Shqipëria zë vendin e fundit mes 35 vendeve europiane sa i përket shpenzimeve për pensione për frymë, sipas të dhënave për vitin 2022.
Me vetëm 1,600 euro për pensionist në vit, vendi mbetet shumë larg mesatares së Bashkimit Europian, e cila arrin në 16,100 euro.
Edhe kur merret parasysh fuqia blerëse, diferenca mbetet e ndjeshme.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Shqipëria shpenzon vetëm 5.3% për pensione, kundrejt 9.3% që shpenzon mesatarisht BE-ja — një tregues i qartë i sfidave strukturore që përballet sistemi i pensioneve në vend.
Ndërkohë, Mali i Zi, edhe pse me të njëjtën përqindje të PBB-së si Shqipëria (5.3%), arrin të japë 4,000 euro për pensionist në vit, më shumë se dyfishin e Shqipërisë. Serbia, nga ana tjetër, shpenzon 3,500 euro për pensionist dhe 6.3% të PBB-së për pensione, duke reflektuar një mbështetje më të lartë financiare të të moshuarve.
Europa
Gjithnjë e më shumë brezat e rinj po shprehen se nuk do të tërhiqen kurrë nga puna, për shkak të pasigurive financiare. Por si ia dalin pensionistët e sotëm? Si i mbulojnë shpenzimet mujore dhe si duken realisht pensionet në Europë sot?
Grafiku më poshtë paraqet të dhënat më të fundit mbi shpenzimet vjetore publike për pension për çdo përfitues në 35 ekonomi europiane, si dhe pjesën që zënë përfitimet e pleqërisë në prodhimin kombëtar të secilit vend.
Të dhënat janë marrë nga dy baza të ndryshme të Eurostat dhe përfshijnë:
- Totali i shpenzimeve për pensione publike për vitin 2022, i ndarë me numrin e përfituesve
- Vlerat e shprehura si në euro, ashtu edhe sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS)
- Përqindja e PBB-së që i dedikohet pensioneve, sipas të dhënave nga baza e parë
Këto të dhëna ofrojnë një panoramë të qartë të hendekut mes vendeve në shpenzimet për kujdesin ndaj të moshuarve, duke vënë në dukje sfidat që përballojnë pensionistët në Europë — veçanërisht ata në vendet me të ardhura të ulëta.
Islanda, Luksemburgu dhe Norvegjia kryesojnë renditjen, me pagesa vjetore pensioni mbi 30,000 euro për përfitues.
Pagat e larta, të ardhurat e qëndrueshme fiskale nga energjia apo sektori financiar, si dhe sistemet e detyrueshme të kursimeve për pension, u japin këtyre ekonomive të vogla dhe të pasura mundësinë të ofrojnë përfitime bujare për të moshuarit.
Danimarka dhe Zvicra plotësojnë pesë vendet e para, secila duke kombinuar pensionet bazë universale me skemat e detyrueshme të pensioneve profesionale.
Në të pesë vendet e para, përfitimet ende konsumojnë më pak se 9% të PBB-së – shumë nën mesataren e BE-së (12.2% të PBB-së) – falë bazave më të larta tatimore.
Pagesat e ulëta të Europës Lindore pasqyrojnë baza tatimore të dobëta
Në vende si Polonia dhe Hungaria, pensionet përthithin një pjesë të ngjashme të PBB-së si vendet nordike, por pagesat vjetore mbeten nën 7,000 euro për përfitues.
Produktiviteti i ulët kufizon fluksin e kontributeve, ndërsa emigracioni i dekadave të fundit ka reduktuar më tej fuqinë punëtore.
Kur llogariten sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), diferenca ngushtohet — pensionistët polakë marrin rreth 11,700 njësi PPS — por të ardhurat reale mbeten modeste.
Rritja e pagave, pjesëmarrja më e lartë e të moshuarve në tregun e punës dhe skemat shtesë të kursimeve vullnetare mund të përmirësojnë qëndrueshmërinë dhe përmbushjen e nevojave, pa rënduar buxhetet publike./ Monitor, Visual Capitalist