Sot do të flasim për votën e diasporës, farsën elektorale që na kushtoi 11 milionë euro. Do të flasim për atë që është shembulli ekselent i vjedhjes, vota e diasporës në Greqi. Që në nisje të procesit, bashkëatdhetarët tanë në shtetin fqinj, denoncuan parregullësitë e procesit, ku zarfat me votat e tyre nuk shkonin në adresë. Fletët e votimit u gjetën masivisht në pika bastesh, qoshe pallatesh apo më keq akoma, kosha plehrash.
Numërimi i votave të diasporës nga Greqia, konfirmoi paralajmërimet e masakrës zgjedhore me votën e bashkëatdhetarëve tanë në shtetin fqinj. Teksa numëroheshin votat në parkun Olimpik, KQZ pasqyronte në faqen e saj zyrtare se në çdo qark ishin numëruar më shumë vota nga sa ishin fletët reale të votimit të mbërritura në Shqipëri nga diaspora. Për këtë skandal, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi nuk dha një përgjigje kurrë.
Numërimi ishte vetëm konfirmim i farsës edhe me votat e diasporës, njëjtë si me votat brenda vendit. Por e gjithë historia ishte paralajmëruar dhe denoncuar shumë më herët, që në nisje të procesit të dërgimit të zarfeve me fletët e votimit për bashkëatdhetarët tanë në Greqi dhe shtete të ndryshme të botës.
Këto që shihni janë zarfet me votat e diasporës të hedhura në rrugë në Greqi. Kryetari i Partisë Demokratike në Athinë, Alfred Fizi, në datën 4 maj, publikoi në rrjetin e tij social foto ku shfaqen disa zarfe me fletë votimi, që sipas tij, gjenden të braktisur në hyrje pallatesh dhe pika bastesh pasi askush nuk i merrte.
Alfred Fizi:
“Të përfundojnë zarfet me fletët e votimit të emigrantëve në pika bastesh e të braktisur në hyrje pallatesh dhe aq më keq që mos të dijë askush se kush i merr e kush i dorëzon, nuk është vetëm dështim i këtij procesi por një plan i studiuar nga mendje perverse që e kanë zakon vjedhjen e votës…”
Irfan Abazaj është një tjetër bashkëatdhetar në Greqi, i cili denoncoi problemet me marrjen e zarfeve që në datën 25 prill. Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Irfan Abazaj akuzonte drejtpërdrejtë se vota e emigrantëve po vidhej në ditën për diell, duke u shprehur se zarfin e votës së tij e kishte marrë dikush tjetër. Madje në reagimin e tij, të datës 25 prill, Abazaj tregon edhe një detaj shumë të rëndësishëm, që provon se vota e diasporës u manipulua. Ai shprehet se gjatë kohës që kishte shkuar në zyrën e DHL-së për të kërkuar zarfin me emrin e tij, në pikën e postës kishte mbërritur një automjet me targa shqiptare që kishte dorëzuar më shumë se 40 zarfe të verdhë, që ishin praktikisht zarfe me votat e diasporës.
Irfan Abazaj:
“Vota e emigrantëve po vidhet në ditë me diell! Shkova sipas telefonatës me courier të marr zarfin e verdhë për të votuar. Zarfi mungonte. Pse? Zarfet e zonës sime i kishte marrë dikush i njohur duke paraqitur listë dhe do na i sillte nëpër shtëpi se na njihte! Absurde! E pyeta zonjen e courier si ka mundësi pa pasaportë të jepej një dokument kaq i rëndësishëm dhe m’u përgjigj se nuk kishte një udhëzim të tillë. Nuk e di si ndodhi, por pas dy minutash aty pranë parkon një makinë me targa shqiptare ku mbante mbi 40 zarfe të verdhë dhe zonja e courier kërkonte emrin tim, por nuk u gjend. Sigurisht që do e denoncoj në KQZ sepse vota ime nuk shitet e blihet. Mendova se këtë herë do ishin ndryshe gjërat, por fatkeqësisht votat tona po shiten!”
Në datën 4 maj, këtë denoncim do ta faktonte dhe më tej dega e Partisë Demokratike në Selanik, ku në rrjete sociale, publikoi disa foto ku shfaqeshin zarfat me votat e diasporës, ndërsa në një prej fotove shfaqet një automjet me targa shqiptare që qarkullonte pranë zyrave postare.
Partia Demokratike Selanik:
“Po ashtu, është vërejtur një fenomen alarmant: automjete me targa shqiptare po qarkullojnë pranë zyrave postare, duke marrë zarfa votimi pa asnjë dokument identifikimi, pa autorizime zyrtare dhe jashtë çdo protokolli ligjor. Ky është një akt i rëndë, një përpjekje e hapur për të manipuluar votën e Diasporës – për ta heshtur zërin e saj dhe për ta deformuar vullnetin e lirë të mijëra qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Partia Demokratike në Selanik dënon me forcë këtë skenar të ulët dhe kërkon:
Hetim të menjëhershëm nga autoritetet përgjegjëse në Shqipëri dhe në Greqi.
Monitorim ndërkombëtar për procesin e votës së emigrantëve.
Transparencë të plotë nga KQZ mbi trajtimin e votave të ardhura nga jashtë.”
E teksa bëheshin këto denoncime, ku makina me targa shqiptare shfaqeshin në zyrat e postës DHL apo postave të nënkotraktuara prej saj për shpërndarjen e zarfeve, njëkohësisht në këto zyra shfaqej edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, i cili orientonte qytetarët për të votuar.
Atë që kishte ndodhur me zarfat e Diasporës në Greqi, u faktua edhe gjatë numërimit të votave në Shqipëri. Teksa kërkesa e Partisë Demokratike që zarfat e diasporës të Greqisë të mos numëroheshin u refuzua, gjatë numërimit të votave dolën në pah edhe problemet. Disa prej zarfeve të diasporës nuk kishin brenda fletët e votimit.
Por mungesa e zarfeve me fletët e votimit është denoncuar ekskluzivisht edhe për emisionin Plug nga disa prej bashkëatdhetarëve shqiptarë në Greqi.
Por konfirmimi më i rëndë, ishte rezultati. Ashtu siç ishte paralajmëruar dhe denoncuar, vota e diasporës në Greqi, u faktua që ishte manipuluar. Rezultati gjatë numërimit tregoi se Partia Socialiste kishte deri në 85 përqind të numrit të votave nga zarfet e Greqisë, duke ngritur dyshime se edhe në shtetin fqinj kishin votuar patronazhistët, siç u dëshmua deri më tani.
Fakti më i rëndë që konfirmoi manipulimin, ishte numri i votave të numëruara në raport me numrin e fletëve të votimit që ishin dërguar në Greqi për bashkëatdhetarët tanë. Pothuajse në të 12 qarqet e vendit, gjatë pasqyrimit në KQZ të numrit të votave, rezultonte se votat e numëruara ishin me dhjetëra qindra shpesh edhe më mijëra më shumë se numri i fletëve të votimit në total, që ishin dërguar për bashkëatdhetarët tanë në diasporë.
Problemet me postën DHL u raportuan në të gjitha vendet e botës. Denoncime për mos mbërritjen apo mos marrjen e zarfit pati në ITali, Gjermani, Angli, SHBA dhe vende të tjera. Një nga rastet flagrante ishte në Itali. Një denoncues, i cili komunikoi me gazetaren Alba Kepi, theksonte se punonjësit e postës DHL, nuk i telefonojnë votuesit kur shkojnë për t’i dorëzuar zarfin me fletën e votimit dhe justifikohen se nuk kanë të drejtë, në një kohë që për porositë e zakonshme, ata i kontaktojnë normalisht. Një tjetër shkelje është edhe mos vendosja e numrave të kontaktit të zyrës së postës DHL, në mënyrë që shqiptarët e diasporës të mos kenë mundësi t’i marrin në telefon për të dorëzuar zarfin me votën e dhënë.
DENONCIMET E SHQIPTARËVE TË DIASPORËS NË ITALI:
“Kur unë i thashë që vetëm ju po hapni probleme me dorëzimin e postës pasi Malta Post më merr në telefon, se e kam të shkruar numrin tek kutia postare, m’u përgjigjen nuk kemi të drejtë t’ju telefonojnë, ne i biem ziles kur nuk përgjigjet njeri ikim. U thashë po ça zileje është shkruar kudo më shkronja të mëdha ja ‘Zilja nuk punon’, dhe si nuk keni të drejtë të merrni në telefon kur unë kam marrë telefonata për dorëzimin poste nga ju, vetëm ky rast duket se bën përjashtim.”
Por teksa Taulant Balla shfaqej në pikat e DHL-së në Greqi në fillim të muajit maj, opozita denoncoi edhe farsën që po ndodhte me votat e diasporës në Greqi. Në datën 5 maj, Drejtuesja Politike e Partisë Demokratike për Diasporën, në një konferencë për shtyp, Jozefina Topalli denonconte me emra konkret personat që po kryenin masakrën zgjedhore me votat e diasporës.
Plug ka siguruar të tjera prova që tregojnë se DHL dështoi të përmbushë kontratën për shpërndarjen e votës dorë më dorë, siç ishte parashikuar. Nga këto mesazhe që vijnë nga shtabet elektorale të Partisë Socialiste, në një rast tregohet se në Kavalla të Greqisë, votat kanë përfunduar në një bibliotekë, ndërsa në ditët në vijim do të gjendeshin në pikat postare. Ky mesazh ngre pikëpyetje të mëdha, sesi kanë përfunduar fletët e votimit te një libër, ndërkohë që nuk kanë qenë as në zyrën postare. Ndërsa në një tjetër mesazh, shtabi i Partisë Socialiste kërkon që emigrantët të dërgohen nëpër zyrat postare, pasi DHL ka dështuar të përmbushë detyrimin për të shpërndarë fletët e votimit derë më derë.
Dëshmitë/ Zarfet e votave në pika bastesh, dyqane ku mbusheshin çakmakë e kosha plehrash
Këto ishin denoncimet që u bënë masivisht në rrjetet sociale nga bashkëatdhetarët tanë në Greqi, Itali dhe deri në SHBA për shpërndarjen e votës së Diasporës. Emisioni Plug ka shkuar më tej. Ka kontaktuar dhe marrë deklaratat e dhjetëra bashkëatdhetarëve tanë në diasporë, të cilët kanë treguar ekskluzivisht fakte sesi u bë masakra e votës së diasporës.
Dëshmitë për shpërndarjen e votës në mënyrë abuzive dhe në shkelje të kontratës nga DHL janë të pafundme. Ded Dodaj, një bashkëatdhetar shqiptar në Greqi, tregon ekskluzivisht për Plug, se votën e tij e gjeti në një dyqan ku mbusheshin çakmakë.
Edhe Gjon Noli është një tjetër bashkëatdhetar që zarfi me votën e tij përfundoi në një vend krejt të çuditshëm: në një pikë bastesh.
Kujtim Bajrami është një tjetër qytetar shqiptar emigrant në Selanik, i cili tregon se zarfat me votat e diasporës liheshin nga korrierët në dyert e banesave pa njoftuar dhe pa i dorëzuar dorë më dorë.
Julian Llapushi, një tjetër bashkëatdhetar shqiptar në Selanik dhe i angazhuar si drejtues i degës së Partisë Demokratike në Selanik, tregon gjithashtu se zarfet me votat e emigrantëve në Greqi nuk shkoi në banesën dhe nuk u dorëzuan dorë më dorë siç parashikonte kontrata. Por fletët e votimit iu dhanë pikërisht postave të tjera.
Thimi Grinjoti, kreu i Degës së Partisë Demokratike në Selanik, ka qenë i angazhuar personalisht duke dëshmuar farsën elektorale në Greqi. Për Plug ai ka vënë në dispozicion pamje ekskluzive të cilat tregojnë persona të paidentifikuar dhe paautorizuar që lëviznin me tufa zarfesh me votat e shqiptarëve në Greqi.
Kreu i Partisë Demokratike në Athinë, Alfred Fizi, denoncoi që në krye të herës farsën elektorale duke ngritur dyshime të forta se gjithçka ishte e dirigjuar nga qeveria në Shqipëri. Ai ngre pikëpyetje të mëdha në lidhje me faktin se nga e dinte Partia Socialiste dhe zyrtarët e saj se kush ishin nënkontraktorët e DHL, oraret e punës së tyre dhe të dhëna të tjera, që nuk i dinte as vetë KQZ.
Fizi shprehet gjithashtu se në pikat e shpërndarjes së zarfeve, qarkullonin makina me xhama të zinj dhe targa shqiptare.
Por Greqia nuk ishte e vetme. Në Itali, dëshmitë janë edhe më të frikshme, blerje vote me para cash nga zyrtarë të shtetit. Sokol Sahitaj, një bashkëatdhetar shqiptar me banim në Bergamo, deklaron se dy shtetas, të cilët i janë prezantuar si punonjës të konsullatës shqiptare në Milano, i ofruan 600 euro për tre vota.
Valentin Lumaj, një bashkëatdhetar shqiptar në SHBA, hedh dyshime mbi sistemin e regjistrimeve në PER. Ai tregon se shumë personave u refuzohej pa arsye aplikimi, duke ngritur dyshime se struktura patronazhiste ka pasur akses në sistemin e zgjedhjeve, duke skualifikuar shumë demokratë nga e drejta për të votuar.
Dëshmitë dhe më të rënda janë se patronazhistët kanë detyruar punonjësit e administratës që të regjistronin me detyrim familjarët e tyre në diasporë për të votuar Partinë Socialiste.
- Patronazhistët qeveritarë si ‘xhandar’ mbi diasporën, si u kryen krimet zgjedhore
Këto dëshmi ekskluzive janë fakti që provojnë atë që do t’ju tregojmë më pas. Patronazhimi i votës në këto zgjedhje ishte dhe më i theksuar në diasporë. Punonjësve të administratës iu kërkua me detyrim të plotësonin një listë me 10 emra votuesish, familjarë të tyre që jetojnë jashtë vendit. Për këtë u kujdesën personalisht drejtuesit më të parëndësishëm të institucioneve publike, deri te kryetarët e bashkive dhe ministrat e qeverisë, që u shprëngulën në “emigrim” për të regjistruar emigrantët. Pazëllin e patronazhimit e plotësoi vetë KQZ, që në krye të votës së diasporës vendosi një ish-punonjëse të qeverisë Rama.
Plotësimi i zarfave nga patronazhistët e Partisë Socialiste nuk ishte i vetmi problem. Skandali nisi shumë më herët, që me fillimin e procesit të regjistrimit të emigrantëve që jetojnë jashtë vendit si votues në diasporë. Në fillim ishin patronazhistët, që me urdhër politik, detyruan punonjësit e administratës publike në Shqipëri të plotësonin një listë me 10 emra të familjarëve të tyre në diasporë, të cilët duhet të regjistroheshin dhe më pas të votonin për Partinë Socialiste.
Një nga rastet u denoncua publikisht nga Valentin Lumaj, një aktivist dhe bashkëatdhetar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në datën 9 maj, në rrjetin e tij Facebook, Lumaj publikoi mesazhin e një tjetër bashkëkombasi në SHBA, i cili denonconte rastin e një punonjësi të tij nga Shqipëria, që e kishte telefonuar një i afërm për t’u regjistruar si votues i diasporës pasi, në të kundërt, do të humbte vendin e punës.
Denoncimi SHBA
“Komunistët janë të papamë, por është e vështirë të fitosh kundër tyre. Sot i shkruan një djali nga Shqipëria që e kam në punë: Të lutem, dërgo linkun për tu regjistruar me votu, se i duhet filanit për punë. I tha që mund të regjistrohesh edhe me pasaportë të skaduar. Filloi të bënte aplikimin, por nuk kuptonte kush ishte numri personal dhe personi e mori në telefon. Ishte telefoni me zë të lartë. Ky djali që punon për mua e pyeti çfarë të duhet që të regjistrohem. Personi i tha: I kanë vënë kusht një numër të caktuar që ai duhet me ju dërguar me fotografi regjistrimin, që të tregoni që nuk do ta humbisni vendin e punës. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe në Shqipëri.”
Punonjësit e administratës duhet të plotësonin këtë formular duke vërtetuar se emigranti do të votonte për Partinë Socialiste. Por patronazhimi i votës së diasporës, kryesisht në Greqi, nuk u mjaftua me kaq. Në muajin shkurt, emisioni investigative Piranjat transmetoi sesi Kryetarë bashkish, ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Vlorës dhe jo vetëm, shkuan në Athinë duke u kujdesur personalisht për regjistrimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët ishin kontaktuar më parë nga familjarët e tyre punonjës të administratës në Shqipëri.
Partia Demokratike iu drejtua me shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar konstatimin e kryerjes së veprimeve të ndaluara nga Neni 91 i Kodit Zgjedhor dhe vendimi Nr. 9/2020 i Komisionit Rregullator nëpërmjet përdorimit të burimeve njerëzore dhe regjistrimit në PER të zgjedhësve. Në shkresën që PD i dërgonte KQZ, konstatohej se:
Partia Demokratike
“Nga pamjet filmike rezulton se kanë qenë të pranishëm në këtë takim Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi; Kryetarja e Bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa; Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi; Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, njëkohësisht Zv/Kryeministrja Belinda Balluku; Ministrja për Arsimin dhe Sportin, Ogerta Manastirliu; Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro; dhe Zyrtari i Partisë Socialiste, Bledar Çuçi.
Nëpërmjet këtij denoncimi përcjellim pranë jush shqetësimin për këtë ngjarje skandaloze të paprecedentë dhe shkeljet e konsumuara nga personat në fjalë. Pika 1 dhe 2 e nenit 91 të Kodit Zgjedhor parashikon:
Ndalesa e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore: me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia.
Në kuptim të këtij neni “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil.
Për këto arsye, vlerësojmë se organizimi i këtij takimi, marrja e mjeteve të identifikimit, përdorimi i tyre për qëllime të jashtëligjshme dhe regjistrimi në PER i zgjedhësve janë veprime të kryera në shkelje flagrante të Nenit 91 të Kodit Zgjedhor. Për këtë arsye, Partia Demokratike kërkonte përfundimisht nisjen e hetimit administrativ për këto raste nga administrata e KQZ, si dhe marrjen e masave administrative përkatëse ndaj këtyre veprimeve antiligjore, sipas legjislacionit në fuqi.”
Por kjo kërkesë e Partisë Demokratike ra në vesh të shurdhët në KQZ, pasi nuk u hetua kurrë.
Për këtë skandal, Franci Nuri, përfaqësues i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, deklaroi në muajin shkurt, se votuesit e opozitës po pengoheshin për t’u regjistruar në aplikacionin e KQZ-së, ndërsa ata të Partisë Socialiste po favorizoheshin duke u shkuar gjithë administratës për t’i regjistruar në vendet e tyre të emigrimit.
Skandali i patronazhimit të votës së diasporës do të pranohej nga kryekomisioneri i KQZ, Ilirjan Celibashi, i cili pak ditë para zgjedhjeve pranoi se Drejtoresha e Votës së Diasporës në KQZ ishte një ish-punonjëse e administratës socialiste, ndërsa bashkëshorti i saj kishte krijuar aplikacionin “Aktivisti” të Partisë Socialiste.
/ Emisioni “PLUG”