Nga Elton Qyno
Prokuroria e Posaçme SPAK, ka nxjerrë nga sirtarët e saj dhe ia ka vënë në dispozicion avokatëve, marrëveshjen ligjore të lidhur me të pandehurin Erjon Alibej alias Agim Shurbi “Krymi”, të akuzuar për 7 vrasje dhe krime të tjera.
Kjo kontratë pendesë, e siguruar nga “Ora News” që mban datën 29 qershor 2023, e lidhur mes financuesit të një zinxhiri vrasjesh nga Durrësi në Elbasan, Erjon Alibej dhe 3 prokurorëve të SPAK, është firmosur nga palët 1 vit pasi ai kishte dhënë rrëfimin e parë, përballë një kamere që filmonte dhe ndiqej nga oficerët e BKH-së dhe prokurorët.
“…kur vendosa të trokas në institucionin tuaj për të dhënë shpjegime dhe për të sqaruar pozicionin tim mbi gjithçka ka ndodhur në jetën time dhe familjarët e mi, kam hequr dorë nga çdo gjë, përfshirë këtu hakmarrjen për ato që mua dhe familjes time i kanë ndodhur. Unë tashmë ia kam lënë në dorë gjithçka drejtësisë…”- thotë Erjon Alibej në rrëfimin e tij.
Por me rrëfimin e tij si në SPAK dhe në Gjykatë, i pandehuri Erjon Alibej, nuk solli identifikimin e ndonjë ngjarje kriminale të re apo arrestimin e ndonjë personi tjetër që SPAK, nuk kishte dijeni.
Ai ka treguar mbi kalvarin e familjes së tij, që nisi me “luftën” ballore me shokët e fëmijërisë të familjes Çopja, Kel Kamami, muhabetet që bënte me Suel Çelën, Arjan Spahinë, Sandër Bahon, Bujar Gërmizin, Florenc Çapjan, Kamer Mehjan e të tjerë dhe urdhërat apo financimet që realizonte për të kryer vrasje.
Vrasjet e realizuara në segmentin Durrës, Rrogozhinë, Peqin, Bradashesh, Elbasan dhe financimin e tyre, i kanë treguar tre të penduar të tjerë para Erjon Alibej. Pendesa e Alibejt, është realizuar dy vite pasi u arrestua nga prokurori i Elbasanit, Ritvan Suka.
Dhe dy vite pasi bashkëpuntorët e tjerë të SPAK, Euglen Halili, Henrik Hoxhaj (i përjashtuar) dhe Nuredin Dumani, kishin treguar një pjesë të mirë të dinamikave kriminale të drejtuara dhe financuara nga Erjon Alibej.
Rrëfimi i Alibejt, nuk solli asnjë arrestim për SPAK. Vetëm se rrëfimet e tij janë përdorur nga SPAK si provë makiazhi në disa dosje të tjera të regjistruara, kundër elementëve kriminale, ku provat gjenerale janë komunikimet e “Sky”.
Kjo nuk është kontrata e pendesës, por kontrata e shpresës për të shpëtuar nga burgimi i përjetshëm, Erjon Alibej.
Por kontrata e pendesës së Alibej, është shpërndarë dje tek avokatët nga ftuesi i Gjykatës së Posaçme, pasi dy prokurorët e dosjes ia vunë në dispozicion gjyqtares, Ëngjellushe Tahiri, për ta administruar në dosjen e gjykimit.
Dhe në një farë mënyre me këtë lëvizje taktike, plotësuan “dëshirën” e avokatëve të të pandehurve në këtë proces gjyqësor, të cilët e kishin kërkuar marrëveshjen me insistim, përpara se të nisin pyetjen e bashkëpunëtorit të SPAK-ut, Erjon Alibej.
Mirëpo seanca e djeshme gjyqësore e dosjes penale që publikisht njihet si “Plumbi i Artë”, është shoqëruar me debate ligjore mes avokatëve mbrojtës dhe dy përfaqësuesve të prokurorisë së posaçme SPAK.
Avokatët, kërkuan që prokuroria të dorëzonte dhe 6 proces-verbale me deklarime të mara nga Erjon Alibej me video dhe audio, seanca pyetjesh këto që janë kryer në muajin qershor 2022 dhe muajin dhjetor 2022.
Kërkesë e cila u pranua nga gjykatësja Tahiri, e cila detyroi prokurorët që seancën e radhës (të Enjte) të vinin në dispozicion të këtij gjykimi dhe 6 deklarimet e tjera që i pandehuri Erjon Alibej, ka dhënë për prokurorinë SPAK.
Ndërkohë që dy proces-verbalët e tjerë të pyetjes së Erjon Alibej në muajin 12-13 Korrik 2023, ishin vënë më parë në dispozicion të avokatëve.
“Ora News” ka mundur të sigurojë të plotë kontratën e pendesës, e cila mbështet në 7 pika, ku palët duhet ta zbatojnë në mënyrë reciproke.
Përmes kësaj kontrate 3 prokurorët e SPAK marrin përsipër se në këmbim të dhënieve dhe të dhënave të ofruara nga bashkëpunëtori i Drejtësisë, marrin përsipër t’i argumentojnë gjykatës dhe ti kërkojnë asaj, uljen e dënimit apo dhe përjashtimit të dënimit të mbetur ndaj Erjon Alibej.
Në pikën Nr.1 të marëveshjes thuhet se: “…personi nën hetim Erion Alibej alias Dylgjeri merr përsipër të bashkëpunojë me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke dëshmuar dhe dhënë informacion të plotë e pa asnjë rezervë ose kusht për të gjithë faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare, për zbulimin, hetimin, gjykimin e të gjithë krimeve të rënda të kryera nga ai dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, si dhe për parandalimin e krimeve të tjera të rënda dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre. Në dëshminë e tij personi nën hetim Erion Alibej/Dylgjeri duhet të identifikojë të gjithë pasuritë me origjinë kriminale në posedim të tij dhe bashkëpunëtorëve. Këto të dhëna duhet të jepen brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes…”.
Në pikën Nr.2 të marrëveshjes thuhet se: “…personi nën hetim Erion Alibej/Dylgjeri merr përsipër që ta vazhdojë bashkëpunimin e tij me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në mënyrë konstante edhe gjatë gjykimit të çështjes, në çdo shkallë të procesit gjyqësor, deri në përfundimin e tij…”.
Në pikën Nr.3 të marrëveshjes thuhet se: ”…prokurorët marrin përsipër që ti njohin të hetuarit statusin e “Bashkëpunëtorit të Drejtësisë”, si dhe të gjitha përfitimet që i siguron ky status. Gjithashtu prokurorët marrin përsipër t’i argumentojnë gjykatës dhe t’i kërkojnë që, në këmbim të të dhënave dhe fakteve të ofruara nga bashkëpunëtori i drejtësisë, në varësi nga rëndësia e tyre për zgjidhjen e të gjithë elementëve të çështjes, uljen e dënimit apo edhe përjashtimin e tij nga dënimi i mbetur…”.
Në pikën Nr.4 të marrëveshjes thuhet se: ”…prokurorët marrin përsipër, gjithashtu, që nëse kërkohet nga pala në marrëveshje, të fillojnë menjëherë procedurat dhe të argumentojë marrjen e masave të posaçme të mbrojtjes për bashkëpunëtorin e drejtësisë, apo personat e afërm dhe të lidhur me të, sipas ligjit “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë…”.
Në pikën Nr.5 të marrëveshjes thuhet se: “…kjo marrëveshje bashkëpunimi mund të revokohet nga pala e akuzës, kur vërtetohet se bashkëpunëtori i drejtësisë bën deklarime të rreme, mban rezerva lidhur me faktet, ngjarjet dhe rrethanat që provohet se ka dijeni, ose kur ai me dashje shkel kushtet e përcaktuara në këtë akt marrëveshje…”.
Në pikën Nr.6 të kësaj marrëveshje thuhet se: “…kjo Akt Marrëveshje hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të saj…”.
Në pikën Nr.7 të marrëveshjes thuhet se: “…marrëveshja redaktohet në dy kopje me vlerë të njëjtë, njëra prej të cilave qëndron në fashikullin e prokurorit, kurse tjetra i vihet në dispozicion personit nën hetim…”./ Ora News