Presidenti Donald Trump ka mohuar raportet që pretendonin se ai kishte filluar bisedimet e paqes me Iranin. Përmes një postimi në rrjete sociale Trump shkruan se nëse Irani do ta kishte pranuar marrëveshjen që ishte në tryezë, do të ishin shpëtuar shumë jetë njerëzish.
“Nuk i jam drejtuar Iranit për “Bisedime Paqeje” në asnjë mënyrë apo formë. Ky është thjesht një lajm më i rremë dhe shumë i shpikur! Nëse duan të flasin, dinë si të më kontaktojnë. Duhet ta kishin pranuar marrëveshjen që ishte në tryezë – Do të kishte shpëtuar shumë jetë!!!”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Më herët, Trump tha në bordin e Air Force One se më mirë se një armëpushim do të ishte një fund i vërtetë i konfliktit mes dy vendeve.
Trump pranoi se aktualisht nuk është i prirur për negociata. “Nuk jam shumë në humor për të negociuar tani,” tha ai, duke sugjeruar se presioni mbi Teheranin do të vijojë.
Trump po ashtu kritikoi ashpër Presidentin Francez Emmanuel Macron teksa po largohej nga Kanadaja të hënën vonë, duke thënë se homologu i tij gabimisht sugjeroi se po kthehej në Uashington për të punuar për një “armëpushim”.
“Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili kërkonte publicitet, gabimisht tha se unë u largova nga Samiti i G7-ës në Kanada për t’u kthyer në Uashington për të punuar për një ‘armëpushim’ midis Izraelit dhe Iranit. Gabim! Ai nuk e ka idenë pse jam tani duke shkuar në Uashington, por sigurisht që kjo nuk ka të bëjë fare me një armëpushim. Shumë më të madhe se kaq. Qoftë me qëllim apo jo, Emmanuel gjithmonë gabon. Qëndroni në pritje!”, shkroi Trump.