Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje”. Ai ishte i shoqëruar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj.
Pasi doli nga SPAK, Berisha deklaroi për mediat se kishte lënë një shënim me akuza të forta ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, të cilin e cilësoi si “mashtrues publik të rangut më të lartë, njëjtë si Ramaduron”.
“Tani, së pari ju përshëndes ju dhe të gjithë demokratet dhe demokratët kudo që janë. Në paraqitjen time, unë lashë këtë shënim: ‘Altin Troplini alias Dumani është një mashtrues publik i rangut më të lartë, i njëjtë me Ramaduron’. Deklaroi se paditë e sjella në SKAP, me dhjetëra e dhjetëra padi për krim elektoral, pati amoralitetin e plotë të mashtrojë shqiptarët se këto padi nuk kishin prova. E garantoj se do të përgjigjet para shqiptarëve për këtë mashtrim publik dhe se parlamenti, opozita do të nisë punën pikërisht me zbërthimin e këtij mashtrimi publik”, tha Berisha.
Sipas tij, ky mashtrim e bën Dumanin “avokatin kryesor të krimit të shëmtuar elektoral” dhe “garanci të dhunimit të çdo ligji, norme dhe standardi për votimin e lirë të shqiptarëve”.
Berisha akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Ai duhet të paraqitet në SPAK çdo të hënë të parë dhe të tretë të muajit, sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.