Ish-ambasadori i Iranit në Shqipëri Reza Amiri Moghadam është një nga agjentët e Iranit që ka orkestruar rrëmbimin e agjentit të FBI-së, Robert Levinson.
Mediat amerikane shkruanjnë se autoritetet federale amerikane kanë publikuar ditën e sotme imazhe të reja të tre oficerëve të inteligjencës iraniane që dyshohet se janë të përfshirë në rrëmbimin e ish-agjentit të posaçëm të FBI-së, Robert Levinson.
Të bashkangjitura me posterë ‘në kërkim informacioni’, imazhet e Reza Amiri Moghadam, Taghi Daneshvar dhe Gholamhossein Mohammadnia janë pjesë e një hetimi të gjerë për zhdukjen e Levinsonit në vitin 2007, bëri të ditur zyra rajonale e FBI-së në Uashington.
Mohammadnia ka shërbyer si ambasador i Iranit në Tiranë në vitin 2016, por u dëbua nga autoritetet shqiptare dy vite më pas, në vitin 2018, për “dëmtim të sigurisë kombëtare”. Tashmë FBI-ja e përfshin emrin e tij në listën e personave të dyshuar si të përfshirë në rrëmbimin dhe ndalimin e padrejtë të Levinson-it, si dhe në mbulimin e ngjarjes nga autoritetet iraniane.

Daneshvar përshkruhet nga FBI si një oficer i lartë i ministrisë iraniane të inteligjencës, i përfshirë në aktivitete kundërzbulimi. Rreth kohës së zhdukjes së Levinsonit, ai dyshohet se mbikëqyrte punën e Mohammad Baseri, një tjetër oficer iranian i inteligjencës të cilin qeveria amerikane e ka akuzuar për përfshirje në rrëmbim.
Mohammadnia është një zëvendës ministër i lartë në ministrinë e inteligjencës që ka shërbyer si ambasador iranian në Shqipëri në vitin 2016, përpara se të dëbohej dy vite më vonë për ‘dëmtim të sigurisë kombëtare’ të vendit, sipas FBI-së. Agjencia amerikane tha se Mohammadnia drejtoi një nismë për të fajësuar një grup terrorist në rajonin e Baluchistanit në Pakistan për zhdukjen e Levinsonit, me qëllim që të zhvendoste fajin nga qeveria iraniane.
‘Këta tre oficerë të inteligjencës ishin ndër ata që dyshohet se ndihmuan në rrëmbimin e Bob-it në vitin 2007 dhe në mbulimin që pasoi nga qeveria iraniane. Bob ka të ngjarë të ketë vdekur në robëri, larg familjes, miqve dhe kolegëve të tij,’ tha Steven Jenson, drejtori ndihmës i FBI-së në Uashington, në një deklaratë. ‘FBI do të vazhdojë ndjekjen e palëkundur për të mbajtur përgjegjës këdo të përfshirë në rrëmbimin e tij për veprimet e tyre të dënueshme.’
SHBA-ja ka mbajtur prej kohësh qëndrimin se Levinson u rrëmbye gjatë një misioni të paautorizuar të CIA-s në Iran dhe më pas u mbajt peng në mënyrë të padrejtë nga qeveria iraniane. Levinson besohej se ishte gjallë për vite me radhë, derisa zyrtarët amerikanë në vitin 2020 deklaruan se informacionet e inteligjencës tregonin se ai ndoshta kishte vdekur ‘prej kohësh.’
Moghadam, Daneshvar dhe Mohammadnia u sanksionuan nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së në mars, për rolin e dyshuar në ‘rrëmbimin, vdekjen e mundshme dhe përpjekjet e Iranit për të mbuluar ose shtrembëruar përgjegjësinë e tyre,’ tha agjencia federale në një njoftim zyrtar në atë kohë.
Posterët më të fundit të kërkimit për informacion pasuan dy të tjerë të publikuar nga FBI në dhjetor për Baseri dhe Ahmad Khazai, të dy oficerë të lartë të inteligjencës iraniane që mendohet se janë përgjegjës për rrëmbimin, ndalimin dhe vdekjen e mundshme të Levinsonit. Autoritetet federale i kanë përshkruar të dy si zyrtarë të rangut të lartë në ministrinë iraniane të inteligjencës. Edhe ata u sanksionuan nga qeveria amerikane.