Milani po intensifikon punën për të siguruar shërbimet e Rasmus Hojlund nga Manchester United, me një akord që duket shumë pranë.
Sipas medieve italiane, kuqezinjtë kanë arritur një marrëveshje paraprake me “Djajtë e Kuq” për një huazim me kosto 4 milionë euro, i shoqëruar nga e drejta e blerjes për 40 milionë euro. Nëse transferimi realizohet, Milani do të mbulojë edhe pagën e lojtarit, që kap shifrën e 3.8 milionë eurove neto në sezon.
Synimi i Milanit është që Hojlund të formojë një dyshe sulmi me Santiago Giménez, por pengesa kryesore mbetet vetë lojtari. Danezi, i cili sezonin e kaluar luajti 23 ndeshje si titullar në Premier League, ende nuk ka dhënë “OK”-in për t’u transferuar, pasi dëshiron të sfidojë konkurrencën te Manchester United dhe të luftojë për vendin e tij.
Megjithatë, situata në “Old Trafford” nuk i garanton shumë hapësira. Me afrimet e Matheus Cunha-s dhe Benjamin Sesko-s, si dhe me praninë e Joshua Zirkzee, Hojlund rrezikon të ketë më pak minuta këtë sezon. Kjo e bën interesin e Milanit edhe më të fortë, ndërsa palët po negociojnë intensivisht prej javës së kaluar.
Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare, edhe pse operacione të tilla zakonisht marrin kohë. Përveç Hojlund, Milani është pranë marrëveshjes me Young Boys për mbrojtësin e djathtë Zachary Athekame. Në të njëjtën kohë, Nottingham Forest dhe Napoli po monitorojnë situatën e Yunus Musah, me anglezët që duket se janë favoritë për ta marrë.
Një tjetër çështje e hapur është ajo e Malick Thiaw. Newcastle ka ofruar 30 milionë euro, por Milani e ka refuzuar, duke e bërë të qartë se për t’u ndarë me mbrojtësin gjerman, duhet një ofertë dukshëm më e lartë.
Nëse gjithçka shkon sipas planeve, kuqezinjtë mund të kenë së shpejti një tjetër goditje të rëndësishme në merkato, por vendimi final për Hojlund mbetet në duart e lojtarit.