Një operacion në shkallë të gjerë kundër drogës u nis në agimin e sotëm (6 qershor) nga Policia e Shtetit në Itali, e koordinuar nga Prokuroria Publike e Foggias (Pulja), e që çoi në ekzekutimin e 11 urdhrave të arrestit paraprak, kundër një organizate të trafikut dhe shpërndarjes së drogave të forta.
Hetimet nisën nga Policia e San Severos, që hodhi dritë mbi një rrjet kompleks trafikimi droge aktiv midis provincave të Foggias, Barletta-Andria-Trani dhe Molise. Në ndërhyrje operacionale morën pjesë dhjetëra forca me helikopterë, makina, pajisje të specializuara, dronë dhe qen antidrogë.
Organizata u godit pas muajve me përgjime, ndjekje, filmime dhe sigurime provash të forta. Mes të arrestuarve është edhe një shqiptar, i cili citohet që të jetë dhe kontakti kryesor për furnizimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës dhe kanabisit. Ai vepronte si shitës me shumicë dhe qendër për rrjetin kriminal.
Grupi përdorte sisteme mesazhesh të koduara për komunikim dhe shitje. Bisedat telefonike përdoreshin vetëm në raste të jashtëzakonshme.
Makinat e përdorura për aktivitetin ishin të gjitha të regjistruara në emër të një kompanie që jepte mjete me qira në zonën e Garganos.
“Dy momente kyçe u dokumentuan me prova video: një negocim për dorëzimin e drogës, i cili u zhvillua në Ruvo të Puglias midis shtetasit shqiptar, një kriminel i njohur dhe një burri tjetër me origjinë shqiptare, i cili ende nuk është identifikuar, dhe transportimi i afërsisht 13 kilogramëve substanca narkotike, me praninë e armëve të zjarrit për të siguruar sigurinë e operacionit”, informoi media e vendit fqinj sot.
Një pjesë e të arrestuarve janë me precedentë të mëparshëm penalë, kryesisht në trafikun e drogës. Operacioni po vijon për zbulimin e pjesëtarëve të tjerë dhe rasteve të trafikut, teksa të arrestuarit presin masat e sigurisë nga gjykata.