Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka folur për çështjen e blerjes së avionëve luftarakë F-35 nga Turqia dhe qëndrimin e Greqisë ndaj kësaj nisme, gjatë bisedës me gazetarët që e shoqëronin në fluturimin e kthimit nga Azerbajxhani.
Erdogan theksoi se “shqetësimi i Greqisë për hapat që kemi ndërmarrë në fushën e mbrojtjes është i pabazë dhe pa kuptim”, duke shtuar se “Turqia nuk përbën kërcënim për asnjë vend që nuk cenon sigurinë dhe interesat e saj, dhe nuk shfaq qëndrim armiqësor”.
Ai bëri të ditur gjithashtu se ka diskutuar çështjen e F-35 me Presidentin amerikan Donald Trump në margjinat e Samitit të fundit të NATO-s, duke shprehur shpresën që lideri amerikan do t’i përmbahet marrëveshjes së arritur mes tyre.
“Besoj se dorëzimi gradual i avionëve F-35 për Turqinë do të realizohet gjatë mandatit të tij”, theksoi Erdogan.
Deklarata e plotë e presidentit turk:
“Ne dëshirojmë avionët F-35 para së gjithash për sigurinë tonë kombëtare. Për ne, kjo nuk është thjesht një çështje teknologjie ushtarake, por edhe një çështje bashkëpunimi të fuqishëm në nivel ndërkombëtar, si në kuadër të NATO-s. Ky zhvillim na ka dhënë gjithashtu mundësinë për të përshpejtuar përpjekjet tona në industrinë e mbrojtjes. Përforcimi i infrastrukturës sonë mbrojtëse nuk përbën kërcënim për askënd – sidomos për miqtë dhe aleatët tanë.
Në samitin e fundit të NATO-s u mor vendimi që vendet anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtjen. U vendos që ‘shtetet e NATO-s duhet të forcojnë infrastrukturën e tyre mbrojtëse dhe të plotësojnë nevojat e tyre, në mënyrë që të forcohet edhe mbrojtja e vetë NATO-s’. Prandaj, shqetësimi i Greqisë për hapat që kemi ndërmarrë në këtë drejtim është i pabazë dhe pa kuptim.
Turqia nuk është kërcënim për askënd që nuk rrezikon sigurinë dhe interesat tona. Përkundrazi, është një vend që bën çdo përpjekje për të siguruar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe në botë, dhe që është një aleat i besueshëm për miqtë e saj. Nuk ka asnjë konflikt në rrethinën tonë për të cilin Turqia të mos përpiqet të gjejë një zgjidhje paqësore.
Çështjen e F-35 e kemi diskutuar edhe me z. Trump dhe jemi duke e ndjekur nga afër. Besoj se ai do t’i qëndrojë marrëveshjes që kemi bërë dhe se dorëzimi gradual i avionëve do të ndodhë brenda mandatit të tij.”