Duket se mërzitja për Zegjine Çaushin ka zgjarur vetëm disa orë, për shkak të humbjes së mandatit të deputetit nga rinumërimi i votave në Qarkun e Fierit.
Maldrita Bardho, kandidatja e cila i mori mandatin, përmes një reagimi në rrjetet sociale bën me dije se do të japë dorëheqjen dhe vendin në Kuvend do t’ia lerë mikes së saj, Zegjine Çaushit.
Nuk dihet nëse e ka detyruar kush farmacisten nga Lushnja, Maldrita Bardho për të marrë këtë vendim, por sipas saj, Zegjineja e meriton më shumë se ajo për të qenë në Kuvend.
Në zgjedhjet e 11 Majit, Zegjine Çaushi arriti të merrte mandatin e 12-të të socialistëve në Fier me 4 674 vota preferenciale në total, teksa pas saj, ajo që e humbi mandatin ishte Maldrita Bardho me 4 610 vota. Pra, diferenca mes tyre ishte vetëm 64 vota.
Pas rinumërimit, Zegjine Çaushit i janë hequr 48 vota, ndërsa kandidates Maldrita Bardhos i janë shtuar 26 vota. Kjo ka sjellë që kjo e fundit të shkojë 10 vota më shumë se sa Zegjine Çaushit duke i marrë kështu edhe mandatin e deputetit.
Gjithsesi, duket se nuk do të ketë ndryshime dhe do të mbeten sërish të njëjtët emra si më 11 Maj, sa u përket atyre që fituan mandatin.
Zegjine Çaushi, një zyrtare në Bashkinë e Roskovecit, ishte një emër pothuajse i panjohur për publikun, deri në momentin kur Gazment Bardhi denoncoi se ajo, përmes të ëmës Vjollca Caushi, kishte përfituar grante për ndërtimin e një bujtine.
Zegjine Çaushi iu përgjigj Bardhit me një video ironike, të cilat i kishte të shpeshta gjatë gjithë fushatës, sa herë që Bardhi sulmon Ballukun. Kjo e fundit e përdori Zegjine Çaushin për të ironizuar kundërshtarin e saj kryesor në Fier, teksa në këtë mënyrë Zegjineja përfitonte promovim nga mediat pranë Qeverisë.
Reagimi i Maldrita Bardhos
Pasi ndoqa me vëmendje rinumërimin e votave për qarkun Fier, ndihem e lumtur dhe e nderuar që kontributi im i gjatë në Partinë Socialiste është vlerësuar nga bashkëqytetarët e mi dhe ata më kanë konsideruar të denjë për ti përfaqësuar në parlamentin shqiptar.
Megjithatë, unë kam marrë një vendim të rëndësishëm, që kam dëshirë ta ndaj me të gjithë, një vendim që e kam marrë përpara se të niste rinumërimi dhe që sot m’u përforcua përfundimisht.
Unë do të vijoj të kontribuoj për Partinë Socialiste dhe për Lushnjen, me të gjithë mundësitë e mia, por pa qenë pjesë e parlamentit shqiptar.
Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shenjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjeter, nga politika e përbaltjes që ka frikë nga zërat e rinj, Zegjinesë nga e cila sot më ndajnë vetëm 10 vota dhe që padyshim e meriton të jetë në sallën e Kuvendit, për të përfaqësuar të rinjtë, sidomos vajzat.
Ju falenderoj nga zemra thellësisht dhe do të jem aty për të gjithë ju që më votuat, me të njëjtin entuziazëm dhe forcë që vetëm ne socialistët kemi!