Megjithëse aktualisht ekziston vetëm si emër, shkolla “Gjergj Kastrioti” në Durrës, gjatë vitit të fundit, është vënë në qendër të vëmendjes së qytetarëve dhe institucioneve.
E ardhmja e saj po diskutohet gjerësisht për shkak të zbulimit të një siti të rëndësishëm arkeologjik, përfshirë edhe një vilë të periudhës romake, pikërisht në themelet ku ishte planifikuar rindërtimi i shkollës pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Gërmimi i plotë i territorit me synim krijimin e një parku arkeologjik ishte opsioni i parë, i mbështetur kryesisht nga arkeologët dhe historianët, ndërsa bashkëjetesa e shkollës së re me zbulimin arkeologjik konsiderohet si mundësi e dytë, që kënaq kryesisht institucionet, por edhe nxënësit dhe prindërit që presin t’i rikthehen shkollës tradicionale.
Prej vitesh, ata ndjekin mësimin në shkolla të tjera.
Postimi i kryeministrit Rama, i cili disa ditë më parë njoftoi publikisht mbi punën e arkitektit spanjoll Toni Gironès për riprojektimin e shkollës pas zbulimit të rrënojave antike në kantierin e ndërtimit, dhe ideja e tij për ndërthurjen e shkollës me zonën e kërkimit, sipas Ramës, “do t’i japë jetë një tjetër transformimi spektakolar, të denjë për ambicien tonë për Durrësin 2030, si edhe për faqet e revistave të arkitekturës bashkëkohore europiane”, i rihapi diskutimet mbi marrëdhënien mes trashëgimisë arkeologjike dhe nevojës për infrastrukturë arsimore.
Arkeologët durrsakë propozojnë një mundësi të tretë, duke theksuar se gjetja e një territori tjetër për ndërtimin e shkollës është plotësisht e mundur.
Ata këmbëngulin në ngritjen e një muzeu alternativ në të njëjtën hapësirë, “në të cilin të ekspozohen objektet e zbuluara gjatë gërmimeve në vazhdim, por mbi të gjitha të paraqiten të dhënat e kulturës materiale mbi historinë e plotë të qytetit antik të Durrësit”.
“Muzeu i mundshëm mbi sitin arkeologjik për Durrësin nuk do të jetë një ndërtesë betoni. Përkundrazi, gjithçka mund të ekspozohet në një strukturë që mbahet mbi kapriata metalike,” thotë arkeologu Eduard Shehi.
Sipas tij, historia e qytetit nuk është paraqitur deri tani në mënyrë të plotë në ekspozimet e muzeut aktual arkeologjik.
“Një zbulim si ky i fundit në territorin e shkollës, nga përmasat dhe nga vlerat, ka përparësinë se ndodhet në një territor publik, pra jo privat, dhe administrimi i tij është shumë më i lehtë,” tha për BIRN prof. as. dr. Brikena Shkodra.
Nga ana tjetër, arkeologët durrsakë kujtojnë se zonifikimi arkeologjik zyrtar e klasifikon vendin ku u gjet vila romake në pjesën B, që konsiderohet më pak e rëndësishme për kërkimet krahasuar me zonën A në qendrën historike.
“Në trekëndëshin që fillon nga Torra Veneciane me rrugët drejt Currilave dhe drejt Vilës mbi kodër, që nga viti 1947 ka pasur mjaft zbulime interesante, mes tyre edhe ai i furrave antike që nisën të zbulohen gjatë ndërtimit të pishinës publike të qytetit në vitin 1975 dhe vijuan deri dhjetë vite më parë,” sqaron arkeologu Shehi.
“Fatkeqësisht, propozimet tona dhe të Institutit të Arkeologjisë për përfshirjen e kësaj zone në hartën e mbrojtjes me përparësi nuk u morën parasysh,” shton ai.
Carolyn Perry, arkeologe angleze dhe bashkëpunëtore në projektet e Institutit të Arkeologjisë në Durrës, është e njëjtit mendim me arkeologët vendas.
“Kur pashë dizajnin e shkollës që planifikohet të ngrihet menjëherë mbi mbetjet e sitit arkeologjik, mendova se çfarë mundësie e humbur është kjo ide!”
Sipas saj, “kjo strukturë moderne kaq e bukur do të ishte rasti më i mirë për të ekspozuar Durrësin antik, duke kombinuar sitin arkeologjik me një muze që ekspozon objektet dhe historinë e qytetit antik.”
Perry përmendi edhe një model të ngjashëm në Londër, ku tempulli i Mithras dhe objektet e tij janë ekspozuar në vendin ku u gjetën. Aty është ngritur një muze i posaçëm për promovimin e sitit, në katin përdhes të ndërtesës “Bloomberg”.
“Shembuj të tillë në Europë ka plot,” nënvizon ajo.
Ekspedita në themelet e shkollës filloi vitin e kaluar dhe drejtohet nga prof. Luan Përzhita, i cili tashmë ka përgatitur për botim rezultatet e gërmimeve të zhvilluara gjatë vitit të kaluar.
Shkolla “Gjergj Kastrioti”, që u përurua në vitin 1968, ishte për më shumë se gjysmë shekulli e vetmja shkollë e mesme publike në lagjen nr. 1 të Durrësit.
Godina rrethohej dikur nga disa vila private të ngritura në vitet ’30-’40 të shekullit të kaluar, të cilat më pas ia lanë vendin pallateve të shumta, si dhe restoranteve e hoteleve – duke lënë pas dore ndërtesat shkollore.
Lagjia buzë detit, në një hark kohor prej 25 vitesh, arriti shifrën prej gati 18 mijë banorësh.
E vetmja shkollë 9-vjeçare publike u ngrit në vitin 2005, por godina më pas iu transferua Universitetit të Durrësit.
Sipas arkeologëve durrsakë, ngritja në të njëjtin territor e një muzeu kushtuar historisë dhe arkeologjisë ose ruajtja e plotë e sitit për publikun, janë opsione të mundshme.
“Zbulimi arkeologjik ndodhet në mes të segmentit që bashkon Amfiteatrin antik me Muzeun Arkeologjik,” thotë prof. as. dr. Eduard Shehi.
“Një itinerar turistik që mund të përshkohet në këmbë, përmes tre monumenteve shumë të rëndësishme,” shton ai.
prof. as. dr. Brikena Shkodra thekson se planifikimi i qëllimshëm i shkollës mbi sitin arkeologjik do ta bëjë atë ‘të padukshëm’.
“Bashkëjetesa e një shkolle të mesme me një kompleks ndërtimor antik është një çështje komplekse, që përfshin aspekte të trashëgimisë kulturore, edukimit, zhvillimit urban dhe kujdesit për mjedisin historik,” tha ajo.
Sipas Shkodrës, mbrojtja, vazhdimi i gërmimit dhe interpretimi historik i vlerave kulturore të sitit do të jenë të pamundura.
“Ngritja e një muzeu arkeologjik është forma më e natyrshme dhe e qëndrueshme për të bashkëjetuar me një sit historik, duke ruajtur integritetin e tij dhe duke maksimizuar përfitimet për publikun,” përfundon arkeologia Shkodra./BIRN