Nga Nensi Bogdani
Rezoluta më e fundit e Parlamentit Europian lidhur me procesin e zgjerimit, specifikisht mbi progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dërgoi një sinjal të qartë lidhur me masat për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit në Shqipëri, të cilat sipas BE-së janë të panegociueshme kur bëhet fjalë për procesin e integrimit.
Sipas eurodeputetëve, Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të mbrojtur trashëgiminë natyrore, duke përfshirë edhe qytetarët në vendimarrjen mjedisore, sipas detyrimit për t’ju përmbajtur konventave ndërkombëtare të Aarhus dhe Espoo.
“Teksa negociatat intensifikohen, progresi në mbrojtjen e mjedisit duhet të vendoset në qendër të reformave të këtyre vendeve,” u shpreh Viktor Berishaj, oficer i politikave në organizatën mjedisore gjermane EuroNatur.
Në vitet e fundit, organizatat mjedisore kanë kritikuar ashpër ndryshimet ligjore që prekin zonat e mbrojtura në Shqipëri, si edhe projektet kontroverse si Aeroporti i Vlorës në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë apo planet e hidrocentraleve në Vjosë dhe Skavicë.
Edhe pse përshëndeti vendimin e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, Parlamenti Europian i bëri thirrje Shqipërisë të tërheqë ligjet dhe projektet kontroverse që rrezikojnë mjedisin.
Rezoluta e Parlamentit Europian shpreh shqetësime lidhur me ndryshimet e fundit ligjore përsa i përket Ligjit për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, që sipas tyre i hap rrugën infrastrukturave të mëdha turistike në zona të ndjeshme ekologjike.
“Deputet e PE bënë thirrje që këto ndryshime ligjore të tërhiqen menjëherë në mënyrë që të sigurohet një përputhje me standardet mjesdisore të BE-së”, shkruhet në një përmbledhje të rezolutës të publikuar nga organizata EuroNatur.
“U bëhet gjithashtu thirrje autoriteteve shqiptare të menaxhojnë habitetet për speciet e rrezikuara, në vecanti Rreqebullin e Ballkanit, dhe të heqin dorë nga planet për hidrocentralin e Skavicës mbi lumin Drin, që do kishte pasoja të mëdha ekologjike dhe sociale sipas tyre”, citohet më tej në përmbledhjen e rezolutës lidhur me mjedisin.
Dokumenti vë në pah gjithashtu shqetësimin lidhur me ndërtimin e Aeroportit te Vlorës në peisazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Gabriel Schwaderer, drejtues ekzekutiv i organizatës mjedisore EuroNatur u shpreh se është pikërisht koha që qeveria shqiptare të tregojë sa seriozisht e ka marrë anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke marrë parasysh kërkesat për mbrojtjen e mjedisit.
“Ne mbështesim fuqimisht mesazhin e Parlamentit Europian për Shqipërinë. Qeveria duhet të tregojë seriozitetin lidhur me anëtarësimin në BE, duke ndaluar projektet që shkelin ligjet e mbrojtjes dhe që dobësojnë ruajtjen e zonave të mbrojtura”, tha Schwaderer.
“Progresi në negociata është i mundur vetëm nëpërmjet progresit konkret në mbrojtjen e natyrës”, vijoi ai.
Rezoluta thekson se mbi të gjitha këto masa kanë si qëllim mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të vendit, dhe jo sakrifikimin e saj për zhvillime të përkohshme./Reporter.al