Analistët Andi Bushati dhe Baton Haxhiu, ndajnë mendime të ndryshme sa i përket konfliktit Izrael-Iran dhe luftës në Gaza.
Gjatë një debati në emisionin “Të Paekspozuarit” Bushati tha se komponenti moral është shumë i rëndësishëm dhe vrasja e cvilëve duhet të dënohet, ndërkohë që duhet shpjeguar se konflikti nuk lidhet shumë me armët bërthamore por me interesa të tjera gjeostrategjike të fuqive të mëdha. Ndërsa Baton Haxhiu deklaroi se në këtë rast nuk ka humanizëm, por llogari gjeopolitike dhe se dënimi i masakrave, mund të jetë një ushtrim i mirë intelektual por nuk zgjidh asgjë në praktikë.
Më tej, Baton Haxhiu u shpreh se është vonë tani për të folur për gjenocidin e Izraelit në Gaza, pasi është punë e përfunduar dhe kjo vetëm mund të konstatohet intelektualisht, ndëra Bushati iu përgjigj duke thënë se se nuk ka qëndrim intelektual, duke përjashtuar jetën e njerëzve.
Andi Bushati: Edhe në botën e sotme të interesave, komponenti moral ka shumë rëndësi. Të gjithë liderët perëndimor që e justifikojnë në vendet e tyre sulmin ndaj Iranit, u thonë ajo është teokraci, diktaturë, që nuk meriton ta ketë bombën atomike. Pra ne, vendet e lirive mund ta kemi. Izraeli si demokraci e lirë mund ta ketë, ata jo. Por, po të shohim faktet, ato tregojnë se për të gjithë atë rajon, më i rrezikshëm po rezulton Izraeli sesa Hamasi dhe Irani. Pra, ky është shumë i rëndësishëm si komponent edhe për të frenuar ato demokraci që japin llogari para opinionit të tyre.
E dyta, më ka shqetësuar dhe kam parë me këtë sy këto ditë, po të ulesh me njerëz të zakonshëm, thonë “Izraeli është aleti jonë, me Izraelin është edhe Amerika”. Ka një pro izraelizëm që bëhet nga shpëlarja e trurit e sistemit, mediave. Prandaj edhe për këtë, i duhet shpjeguar që komponenti moral ka shumë rëndësi. Duhet çmitizuar, për botën tonë shqiptare, roli i “Izraelit të mirë” dhe “këta të tjetër janë një teokraci”.
Baton Haxhiu: Dakord, por a ndihmon kjo?
Andi Bushati: Edhe një njeri i ndriçuar më shumë në një botë disa miliardëshe, na ndihmon. Pastaj tubimi i miliona apo miliarda të vërtetave e bën globin më të mirë. Ti thua aty po vriten njerëz, si izraelitë edhe iranianë, sepse Amerika ka një plan, ti vrasë që të arrijë te Kina. Kjo u duhet shpjeguar njerëzve. Që nuk qenka rrezik regjimi iranian dhe as armët atomike, por qenka një plan më i lartë. Këta njerëz, shqiptarë, thonë jemi me Izraelin, duhet ta dinë edhe këtë, që po vdesin njerëz kot në emër të një projekti gjeostrategjik.
Baton Haxhiu: Amerika u tregua e dobët dhe sidomos Trump karshi Rusisë. Premtoi dicka brenda një kohe të shkurtër dhe dështoi. E vetmja gjë për të rinisur fuqinë e vet, ishte kjo betejë në Gjirin Persik, ku ishte prezente edhe Kina dhe Rusia dhe konflikti sipërfaqësor, mes Indisë dhe Pakistanit. Arsyeja për të treguar fuqinë Trump, ishte për të kundërvënë Kinën dhe jo Pakistanin. Nëse një Perandori që është dobësuar me Biden, që ishte e pafuqishme dhe nuk merrej seriozisht, ajo duhet të rifreskonte veten. Ne duhet ta pranojmë nuk ka humanizëm por gjeopolitikë. Ne mund të themi intelektualisht, po ka patur genocid në Gaza, por përtej kësaj, bota është jo humane dhe kjo kontradiktë mbi botën jo humane dhe humanizmit tonë si zëra të përvetshëm, besoj se ka njëfarë…
Baton Haxhiu: Të flasësh për gjenocidin e Izraelit në Gaza është vonë, është punë e përfunduar. Mund ta konstatojmë intelektualisht, por është e pavlerë, sepse dimensioni i konfliktit ka shkuar në vend tjetër. Njeriu dhe vdekja e tij nuk e ka peshën kur bota është e patrazuar.
Andi Bushati: Nuk ka qëndrim intelektual, duke përjashtuar jetën e njerëzve.
Baton Haxhiu: Prit ta përfundoj.
Andi Bushati: Jo, se është shumë e rëndë kjo që the.
Baton Haxhiu: E rëndë është situata, më shumë se fjalitë e mia. Po cili është humanizmi, kur fjalët më nuk kanë kuptim?
Redi Shehu: Humanizmi është gardiani.
Baton Haxhiu: Më lini ta përfundoj se do ta dalë keqkuptim pastaj kjo, se analizën e kemi joreale.
Andi Bushati: Analiza ëeshtë më reale sepse ne kemi një publik që na ndjek, i cili ka dëgjuar një zë deri më sot, qeverinë shqiptare që thotë: Mbështesim Izraelin!
Baton Haxhiu: Ç’lidhje ka qeveria shqiptare në këtë moment?
Andi Bushati: Po ne nuk zgjidhim hallet e OKB-së, të botë dhe të G7-ës. Ne me modestinë tonë ndriçojmë ata që na shohin.
Baton Haxhiu: Ndriçimi është të thuash mendimin që ke. Ç’lidhje kemi ne në këtë histori? Ç’kuptim ka?
Andi Bushati: Jo, ka shumë kuptim se në çdo vend të botës gjëja e parë që merret në skaner se çfarë mesazhesh i lëshon në kuadër të krizës së madhe ndërkombëtare, qeveritë popujve të tyre.
Baton Haxhiu: Nëse e kemi më të lehtë, Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza. Kur bota të rregullohet do t’i kthehemi këtij gjenocidi dhe do ta dënojmë Netanjahun. Por këtu fillon analiza sepse për shkak se jeta e njeriut është vrarë kemi hyrë në një fazë tjetër kur jeta e njeriut do të jetë shumë e pavlerë. Nuk po i mëshojnë Iranit se është shtet terrorist. Po i mëshojnë dy superfuqive të tjera, Kinës dhe Rusisë dhe gjysma e kabinetit të Trumpit është kundër ndërhyrjes në Iran sepse ka qenë “Amerika First”. Por “Amerika First” dështoi në 3 muajt e parë.