Deputeti i PS-së, Plarent Ndreca është thirrur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku ka dëshmuar për rreth dy orë.
Burime për mediat bëjnë me dije se ai është thirrur si personi në dijeni për hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, më konkretisht për takimet që kanë zhvilluar në paraburgim.
Gjithsesi, në prononcimin e dhënë për gazetarët pas daljes nga SPAK, Ndreca e mohoi se ishte thirrur për këtë gjë, madje e mohoi se ishte thirrur edhe për çështjen ndaj tij, për të cilën është marrë i pandehur për abuzim me tenderat në kohën kur ishte Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme
“U thirra si person në dijeni, për rrethanat e një hetimit.
Për zotin Veliaj që e keni takuar në ambientet e paraburgimit?
Jo nuk është kjo, por është çështje në hetim, unë jam në cilësinë e personit që ka dijeni.
Nuk ka lidhje me hetimin për tenderin që iu kanë marrë të pandehur?
Jo, jo!
Për çfarë hetimi?
Nuuk mund ta them se nuk më lejohet se me shumë dëshirë e thoja, është me të tretë, nuk është me mua.” – tha Plarent Ndreca.
Deputeti socialist Plarent Ndreca është marrë i pandehur nga GJKKO për abuzimet me tenderat në Ministrinë e Brendshme ku ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm dhe sipas akuzës ka favorizuar në shkelje të ligjit arkitektin Gjon Radovani për të fituar tendera me vlerë 34 milionë lekë.
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, bashkëpunuan në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike.
Të pandehurit, të udhëhequr nga Ndreca, akuzohen se kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit.
Ministria e Brendshme në kontratën “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Policisë së Shtetit” kishte caktuar një vlerë totale prej 54,2 milionë lekësh pa TVSH për katër objekte policore. Por kjo vlerë u ndryshua duke zvogëluar numrin e objekteve në 2 dhe reduktuar vlerën në 34,2 milionë lekë. Prokuroria vlerëson se kjo u bë për të favorizuar fituesin.