Nga Esmeralda Topi dhe Atdhe Mulla
Sapo del nga tuneli i Elbasanit, nuk të pret as panorama e qytetit, as flladi i Shkumbinit. Të pret një mur i dëndur tymi, që të hyn në mushkëri përpara se të arrish të thuash “mirëdita”.
Shtëllungat e tymit, si një perde helmuese, mbulojnë çdo cep të qytetit. Është një skenë që duket si film katastrofe, por që në Elbasan është kthyer në kronikë të përsëritur.
Në fushën e mbetjeve pranë lumit Shkumbin, zjarri ka shpërthyer sërish. Dhe me të, është rikthyer edhe ajo që banorët e quajnë “ferri i përvitshëm”. Një ferr që djeg, që mbyt, që ndot, ndërsa mbi plehra qëndron si fantazmë e heshtur inceneratori i shumë reklamuar, që vetëm plehra nuk djeg.
Ahmet Mehmeti, një nga zërat e paktë që ende guxon të flasë për ndotjen në Elbasan, e përshkruan situatën pa zbukurime: “I gjithë qyteti u karantinua dje, por jo nga ndonjë virus. Nga tymi. Nuk merrej frymë,” thotë ai për Faktoje.al.
Sipas Mehmetit, zjarret në vendgrumbullimin e mbetjeve nuk janë aksidentale, por produkt i një politike që favorizon incenerimin në letër dhe djegien primitive në terren.
“Hajduti është në tokë, mos e kërkoni në ajër,” ironizon ai. “Derisa politika të kuptojë që menaxhimi i mbetjeve nuk bëhet me fjalime, por me riciklim real, do ta pimë tymnajnë çdo vit.”
“Derisa politika të kuptojë që menaxhimi i mbetjeve nuk bëhet me fjalime, por me riciklim real, do ta pimë tymnajnë çdo vit.”
Në krah të fushës me plehra që digjen, ngrihet inceneratori i famshëm, simbol i premtimeve për “standard europian”, por që tani duket më shumë si dekor i një teatri politik.
Në prill të 2017-s, kryeministri Rama e inaguroi këtë objekt me pompozitet, duke shpallur fundin e plehrave që digjeshin në qiell të hapur.
“Nga fusha e plehrave që digjeshin në qiell të hapur e helmonin gjithë qytetin, në fushën sanitare të standardeve europiane ku mbetjet shfrytëzohen për prodhim energjie”, tha Rama 8 vite më parë.
Tetë vjet më pas, pamja është e njëjtë, tymi po aq helmues, ndërsa energjia e premtuar është zhdukur bashkë me besimin te institucionet.
Ironia arrin kulmin kur mësojmë se kryeministri vetë ndodhet në Cërrik, vetëm pak kilometra larg, në një mbledhje me fokus… bujqësinë.
Zor se ka shpëtuar pa parë tymin, zor se i ka shpëtuar erës. Por me shumë mundësi, mund të ketë kujtuar dhe inaugurimin e inceneratorit.
Në Cërrik ka heshtje. Asnjë fjalë për katastrofën mjedisore që ka mbërthyer Elbasanin dhe zonën përreth.
Në vendgrumbullimin e mbetjeve, dy zjarrfikëse, me motorët që gumëzhinin pa pushim, përpiqen të mbajnë nën kontroll zjarrin duke marrë ujë nga Shkumbini. Tymi këtë të mërkurë kishte gjetur rrugëtjetër, ishte zhvendosur nga Elbasani drejt Cërrikut, sipër t’i kujtuar qeverisë aromën e hidhur të dështimit me mbetjet.
Disa kilometra më tej, në fshatin Bujqës banorët jetonin nën re të dendura tymi dhe një erë të padurueshme. Edhe pse kishim vendosur maska, ndjesia e djegies në rrugët e frymëmarrjes ishte e fortë.
“Na sëmurën,” tha Nazmi Pisha, banor i këtij fshati, që na priti para portës së shtëpisë. Nipi i tij, vetëm 15 muajsh, kishte vjellë tërë natën nga tymi që depërtonteedhe pas dritareve të mbyllura.
“Sa s’më plasi fëmija, tërë natën nuk pushoi”, thotë e shqetësuar Lije Pisha, nëna e vogëlushit.
“Nuk rrimë dot as jashtë as brenda”, ankohen njëzëri anëtarët e familjes Pisha.
“Sa s’më plasi fëmija, tërë natën nuk pushoi”, thotë e shqetësuar Lije Pisha, nëna e vogëlushit.
Çfarë thonë autoritetet?
Ministria e Mbrojtjes raportoi këtë të mërkurë se, vatrat në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan mbeten ende aktive, pavarësisht përpjekjeve të shumta për t’i izoluar.
Përpjekjet vazhdojnë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë të bashkisë Elbasan, 2 automjete me 10 efektivë dhe një traktor me zinxhirë të Forcave tëArmatosura, ndërsa priten të mbërrijnë edhe 3 zjarrfikëse nga bashkitë e tjera.
Ndërsa, për Leli Kaja, administratorin e EcoElb (kompania publike që menaxhon landfillin) situata këtë të mërkurë është më e qetë.
“Po e vëmë në kontroll zjarrin. Ka disa vatra të vogla të brendshme që nxjerrin tym, me ato po merremi. Nuk ka nevojë për ndërhyrje nga ajri.” tha shkurt ai për Faktoje.al.
Elbasani, qyteti më i ndotur pas Tiranës
Pas Tiranës, Elbasani vlerësohet si qyteti më i ndoturnë Shqipëri, me nivele të larta të monoksidit të karbonit(CO) dhe dioksidit të azotit (NO₂), ndotës qëshkaktojnë probleme serioze shëndetësore dhedëmtime mjedisore.
Sipas monitorimeve të fundit, grimcat PM10 tejkalojnë normat e lejuara me 19.6%, duke e renditur qytetinndër më problematikët për cilësinë e ajrit.
Në të njëjtën kohë, të dhënat e INSTAT tregojnë një rritje të vdekjeve në 2024, lidhur kryesisht me tumoret, sëmundjet e gjakut dhe ato kardiovaskulare, ku faktorë mjedisorë si ndotja e ajrit dhe djegia e mbetjeve luajnë rol të rëndësishëm.
Sot, në Elbasan, tymi ka mbuluar gjithçka: fushat, rrugët, shtëpitë, fëmijët. Vetëm një gjë duket më e trashë se tymin: heshtja e autoriteteve.
Zjarrfikësit luftojnë me zjarrin, qytetarët me sëmundjet, ndërsa politika, me kujtesën. Kujtesën që herë e mbulon me premtime të ricikluara dhe herë me tym.
Por në këtë qytet, tymi nuk zhduket me propagandë, dhe inceneratorët nuk funksionojnë me foto e video inaugurimesh. Deri atëherë, Elbasani do të mbetet aty ku është: mes zjarrit, ndotjes dhe indiferencës./ Faktoje.al