• Kontakt
Saturday, August 16, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Punë verore, e ardhme e pasigurt

09:05 : 16/08/2025
në AKTUALITET, EKONOMI

Punësimi sezonal po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në Shqipëri, sidomos në sektorin e turizmit, duke u bërë një shtyllë thelbësore e ekonomisë dhe një mundësi për të rinjtë që të fitojnë përvojë dhe të ndërtojnë karrierë. Por, ky fenomen sjell edhe sfida serioze për formalizimin, mbrojtjen dhe motivimin e punonjësve, të cilat kërkojnë vëmendje dhe veprime të koordinuara nga institucionet dhe bizneset…

Kur erdhi koha e verës, Elira, studente nga Tirana, nuk zgjodhi të qëndronte në shtëpi apo të kalonte pushimet si shumica e miqve të saj.

Përkundrazi, ajo mori një vendim që do të ndryshonte përvojën e saj këtë sezon, të largohej nga kryeqyteti dhe të shkonte në Jug të Shqipërisë për të punuar gjatë verës.

Arsyeja? Pagë me e mirë sesa mund të gjente në kryeqytet dhe mundësia për të fituar më shumë, ndërsa përballej me sfida të reja.

Provimet i shtyu për në shtator, sepse në fund të fundit, zerot që do të merrte në llogarinë bankare, ia vlenin të “sakrifikonte” rutinën e mëparshme.

Lexo edhe:

Ekonomia e Kinës humbet vrullin ndërsa presionet tregtare rëndojnë

Berisha denoncon me PAMJE plazhet e boshatisura në Dhërmi e Durrës edhe në këtë ditë të diel gushti

Po Elira nuk është e vetmja që ndërmerr një vendim të tillë. Rruga e punësimit sezonal është shtruar shumë më herët.

Në një periudhë kur tregu i punës në Shqipëri po përballet me sfida dhe transformime të vazhdueshme, punësimi sezonal po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe, duke u shndërruar në një shtyllë kyçe për mbështetjen e sektorëve strategjikë të ekonomisë, sidomos atë të turizmit, i cili është një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike kombëtare.

Me afrimin e sezonit veror dhe rritjen e ndjeshme të fluksit të turistëve, nevoja për staf të përkohshëm që të ofrojë shërbime cilësore në fushat e mikpritjes, gastronomisë, mirëmbajtjes, menaxhimit të objekteve dhe aktiviteteve turistike, shtohet në mënyrë të konsiderueshme.

Ky realitet paraqet sfida dhe ngre pyetje lidhur me mënyrën se si kjo formë punësimi duhet të menaxhohet nga institucionet publike dhe private.

Sa janë të përgatitura këto institucione për të formalizuar dhe për të mbështetur punësimin sezonal në një mënyrë që të sigurojë të drejtat dhe dinjitetin e punonjësve?

Cilat janë mekanizmat që duhet të vendosen për të shmangur informalitetin dhe për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin profesional të të rinjve që angazhohen në këto pozicione?

Nga ana tjetër, pyetja kyçe që lind është: cili është vërtet roli i punësimit sezonal në ekonominë shqiptare?

A duhet ta shohim atë thjesht si një mjet për të mbuluar boshllëqet e përkohshme në tregun e punës gjatë periudhave të ngarkuara, apo përkundrazi, si një trampolinë dhe mundësi reale për të rinjtë që të fitojnë përvojë, të zhvillojnë aftësi të reja dhe të ndërtojnë karrierë afatgjatë?

Enri Jahja, kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, më herët tha për “Monitor” se rritja e pagave për punonjësit e sektorit të shërbimeve në bare dhe restorante në bregdet ka vijuar edhe gjatë këtij viti, me një mesatare prej 10 deri në 20%.

Sipas tij, pagat në jug për pozicione pune si kamerier, banakier apo profesionist për përgatitje koktejesh variojnë nga 120 mijë deri në 200 mijë lekë në muaj.

Z. Jahja tha se kjo rritje pagash është pasojë e një ekuilibri të prishur midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, ku kërkesa është e ulët dhe në shumë raste, pa trajnim profesional, ndërsa oferta është e lartë.

Me gjithë rritjen e pagave, sektori i bareve dhe restoranteve vijon të vuajë mungesën e fuqisë punëtore. Shumë prej bizneseve po shohin si zgjidhje punësimet e huaja, me punonjës nga Filipinet, Bangladeshi, Mianmari dhe Pakistani, edhe pse shumë prej tyre e shohin Shqipërinë si vend tranzit kalimit drejt vendeve të BE-së.

Por ekspertët sugjerojnë se punësimi sezonal mund të shndërrohet në një urë lidhëse midis arsimit dhe tregut të punës, duke ndihmuar në reduktimin e papunësisë strukturore, sidomos te të rinjtë, dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik rajonal e kombëtar.

Për të arritur këtë, është e domosdoshme që politika dhe praktikat e punësimit sezonal të përmirësohen dhe të formalizohen në mënyrë të qëndrueshme.

Kjo përfshin krijimin e kontratave të qarta, sigurimin e kushteve të sigurta të punës, pagesën e drejtë dhe respektimin e të gjitha të drejtave ligjore të punonjësve sezonalë.

Po ashtu, duhet të zhvillohen programe trajnimi dhe edukimi për të përgatitur më mirë punonjësit, duke u dhënë atyre mundësi për t’u rritur profesionalisht dhe për t’u integruar më lehtë në tregun e punës permanent.

Në fund të fundit, punësimi sezonal nuk duhet të konsiderohet vetëm si një zgjidhje e përkohshme apo një fenomen kalimtar, por si një komponent thelbësor i një sistemi të organizuar dhe efektiv të punësimit, që kontribuon në rritjen ekonomike dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për shumë familje shqiptare.

Pyetjet dhe sfidat e ngritura nga ky model duhet të trajtohen me seriozitet nga të gjitha palët e interesuara, në mënyrë që punësimi sezonal të shndërrohet në një instrument të fuqishëm dhe të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik dhe social në Shqipëri.

Shifra

Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, çdo vit rekrutohen rreth 200,000 persona në turizëm. Në vitin 2023 pati rreth 43,000 të punësuar, ndërsa plani 2024–2030 synon 74,000 punëtorë sezonalë në sektorin e turizmit

“Duhet kaluar nga përvoja verore në karrierë afatgjatë

 Flet Erion Muça, ekspert punësimi

Sipërmarrjet turistike, sidomos ato në zonat bregdetare, mbështeten në punonjës të përkohshëm për të përmbushur nevojat e ndryshme, nga shërbimet në restorante dhe hotele, deri te mirëmbajtja e infrastrukturës.

Sipas Erion Muçës, ky lloj punësimi nuk është vetëm një mënyrë për të përballuar valën e turistëve, por edhe një mundësi për shumë të rinj, kryesisht studentë, që të fitojnë përvojë, të zhvillojnë aftësi praktike dhe të ndihmojnë financiarisht veten apo familjen.

Por sipas tij, sfidat për bizneset janë të mëdha: nga gjetja e punonjësve të përshtatshëm, krijimi i kushteve të qëndrueshme dhe motivimi i tyre, deri te formalizimi dhe mundësia e avancimit brenda sipërmarrjeve.

Cilët janë sektorët kryesorë në Shqipëri që varen nga punësimi sezonal dhe sa i rëndësishëm është ky lloj punësimi për ekonominë?

Punësimi sezonal në Shqipëri lidhet kryesisht me sektorin e turizmit. Kërkesa më e madhe për punonjës vjen nga sipërmarrjet turistike, veçanërisht në zonat bregdetare, të cilat përballen me fluks shumë të madh turistësh gjatë sezonit.

Kjo krijon nevojë për punonjës, qofshin profesionistë të fushës apo punonjës të thjeshtë për role si kamerierë, recepsionistë, kuzhinierë, pastiçierë, mirëmbajtës, sanitarë dhe të tjera pozicione të domosdoshme për funksionimin normal të industrisë turistike.

Sigurisht, ka sfida për vetë bizneset për të gjetur punonjës të përshtatshëm.

Këtu përfshihen nevoja për të ndërtuar një infrastrukturë të brendshme motivimi dhe shpërblimi që fillon nga paga e drejtë, trajtimi njerëzor dhe social, shpërblime për orët shtesë dhe mundësia për të punuar përtej sezonit në role mbështetëse brenda së njëjtës sipërmarrje.

Kjo u jep punonjësve siguri dhe motivim të vazhdueshëm.

Çfarë profili kanë zakonisht punonjësit sezonalë dhe cilat janë arsyet që i shtyjnë drejt këtij lloj punësimi, veçanërisht të rinjtë dhe studentët?

Zakonisht, profili i punonjësve sezonalë është ai i të rinjve, kryesisht studentë apo individë në fillimet e karrierës së tyre, të cilët janë në kërkim të një përvoje të parë pune, apo të një mënyre për të gjeneruar të ardhura shtesë gjatë pushimeve ose periudhave të lira nga studimet.

Janë individë energjikë, fleksibël dhe të gatshëm për të punuar në kushte të ndryshme, shpeshherë intensive, për një periudhë të kufizuar kohe.

Arsyet që i shtyjnë drejt këtij lloj punësimi janë të ndryshme. Së pari, është nevoja ekonomike – dëshira për të fituar para në mënyrë të pavarur.

Por përtej këtij faktori, shumë të rinj e shohin punësimin sezonal si një mundësi për të fituar përvojë praktike, për të zhvilluar aftësi të reja – si komunikimi, menaxhimi i kohës, puna në grup – të cilat janë të domosdoshme në çdo fushë më vonë.

Për disa të tjerë, kjo është një mënyrë për të testuar veten në fusha të ndryshme, për të kuptuar më mirë se ku ndihen më të aftë apo të përmbushur.

Ka edhe raste kur një përvojë sezonale shndërrohet në një mundësi më të qëndrueshme punësimi, apo në një pikënisje për karrierë në industrinë përkatëse, veçanërisht në turizëm apo shërbime.

Pra, motivimi nuk është vetëm financiar – është gjithashtu zhvillim personal dhe profesional, orientim në karrierë dhe ndonjëherë, edhe dëshira për të qenë pjesë e një atmosfere dinamike dhe sociale, që e karakterizon zakonisht punën sezonale, sidomos gjatë verës.

Cilat janë sfidat që hasin bizneset për të gjetur punonjës?

Së pari, duhet të krijojnë një infrastrukturë të brendshme për motivimin dhe nxitjen e punonjësve.

Kjo fillon nga niveli i pagës, trajtimi njerëzor dhe social, e vazhdon me shpërblime për punën shtesë që bën një punonjës, për të qenë korrekt me pagesën e orëve shtesë apo me mundësinë që mund t’i ofrohet një të riu – qoftë profesionist, zanatçi apo punëtor i thjeshtë – për të qëndruar shumë më gjatë sesa periudha e sezonit, i angazhuar dhe i punësuar pranë asaj sipërmarrjeje, duke bërë punë të tjera mbështetëse dhe plotësuese në funksion të saj.

Qëllimi është që punonjësi të ketë siguri dhe garanci shtesë, duke qenë i siguruar për punën dhe mbarëvajtjen e saj.

Nga ana tjetër, është e qartë që sot, shumë punonjës në sektorin e turizmit, kërkojnë të promovohen, në varësi të profilit të punës dhe pozicionit.

Duan të kalojnë, për shembull, nga recepsionist në menaxher të një njësie turistike, nëse kanë kualifikimet përkatëse.

Pikërisht për këtë arsye, sistemi i promovimit të brendshëm në karrierë është i rëndësishëm.

Bizneset dhe kompanitë në sektorin e turizmit duhet të krijojnë struktura minimale, pa organigrama të fryra, me qëllim që të nxisin punonjësit jo vetëm përtej nivelit të pagës, por edhe përtej trajtimit dinjitoz dhe mundësive shtesë për të plotësuar infrastrukturën.

Një komponent tjetër është mundësia që vetë sipërmarrja t’u japë punonjësve hapësirë të rriten profesionalisht, qoftë në një apo dy pozicione brenda mjedisit të punës.

Kjo ndihmon punonjësin që të konkurrojë me  përvojën e fituar, jo vetëm brenda vendit, në sipërmarrje të tjera, por edhe jashtë vendit – si një mënyrë prezantimi profesional në kërkimin dhe gjetjen e një pune të ngjashme apo të përafërt me atë që ka bërë.

A është kjo ndoshta një nga arsyet pse shumë të rinj kërkojnë punë sezonale jashtë kufijve? Sepse ndoshta atje gjejnë një model më të përshtatshëm në përputhje me këto kritere që ju përmendët në këtë situatë?

Deri tani, hulumtimet e mia tregojnë se një nga arsyet pse punonjësit lëvizin për të punuar në mënyrë sezonale në vendet e tjera është niveli disi më i lartë i pagës, si dhe disa lehtësi që lidhen me kostot dhe shpenzimet e tyre – të tilla si akomodimi, ushqimi, oraret fleksibël të punës, si dhe të paktën një ditë pushimi në javë që u jepet nga vetë sipërmarrja, apo lehtësia në alternimin e turneve mes punonjësve.

Qëllimi i këtyre lehtësive është që punonjësit të kenë sa më pak lodhje në punën që kryejnë dhe të ndihen më komodë, sepse paga apo shpërblimet që marrin justifikojnë këtë angazhim.

Lëvizja e punonjësve drejt vendeve të rajonit, sidomos për punësim sezonal, në shumicën e rasteve nuk lidhet drejtpërdrejt me diferencën e madhe të pagës krahasuar me Shqipërinë, por më tepër sepse atje ata arrijnë të kursejnë më shumë para, falë mbulimit të kostove të akomodimit, qëndrimit, ushqimit dhe mungesës së shpenzimeve shtesë, gjë që e bën më të leverdishme punën në këto industri.

Megjithatë, kjo nuk ndodh shumë për përvojën profesionale, as për eksperiencën e shtuar apo ballafaqimin me modele standarde, sepse punësimi sezonal është i përhapur në çdo vend të Europës që është destinacion turistik ose ka potencial turistik.

Ai është një punësim intensiv, që kërkon resurse të mëdha fizike dhe mendore, si dhe përkushtim të lartë, për shkak të periudhës së shkurtër gjatë së cilës ofrohet shërbimi.

Kjo periudhë është veçanërisht intensive për shkak të pranisë së lartë të klientëve që kanë nevojë për shërbimin tënd.

Cilat do të ishin disa instrumente që ndoshta shteti duhet të aktivizojë për të formalizuar punësimin sezonal dhe për ta zgjatur në kohë, në mënyrë që të bëhet një formë punësimi më afatgjatë?

Vendet përreth Shqipërisë, por edhe një sërë vendesh europiane, tashmë kanë nisur të subvencionojnë sipërmarrjet turistike duke mbuluar një pjesë të pagës – pse jo, edhe gjithë pagën minimale të punonjësit, ose të paktën 70–80% të pagës mesatare që punonjësi ka pasur gjatë periudhës së sezonit.

Sidoqoftë, për mua, ky subvencionim nga shteti për sipërmarrjet duhet të vijë vetëm atëherë kur vetë kompanitë dhe bizneset kanë kryer një proces standardizimi dhe modernizimi të mënyrës se si funksionojnë nga brenda: çfarë standardesh kanë në trajtimin, vlerësimin dhe motivimin e punonjësve; sa të kënaqur janë punonjësit me punën që bëjnë në këto sipërmarrje.

Pra, subvencionimi duhet të vijë si rezultat i një feedback-u të matshëm nga këto hapa të ndërmarra nga bizneset dhe të përcaktohet në bazë të një sistemi merite.

Këto sipërmarrje që realisht kanë standardet e duhura për trajtimin dhe zhvillimin e punonjësve, që i trajnojnë dhe i promovojnë nga brenda dhe që i trajtojnë mirë, duhet të jenë të parat që të përfitojnë subvencionim nga shteti për të mundësuar një punësim sa më afatgjatë.

Gjithashtu, duhet të kërkohen dhe gjenden forma alternative përmes aplikimit në projekte të ndryshme dhe programe ndërkombëtare nga vetë sipërmarrjet turistike, që në një formë apo në një tjetër të gjenerojnë të ardhura alternative, për të pasur mundësi të mbajnë në punë punonjësit gjatë gjithë vitit.

Ashtu si sot, nëse një punonjës do të qëndrojë në një sipërmarrje turistike përtej sezonit turistik, ai duhet të ketë edhe role dhe përgjegjësi konkrete që ndikojnë në rritjen e të ardhurave të sipërmarrjes edhe jashtë sezonit.

Për shembull, një punonjës që ka qenë recepsionist gjatë sezonit, mund të bëhet menaxher i rrjeteve sociale jashtë sezonit për atë sipërmarrje, duke u lidhur dhe duke bashkëpunuar me agjenci europiane me qëllim që në vitin pasardhës të rritet numri i klientëve që frekuentojnë atë njësi turistike.

Ky punonjës, në një mënyrë ose në një tjetër, e justifikon dhe gjeneron vetë pagën e tij edhe jashtë sezonit, si dhe fitimin që sipërmarrja pret nga puna e tij.

Ju jeni në kontakt të vazhdueshëm me studentë dhe të rinj prej vitesh. A mund të jepni një këshillë për të rinjtë që e shohin punësimin sezonal si mënyrë të shpejtë për të fituar para gjatë verës?

Çdo tentativë për të fituar para duhet të shoqërohet me një punë që ndikon pozitivisht, pas një periudhe të caktuar kohe, në krijimin e një identiteti profesional.

Unë jam totalisht kundër të bërit të një pune vetëm për para, kur ajo nuk lidhet me dëshirat që ka një i ri për të ndërtuar një profesion, kur nuk lidhet me arsimin dhe formimin që ai ka, apo kur nuk ndikon në forcimin e kompetencave dhe profesionalizmit me të cilin ai do të konkurrojë nesër.

Pra, sot, nuk mjafton që një i ri – apo kushdo – të vërë në dispozicion aftësitë e tij personale për të kryer punë të ndryshme që i sjellin të ardhura, nëse nuk zhytet më thellë në njërën nga këto punë për ta kthyer në profesion.

Sepse vetëm kjo e ndihmon realisht në zhvillimin profesional, në të drejtën që ai duhet të gëzojë nesër për të avancuar profesionalisht dhe për të pasur një profesion që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës.

Vështirësitë

Qeveria dhe operatorët po diskutojnë subvencionimin e periudhës jashtë sezonit (4–6 muaj), përfshi punësim me pagesë minimale dhe sigurime shoqërore. Megjithatë, bizneset janë duke punësuar fuqishëm punëtorë të huaj (nga Azia, Amerika Latine, Filipinet, Ugandë, Turqi), për shkak të mungesës së stafit vendas.

Tendenca

Punësimi sezonal në Shqipëri është pjesë thelbësore e ekonomisë, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe bujqësisë. Tregu karakterizohet nga:

  • Mungesë stafi lokal, për shkak të kushteve të vështira.
  • Zëvendësimi i fuqisë punëtore me punëtorë të huaj.
  • Nisma qeveritare për mbështetje gjatë periudhës jashtë sezonit, ende në fazë diskutimi.
  • Pagat variabël, nga 400 € për shërbime bazë deri në 3,000  € për profesione të specializuara.

/MONITOR

Etiketa: bregdetiekonomiaprobelmatikatpunesimisezonalturizmi

Lajme të lidhura

BOTA

Ekonomia e Kinës humbet vrullin ndërsa presionet tregtare rëndojnë

16:46 : 15/08/2025
AKTUALITET

Berisha denoncon me PAMJE plazhet e boshatisura në Dhërmi e Durrës edhe në këtë ditë të diel gushti

13:52 : 10/08/2025
AKTUALITET

Plazhet bosh/ Rama pranon dështimin me turizmin: Do të marrim masa radikale!

13:06 : 10/08/2025
AKTUALITET

Dështimi/ Tkurrja e turizmit ul çmimet e hoteleve, sa kushtojnë dhomat nga jugu në veri

08:41 : 10/08/2025
AKTUALITET

“Testi i acidit” i turizmit, pas suksesit, po vjen rreziku i bumerangut

12:57 : 09/08/2025
AKTUALITET

Paradoksi/ Papunësia, punësimi, dembelët dhe forca e punës, të gjitha me ulje! Shkak, shpopullimi

16:49 : 06/08/2025
Para

Trump bisedë të gjatë telefonike me Zelenskyn, pas takimit me Putinin

TË GJITHA

Nga ngritja e gishtit te buzëqeshjet, sinjalet e fshehta Trump-Putin

10:49 : 16/08/2025

Hetimet për aferën e “Eko-Park”/ SPAK merr për 3 orë në pyetje Alqi Bllakon

10:41 : 16/08/2025

Skandal kibernetik në Britani, ekspozohen të dhënat e refugjatëve afganë

10:19 : 16/08/2025

Nga gomonia, duke shitur kokainë në rrugë/ Daily Mail publikon historinë e Elvis Zotos në Angli

10:09 : 16/08/2025

Pas samitit me Putin, Trump do të takohet me Zelenskyn. Ja data dhe vendi

09:49 : 16/08/2025

Agjenci të palicencuara e politika të pasigurta fiskale/ A do ndalet rritja e çmimit të banesave?

09:38 : 16/08/2025

Plagosja në Korçë/ Autorit i vihen prangat në spital, arrestohen dhe 4 të tjerë që e rrahën pas krimit

09:28 : 16/08/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com