Skënder Gega është larguar nga Partizani. Klubi i kuq ka konfirmuar gjithçka me anë të një reagimi në rrjetet sociale pak minuta më parë.
Partizani njofton se trajneri Gega ka paraqitur dorëheqjen nga detyra, e cila është pranuar nga presidenti i klubit.
Gega e rimori drejtimin e Partizanit në mars të këtij viti, duke drejtuar të kuqtë në 11 ndeshje. Përgjatë këtyre sfidave që ishte në pankinë, 61-vjeçari mori 5 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje.
Humbja e fundit ishte ajo që “dhembi” më shumë, përballë Kalju në Conference League. Disfata 0-1 përballë estonezëve solli edhe eliminimin e “Demave” nga Kupat e Evropës.
“Demat” mbeten kështu pa trajner vetëm 1 muaj para fillimit të kampionatit.
Njoftimi i Partizanit:
“FK Partizani njofton se trajneri Skënder Gega ka paraqitur dorëheqjen nga detyra, e cila është pranuar nga Presidenti i klubit.
E falënderojmë trajnerin Gega për kontributin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kësaj periudhe dhe i urojmë suksese në vazhdim.”