Rinumërimi i votave për Fierin tregon se ka patur një “luftë” brenda llojit tek socialistët, më konkretisht mes dy “Çunave të Belës”, Ceno Klosit dhe Klevis Jahajt, ku i pari i ka vjedhur qindra vota të dytit. Ky trafikim votash duket se nuk është bërë pa “bekimin” e shefes së tyre, Ballukut, teksa tashmë mbetet për t’u parë se si do të jetë reagimi i drejtorit të Ujësjellësit.
Nga Boldnews.al
Në drejtoritë kryesore të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës që ajo drejton, Belinda Balluku zakonisht ka preferuar vetëm “çuna”, të cilët nga hetimet e drejtësisë kanë rezultuar “problematik” me paratë publike.
Deri më tani SPAK ka marrë të pandehur ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, kreun aktual të ARRSH-së, Gentian Gjyli, si dhe Erald Elezi, i cili është drejtori i KESH (Korporata Elektroenergjitike Shqiptare), teksa i pari ndodhet në burg që prej 14 Marsit të vitit të kaluar.
Por, lista e “Çunave të Belës” nën hetim nga SPAK është e gjatë dhe pjesë e listës janë edhe Ceno Klosi dhe Klevis Jahaj, të cilët Balluku i futi në listën e hapur të kandidatëve të PS-së në Qarkun e Fierit dhe në shtator pritet të marrin mandatin e deputetit.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ata rezultuan më të votuarit në Qarkun e Fierit, më konkretisht Ceno Klosi me 19 290 vota në total, ndërsa Klevis Jahaj me 15 680 vota preferenciale. Këto shifra ngrenë pikëpyetje për formën e fushatës dhe përdorimin e burimeve shtetërore në shërbim të zgjedhjeve, që në fund u përkthyen me dhjetëra mijë vota personale.
Ceno Klosi nën hetim për korrupsion
Ceno Klosi, një prej zyrtarëve më besnik të Belinda Ballukut, gjatë viteve 2021 – 2024 ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, teksa aktualisht është zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës.
Më parë, ai ka mbajtur prej 7 vitesh pozicionin e Drejtuesit Financiar në operatorin kryesor të sektorit energjetik (OSHEE), si dhe për një periudhë disa mujore pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujërave dhe Mbetjeve (AKUM).
Që nga muaji mars i vitit të kaluar, Ceno Klosi po hetohet nga SPAK për veprat penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumentave”. Procedimi penaë ndaj Ceno Klosit u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike.
“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Mashtrimi”.
Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Mashtrimi”. SPAK ka vendosur bashkimi e dy procedimeve në një të vetëm.” – ka njoftuar Prokuroria e Posaçme për mediat.

Ceno Klosi është paraqitur më 31 Tetor të vitit të kaluar në SPAK ku ka dëshmuar për hetimet ndaj tij, teksa që prej asaj dite nuk dihet se çfarë ka bërë Prokuroria e Posaçme për hetimet ndaj një prej njerëzve më besnik të Ballukut, i cili tashmë po tenton ti shmanget drejtësisë me “mburojën” e mandatit të deputetit.
Kush është Klevis Jahaj
Ndërkohë, Klevis Jahaj që prej tetorit të vitit 2021 mban detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve.
Pas ardhjes në krye, Jahaj dhe Balluku ndërmorën të ashtëquajturën “reforma e ujit”, duke shkrirë drejtoritë e ujësjellësve të rretheve për t’i përqendruar në qendër. Kjo me qëllim të dyfishtë; investimet dhe emërimet do të bëhen me “urdhër nga lart”. Deri më tani, Jahaj dhe Balluku ia kanë dalë të marrin 11 drejtori të mëdha, teksa rezistencë ka bërë vetëm Ujësjellësi i Tiranës.
Gjatë kësaj kohe janë prokuruar qindra miliona euro tendera nga këto drejtori, ku çdo muaj drejtori i “përkëdhelur” i Belinda Ballukut firmos fituesit e procedurave, ku shumica prej tyre përfundojnë në duart e klientëve të përhershëm të Qeverisë.
Madje ka dhe raste kur miliona euro tendera të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellësit përfundojnë në duart e kompanisë “Adriatik”, e cila njihet si kompania e familjes së Spartak Kovaçit, pasi zotëruesi i aksioneve të saj është Petrit Kovaçi, babai i ish drejtorit të Ujësjellësit të Durrësit.
Gjithashtu, Klevis Jahaj ka “shkëlqyer” dhe për menaxhimin e jashtëzakonshëm të burimeve ujore, duke siguruar që oligarkët të mos mbeten pa ujë, ndërsa qytetarët e thjeshtë të “ngrohen në diell”.

Pavarësisht raportimeve mediatike, nuk dihet nëse Klevis Jahaj është zyrtarisht nën hetim nga SPAK apo jo, por gjithsesi, duket se një “hall” e ka kreu i Ujësjellësit, i cili po lë një drejtori me miliona euro tendera për një mandat deputeti.
“Vesi del me shpirtin”
Por, nga rinumërimi i votave nga KAS për Qarkun e Fierit rezulton një trafikim i madh votash brenda socialistëve. Protagonistë janë dy personazhet e mësipërme, Ceno Klosi dhe Klevis Jahaj, dy prej njerëzve më të promovuar të Belinda Ballukut.
Deri më tani, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka përditësuar rezultatin e rinumërimit të votave preferenciale për 414 kuti të Qarkut të Fierit nga 587 kuti në total.
Nga rinumërimi rezulton se Ceno Klosi ka bërë namin me vjedhje vota brenda llojit, ku deri më tani i janë hequr 941 vota preferenciale. Duket se “shënjestrën” kryesore për t’i grabitur votat ka patur pikërisht Klevis Jahajn, të cilit nga rinumërimi i janë shtuar 454 vota deri më tani.
Po ashtu, vjedhje votash i është bërë edhe deputetes aktuale Antone Dhimës, të cilës i janë shtuar 92 vota, si dhe Zegjine Çaushit (63 vota), të cilën Belinda Balluku e përdori gjithë fushatën për të ironizuar kundërshtarin e saj politik në Fier Gazment Bardhin.
Ky “trafikim” kaq i madh votash brenda llojit, nuk mundej kurrsesi të bëhej pa “bekimin” e drejtueses së Qarkut Belinda Ballukut, e cila u jepte urdhra komisionerëve dhe numëruesve socialistë. Kjo, për shkak se vjedhja më e madhe e votave duket se është bërë tek mbushja e proces-verbalëve.
Si Ceno Klosi, po ashtu Klevis Jahaj, njihen si njerëz shumë të afërt të Belinda Ballukut, por duket se të parin, ministrja po e mban shumë më pranë vetes, afër fare, sidomos tani që e ka bërë edhe zëvendësin e saj. Nga rinumërimi i Fierit po vjen “era tradhti” në familjen e madhe të “Belës dhe Çunave të saj”.
Kjo mund të merret edhe si një shenje për lëshimin tek drejtësia, ku ndoshta se Belinda Balluku do ta lëshonte më parë Jahajn, se sa Ceno Klosin. Megjithatë siç duken bathët task forca e Altin Dumanit nuk e ka mendjen të gidas krimin e vërtet zgjedhor, por personazhe të lodhur nga opozita.
Mbetet për t’u parë tashmëse si do të jetë reagimi i Klevis Jahajt, pas rezultatit të rinumërimit, ku vlen të theksohet faktin se ai njihet njihet edhe për temperamentin e tij sanguin dhe kolerik.