• Kontakt
Monday, June 16, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Vrasja e kryekomisarit Artan Cuku dhe si i “shpëtoi” Bledar Jambelli ekstradimit në Shqipëri

21:38 : 15/06/2025
në AKTUALITET, KRONIKE

Deri në vitin 2012 askush nuk kishte dëgjuar për të. Të paktën emri i tij, asnjëherë nuk ishte bërë publik, ndonëse në dosjet e Policisë së Vlorës kishte shënime operative, që e përfshinin si të dyshuar në disa ngjarje.

E shkuara e tij e errët, me krime të nisura që në adoleshencë, nisi të dalë në dritë gjatë vitit 2012. Kohë kur Policia e Vlorës drejtohej nga Artan Cuku.

Kryekomisari i ndjerë, hapi dosje ngjarjesh të vjetra e gërmoi në skutat më të errëta të krimit, duke mbledhur prova e dëshmi që ekspozuan për herë të parë publikisht emrin e atij që sot është një prej kriminelëve më të kërkuar.

Ky është Bledar Jambelli, i njohur edhe me emrin Rikardo Muho, nga Mbrostari i Fierit. Sot, 45 vjeç ai është i izoluar në burgjet greke për një krim të ndodhur atje në vitin 2021.

Jambelli është i dyshuar dhe i akuzuar si truri i vrasjes së ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Artan Cuku. Për këtë të fundit, fieraku ishte një vrasës me pagesë, për të cilin mblodhi një pirg me prova. Identifikimin dhe ekspozimin publik përballë opinionit dhe drejtësisë, me foto e gjurmë gishtat, Jambelli, nuk ia fali kryekomisarit që hapi një tufë me dosje të vjetra ndërsa drejtoi Policinë e Vlorës.

Lexo edhe:

Vrau recepsionistin/ Merret i pandehur pronari i hotel “Grecia”, Greqia mban “peng” ekstradimin

Vrau me thikë kushëririn në Klos, lihet në burg Hazbi Velsula, “kyç” gojën para togave të zeza

Në momentin që Artan Cuku e arrestoi në dhjetor të vitit 2012, Bledar Jambelli nuk hezitoi ta kërcënonte në zyrë, duke i thënë se këtë ditë nuk do ta harronte kurrë. Dhe në fakt, afro 5 vjet më vonë, kur Cuku nuk ishte më pjesë e strukturave të Policisë dhe Jambelli ia kishte dalë të lirohej nga qelia, urdhëroi vrasjen e kryepolicit.

Bledar Jambelli është arrestuar 3 herë në Greqi që pas momentit kur drejtësia shqiptare e shpalli në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe nga Interpol, si porositës i vrasjes së Artan Cukut. Fillimisht në vitit 2018, kur u arrestua me qëllim ekstradimi në Shqipëri dhe dy herë të tjera për krime të kryera në shtetin helen, pasi fitoi lirinë nga Gjykata e Lartë greke. Një vendim që duket se përfundimisht e ka shpëtuar nga ekstradimi. Ndonëse pas një gjyqi që u zvarrit për vite me radhë, më në fund, më 3 qershor 2025 Prokuroria e Tiranës shpalli pretencën duke kërkuar burgim të përjetshëm për të, duket se shanset që ai ta vuajë këtë dënim në Shqipëri janë të pakta.

“Gjykata e Lartë ‘pastroi’ një xhelat shqiptar”.

Ky ishte titulli i kryeartikullit, me të cilin u hap gazeta greke “Documento”, më 19 maj të vitit 2024. Titulli shoqërohej nga fotografia e Bledar Jambellit, i kërkuar që prej vitit 2018 si porositës i vrasjes së kryekomisarit Artan Cuku. E pranë fotos së tij ishte edhe Fredi Beleri, si person që dëshmoi në favor të tij dhe bindi Gjykatën e Lartë të refuzonte ekstradimin e Jambellit në Shqipëri.

Dhe si një vendim i gjykatës supreme helene, ky verdikt vijon të jetë në fuqi, pa çka se Bledar Jambelli ndodhet në burg për hesapet që ka me drejtësinë greke.

VRASJA E ARTAN CUKUT

Prej tri vitesh eshtrat i prehen në Varrezat e Dëshmorëve. Ç’ka mbeti nga Artan Cuku u soll këtu 5 vite pas vrasjes me një ceremoni zyrtare ku nuk mungoi as premtimi për të vënë drejtësi.

Por, 8 vjet pas vrasjes mafioze, në burg është vetëm Mikel Shallari, ekzekutori material. Ndërsa ideuesit, urdhëruesit, financuesit të këtij krimi, ende nuk i ka hyrë gjemb në këmbë për këtë krim. Drejtësia ende nuk ka gjetur kohë të thotë fjalën e saj as 8 vite pas vrasjes.

Rakip Cuku, vëllai i Artan Cukut:

“Këtu në Varrezat e Dëshmorëve nga radhët e Policisë, ju të uniformave blu po u drejtohem me një lutje. Jini krenarë për uniformën e Policisë së Shtetit. Mbajeni me dinjitet. Mos e ndotni atë për asnjë lloj arsyeje. Për atë uniformë është derdhur gjak i pafajshëm. Ju të gjithë i keni dhënë diçka nga jeta juaj Policisë. Tani dhe kolegët e tij që prehen këtu i dhanë gjithçka”.

8 Prill 2017

Mbrëmjen e 8 prillit të vitit 2017, rreth orës 8 të darkës, Artan Cuku sapo kishte dalë nga një minimarket dhe po kthehej në shtëpi. Vrasësi, Mikel Shallari, po e priste Cukun para pallatit ku banonte. Ai shoqërohej nga kushëriri i tij, Kristaq Leci, i cili po priste tek fusha me bar aty pranë dhe e orientonte në distancë me anë të sms-ve.

Kur Artan Cuku doli nga minimarketi dhe u shfaq përballë autorit duke iu drejtuar hyrjes së pallatit, Mikel Shallari u pozicionua tek shkallët, në pjesën e brendshme. Në momentin që Cuku u shfaq para tij, autori e qëlloi me dy pistoleta.

Artan Cuku u mbijetoi plumbave dhe tentoi të futej në ashensor, por vrasësi e ndoqi dhe e qëlloi edhe aty. Cuku nuk u rrëzua, doli nga ashensori dhe tentoi të përleshej fizikisht me autorin. Por aty mori goditjen fatale. Mikel Shallari e qëlloi në kokë.

Ky moment u sqarua në Gjykatën e Tiranës më 3 prill të vitit 2023, nga vetë i pandehuri Mikel Shallari. Bashkëshortja dhe vëllezërit e Artan Cukut, 6 vite pas ngjarjes, përjetuan edhe një herë vrasjen e tij. Ata ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, në procesin që po zhvillohej në mungesë ndaj Bledar Jambellit dhe Kristaq Lecit.

I qetë dhe mjaft i ftohtë, Shallari tregoi gjithçka. Si e kishte ndjekur Cukun, si e kishte ruajtur e si e kishte qëlluar për vdekje mbrëmjen e 8 prillit të vitit 2017.

Mikel Shallari përsëriti edhe një herë, fjalë për fjalë, ato që kishte thënë në ditën kur firmosi marrëveshjen, nga e cila përfitoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe u dënua me 10 vite burgim. Dënim që tashmë është drejt përfundimit.

12 Qershor 2017

Më 12 qershor të vitit 2017 Mikel Shallari shpreh vullnetin të bashkëpunojë me drejtësinë dhe nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me prokurorin Henrik Ligori. Një ditë para, gjatë pyetjes së tij, ai dha deklarime të hollësishme lidhur me krimin e kryer dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në rolin e organizatorit dhe të shtytësit, të cilët i identifikoi si Bledar Jambelli, i njohur edhe si Rikardo Muho dhe Gerti Kajo, i njohur edhe si Kristaq Leci, ky i fundit djali i dajës së Shallarit.

Mikel Shallari vrau kryekomisarin Artan Cuku pasi iu premtua se do të merrte 20 mije euro, si dhe do e ndihmonin të largohej drejt Gjermanisë. Shallari është ekzekutori, por krimi është porositur dhe kryer në bashkëpunim me të pandehurit, Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci.

Por si ra Policia në gjurmët e Mikel Shallarit?

Pas vrasjes, ai zhveshi pjesën e sipërme dhe të poshtme të veshjes sportive dhe i hodhi në një kazan plehrash, në cep të rrugës “Zef Jubani”. Rrobat u gjetën dhe u sekuestruan si dhe iu nënshtruan ekspertimeve. Gjithashtu kamerat fiksuan Shallarin të largohej me duar në xhepat e bluzës. Pikërisht në gjurmët biologjike të lëna në xhepat e bluzës u arrit të ndërtohej profili gjenetik i ADN-së së një personi mashkull. Profili gjenetik i ADN-së përputhej me atë të një personi të regjistruar në Zvicër, në kantonin e Zyrihut, si Mikel Shallari, i biri Edmondit dhe Smihanës, lindur në Skrapar, 6 nëntor 1993. Mikel Shallari rezultonte se kishte kryer një dënim për shitje narkotikësh edhe në Zvicër. Rezultatet e analizave u vërtetuan edhe nga Instituti i Policisë Shkencore dhe më pas nisi puna për arrestimin e Mikel Shallarit.

Mars – Prill 2017

Nga mesi i dhjetëditëshit të tretë të marsit dhe fillimi i prillit 2017, me porosi të organizatorit Bledar Jambelli, është thurur plani për vrasjen e Artan Cukut. Shallari, me ndihmën e kushëririt Kristaq Leci, vëzhgonin territorin rreth banesës së viktimës dhe e ruanin për të gjetur rastin e volitshëm. Nga data 26 deri më 28 mars, Mikel Shallari ka marrë me qira një makinë tip “Golf” për të vëzhguar viktimën.

Nga data 28 mars deri më 4 prill ka marrë me qira një “Fiat Evo” të zi, sipas porosisë së të pandehurve Jambelli dhe Leci. Më 7 prill makina “Fiat” i është fikur pranë pallatit ku banonte viktima, pikërisht në momentin kur Shallari po largohej me Kristaq Lecin pas tentativës së dështuar për të vrarë Artan Cukun.

Vrasja ishte planifikuar të kryhej pasditen e datës 7 prill 2017, ku rolin e ekzekutorit e pati marrë përsipër Kristaq Leci, i veshur me të njëjtat rroba që të nesërmen i veshi Mikel Shallari. Të dy ishin pozicionuan përballë godinës së një universiteti privat në rrugën e Kosovarëve. Artan Cuku u ul tek një kafe jo larg banesës. Kristaq Leci, me armët në brez e ndoqi nga pas, por nuk e kreu vrasjen nga frika e identifikimit për shkak të lëvizjeve të shumta të njerëzve në atë orë.

Në dëshminë e tij Mikel Shallari shpjegoi si ata vëzhgoheshin nga organizatori Bledar Jambelli, i cili i nxiti të qëllonin. Në mbrëmje vonë, të tre të pandehurit u takuan tek një lokal, ku Jambelli, me tone fyese shprehu pakënaqësi ndaj tyre dhe i nxiti që krimin ta kryenin të nesërmen. Shallari mori përsipër ta kryente vetë ekzekutimin. Ai ishte orientuar që të ndërronte numrat e telefonit një herë në dy ditë. Ai komunikonte vetëm me të pandehurin Leci, ndërsa me Jambellin rezulton se nuk ka komunikuar asnjëherë. Të nesërmen, më 8 prill, u vra Artan Cukut.

Pasi realizoi vrasjen, autori u largua fillimisht drejt sheshin “Wilson”, ku mori një taksi, e cila e çoi në rrugën “Teodor Keko”, në Unazën e re. Po atë natë, Shallari theu telefonat e tij dhe të Lecit, si dhe zhduku kartat sim të vendosura në ta. Te nesërmen Shallari merr nga Jambelli e Leci 2 mijë euro si shpërblim për krimin.

Shallari mësoi po atë pasdite se do të largoheshin për në Greqi Jambelli dhe Leci, të cilët kanë bërë kujdes që të mos lënë gjurmë në sistemin TIMS për hyrjet e daljet në kufi. Por një sërë dëshmitarësh provojnë se ditët kur përgatitej krimi ata ndodheshin në Tiranë. Ky fakt provohet nga deklarimet e disa personave që i kanë njohur ata përmes paraqitjes për njohje me fotografi. Fillimisht armët e krimit Shallari i fshehu përkohësisht pranë “Astirit”, më pas i mori dhe transportoi në Kuçovë, duke i paketuar dhe groposur në një vend në shtratin i lumit Devoll. Në praninë e Shallarit, pas këqyrjes së vendit u gjetën dhe sekuestruan dy pistoleta, një e markës Glock dhe një Zastava, të dyja me krehër pa fishekë. Pas akt ekspertizës u provua se armët e sekuestruara ishin armët e përdorura në vrasjen e Artan Cukut.

Porositësi i vrasjes

Mikel Shallari ka dhënë shpjegime të hollësishme mbi rrethanat dhe motivin e krimit të vrasjes së Artan Cukut. Ai pranoi se për kryerjen e vrasjes i ishin premtuar 20 mijë euro nga personi i interesuar, të cilin ai e pati njohur me ndërmjetësimin e djalit të dajës së tij, Kristaq Lecit. Ai e konsideronte atë si person të rëndësishëm dhe e quante “I madhi” ose “Shefi”. Ky person u identifikua më pas prej tij si Bledar Jambelli. Përveç çmimit të mësipërm të krimit, organizatori dhe ndërmjetësi i premtuan të pandehurit se do ta ndihmonin të sistemohej në Gjermani. Shallari ka rrëfyer se shënjestrën ja patën treguar porositësit e krimit nga një foto internet. Ata i bënë të ditur automjetin me të cilën lëvizte Cuku, dhe vendin ku ai parkonte para se të hynte në banesë.  Bledar Jambelli i premtoi Shallarit 20 mijë euro, por nga akt marrëveshja kuptohet se Shallari nuk e ka marrë të gjithë shumën.

Hakmarrja e Bledar Jambellit

Mikel Shallari ka shpjeguar në dëshminë e tij edhe motivin e krimit. Nga i pandehuri Bledar Jambelli dhe bashkëpunëtori i tij Kristaq Leci, ka mësuar se viktima e pati arrestuar të pandehurin Jambelli, si të dyshuar për vrasjen e shtetasit Amarildo Delaj. Ky fakt provohet se ka ndodhur në kohën kur viktima kryente detyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës. Jambelli arrestimin e tij e quante të padrejtë dhe të nxitur nga persona të tjerë. Ky ishte motivi që ai kishte vendosur ta vriste oficerin e karrierës Artan Cuku.

Bledar Jambelli ishte mbajtur në paraburgim nga data 7 dhjetor 2012 deri më 7 qershor 2014.  E pas arrestimit për vrasjen e Delaj, gjatë një operacioni që u drejtua nga vetë Artan Cuku, u gjetën prova të reja që e përfshinin Jambellin edhe në dy vrasje të ndodhura në vitin 2006.

Ky ishte momenti kur Artan Cuku u kërcënua me jetë nga Jambelli, i cili i tha në zyrë se nuk do e harronte kurrë këtë ditë. Kërcënimet vazhduan edhe pasi Bledar Jambelli u izolua në një qeli në Burgun e Rrogozhinës. Madje, në lidhje me këtë rast ai u mor në pyetje në ambientet e burgut nga oficerët e Krimeve të Rënda.

Por ajo që u konstatua në qelinë e Jambellit, e bënte edhe më serioz kërcënimin ndaj Cukut. Emri i Artan Cukut ishte shkruar me dhjetëra herë në muret e qelisë. Por oficerët neglizhuan diçka shumë të rëndësishme. Nuk fotografuan shkrimet në mure në mënyrë që të përdoreshin si provë. Qartazi Jambelli ja kishte bërë bënë Cukut, por tashmë është vonë për të ngritur pikëpyetje se çfarë do të kishte ndodhur nëse kjo gjë do të ishte marrë më seriozisht.

7 Dhjetor 2012

Nga data 7 dhjetor 2012 deri më 7 qershor 2014, Bledar Jambelli, lindur dhe banues në Mbrostar të Fierit, u mbajt në qeli si i dyshuar për vrasje. Në janar të vitit 2013, Gjykata e Vlorës e njohu atë me masën “arrest me burg”, si i dyshuar për vrasjen e Shpëtim Mukës, Ervis Shehut (shok i Mukës), dhe plagosjen e Edvin Zanajt, (nipi i Mukës).

Si rezultat i këmbënguljes së Artan Cukut, në atë kohë drejtori i Policisë së Vlorës për të rihapur hetimet, u bë i mundur sigurimi i provave shkencore dhe u kërkua rifillimi i hetimeve për këtë ngjarje, me autor të dyshuar Bledar Jambellin.

E megjithatë, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, dhënë në vitin 2014, Bledar Jambelli shpallet i pafajshëm për mungesë provash. Në fakt, Prokuroria e Vlorës kishte paraqitur një provë të fortë në Gjykatë për të, që ishte një gjurmë gishti në makinën e përdorur nga autorët për vrasjen e dyfishtë të vitit 2006. Krahasimet e bëra nga ekspertët e Kriminalistikës dolën në përfundimin se gjurmët përputheshin me ato të Jambellit.

“Lidhur me aktin e ekspertimit daktiloskopik, Gjykata ka vlerësuar se ai nuk ka vlerë të paracaktuar pasi: Vetëm vendi i gjetjes dhe marrjes së gjurmës “A” nuk është shoqëruar me fotografi”, shkruan arsyetimi i Gjykatës. Për këtë arsye, Jambelli u lirua nga akuzat dhe Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e Prokurorisë së Vlorës.

18 Prill 2018

Diçka më shumë se 1 vit nga vrasja e ish-drejtuesit të policisë Artan Cuku, në 18 prill të vitit 2018, Bledar Jambelli shpallet në kërkim ndërkombëtar, si i dyshuar për vrasjen e 42-vjeçarit. Më datë 12 qershor të vitit 2017, ish- Gjykata e Krimeve të rënda kishte vendosur masën “arrest me burg” në mungesë për të.  Shtetasi Bledar Jambelli, i njohur edhe me emrin Rikardo Muho, shpallet në kërkim me kartelë të ‘kuqe’. Më shkresën e datës 17 prill 2018, Prokuroria e Krimeve të Rënda, Tiranë, ka dërguar urdhrin e datës 12 qershor 2017 për ekzekutimin e vendimit nr.292, të datës 12 qershor 2017 të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për veprën penale ‘Vrasje e punonjësit të policisë së shtetit”, në bashkëpunim. Urdhri për ndalimin e tij iu përcoll në atë kohë Seksionit për Krimet ndaj Jetës.

Më 16 dhjetor të vitit 2018, Policia e Shtetit njoftoi se falë bashkëpunimit ndërkombëtar, kishte rënë në pranga i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së ish-oficerit të lartë të Policisë Artan Cuku.

Policia njoftonte zyrtarisht se në kuadër të shkëmbimit të informacioneve me zyrat homologe dhe bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën ishte arrestuar në Athinë Bledar Jambelli. Sipas Policisë arrestimi i tij ishte kryer me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.  E megjithatë Jambelli nuk u ekstradua dhe nuk u dërgua në qeli, duke u lënë i lirë pak kohë më vonë…

5 Prill 2019

Në vendimin e Gjykatës së Larte greke, që mban datën 5 prill 2019, refuzohet ekstradimi i Bledar Jambellit. Në vendim zbulohet edhe një tjetër identitet i rremë i Jambellit, konkretisht ai Kristos Xamkidhis, gjeneralitete me të cilat ai është prezantuar në momentin e arrestimit.

Ai u arrestua atje për armëmbajtje pa leje dhe mosbindje ndaj urdhrave të Policisë. Pasi iu verifikuan gjurmët e gishtave, rezultoi i skeduar në Greqi me disa identitete të rreme. Gjykata e Lartë greke arsyeton se, në vitin 2012, kur Jambelli ndodhej në paraburgim si i dyshuar për vrasjen e dy shtetasve shqiptarë, akuzë e cila ra nga autoritetet shqiptare dhe përfundimisht u shpall i pafajshëm, ai u godit me thikë në burg nga persona të nxitur nga Policia shqiptare. Ky ishte vetëm një nga argumentet që përdori Gjykata greke, e cila refuzoi ekstradimin e Bledar Jambellit.

13 Korrik 2022

Por CV kriminale e Jambellit dhe Leci nuk kufizohet gjeografikisht vetëm në Shqipëri.  Më 13 korrik të vitit 2022, Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci janë arrestuar nga autoritetet greke për grabitje të dhunshme pasi janë përfshirë në një përleshje të përgjakshme në një furrë buke në Vula janarin e vitit 2021, ku u plagosen me armë 3 persona, ndërsa 2 të tjerë me sende të forta.

Në dhjetor të vitit 2021, mediat greke shkruanin se Jambelli rezultonte të ishte një prej të shumëkërkuarve shqiptarë që u pajisën me identitete false greke. Por nga ana tjetër ai ishte edhe personi që kishte spiunuar “kreun e grupit” që nxirrte pasaporta false. Në prill të vitit 2020 Jambelli i kishte dhënë policisë informacione të rëndësishme për aktivitetin kriminal të grupit që falsifikonte pasaporta. I thirrur nga Prokuroria e Pireut, për një çështje kontrabandë cigaresh, Bledar Jambelli kishte treguar identitetin e një prej krerëve të grupit, një 62-vjeçar, emigrant nga Kazakistani, me përfshirje të mëparshme në rastet e trafikimit.

Vetë Jambelli kishte siguruar një identitet të ri, me ermin Kristos Xamkidis, në këmbim të 35 mijë eurove, në mënyrë që t’i shmangej edhe ekstradimit në Shqipëri. Pavarësisht këtij spiunimi, prej 13 korrikut të vitit të kaluar, Bledar Jambelli ndodhet në burg për plagosje të rëndë.

Policia greke në një deklaratë zyrtare ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Jambellit dhe Lecit. Policia greke ka njoftuar se në banesën e Jambellit u gjet dhe u sekuestrua: pistoletë me fole silenciatori dhe karikator me 14 fishekë, pistoletë tjetër, 2 thika, sëpatë, pajisja e interferencës së sinjalit elektronik (bllokues GPS), detektor i pajisjes elektronike, etj.

Ndaj të pandehurve është ngritur akuza për vrasje të dhunë të shumëfishtë në tentativë dhe lëndime të rrezikshme trupore në kuadër të organizatës kriminale.

SI I SHPËTOI EKSTRADIMIT BLEDAR JAMBELLI

Mediat greke i kanë kushtuar vëmendje të veçantë vendimit të Gjykatës së Lartë atje, që liroi nga qelia Bledar Jambellin, duke mos lejuar ekstradimin e tij. Gazeta “Documento” ka hedhur dritë rreth seancës gjyqësore dhe vendimit që u ndikua edhe nga dëshmia e Fredi Belerit. Në një artikull të datës 19 maj 2024, shpjegohet e shkuara e tij, dëshmitë në gjyq dhe precedentët e tij kriminal në Greqi.

Gazeta greke

Historia e errët kriminale e Bledar Jambellit, një kriminel famëkeq shqiptar, i cili urdhëroi vrasjen e një oficeri të lartë të policisë shqiptare, por këtu në vendin tonë, pasi mori dritën jeshile nga Gjykata e Lartë, u lirua për të vazhduar aktivitetet e tij të përgjakshme mafioze, zbulohet sot nga Documento, pikë për pikë. Me meritën për patriotizëm, që Gjykata e Lartë ia atribuoi atij për të mos e ekstraduar në Shqipëri dhe që, siç rezulton, Blendar Jambelli, “u bë i famshëm” edhe në vendin tonë, si pasojë e së cilës tani ndodhet në burg duke vuajtur një dënim të shkallës së parë me shumë vite burg. Por le të shohim se kush është saktësisht Bledar Jambelli i famshëm, duke filluar me vitet e aktiviteteve të tij kriminale në Shqipëri…

Gazeta greke shkruan rreth vrasjes së Artan Cukut, për të cilit thotë se njihej si një legjendë e Policisë shqiptare. Gjatë karrierës së tij 20-vjeçare, ai kishte arrestuar afërsisht 1000 persona që ishin të lidhur me organizata të njohura kriminale. Në fakt, vetëm në Vlorë, ku Cuku kishte shërbyer si drejtor policie, 21 grupe të krimit të organizuar u shpërbënë dhe u nxorën para drejtësisë, ndërsa 47 operacione policore u përfunduan me sukses. Ai vetë, megjithëse u vu në shënjestër shumë herë, nuk u lëkund për asnjë moment, sepse siç shprehej ai: “Nuk kam frikë nga vdekja për sa kohë që jam në ligjin e Zotin”.

Gazeta greke

Vdekja e tij ndodhi për shkak të një kontrate vdekjeje në përgjigje të veprimeve dhe zbulimeve të ish-shefit të Policisë, që shqetësonin kokat e mëdha të krimit të organizuar. Megjithatë, megjithëse kanë kaluar shtatë vjet të tëra që atëherë, në duart e autoriteteve shqiptare është vetëm xhelati dhe jo ata që urdhëruan vrasjen me gjakftohtësi të Cukut. Duket se disa njerëz të fuqishëm dhe me pushtet, ndihmuan autorët e krimit… Vrasja e Artan Cukut ishte e lidhur me krimin e organizuar që në fillim dhe kishte presion të madh për një hetim të shpejtë nga oficerët shqiptarë, që ishin përgjegjës për hetimin. E vetmja gjë e sigurt është se urdhri u dha nga një person që ishte shumë i njohur për Policinë shqiptare dhe kishte fuqinë për të dhënë urdhra duke shkruar emrin e ish-shefit të Policisë në kontratën e vdekjes.

Në qershor të vitit 2017, gjyqësori shqiptar zbuloi se vrasësi ishte Mikel Shallari, një 24-vjeçar banor i Tiranës me një të kaluar po aq kriminale. Policia arrestoi Shallarin, i cili rrëfeu se Bledar Jambelli i kishte ofruar një shpërblim prej 25,000 eurosh për vrasjen, nga të cilat ai kishte marrë tashmë 3,000 euro paraprakisht, ndërsa pjesa tjetër do të mblidhej kur të përfundonte vrasja. Ndërmjetësi ishte Kristaq Leci, i cili ishte kushëri i Shallarit. Vlen të përmendet se Cuku nuk kishte qenë në forcat e policisë për dy vjet para vrasjes së tij, pasi ai kishte përfunduar me sukses detyrat e tij, gjë që konfirmon se arsyeja e shënjestrimit të tij mund të gjurmohet shumë vite para vrasjes së tij në vitin 2017.

Gazeta greke i kushton një rëndësi të veçantë edhe faktit se si Bledar Jambelli kishte marrë një identitet grek. Siç doli më vonë, ideatori i vrasjes së Artan Cukut, jo vetëm që iku në Greqi menjëherë pas krimit, por arriti të shmangte ekstradimin në Shqipëri me një vendim që mbante vulën e Gjykatës së Lartë.

Gazeta greke

Departamenti i Pestë i Gjykatës së Lartë të Kasacionit të vendit tonë i siguroi atij një mburojë mbrojtjeje me argumentin e patriotizmit dhe persekutimit politik. Si ndodhi kjo? Vazhdimi i historisë është edhe më interesant. Blendar Jambelli, i njohur edhe si Rikardo Muho, kur u arrestua në Greqi kishte deklaruar të dhëna të rreme identiteti duke shfaqur një kartë identiteti greke të rreme me emrin Kristos Xamkidis. Në prill të vitit 2020, Jambelli u mor në pyetje nga Policia greke për një grup kriminal falsifikuesish dhe nga Prokuroria e Pireut për kontrabandë cigaresh. Sipas vetë Jambellit, ai kishte paguar 35 mijë euro për të marrë një kartë identiteti greke në mënyrë që të mos gjykohej në Shqipëri. Zbulimi i rrëmujës së këtyre elementëve na çon në një qark helenizimesh të paligjshme, kryesisht të personave me të kaluar të rëndë kriminale, përmes pasaportave dhe kartave të identitetit.

Nga ana tjetër, gazeta greke “Documento”, ndalet hollësisht tek gjyqi që i dha lirinë Bledar Jambellit dhe tek dëshmia e Fredi Belerit në sallë. Në vitin 2019, Gjykata e Lartë, e cila u thirr për të shqyrtuar ankesën e paraqitur nga Bledar Jambelli kundër vendimit të Bordit të Apelit të Athinës, i cili kishte vendosur në favor të ekstradimit të tij në Shqipëri, me qëllim që të gjykohej për vrasjen e Artan Cukut, ngriti një mburojë përpara tij. Ai u lirua me një vendim, që sipas gazetës greke është një kopje identike e vendimit të dhënë edhe në rastit e shtetasit turkut Yasam Agiavefe, i cili ishte natyralizuar si grek me një letër rekomandimi nga Adonis Georgiadis për shërbimet që supozohej se i ofroi shtetit grek.

Në atë kohë, mafia i kishte dhënë gruas së Agiavefes një kartë identiteti greke, ndërsa siç kishte zbuluar “Documento”, shtetasi turk kishte një kartelë të kuqe nga Interpoli. Në fakt, ai ishte tashmë shtetas i tre vendeve dhe i dënuar për mashtrim me lojërat e fatit, ndërsa në të njëjtën kohë ishte aktiv në Qipro.

Gazeta greke

Por le të kthehemi te Jambelli, i cili para Gjykatës së Lartë veproi sipas modelit të Agiavefes. Jambelli deklaroi se drejtësia shqiptare donte shfarosjen e tij, sepse ai vjen nga Epiri i Veriut dhe ka zhvilluar aktivitet të gjerë politik në favor të minoritetit, ndërsa babai dhe xhaxhai i tij janë të krishterë me një prani po aq të fortë në minoritet. Burimet e Documento-s madje raportuan se ai pretendonte se babai i tij kishte origjinë të largët nga Himara. I pandehuri, sigurisht, bazuar në të dhënat zyrtare, vjen nga Fieri, një qytet që nuk ka lidhje me minoritetin grek. Por pse autoritetet shqiptare do të donin të hakmerreshin ndaj tij? Përgjigja që favorizonte të kërkuarin u dha nga dëshmitarët e tij. Përveç kësaj, një nga pikat kryesore të vendimit të Gjykatës së Lartë ka të bëjë me dëshmitarët e mbrojtjes, të cilët kanë luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm politik në pakicën greke të Shqipërisë. Konkretisht, dëshmitarët e mbrojtjes përfshinin figura të shquara nga minoriteti grek në Shqipëri, përfshirë Fredi Belerin, i cili është veçanërisht i njohur për të kaluarën e tij po aq “të qetë” dhe për kandidaturën e tij në zgjedhjet evropiane.

Gazeta greke shkruan gjithashtu se, nga studimi i provave të vendimit të Gjykatës së Lartë, është e dukshme përpjekja për të heshtur aspekte të rëndësishme të historisë. Qoftë nëpërmjet dëshmitarëve apo edhe nëpërmjet gjykimeve të vlerave, është e qartë për këdo që di të lexojë mes rreshtave, se kjo çështje me një oficer policie të vdekur nuk është vetëm çështje drejtësie, por merr edhe implikime politike. Gjyqtarët pranuan pretendimet e dëshmitarëve se nëse personi i kërkuar për vrasjen e oficerit të policisë ekstradohet në Shqipëri, ekziston rreziku që ai të ndiqet penalisht për një vepër tjetër nga ajo, për të cilën kërkohet ekstradimi, dhe se kjo lidhet me bindjet e tij politike, fetare dhe kombëtare. Jeta e tij mund të rrezikohej nga organet e shtetit shqiptar, për shkak të bindjeve të tij të papranueshme politike, dhe pozicioni i tij mund të përkeqësohej, pasi individët që janë shënjestruar zakonisht nuk marrin një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Prandaj, i kërkuari kombinoi trinomin e parezistueshëm “Atdhe – Fe – Familje”, duke rezultuar në mosekstradimin e tij nga gjyqësori grek në Shqipëri, ku do të gjykohej për vrasjen e Artan Cukut.

“Me recetën e turkut Agiavefe dhe me mbështetjen e Fredi Belerit, Gjykata refuzoi të ekstradonte një person të kërkuar nga Shqipëria”.

Ky ishte titulli i një tjetër artikulli të gazetës greke “Documento”.

Gazeta greke

Është një nga akuzat më të rënda të ngritura nga përfundimet e hetimit gazetaresk në gjykatën më të lartë të vendit. Fatkeqësisht, është e bazuar. Gjykata e Lartë, në vendimin e saj në vitin 2019, liroi një gangster shqiptar pasi refuzoi ta ekstradonte atë bazuar në akuzat kundër tij në një urdhër arresti ndërkombëtar. Këshilli i Apelit, duke shqyrtuar provat në rastin e vrasjes së zyrtarit shqiptar, vendosi që i arrestuari Blendar Jambelli, i njohur edhe si Rikardo Muho ose Kristos Xamkidis, duhet të ekstradohet në Shqipëri. Gjykata e Lartë, megjithatë, vendosi që ai të mos ekstradohej, por të lirohej, me arsyetimin se nuk shqyrtoi provat mjeko-ligjore që përbëjnë provë të fajësisë së tij, por me argumentin se Blendar Jambelli është një person i lidhur me pakicën greke në Shqipëri dhe për këtë arsye përballet me ndjekje penale hakmarrëse. Veprimi i tij “nacional-patriotik” paraqitet kundër provave që vërtetojnë se ai mori pjesë në një vrasje, por edhe për këtë veprim nuk paraqiten prova. Fredi Beleri, si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, së bashku me anëtarë të tjerë të minoritetit, thjesht i siguruan Gjykatës se është një person me ndërgjegje kombëtare dhe Gjykata e Lartë vendosi të mos e ekstradojë atë pavarësisht provave dërrmuese kundër tij.

Rezultati i këtij vendimi erdhi tre vjet më vonë, pasi Jambelli u arrestua pas një përleshjeje të përgjakshme në Vula, ku u plagosën rëndë pesë persona, të cilët Policia thotë se i përkisnin një grupi kriminal rival. Jambelli u dënua me më shumë se dhjetë vjet burg për lëndimet e shkaktuara dhe aktualisht është në burg.

Gazeta greke

Si e liroi Gjykata e Lartë një vrasës kundër një urdhër-arresti me kritere që vlerësonin veprimin “e supozuar” kombëtar dhe praktikisht e ndihmonin atë të vazhdonte aktivitetin e tij kriminal? A është kjo një padrejtësi? Gjërat nuk duket se ndjekin logjikën e neglizhencës. Kjo për shkak se “metoda” e ndjekur për lirimin e bosit të mafias, me argumente rreth interesit kombëtar dhe rrezikut që ai ka nëse ekstradohet, është përdorur përsëri nga Gjykata e Lartë për të pastruar paratë e bosëve të mafias dhe për të parandaluar ekstradimin e tyre. Departamenti i Pestë Penal është gjithashtu përgjegjës për lirimin e turkut Yasam Agiavefe, i cili kërkohej me një urdhër arresti ndërkombëtar për mashtrim, pastrim parash dhe kazino të paligjshme. Në një ngërç ligjor, ndërsa Këshilli i Apelit vendos ta ekstradojë atë, Departamenti i Pestë i Gjykatës së Lartë e shpall disident, që është në rrezik nga regjimi i Erdoganit dhe refuzon ta ekstradojë atë. Pak më vonë, ai natyralizohet si shtetas grek për kontributin e tij në biznes në Greqi, të nënshkruar nga Makis Voridis dhe me një letër rekomandimi nga Adonis Georgiadis, i cili e paraqet atë si një bamirës të Greqisë dhe jo një bos të mafias.

Siç zbuloi gazeta “Documento”, dy çështjet identike kanë edhe elementë të tjerë të përbashkët. Ato u shqyrtuan nga Dhoma e Pestë e Gjykatës së Lartë, si kompetente, me të njëjtën kryetare, Dionysia Bitzouni, të njëjtën raportuese në favor të mosekstradimit, Maria Vasdeki, dhe një anëtare tjetër të përbashkët në të dyja përbërjet, Vasiliki Iliopoulou. Pra tre nga 5 anëtarët ishin kundër ekstradimit në të dy rastet. Nëse këto dy vendime nuk janë tregues të një sistemi të dyshimtë që vepron në Gjykatën e Lartë, atëherë ato sigurisht që demonstrojnë mënyrën se si disa gjyqtarë supremë e perceptojnë zbatimin e ligjeve. Ata përdorin elementë subjektivë, veprim kombëtar dhe rrezik ekstradimi të mundshëm, kundër gjetjeve të pakundërshtueshme mjeko-ligjore si ADN-ja, të cilat vërtetojnë lidhjen e personit nën hetim me krime të rënda. Por ka edhe trajtime ndryshe. Sa i përket Gjykatës së Lartë, një faktor tjetër serioz rëndues është se ajo vendosi së fundmi të ekstradojë biznesmenin turk Ali Yesildag, i cili ka denoncuar familjen Erdogan për pjesëmarrje si partner sekret në qindra biznese turke që marrin kontrata shtetërore. Edhe pse është e sigurt se Yesildag është në rrezik ekstradimi pasi ka denoncuar vetë Erdoganin, Gjykata e Lartë nuk e përdori këtë argument në këtë rast specifik për të shmangur ekstradimin e tij. Megjithatë, ajo e përdori atë në dy raste të anëtarëve të mafias me një vulë të Interpolit.

Gazeta greke

Në vitin 2019, Gjykata e Lartë vendosi të lirojë Bledar Jambellin, i njohur edhe si Rikardo Muho ose Kristos Xamkidis, pasi refuzoi ta ekstradonte atë në Shqipëri me arsyetimin se ai është një person i lidhur me pakicën greke. Ai po përballet me përndjekje hakmarrëse, siç siguroi Fredi Beleri, një kandidat në zgjedhjet e ardhshme evropiane. Në fund të fundit, mbizotëroi i njëjti arsyetim me të cilin Departamenti i Pestë i Gjykatës Supreme e kishte etiketuar Yasam Agiavefe, një disident që ishte në rrezik nga regjimi i Erdoganit dhe refuzoi ta ekstradonte atë në Turqi.

3 Qershor 2025

Në një kohë që Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci ndodhen në burg në Greqi për veprat penale të kryera atje, në Shqipëri vijon procesi në mungesë të tyre në Gjykatën Penale të Tiranës. Seanca e radhës ishte më 3 qershor 2025, ku Prokuroria paraqiti pretencën, duke kërkuar burgim të përjetshëm për Bledar Jambellin. Ndërsa më 16 qershor është seanca e radhës, ku do të paraqitet mbrojtja nga avokatët e të pandehurve.

Nga dhjetori i vitit 2019, si shumë dosje të tjera që u gjykuan nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda, edhe dosja në ngarkim të të pandehurve për vrasjen e Artan Cukut i ka kaluar Gjykatës Penale të Tiranës. Ndonëse ishte një dosje me 3 të pandehur, nuk u konsiderua grup i strukturuar kriminal që t’i kalonte Gjykatës së Posaçme, pasi vetëm dy prej tyre kanë vepruar bashkë, Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci, ndërsa ekzekutori, Mikel Shallari, ishte zgjedhur rastësisht vetëm për këtë krim.

Nëse vendimi i Gjykatës së Tiranës do të jetë i njëjte me kërkesën e Prokurorisë, këtë nuk mund ta themi, por duket se “fati” i Bledar Jambellit mund të përcaktohet nga ky vendim final. Pa çka se ekstradimi i tij duket i vështirë, për aq kohë sa ende nuk ka diçka zyrtare, nëse Greqisë i ka shkuar ose jo një tjetër kërkesë ekstradimi. Apo do i shkojë pasi Gjykata të shpallë vendimin.

Rakip Cuku, vëllai i Artan Cukut:

“Kam një apel për drejtësinë. Vrasësit e Artan Cukut janë akoma në liri. Drejtësia po vonon. Ata që ngritën armën dhe vranë shërbëtorin e shtetit, duhet të japin llogari para drejtësisë. Shteti ia ka borxh drejtësinë Artan Cukut.”

/Emisioni “Gjërat Tona”

Etiketa: artan cukubledar jambellideshmiadrejtesiaekstradimiFredi Belerigjykatevrasja

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Vrau recepsionistin/ Merret i pandehur pronari i hotel “Grecia”, Greqia mban “peng” ekstradimin

18:17 : 15/06/2025
AKTUALITET

Vrau me thikë kushëririn në Klos, lihet në burg Hazbi Velsula, “kyç” gojën para togave të zeza

16:15 : 13/06/2025
AKTUALITET

Gjykata i rrëzoi padinë ndaj Bashës, Rama kritika drejtësisë: Kur do zgjoheni për shpifjen?

15:38 : 12/06/2025
AKTUALITET

U kap duke ngrënë krudo/ Dëshmia e Xhevdet Plakut: Armën ma futi në çantë “Çoli”, më tha ‘mbaje pak’

14:35 : 12/06/2025
AKTUALITET

Beleri: Manipulimi i votës së emigrantëve në Greqi, me skemë të organizuar nga administrata

11:13 : 12/06/2025
AKTUALITET

EMRAT/ Arrestohet autori i vrasjes në Klos, u arratis drejt Alliasit pas krimit

07:54 : 12/06/2025
Para

Trump shqyrton shtimin e 36 shteteve në listën e vendeve ku nuk lejohen udhëtimet

TË GJITHA

Horoskopi, e hënë, 16 Qershor 2025/ Lexoni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

23:07 : 15/06/2025

Plagoset me Jet Ski turisti belg tek Shëmbi i Kavajës, dërgohet në gjendje kritike te Trauma

22:59 : 15/06/2025

Izraeli vret shefin e inteligjencës së Gardës Revolucionare në Iran, e konfirmon Netanyahu

22:50 : 15/06/2025

Operatorët ekonomikë shtojnë ankesat për tenderat

22:34 : 15/06/2025

Tragjedia me 279 viktima në Indi, dëmtimi i sediljes së pilotit shkaktoi rrëzimin e avionit

22:21 : 15/06/2025

Kapet me mbi 2 kg kokainë në valixhe, arrestohet një 22-vjeçare shqiptare në portin e Rodosit

22:08 : 15/06/2025

Trump shqyrton shtimin e 36 shteteve në listën e vendeve ku nuk lejohen udhëtimet

21:52 : 15/06/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com