratëve dhe dy rregulla shpëtimi
Shumë thonë se fletërruftë e Kryeministrit janë kritikë ndaj gjyqtarëve. E njëjta gjë thuhej edhe para reformës. Në fakt, fjalë të tilla e të tjera të ngjashme, nuk kanë lidhje me kritikën. Kritikë do të thotë të analizosh më së pari punën e dikujt dhe të japësh mendim të arsyetuar për të treguar të metat e punës me qëllim përmirësimin e tyre. Për këtë, do të duhet të përmndësh faktet. Më lartë thamë se fletërrufetë janë të zbarzura nga faktet. Përkundër kësaj, ato janë intimidime dhe sulme për frikësim, madje në raste të caktuara edhe në kufijtë e një vepre penale. Fjala “lavire” e para katërmbëdhejtë viteve dhe fjala “pis” shumë e fresktët, nuk janë kritikë por fyerje dhe gjuhë urrejtje. Dhe fyerja ndaj gjyqtarit, dënohet.
Megjithatë, e tejkalojmë këtë pjesë, edhe pse është tepër e rëndë. Edhe lakimi i emrve apo mbiemrave shpesh me gjuhë bullizuese e godet pavarësinë e gjyqësorit. Edhe pse nuk është kërcënim i drejtpërdrejtë, lakimi në media në komente, në publik, vend e pavend, krijon tek ata efektin frenues. Kryeministri e di këtë. Ai e di se pas lakimeve që u bën, ata vetë apo kolegë të tyre, për të dhënë një vendim, do të mendohen dy herë, pavarësisht ligjit. Përndryshe? Mund të kenë fatin e shokëve duke përfunduar në gojën e Kryeministrit dhe ripërtypjen tek ata që e pasojnë si turma të uritura.
Ashtu si efektet e fletërrufeve, peshqesh të Revolucionit Kulturor Kinez, që i detyronin njerëzit të bënin autokritikë, e pas kësaj të ndryshonin qëndrim e sjellje, edhe tek magjistratët, më së paku kjo do sjellë rimendim të vendimarrjes. Dhe kjo fatkeqsisht jo për shkak të ligjit. Edhe tek më i guximshmi, e për ata që nuk e kanë guximin dhe ngarkohen natyrshëm me frikë, sigurisht vendimarrje të deformuara. Përfundimi është i qartë! Trupa gjyqësore e tërë e vënë nën pushtetin e frikës dhe këtu pavarësia merr fund. Dhe këtu vijmë te problemi i dytë.
Paqja sociale. Imagjinoni dy njerëz në konflikt për një copë tokë, shtëpi apo çdo send. Vetë do të ishin në konflikt të vazhdueshëm dhe nëse nuk do të kishin vullnetin për pajtim, konflikti mund të ishte i gjatë, i lodhshëm dhe me pasoja. Rëndom kemi dëgjuar vrasje për një rrip toke apo një pëllëmbë mur. Jo pak kohë më parë shteti shqiptar u dënua nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut sepse nuk kishte hetuar siç duhet një ngjarje ku një person i paidentifikuar, në mes të bulevardit të madh të Tiranës, kishte sulmuar me acid një grua. Të gjitha dyshimet e saj ishin ndaj ish bashkëshortit me të cilin ishte divorcuar, por që nuk e pranonte vendimin e gjykatës. Çështja ende është e hapur.
Dhënia e drejtësisë është një nga funksionet e shtetit. Atë që njerëzit nuk e zgjidhin dot me vullnet të mirë, u drejtohen gjykatave. Pasi gjykata vendos, kushdo duhet ta respektojë atë vendim. Kjo sjell paqen sociale. Konfliktet daraviten, hasmëritë marrin fund, prona krijon stabilitet, marrëdhëniet njerëzore po ashtu. Shteti nuk përjashtohet nga kjo ligjësi. Ai më së pari duhet ti zbatojë vendimet e gjykatave. Etiketimi i gjyqtarëve dhe vendimeve të tyre, nuk i shërben kësaj. Kur shteti refuzon vendimet që japin funksionarët e vetë, imagjinoni trimërimin e njerëzve dhe refuzimin e tyre kundër vendimeve gjyqësore. Të shtyrë me idenë se ata kanë të drejtë dhe akoma më shumë me fjalët e Kryeministrit se gjyqtarët i bien ndesh interesit publik, nuk e kanë për të madhe të sulmojnë ose edhe vrasin atë me të cilin kanë konflikt. Duke iu rikthyer doktrinës së fletërrufesë, përsëri kështu shteti deligjitimohet, njerëzit imponojnë dhunshëm idetë e tyre dhe këtu vijmë tek problemi i tretë.
Deligjitimimi i funksionarëve dhe për pasojë vetë shtetit nëpërmjet dhunës. Në vitin 2013, një qytetar, i cili nuk ishte dakord me vendimin gjyqësor të dhënë nga një gjyqtare, i trimëruar dhe mbarsur me idenë se ata janë të korruptuar, e sulmoi me acid në fytyrë. Veprimi u dënua si sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Sulmi gjithsesi ndodhi dhe u krijua një precedent i rrezikshëm në dëm të trupës gjyqësore. Nuk flasim më për efektin frenues që përjetojnë magjistratët dhe pavarësia e tyre, por diçka më tepër.
Etiketmimet e magjistratëve dhe tallja me ta (Gjeli, Balliu, Ligoraqi), i bëjnë ata të prekshëm. Ata nuk janë më autoritet dhe përballë palëve nuk janë më gjyqtarë apo i nderuar gjyqtar, por kthehen thjesht në emra të predispozuar për tallje dhe zoti mos e përsëristë më, viktima të mundshme të sulmeve. Tashmë, nuk bëhet fjalë më për pavarësi të tyre, por për deligjitimim të figurës së tyre para palëve në proces. Autoriteti që ua jep ligji dhe Kushtetuta, tashmë është zhbërë nga vetëm disa postime me atë të fletërrufeve moderne. Nuk flasim dot më për pavarësi, por për magjistratin si viktimë. Nëse Kryeministri i një vendi nuk respekton funksionarët dhe institucionet, pse duhet ta bëjë këtë një njeri i thjeshtë pa funksion? Kështu rrënohet shteti duke zhbërë autoritetin e funksionarëve dhe nuk është çudi që ndonjë ditë njerëzit e trimëruar ti drejtohen institucioneve. Dhe këtu vijmë tek problemi i fundit. Domosdoshmëria për të kuptuar rregullat e pavarësisë, si mjet për të shpëtuar prej fletërrufeve.
Përkundër politikanëve që e kanë lirinë për tu shprehur në publik, magjistratët nuk e kanë atë liri. Megjithatë si çdo liri, edhe kjo është e kufizuar. Për të gjitha arsyet e përmendura më sipër, politikanët nuk e kanë këtë të drejtë, sepse hyjnë në teritorin e një pushteti tjetër, atue të gjyqësorit. Rregullat e ndarjes dhe balacimit të pushteteve i kanë “mbyllur” gojën magjistratëve (jo këshillave gjithsesi). Ata mund të flasin veç nëpërmjet vendimeve, ndërsa detyra e hallkave të tjera në shtet është ta kundërshtojnë. Ky është rregulli i parë. Ndërkohë, ndryshe nga sa është kuptuar, kundërshtimi është vetëm në një drejtim, në gjykatën më të lartë, jo nëpërmjet fletërrufeve, sulmeve me acid, etiketimeve, ofendimeve apo hakërimeve.
Është e pakuptueshme se si një Kryeministër, që në morinë e punëve dhe politikave që ka për të ndërmarrë, etiketon vendimet e magjistratëve për akte fundore të administratës së tij. Kushtetuta nuk ia ka dhënë këtë autoritet, përkundër kësaj, ka një mori agjencishë dhe institucionesh varësie që kanë detyrë ta bëjnë këtë gjë. Ato fillimisht duhet ti lexojnë vendimet. Më pas duhet ti kuptojnë ato. Duhet patjetër ti kuptojnë sepse duket e pamundur që sapo të shpallet një vendim gjyqësor, ende i pa arsyetuar, pra pa u njohur shkaqet e asaj vendimmarrje, të kesh guximin të shpallësh të “pa atdhe” një magjistrat, fyerje tjetër kjo që nuk ka lidhje me vendimarrjen. Dhe fare në fund të këtij operacioni logjik, nëse administrata në varësinë e Kryeministrit mendon se ato vendime vijnë në kundërshtim me ligjin, kanë detyrë ti ankimojnë. Ky është thelbi i rregullit të parë.
Për tu përmbyllur ky cikël duhet zbatuar dhe rregulli pasues. Pas shterrjes së të gjitha mjeteve të ankimit, vjen zbatimi. Refuzimi i zbatimit nuk është zgjidhje, madje është e dënueshme. Këto janë dy parimet themelore, ndryshe shteti nuk funksionon si i tillë. Pa to republika nuk mund të jetë parlamentare, ndarja e pushteteve zhbëhet, shteti nuk mund të jetë më i drejtë, institucionet do të jenë ngrehina që strehojnë funksionarë të trembur dhe pa vullnet për të zbatuar ligjin, njerëz të çartur e trimëruar, zot të fateve të tyre me armë në dorë dhe përfundimi, një shoqëri që lëngon dhe refuzon shtetin.
*Shënim: Sipas të dhënave, Revolucioni Kulturor Kinez, përveç drejtimit që i dha shtetit, thuhet se morri jetën e mbi 2 milion vetëve.