Nga Andi Bushati
Blendi Kajsiu me ka hedhur dorashkën në një replikë nominale për një polemike që vijon prej kohësh në distancë.
Thelbi i saj gjendet brenda debatit të gjërë, se cili është fajtori më i madh për situatën ku ndodhemi sot e nëse përgjegjësia për këtë peshon më shumë mbi ata që kritikojnë Ramën, apo mbi të tjerët që tregojnë me gisht Berishën.
Në përgjigjen time do i injoroj insinuatat si “berishist” apo “ramofobik”, pasi ata që do marrin mundimin të na lexojnë, nuk e kanë kujtesën aq të shkurtër sa të harrojnë se nuk mund të jesh i tillë pas qëndrimeve që ke mbajtur për 21 janarin, vjedhjen e atyre 10 votave të famshme në Tiranë, apo për nevojën e rotacionit në 2013. Këtu si’a vlen të ndalesh.
E rëndësishme është që të testojmë të vërtetat tona në sytë e publikut dhe koherencën e tyre me bindjet dhe qëndrimet tona të përhershme. Prandaj të merremi më mirë me thelbin.
Le të fillojmë me ato që më ndajnë nga Kajsiu, i cili mbron idenë se këtu nuk fiton Rama, por humbet Berisha dhe se Shqipëria nuk përmirësohet për faj të këtij të fundit. Në përçapje për të mbështetur këtë tezë të sforcuar ai shkon deri në absurd. Ai thotë se me këtë PD dhe me këtë Sali, kryeministri nuk ka nevojë ti manipulojë zgjedhjet, pasi ato i ka të fituara, për shkak të opozitës së dobët e të pabesueshme! Pra, e para, Kajsiu nuk e vë fare në diskutim debatin nëse 11 maji apo 25 prilli i katër viteve më parë, ishin ose jo gara elektorale normale. Ai e merr të mirqenë se Rama është fitues.
Por që të thuash këtë duhet ti përgjigjesh më parë disa pyetjeve.
Po mirë, kur e ka të sigurtë garën me kufomën berishiste, pse ndryshon çdo herë rregullat e lojës? Pse kërcënon administratën? Pse shantazhon mësuesit që, siç dëgjuam në përgjime, u thuhet: “po s’treguat votën për PS-në, mos u paraqisni të henën në punë”? Pse blen me para në dorë, si në Elbasan, kartat e votuesve që i ka kundër, në mënyrë që mos shkojnë në zgjedhje? Pse grabit të dhënat personale të 900 mijë qytetarëve, për tu’a shpërndarë patronazhistëve? Pse fal gjoba dhe shpërndan pensione para zgjedhjeve? Pse përdor bandat e Troplinëve, Çelave, Bajrave të cilëve u bën edhe favore me firmën e vet?
Ti injorosh këto fakte dhe të thuash që PS-ja nuk ka nevojë të vjedhë, pasi përballë ka gogolin, do të thotë ti trajtosh socialistët si të sëmurë mendorë. Ti shohësh ata si njerëz që vjedhin pa shkak dhe manipulojnë për hobi. Kjo është e vetmja alibi që të mundëson t’i integrosh këto gjëra të provuara brenda teorisë se pushteti s’ka nevojë të rrëmbejë.
Por unë nuk di, që deri më sot, Kajsiu ti ketë denoncuar ndonjherë ata si kleptomanë. Prandaj ai duhet të ketë një përgjigje për të gjitha këto anomali që ndodhin vetëm në vendet ku ka votime dhe jo garë të lirë.
Pika e dytë ku nuk pajtohem është ajo që në përpjekjen për të vërtetuar se, në arsenalin e tij të humbësit, Berishës i numërohet një gjuhë e ekzagjeruar goditëse, Kajsiu hedh poshtë edhe termin narko-shtet, që përveçse në Shqipëri është rimarë edhe nga media të rëndësishme ndërkombëtare për të përshkruar regjimin e Tiranës. Ai pretendon se ekzistenca e ketij përcaktimi vlen vetëm kur zyrtarë të lartë janë të përfshirë në trafikun e drogave dhe kur të ardhurat prej saj shërbejnë për mbajtjen e shtetit.
Po a ishte i përfshirë direkt Ministri i brendëshëm, Tahiri, në trafikun e kanabisit? A u përgjuan trafikanët e tij, Habilajt, duke thënë se duheshin 6 milionë për zgjedhjet? A thotë ish zv Kryeministri Ahmetaj që Rama mblodhi qeverinë në ritrit për planin e kanabizimit të vendit? Po ta zëmë se ky i fundit gënjen, a nuk e provojnë thënien e tij faktet se shumë shefa komisariatesh u urdhëruan të merren me këtë punë? Po a nuk zihej Rama me këdo që denonconte knabizimin e Shqipërisë, duke e mohuar atë? A nuk gënjente ai publikisht se avionët e drogës ishin për spërkatjen e mushkonjave? Po radarët e ushtrisë, në gjirin e Vlorës, kush i urdhëronte të fikeshin për të kaluar skafet e trafikantëve? Po kur areoplani ra në mes të plazhit, a nuk tha kryeministri ynë se e ky ishte një kurth i opozitës për të provuar akuzat e saj? Kujt i shërbente kjo alibi? Mos vallë mbarëvajtjes së biznesit të planifikuar?
E njëjta logjikë vlen dhe dhe për ushqimin e regjimit me paratë e drogës. E ardhura nga trafiqet që pastrojnë paratë këtu me lejet e betonizimit, që shefi i qeverisë firmos drjetpërdrejt në bregdet dhe Tiranë, është një nga lumejtë kryesorë që mbajnë gjallë ekonominë vendase. Prandaj dhe SPAK-u nuk guxon të trokasë aty ku të gjithë e dinë se po ngrihet grtaciela e atij të Ekuadorit, apo atij të Dubait. Po të shkonte drejt tyre, flluska do shpërthente dhe sistemi do tronditej pakthyeshmërisht.
Unë nuk kam ekspertizën e nevojshme për të konkluduar nëse këto dy kushte që vë Kajsiu, pra përfshirja e zyrtarëve tejet të lartë dhe mbajtja në këmbë e pushtetit me paranë e zezë, mjaftojnë për përcaktimin si narko shtet. Por ama jam i sigurtë se gjithçka po shofim dhe jetojmë nuk nuk na lejon që ta mohojmë me kaq lehtësi një hipotezë të tillë.
I veçova këto dy shembuj, ndoshta më flagrantët në artikullin e gjatë të kolegut tim, për të treguar se në ç’konkluzione mund të mbërish kur ke marrë vendim të injorosh ato që ke para syve. Janë pikërisht këto dy teza: “Rama nuk ka nevojë të vjedhë zgjedhjet” dhe “relativizimi i narko shteit”, që do t’i rimar në fund të shkrimit për të ilusruar fotografimin e shtrembëruar që mund ti bëhet gjendjes ku ndodhemi.
Ndërsa tani do ndalem tek pjesa më thelbësore e ndoshta tek ajo që më tërhoqi më shumë në replikën që më adresohej. Në stërmundimin për ti gjetur të gjithë fajet tek berishizmi, Kajsiu e kritikon atë për një gjuhë të drunjtë, për një ligjërim të varfër që nuk shërben për të dekriptuar realitetin. Ai thotë se kjo lloj sjelljeje, thjeshtë denoncuese, nuk shërbën për ndriçimin e mjedisit, për përgatitjen e tij për ndryshim, se ajo vret mendimin kritik dhe imagjinatën politike, si të vetmit faktorë që mund të prodhojnë një transformim shoqëror.
Po, këtu ka 100% të drejtë. PD-ja është e tillë. Madje ndoshta edhe shumë më keq sesa kaq. Si një idhtar dhe lexues i vëmendëshëm i Antonio Gramshit edhe unë besoj fort tek ideja se asnjë betejë nuk mund të ketë sukses, nëse atë nuk e fiton më parë në rrafshin e ideve. Se nuk mund të ndodhë kurrë një ndryshim politik, pa u paraprirë nga një ndërgjegjësim kulturor. Pra, në këtë pikë jam plotësisht dakord se pa ndodhur një revolucion i tillë, -hiq mënjëanë ndonjë mrekulli-, regjimi i Ramës do e kishte të pamundur të shembej.
Dhe këtë ëndër- le të biem dakord- opozita e sotme, e pabesueshme moralisht dhe e pa pajisur intelektualisht, nuk e përkund dot më. Ajo është e paaftë të mëkojë imagjinatën e një shumice njerëzish se një botë e ndryshme është e mundur.
Por le të mbetemi tek fletoret nga burgu të Gramshit, doktrinën e hegjemonisë kulturore të cilit e kanë adaptuar sot si majtas po ashtu edhe djathtas. Ai shtjellon aty se si një kastë e caktuar nuk e ruan dominimin e saj vetëm përmes mjeteve të represionit shtetëror, por gjithëashtu me ndihmën e intelektualëve dhe institucioneve që i shërbejnë, të cilët e paraqesin gjendjen e krijuar si “natyrale”, “normale”, “të pranueshme”.
E pikërisht këtu në mend më vjen Kajsiu, që duket sikur bën fiks këtë gjë. Duke qëmtuar çdo të zezë tek PD-ja, Saliu, berishizmi, ngjan se ai reket të normalizojë situatën ku ndodhemi.
Ndërsa unë mendoj se përpara se të shqetësohet nga gjuha e drunjtë, paaftësia për të ngjallur imagjinatë politike, apo demokracia e brendshme e partive të opozitës, një intelektual i ndershëm duhet të preokupohet nga anormaliteti i zgjedhjeve, ndikimi i karteleve të drogës mbi pushtetin politik, mungesa e demokracisë në shkallë vendi.
Pa vënë gishtin mbi këto plagë, duke e paraqitur gjendjen si natyrale vetëm vritet fantazia e atyre që kërkojnë alternativa për ndryshim. Pra, Kajsiu bie vetë në impotencën për të cilën kritikon opozitën. “Pse të sforcohesh për më të mirën dhe idealen kur nuk je dhe aq keq”- do ta pyeste atë dikush qe e ka lexuar.
Ndërsa unë mendoj ndryshe. I bindur se PD-ja e Berishës ka të gjitha difektet që i përmend replikuesi im, unë preferoj ta vë theksin diku tjetër: Jo në faktin se përse opozita nuk sublimohet dot deri në ekstrem, por për atë se përse pushteti është kriminalizuar deri në këtë derexhe. Ky këndvështrim do të qe i mjaftueshëm qoftë edhe për faktin se në gjendjen aktuale, influenca e Berishës dhe PD-së mbi jetët tona është zero. Ai që ndikon me gjithë forcën e tij është ai që ka fuqinë absolute mbi taksimin, pensionet, lejet e ndërtimit, mbrojtjen nga krimi, rugën drejt BE.
Por, ekziston edhe një arsye më e fortë që më bën të vendos se nga duhen drejtuar projektorët. Ajo ka të bëje me parimin volterian për të “dhënë jetën për të mbrojtur të drejtat e atij me të cilit nuk je dakord”. Pra, mund që të mos e duash Berishën sot, Ramën në 2011-në, apo qoftë Tom Doshin, Ilir Metën, Fredi Belerin, në kohë të ndryshme, por ti je intelektualisht i ndershëm vetëm kur nuk pranon që atyre ti cënohet e drejta. Pikërisht nga kjo premisë jam nisur personalisht kur këtë radhë fokusin e kam vënë tek ata që shkatërojnë zgjedhjet dhe jo tek të tjerët që s’janë në perfeksionin e duhur për ti fituar ato, apo kur fajësoj Ramën për regjimin që ka ngritur dhe jo Berishën që është i paaftë ta përmbysë.
Kjo është ndarja ime thelbësore me Kajsiun që ka zgjedhur të bëjë të kundërtën, me riskun për ta vizatuar, ashtu si në dy shembujt e analizuar më sipër, anormalitetin si natyral, duke djegur në këtë mënyrë, ndoshta pa vetëdije, tokën ku mund të mbijnë filizat e një transformimi kulturor që provokon ndryshimin.
/Lapsi.al