Nga Elton Qyno
Një parcelë me drogë është bërë shkaku kryesor për vrasjen me dy plumba pistolete të Piro Prronit, në fshatit Abat të njësisës Administrative në Shkodër.
Vrasja është kryer nga kryeplaku i fshatit Abat, Ndoc Macaj, i cili më pas është vetëdorëzuar tek strukturat policore me ndërmjetësimin e Drejtorit të Qarkut Shkodër.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se Macaj ka pranuar autorësinë e krimit por ka argumentuar se një veprim të tillë e ka kryer për tu vetëmbrojtur, pasi viktima Piro Prroni po e sulmonte me një hanxhar që kishte me vetë dhe thikë.
Gjithçka ka ndodhur për kultivimin e disa rrënje me drogë në zonën e quajtur “Pushime”, tokë e cila i përket autorit të krimit Ndoc Macaj,i cili rezulton të jetë dhe kryeplaku i fshatit.
Pas hetimeve të kryera lidhur me zbardhjen e vrasjes, policia paralelisht ka zbuluar dhe parcelën me drogë duke asgjësuar me zjarr të gjitha rrënjët. Ndërsa 5 prej tyre u sekuestruan në cilësinë e provës materiale më qëllim ekzaminimin në laborator.
Në dëshminë e plotë, autori i krimit, ndër të tjera ka sqaruar se:
”…unë jam kryeplaku i fshatit Abat prej dy vitesh. Duke qënë se për shkak të funksionit dhe përgjegjësive që kam mbi kontrollin e teritorit të fshatit më datën 28 Gusht 2025, rreth orës 17:00, kam dalë duke kontrolluar zonën në vendin e quajtur”
“Pushime”, pasi ditët e fundit kisha parë lëvizje të dyshimta në këtë zonë dhe kisha merak nëse ndokush mund të jetë duke bërë ndonjë paligjshmëri, në tokën time, pasi kam bjeshkët e mia në këtë vend apo në vende të tjera, pasi ligji më ka ngarkuar për të kontrolluar brenda fshatit. Në momentin që kam arritur në vendin e quajtur “Pushime”, kam parë një parcelë, të kultivuar me rreth 70-80 bimë narkotike Cannabis Sativa…”.
Më tej autori i krimit shprehet se:
“…në këtë moment ka ardhur një bashkëfshatar të cilin e njoh me emrin Spiro Prroni (Piro Prroni) dhe mu drejtua me fjalët:”…Ça lyp këtu…?”.
I thashë: “…kjo është toka jeme dhe kam dalë për ta kontrolluar dhe ç’farë bëhet këtu dhe kush është…?”.
Ai më tha: “…Jena tek për tek, po të myti…”. Dhe në këtë moment ka nxjerrë kmesën(mjet prerës) dhe më është afruar, unë kam ecur 2 (dy) hapa pas dhe i thashë: “…Mos mu afro…”.
Por ai prap është afruar dhe më tha: “..Jemi vetëm për vetëm…”. Në këtë moment kam nxjerrë pistoletën dhe i kam thënë sërish: “…Mos mu afro…”. Ndërsa ai është afruar sërish.
“…unë vazhdoja të tërhiqesha, ndërsa ai më afrohej gjithmonë e më shumë. Në këtë moment kam qitur një fishek në ajër, për ta trembur por ai u afrua sërish, çoi kmesën për të më vrarë.I gjendur në këto kushte, i kam drejtuar armën dhe i kam rënë në krahun e majtë, në shpatull…”-tregon autori I krimit.
Aty më tha: “Më vrave…”.
Ka ecur disa hapa pas, dhe u ul në tokë. Nga ai moment nuk ka lëvizur më. Më pas kam zbritur deri tek banesa ime dhe kam njoftuar disa përsona ndër ta Kushëririn e Piros dhe punonjësin e Policise që është kushëri i Piros dhe ju kam treguar për ngjarjen e ndodhur. Më pas më kanë telefonuar nga Policia dhe i kam pritur në banesë deri sa kanë ardhur, ku i kam dorëzuar armën, me të cilin kam kryer krimin dhe më kanë shoqëruar në ambjente e Policisë.
“…Unë jetoj gjatë gjith kohës në Dukagjin dhe gjatë dimrit jemi vetëm dy shtëpi që jetojme atje, prandaj dhe kam mbajt armën por në asnjë rast për këtë qëllim. Sot më zuri rreziku me të dhe nuk kam dashur të ndodhë kjo punë. Piro Prroni, e kam kushëri të largët por nuk është se kam patur kontakt me të. Nuk ka patur njeri-tjetër, kemi qenë vetëm ne të dy. Unë pashë që përvec kmesës në dorë kishte dhe thikë në brez, sipër bluzën, pasi e kishte vendosur në pozicion të dukshëm.
Mu afrua aq afër sa çoi kmesën dhe tentoi të më godasë me të, në këtë moment menjëherë kam nxjerrë pistoletën, të cilën e kisha me vete dhe kam qëlluar në ajër, tek qitje si fillim vetëm për ta trembur dhe për ta larguar.”
Por Prroni nuk u tërhoq dhe vazhdoi të më afrohet sërish, përsëri ka çuar kmesën dhe tentoi të më godasë, në këtë moment e kam qëlluar drejt, ku plumbi e ka kapur në pjesën e gjoksit. Aty me tha:”…Më vrave…”.
Pas këtij momenti ka ecur 2-3 hapa pas, është ulur në tokë dhe ka humbur ndjenjat, ku më pas ka humbur jetën./Ora News/