Policia e Kosovës ka arrestuar katër zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizmit dhe asaj të Gjeodezisë dhe Kadastrës në Gjakovë, nën dyshimin se kanë lejuar në mënyrë të kundërligjshme bartjen e pronave në emër të personave të tretë.
Sipas hetimeve, ngjarjet datojnë në vitet 2018 dhe 2019, kur zyrtarët dy burra dhe dy gra dyshohet se kanë lëshuar pëlqime dhe vendime për parcelizim dhe bartje pronësie pa dijeninë apo autorizimin e pronarëve legjitimë.
Të katër personat janë arrestuar, intervistuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Hetimet për rastin vijojnë.