Nga Boldnews.al
Gjykata Administrative e Apelit ka konstatuar se vendimi i kryebashkiakut (tashmë të arrestuar) të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të shtuar “në letra” një rrugë inekzistente në zonën e “Shkollës së Kuqe”, e cila besohet se u ka dhënë përparësi zhvillimi dhe përfitimi bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe familjarëve të saj, është një akt në shkelje të ligjit dhe ‘absolutisht i pavlefshëm”.
Megjithatë, për gjykatën, ku veprim në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore nga ana e Veliajt, nuk përbën “konflikt interesi”.
Në vendimin e datës 27 Mars 2025, të zbardhur së fundmi, Gjykata Administrative e Apelit nuk ka arritur të zbulojë “përse-në” e veprimit antiligjor të Veliajt.

Palët paditëse- familja Çoku dhe përfaqësuesit e saj ligjor-, kishin paraqitur dokumenta ku provohej se “rruga jo-ekzistente” ishte shtuar në Planin Vendor të zonës së “Shkollës së Kuqe” me qëllim që të krijoheshin mundësitë për të ngritur ndërtime shumë-katëshe në një pronë të trashëguar nga Ajola Xoxa.
Pretendimet e paditësve u konfirmuan në terren edhe nga një vëzhgim i kryer më herët nga “Boldnews.al”. Gjatë vizitës në terren, u konstatua se “rruga inekzistente” në letra ishte përdorur si argument për të dhënë leje ndërtimi për pallate shumë-katëshe, njëri prej të cilëve është ndërtuar pikërisht në pjesën në pronësi të Arben Xoxës, dhe e përfituar me trashëgimi ligjore nga bashkëshortja dhe e bija e tij, Valbona dhe Ajola Xoxa.

Po ashtu, dinamika e kësaj prone, zhvillimi dhe tjetërsimi i saj tek familjarët e afërt të Ajola Xoxas, është pjesë e hetimit për “pastrim parash” që po zhvillon Prokuroria e Posaçme ndaj Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij.
Duket se hetimi penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës, i cili gjendet në paraburgim prej muajit shkurt 2025, ka nxitur Gjykatën Administrative të Apelit që të qëndrojë larg kësaj historie me sfond penal.

Trupa e drejtuar nga gjyqtari Gentian Hamiti ka rrëzuar pretendimet e paditësve për “konflikt interesi” vetëm me një paragraf në vendimin 27 faqësh, të miratuar në 27 Mars 2025.
“Sa i përket pretendimit të palëve paditëse se aktet administrative, objekt gjykimi, janë nxjerrë në kushtet e konfliktit të interesit, Gjykata Administrative e Apelit çmon se ky pretendim është i pabazuar, pasi nuk është provuar ekzistenca e një konflikti të interesit në kuptim të ligjit nr. 9367 date 07.04.2005 “Per parandalimin e konfliktit te interesave gjate ushtrimit te funksioneve publike”. Sipas këtij ligji, ekzistenca e një konflikti interesi duhet të jetë reale dhe e provuar, jo thjesht e supozuar, ndaj në këto kushte, pretendimi i paditësave është i pambështetur dhe duhet rrëzuar”.

Në vendimin e gjykatës nuk ka asnjë analizë të thelluar se si u arrit në këtë përfundim.
Nuk ka asnjë argument se përse “konflikti i interesave mbetet thjesht i supozuar”, kur, në fakt, shumë të dhëna të marra në shqyrtim gjatë procesit gjyqësor provojnë se: (1) rruga u sajua; (2) falë rrugës së sajuar u dhanë leje ndërtimi, të cilat nuk mund të jepeshin nëse nuk do të kishte “rrugë”; (3) përfitues të zhvillimit të zonës falë rrugës së “sajuar” ishin familjarë të Ajola Xoxës, të cilët, sipas të dhënave të përfituara nga hetimi penal i SPAK-ut, dyshohet se janë përfshirë një rast “pastrimi parash”, pasi e kanë blerë pronën nga bashkëshortja e Veliajt, ndërkohë që nuk kanë pasur mundësi reale financiare.
Gjithësesi, vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit konfirmoi përfundimisht se Veliaj, në shkelje flagrante të ligjit, ka hartuar një Plan të Detajuar Vendor në shkelje të plotë të ligjit.
Si u sajua “rruga”
Me Vendimin nr.1, datë 14.04.2017 Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar “Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë së Tiranës” (PPV).
Me Vendimin nr. 36848 datë 24.09.2021, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka miratuar Planin e Detajuar Vendor (PDV) të Njësisë Strukturore TR/7, Faza I.
Në hartimin e këtij plani, Bashkia ka konsideruar prioritare detajimin e rrjetit rrugor të brendshme, propozimin e rrugëve të reja, si edhe mundësitë reale të zgjerimit të tyre, nëpërmjet ri-zhvillimit të ardhshëm në territor.
Sipas PDV-së së miratuar, Njësia Tr-7 kufizohet nga katër rrugë kryesore Rr. “Barrdhyl”, Rr. “Derhemi”, Rr. “Hoxha Tahsim” dhe Rr.“Qemal Stafa” dhe e vetmja rrugë e brendshme që përshkron njësinë është Rr.“Faik Tërkova”.
Sipas paditësve dhe personave të tretë, ndryshe nga realiteti faktik, në PDV Tr 7, “rezulton një rrugë inekzistente në brendësi të saj e cila mbivendoset mbi prona private duke cënuar interesat pasurorë të pronarëve të tjerë, anëtarë të shoqërisë”.

Gjithnjë sipas paditësve, “Plani i Detajuar Vendor” i miratuar nga Bashkia e Tiranës për këtë zonë “pasqyron një fakt të rremë, parashikon zgjerimin e kësaj rruge (inekzistente).
“Në të vërtetë, rruga pa emër në Planin e Detajuar Vendor ka nga një rrugicë të ngushtë dhe në formë servituti në të dyja anët e saj, që u shërbejnë disa pronave në hyrje të dy rrugëve kryesore dhe në mes të saj gjenden prona të tjera. Prezantimi i një rruge ekzsituese në këtë plan bëhet me qëllimin e vetëm për të mundësuar shpronësimin e objekteve që preken nga kjo rrugë, e cila do të pasojë me zgjerimin e saj, sipas standardeve të sotshme, për t’i shërbyer më mirë disa ponave, duke sakrifikuar disa prona të tjera dhe duke shtuar kosto ekstra në buxhetin e shtetit”, deklarojnë paditësit.
Për më tepër, sipas paditësve “qëllon që pronat të cilave u shërben ky plan u përkasin familjarëve të bashkëshortes së Kryetarit të Bashkisë, ku konkretisht, vjehrri i Kryetarit të Bashkisë, (Arben Xoxa, tashmë i ndjerë) është një nga pronarët e një prone në brendësi të njësisë Tr-7, e cila përfiton në mënyrëtë drejtpërdrejtë nga hapja e paligjshme e rrugës në bllokun e banimit, në tëcilën gjendet prona e tyre”.
Gjykata: Rruga inekzistente
Gjykata, pas shqyrtimit të dokumentacionit, arriti në konkluzionin se Plani i Përgjithshëm Vendor për Bashkinë e Tiranës, i miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit (KKT) nuk kishte evidentuar dhe as nuk kishte planifikuar zgjerim rruge në zonën objekt shqyrtimi gjyqësor.
Ndërkohë që rezultonte se Plani i Detajuar Vendor, i miratuar nga Bashkia e Tiranës, në zbatim të Planit të Përgjithshëm Vendor, kishte të parashikuar “zgjerimin” e rrugës, e cila në fakt nuk ekzistonte.
Në këtë situatë, Gjykata Administrative e Apelit vlerëson se “një Plan i Detajuar Vendor (PDV) që parashikon ndërtimin e një rruge, ku Plani i Përgjithshëm Vendor (PPV) nuk e ka parashikuar, është i pavlefshëm”.

Sipas trupës gjykuese, “nëse një PDV përfshin një rrugëkalimi në kundërshtim me PPV-në, ai është i pavlefshëm, pasi është miratuar në tejkalim të kompetencës së organit që e ka nxjerrë. Po kështu, nëse një PDV parashikon ndërtimin e një rruge në një pronë private pa marrë pëlqimin e pronarëve dhe pa respektuar procedurat e shpronësimit, ai është i pavlefshëm sepse cënon të drejtën themelore të pronës”.
Për këto arsye, Gjykata Administrative e Apelit konstaton se Plani i Detajuar Vendor i Bashkisë së Tiranës për zonën TR-7, Faza 1, është absolutisht i pavlefshëm.