Drejtuesi politik i PD në Durrës, Oerd Bylykbashi, në një prononcim p;r A2 CNN u shpreh se kutitë që janë hapur deri më tani në Qarkun ku ai kandidon, i përkasin zonave, ku tradicionalisht është blerë vota nga PS dhe se demokratët presin kutitë e qytetit bregdetar për të bërë ndryshimin.
“Në këtë moment ajo që pamë gjatë gjithë fushatës tregon se dominanca e zgjedhësve në qarkun e Durrësit kërkon ndryshimin. Këtu janë duke u hapur aktualisht kuti që janë ndër më të prekurat në mënyrë historike nga shitblerja e votës. Ne kemi referuar në SPAK një numër të lartë personash, por në këtë qendër numërimi këto kuti që janë hapur tani, rezulton se në mënyrë sistematike PS prej shumë vitesh i ka pasur si basen votash të blera. Pak më vonë do të hyjmë në zonat e qytetit ku do të shihet ndryshimi”, u shpreh Bylykbashi.
Ai po ashtu u ndal te procesi i votimit duke konstatuar një sërë problematikash, por me theksin e vendosur tek intimidimi i votuesve nga njerëz të paautorizuar pranë QV-ve, që shoqëroheshin nga eksponentë kriminalë.
“Procesi i votimit nuk ka patur asnjë përjashtim në raport me shkeljet tradicionale absolutisht të papranueshme të procesit zgjedhor. Prezencë e lartë e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit, e gjitha kjo në funksion të presionit mbi zgjedhësit. Sigurisht edhe pse janë vendosur mekanizma të rinj, vullneti për ta shkelur këtë ka bërë që përsëri të mbetet problem intimidimi i zgjedhësve. Janë konstatuar sidomos në javën e fundit fenomenet e shitblerjes së votës. Kemi parë mungesë të plotë veprimi nga Task Forca që u trumbetua më të madhe. Nuk u pa asgjë ndaj organizata kriminale patën mundësi të veprojnë. Gjithsesi mbetet për tu parë cili është efekti i veprimtarisë elektorale, pasi kemi parë asfalt elektoral edhe në pasditen para zgjedhjeve”, deklaroi Bylykbashi