• Kontakt
Monday, August 4, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Kodi i ri Penal vret akuzat për shpërdorim detyre dhe shkelje në tenderë

18:20 : 04/08/2025
në AKTUALITET, KRYESORE, POLITIKE

Dy nene të projektit për një Kod të ri Penal, të prezantuar nga qeveria, duket se eliminojnë rrezikun e dënimit për zyrtarët për dy vepra penale shumë të rëndësishme, shpërdorimi i detyrës dhe shkelja e barazisë në tenderë, përmes vendosjes së konceptit të “qëllimit kriminal”, gjë që e bën vërtetimin nga prokuroria të shkeljeve të tilla praktikisht të pamundur.

Arben  Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministri në arrati nga drejtësia, përballet në një nga dy çështjet penale në ngarkim të tij me një akuzë për abuzim me detyrën, përmes moskryerjes së një detyrimi ligjor.  Sipas aktakuzës së vitit 2023, Ahmetaj nuk zbatoi një vendim të formës së prerë të gjykatës duke i shkaktuar dëm prej miliona eurosh familjes Myderizi. Ahmetaj i ka mohuar akuzat nga arratia.

Sido që të vejë puna, në rast se Kodi i ri Penal i propozuar nga qeveria për diskutim publik do të miratohej, me gjasë do ta shpëtonte Ahmetajn nga kjo akuzë për shkakun  e thjeshtë se vepra penale e parashikuar kësaj here kërkon që, prokuroria të vërtetojë jo vetëm veprimin apo mosveprimin e zyrtarit që ka shkaktuar dëmin, por duhet të vërtetojë që zyrtari ka vepruar me qëllim kriminal. Dhe duke qenë se, qëllimet kriminale gjenden brenda mendjes së njeriut të dyshuar për shkelje, gjasat janë që gjykata do të detyrohet të rrëzojë padinë si të pambështetur në ligj e në prova, pasi qëllimi kriminal nuk mund të vërtetohet.

Shpërdorimi i detyrës dhe shkelja e barazisë në tenderë apo në ankande publike janë dy ndryshime madhore të parashikuara në propozimet për ndryshimin e Kodit Penal. Qeveria është distancuar nga autorësia e ndryshimeve ligjore dhe thotë se Kodi është hartuar nga një grup ekspertësh, por deri më sot, asnjë nga ekspertët e përmendur nuk ka dalë publikisht që të mbrojë punën e vet.

Ndërhyrja në këto dy nene praktikisht bën të pavlefshëm të gjithë konceptin e abuzimit me detyrën nga zyrtarët publikë apo atë të krijimit të kushteve të pabarabarta për operatorët ekonomikë në rastet e tenderëve apo ankandeve publike.

Lexo edhe:

Qeveria mashtroi! Grup-kapitujt 4 dhe 5 me BE-në mbeten ende të pahapur

Qeveria protestoi ndaj OSBE/ODIHR për “raportin negativ” të zgjedhjeve të 11 majit

“1. Zyrtari publik, i ngarkuar drejtpërdrejt apo tërthorazi [SIC], me administrimin e fondeve publike,  që synon, me dashje dhe qëllim [SIC] kriminal, t’i shkaktojë dëm ekonomik veprimtarisë së institucionit të tij apo një personi tjetër, ngaqë: a) ushtron kompetencat në mënyrë të paligjshme; b) tejkalon autoritetin e tij ligjor duke përdorur fondet jashtë destinacionit te tyre, ose c) krijon pengesa për të përmbushur një detyrë që rrjedh nga tagrat e tij ligjorë ose nga një vendim gjyqësor, kur veprimi nuk përbën ndonjë vepër penale më të rëndë, dënohet me burgim deri në katër vjet,” shkruhet në projektin e propozuar, i cili ndryshon në mënyrë themelore konceptin aktual ligjor të abuzimit të detyrës, e kufizon këtë vepër penale në fushën e administrimit të fondeve publike apo kërkon që prokurorët të vërtetojnë se zyrtari ka vepruar me “qëllim kriminal”.

Ndryshe nga versioni i propozuar, Kodi aktual Penal në nenin 248 është shumë më lakonik, konciz dhe i qartë. Aty shkruhet: “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.”

Siç dallohet, hartuesve të Kodit të ri Penal i janë nevojitur 162 fjalë për të zëvendësuar një nen me 71 fjalë, i cili kërkon thjeshtë që zyrtari të merret përgjegjës në rast se një veprim apo mosveprim në kundërshtim me ligjin, i ka shkaktuar dëm shtetit apo shtetasve në përfitime materiale apo jomateriale të atij vetë ose të të tjerëve.

Jo më shkelje të barazisë me tenderë

Kodi aktual Penal parashikon në nenin 258 veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike ku parashikohet se krijimi i kushteve të pabarabarta në tenderë apo ankande, në çfarëdolloj forme apo pavarësisht qëllimit të shkelësit të ligjit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Ndryshe nga neni aktual, propozimi në kodin e ri në nenin 324 parashikon që zyrtarët e prokurimeve publike do të mund të mbahen përgjegjës vetëm në rastet kur shkelja e mësipërme është bërë “për qëllim përfitimi”.

“Kryerja e qëllimtë e veprimeve te pabarabarta nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik, që për qëllim përfitimi [SIC], shmangin garën reale, konkurrimin e ndershëm dhe cenojnë barazinë e kandidatëve, operatorë ekonomikë, në procedurat e kërkuara nga ligji në një prokurim publik, marrja e masave me qëllim për të diskriminuar apo favorizuar subjekte të veçanta tregtare, kur prokurimi është në vlerën e kufirit të prokurimeve me vlerë të vogël sipas parashikimeve të legjislacionit të fushës, apo kur për të njëjtat arsye është vendosur apo ndikuar të vendoset fitues i procesit një subjekt i pamerituar, kur me pare jane marre masa administrative perkatese, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet,” thuhet në propozimin aktual.

Mënyra e formulimit të këtij neni është dallueshëm një nonsens  juridik për shkak se, nëse një zyrtar ka përfituar nga shkelja e barazisë në tenderë apo ankande, ai dënohet për korrupsion ndërsa, në mungesë të vërtetimit nga prokurorët të qëllimit të përfitimit zyrtari mund të bëjë shkelje sa të dojë pa u shqetësuar se do të dënohet, për sa kohë arrin të fshehë përfitimet e mundshme.

Kodi i ri Penal është kritikuar deri më tani si “arbitrar”, “inkuizitor” dhe “jo në përputhje me standardet ndërkombëtare” sa i përket pjesës së veprave të shumta penale që qytetarët mund të kryejnë, sipas këtij kodi, jo përmes veprimit, por përmes të folurit apo të shkruarit. Kodi është kritikuar gjithashtu si i paqartë, si një hap pas në disa drejtime apo një i tillë që do të shkaktojë konfuzion të panevojshëm apo edhe që do të vë në rrezik funksionimin tërësor të drejtësisë penale të vendit.

Disa kanë vënë gjithashtu në pikëpyetje nevojën për hartimin e një Kodi të ri, në një vend ku nuk ka pasur së fundmi ndonjë ndryshim regjimi dhe në të cilin, kodi aktual, i miratuar fillimisht në vitin 1995, është përpunuar për tre dekada me radhë nga sistemi i drejtësisë përmes praktikës gjyqësore, vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë apo interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese apo edhe nga vetë parlamenti, duke hequr shumë nene negative, duke rishkruar apo riinterpretuar nene të tjera apo duke shtuar nene, jo gjithmonë në mënyrë fort të arsyeshme, por në shumicën e rasteve, përmes një procesi diskutimi të detajuar për çdo nen e çdo fjalë.

Puna e tre dekadave ka gjasa do të duhet të nisë nga e para, pasi sistemi i drejtësisë do të duhet të shqyrtojë formulime gjuhësore krejtësisht të ndryshme, të shprehura në një gjuhë që, sipas profesor Artan Fugës, “mund të interpretohen si një fizarmonikë, si një llastik.”

Përveç këtyre, ekzistenca e neneve që dukshëm bien ndesh me disa nga çështjet më të debatuara në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si  liria e shprehjes apo pacënueshmëria e dinjitetit të autoriteteve shtetërore si presidenti i republikës, ngre pikëpyetje serioze mbi nivelin e profesionalizmit të atyre të cilëve qeveria i referohet si “grup ekspertësh”, asnjëri prej të cilëve nuk ka dalë deri më sot të mbrojë atë që normalisht duhej të ishte krenaria e karrierës së çdo juristi.

Me fuqi për çështjet aktuale

Një nga parimet themelore të të drejtës penale është që, nëse qytetari që ka kryer një shkelje përballet me ndryshimin e legjislacionit  që parashikon shkeljen e kryer prej tij para gjykimit të formës së prerë, interesi i tij prevalon. Kjo do të thotë që, në rastet kur vepra penale e rishikuar mbart dënim më të lartë se sa parashikohej në kohën  kur u krye shkelja, shkelësi gjykohet sipas ligjit të vjetër. Ndërsa në rast se ligji i ri e favorizon atë në krahasim me të mëparshmin, ai gëzon të drejtën të gjykohet sipas ligjit të ri. Kjo do të thotë që, të gjithë zyrtarët që aktualisht përballen me akuza penale apo janë nën hetim për vepra penale, do të mund të zgjedhin opsionin më me leverdi për ta, si për sa i përket thelbit ashtu edhe masës së dënimit. Për shembull, vepra penale e korrupsionit pasiv parashikohet në projektkodin e propozuar të dënohet me 3 deri në 8 vjet heqje lirie. Por për të gjitha shkeljet e mundshme të bëra para hyrjes në fuqi të këtij kodi, do të mund të zgjedhin të gjykohen nga kodi aktual që parashikon dënim nga 2 deri në tetë vjet. Ndërsa zyrtarët e akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë ka gjasa do të kërkojnë të gjykohen apo të rigjykohen në bazë të kodit të ri penal, duke përfituar në praktikë një formë amnistie të pashpallur.

Ishte Bëhet
Neni 248 

Shpërdorimi i detyrës 

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale,

dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Neni 302 

Shpërdorimi i detyrës

1. Zyrtari publik, i ngarkuar drejtperdrejt apo terthorazi, me administrimin e fondeve publike,   që synon, me dashje dhe qellim kriminal, t’i shkaktojë dëm ekonomik veprimtarisë së institucionit të tij apo një personi tjetër, ngaqë:

a) ushtron kompetencat në mënyrë të paligjshme;

b) tejkalon autoritetin e tij ligjor duke perdorur fondet jashte destinacionit te tyre, ose

c) krijon pengesa për të përmbushur një detyrë që rrjedh nga tagrat e tij ligjorë ose nga një vendim gjyqësor, kur veprimi nuk përbën ndonjë vepër penale më të rëndë, dënohet me burgim deri në katër vjet.

2. Termi “ligj” i përdorur në paragrafin e parë të këtij neni do të kuptojë aktin e nxjerre nga organi legjislativ qendror apo vendor ne perputhje me kompetencat qe Kushtetuta apo ligjet organike te vendit u kane ngarkuar atyre per te vepruar.

3. Nëse vepra e mësipërme kryhet në dëm të personave në nevojë, të pambrojtur, apo nisur nga motivimi politik, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

Neni 258 

Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike 

Kryerja nga personi i ngarkuar në funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 324 

Shkelja e barazisë së kandidatëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik

 

1. Kryerja e qëllimtë e veprimeve te pabarabarta nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik, që për qëllim përfitimi, për qëllim përfitimi, shmangin garën reale, konkurrimin e ndershëm dhe cenojnë barazinë e kandidatëve, operatorë ekonomikë, në procedurat e kërkuara nga ligji në një prokurim publik, marrja e masave me qëllim për të diskriminuar apo favorizuar subjekte të veçanta tregtare, kur prokurimi është në vlerën e kufirit të prokurimeve me vlerë të vogël sipas parashikimeve të legjislacionit të fushës, apo kur për të njëjtat arsye është vendosur apo ndikuar të vendoset fitues i procesit një subjekt i pamerituar, kur me pare jane marre masa administrative perkatese, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

/BIRN

Etiketa: Arben RakipidenimiEdi Ramakodi i ri penalkodi penalneneshperdorim detyretenderavretzyrtaret

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Qeveria mashtroi! Grup-kapitujt 4 dhe 5 me BE-në mbeten ende të pahapur

18:47 : 04/08/2025
AKTUALITET

Qeveria protestoi ndaj OSBE/ODIHR për “raportin negativ” të zgjedhjeve të 11 majit

16:17 : 04/08/2025
AKTUALITET

Rama injoron kritikat ndërkombëtare për Kodin e ri Penal: Të alarmuarit të shmangin diellin

15:22 : 04/08/2025
AKTUALITET

“Erion Veliajn e kanë keqtrajtuar”, Berisha tregon prapaskenat: Ja kush e vizitoi në burg bashkë me Ulsi Manjën

10:54 : 04/08/2025
AKTUALITET

Spektakli politik, psikologjia e turmave dhe trauma shoqërore

20:52 : 03/08/2025
AKTUALITET

Sulmoi bashkinë/ I riu nga Korça: Vendim i drejtë, populli mos flejë! Rama shumë i moshuar

19:56 : 03/08/2025
Para

“Po financon luftën ruse”, SHBA kritikon Indinë: E papranueshme kjo që po bëni!

TË GJITHA

Kompania lobuese korrigjon letrën në DASH: Berisha është aktiv në politikë, por s’ka post në Qeveri

20:14 : 04/08/2025

Mediat e huaja: Netanyahu ka vendosur të pushtojë plotësisht Gazën

20:04 : 04/08/2025

Tronditet Korça! Zbulohet një specie unike, një protestues!

20:01 : 04/08/2025

Elbasani i thotë lamtumirë legjendës së futbollit, Xhevahir Taushani

19:57 : 04/08/2025

FOTO/ Kryekomisari “boksier”, tjetër denoncim për dhunë ndaj qytetarëve nga Klodian Kondi

19:52 : 04/08/2025

Putin zhvendos 4 bombardues bërthamorë afër Europës, lëvizja shihet si përgjigje ndaj Trump

19:35 : 04/08/2025

Vrasësi rumun i Renato Hoxhajt u prezantua si kapiten anijesh, u arratis pas 6 orësh drejt Greqisë

19:35 : 04/08/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com