Inter ka filluar të ndërtojë strategjinë e merkatos për sezonin e ri dhe një nga prioritetet e klubit është përforcimi i repartit sulmues.
Objektivi kryesor mbetet futbollisti i Atalantës, Ademola Lookman, por sipas raportimeve nga Italia, drejtuesit zikaltër po mbajnë të hapura edhe mundësi alternative dhe emri i Xavi Simons është gjithnjë e më konkret.
Sipas “Tuttomercatoweb”, drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio ka zhvilluar kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e mesfushorit holandez, aktualisht pjesë e RB Leipzig në Gjermani. Bisedimet janë në fazë aktive dhe Simons shihet si “plani B” nëse transferimi i Lookman nuk finalizohet.
23-vjeçari ka lënë gjurmë në Bundesligë dhe mbetet një nga talentet më premtues të brezit të tij. Leipzig është i hapur për ta shitur këtë verë, pasi kontrata e tij përfundon në vitin 2027, por klubi dëshiron të shmangë një situatë ku vlera e lojtarit do të bjerë në vitin e fundit të kontratës.
Inter po e ndjek me kujdes situatën dhe nëse negociatat me Atalantën për Lookman ngecin, atëherë Simons mund të shndërrohet në një objektiv të parë për merkaton e verës.