Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe me marrjen në dorë të Operatorit të Blerjeve të përqendruara trashëgoi edhe një strukturë të ngritur korrupsioni me firmat e oligarkëve. Ministri po i rigjallëron këto lidhje me kontrata afatgjata shërbimesh që janë në fakt koncesione të pashpallura.
Në këtë kuadër, pronarët e dy kompanive të afërta me të, Xhemal Qefalia dhe Alma Tafani po përplasen në vend që të konkurrojnë për tenderin 4.1 miliardë lekë të ushqimit të dy spitaleve në kryeqytet.
Më konkretisht, objekti i kontratës është “Shërbim Gatimi dhe shpërndarje ushqimi, ndarë në 2 pjesë: Loti 1: “Gatimi dhe shpërndarje ushqimi (Catering) në S.U.O.GJ “Mbretëresha Geraldinë”; Loti 2: “Shërbimi i gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për Spitalin Universitar të Traumës”. Në lojë janë 402,593,295.64 lekë pa tvsh ose 4,104,744.04 Euro pa TVSH.
Procedura e Prokurimit e publikuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara që gatimi dhe shpërndarja e ushqimit (Catering) në S.U.O.GJ “Mbretëresha Geraldinë”, të kushtojë 185.2 milionë lekë pa tvsh, ndërsa për Spitalin Universitar të Traumës, 217.3 milionë lekë pa TVSH.
Sipas dokumenteve shoqëruese kohëzgjatja e kontratës kuadër ose afati për zbatimin e saj është 48 muaj për Maternitetin dhe 36 muaj për Traumën.
Lidhur me këto lote nga ana e institucioneve janë vendosur kushte specifike. Ku për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit të Spitalit Universitar të Traumës nënvizohet që kapaciteti i kuzhinës duhet të jetë i tillë që të prodhojë rreth 300 racione në vakt.
Qefalia “denoncon” tenderin
Tenderi është shpallur më 19 qershor 2025, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve është vendosur 21 korriku 2025. Por papritur procedura është pezulluar pas një ankese të bërë nga kompania “Dajti Park 2007”, pronë e familjes së deputetit Qefalia.
Ankimimi i firmosur nga Lulzim Qefalia kërkon ndryshimin e disa kushteve dhe kritereve, ku mendojnë se kundërshtarët janë të favorizuar.
“Konsiderojmë të papërshtatshëm faktin që është parashikuar vetëm një Mercolog Ushqimor (Agroushqimor) për të gjitha lotet së bashku, edhe kur bëhet fjalë për institucione me ndjeshmëri të lartë dhe shërbim të përditshëm për 365 ditë në vit me 3 vakte ushqimore në ditë.
Kërkojmë që të përcaktohet detyrimisht një specialist i dedikuar për çdo lot, për të garantuar cilësinë dhe sigurinë ushqimore.
Kërkojmë të paktën dy specialistë, që të mund të alternohen për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit edhe në rast mungese, leje, raporti mjekësor etj.” ankohet Qefalia.
Po ashtu, kërkohet që kriteri për stafin e nevojshëm teknik, të aplikohet në mënyrë identike dhe të barabartë për çdo lot, jo vetëm për disa pozicione specifike.
“Dajti Park 2007” shpk sugjeron që të vendosen disa ISO të tjera dhe të kufizohet mbështetja në kapacitetin e të tjerëve.
Sipas ankesës, sistemi me pikë është i paqartë dhe në një rast lë hapësirë që komisioni të bëjë vlerësim subjektiv.
Një kusht që kundërshtohet më tepër është “Detyrimi për të shpenzuar menjëherë nga 80,000-100.000 Euro(dy lote) për mjete frigoriferike elektrike/hibride. Sipas ankesës, kjo është një “barrierë e paimagjinueshme” për pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë.
Në fund kërkohet “Pezullimi i Procedurës nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara sh.a deri në vendimmarrjen e Komisionit të Prokurimit Publik”.
Garë e re, probleme të vjetra mes Qefalisë dhe Tafanit
Kujtojmë se “Dajti Park 2007” furnizon ushqimin e spitalit të Traumës që nga viti 2022. Kjo kompani është përfituese e tenderit “Loti 1 “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Spitalin Universitar të Traumës” me fondi limit 132 776 585,00 lekë pa TVSH.
Tenderi u organizuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara që në atë kohë varej nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, u mbajt më 9 shkurt 2022 dhe një muaj më pas Qefalia u shpall fitues. Përballë kishte kompaninë “Sori-AL” shpk, e cila u skualifikua.
Alma Tafani e kundërshtoi vendimin në Komisionin e Prokurimit Publik, por pesha politike e Qefalisë rëndoi vendimin e KPP-së.
Gonxhe i jep Qefalisë një mal me lekë për ushqimin e burgjeve
Në Shkurt të vitit 2024 kur u krijua shoqëria aksionere në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, Blendi Gonxhe nxitoi të emëronte në detyrën e administratores Arlinda Pogan. Ajo është drejtoresha e prokurimeve e përmendur së bashku me Blendi Gonxhen në raportet e KLSH-së për performancën gropë të prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Tiranë.
Më tej, në Nëntor të vitit 2024, Operatori i Blerjeve të Përqendruara zhvilloi procedurën e kufizuar, mbi kufirin e lartë monetar, për blerje ushqimesh për Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në sistemin e Burgjeve, me fond limit total 26.1 milion euro, të ndarë në 6 lote, dhe afat të kontratës 48 muaj nga data e nënshkrimit të marrëveshjes kuadër.
Autoriteti kontraktor i Blendi Gonxhes, në kundërshtim me ligjin, ka përdorur marrëveshjen kuadër si mjet prokurimi, me qëllim për të rritur fondin limit në miliona euro dhe siguruar lidhjen e kontratave me afat 4 vjeçar në kundërshtim me nenin 2, nenin 3, të LPP, por edhe VKM nr.285/2021 ‘Për miratimin e rregullave të prokurimit Publik’ i ndryshuar, neni 106 pika 3 ku shkruhet: “Autoriteti/enti kontraktor nuk lidh kontrata shumëvjeçare për punë, mallra ose shërbime, për të cilat bëhen planifikim dhe përdorime vjetore, që gjenden lehtësisht në treg dhe mund të prokurohen normalisht“.
Teksa shqiptarët zhyten në varfëri, deputeti Xhemal Qefalia, favorizohet dhe shton pasurinë!
Pjesa më e madhe e këtyre parave shkuan te operatori i shpallur fitues për 4 lote nga 6 gjithsej, kompania “Dajti-Park 2007” shpk e familjes së deputetit socialist Xhemal Qefalia.
Pjesa tjetër shkuan te kompanitë e familjes së Shemsi Sinanit, të dënuar me vendim të gjykatës së formës së prerë me 4 vite burg për korrupsion me tenderat pikërisht lidhur me drejtorinë e burgjeve.
Gonxhe i ndan miliona euro edhe Alma Tafanit
Për Spitalin Psikiatrik të Vlorës, më 12 shtator 2024, u firmos dhe vulos kontrata nga drejtoresha e Blendi Gonxhes për blerjen e 3,1 milionë eurove perime, fruta, drithëra dhe pije. Gijotina.com denoncoi tenderin që ka si objekt “Shërbim gatimi dhe shpërndarja e ushqimit”, Edhe ai prokurim mbante “Flamurin e Kuq”, ndërsa përfituese ishte kompania e Alma Tafanit.
Siç shihet në dokument, afati i kontratës ka nisur që më datë 12 shtator 2024 dhe parashikohet të vazhdojë për 4 vjet.
Pesë ditë më pas, vjen tenderi i radhës në këtë spital që ka si objekt “Shërbim gatimi dhe shpërndarja e ushqimit (katering)” – emergjencë 3 mujore”. Në fakt, tenderat e këtij Spitali i ka marrë në dorë ministria e Blendi Gonxhes, por drejtoresha aty i ka shpallur një “emergjencë” dhe e bën vetë prokurimin.
Pra, Spitali Psikiatrik kishte mbetur pa ushqime dhe për këtë do të prokuroheshin 195 milionë lekë. Duke qenë se është punë “urgjente” nuk është bërë publik ndonjë dokument që të tregojë çfarë ushqimesh do të blihen konkretisht, si dhe sasitë për secilin artikull. Siç shohim, në dosjen e tenderit thuhet që është blerje “emergjente”, por edhe për këtë nuk është shpjeguar pse erdhi kjo emergjencë.
Po aq urgjente e paska patur Laureta Bala, si personi i autorizuar për këtë tender, sa çdo gjë e ka zhvilluar brenda 24 orëve. Sigurisht, që i kanë dhënë urdhër të firmosë ato letra me shpejtësi. Pra, e ka hapur garën më datë 17 shtator 2024 dhe më datë 18 shtator e ka mbyllur, se në fakt nuk u zhvilluar fare një procedurë konkurrimi. Thjesht është ftuar firma “Sori-al” SHPK dhe i është dhënë kontrata e firmosur.
Kujtojmë se Alma Tafani në sektorin e Shëndetësisë, me kompaninë AGS, ka marrë miliarda lekë tendera dhe 4 koncensione. Alma Tafani ofrimin e shërbimit të lavanderise në QSUT ka marrë kontrata duke u favorizuar në tendera. Po ashtu ka përfituar 540 mijë euro grant nga programi IPARD nga Ministria e Bujqësisë.
Nga ana tjetër, Blendi Gonxhe është kursyer nga SPAK. Ministri është thirrur vetëm një herë për t’u marrë në pyetje, në 25 korrik 2022. Ai është kallëzuar në Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë.
Në kallëzimin e depozituar në SPAK, u kërkohej prokurorëve të hetojnë “në mënyrë të thelluar gjithë procedurat e zhvillimit të tenderëve publik që lidhen me kompanitë që zotëron, apo lidhen me zotin Gonxhja”.
Kallëzimi thotë se kompani private të qiradhënies së makinave, të cilat lidhen me Gonxhen, kanë përfituar në mënyrë të dyshimtë tenderë publik. Gonxhja thuhet se zotëron kompaninë Albarent, e cila për pesë vite (2014-2019) ka përfituar nga buxheti i shtetit 160 mijë euro.