“Viti 2024 ishte një vit me vështirësi jo të pakta për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar.”
Kjo ishte fjalia me të cilën drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela nisin raportin vjetor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për institucionin që ai drejton.
Gjatë raportimit të tij, Çela vuri theksin në mungesën e numrit të prokurorëve, qoftë në Prokuroritë e rretheve, po ashtu edhe në atë të Apelit.
“Në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 65 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: 185 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 98 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (65 % e strukturës organike); 11 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 9 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (55 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 7 prokurorë më pak se numri organik (61 % e strukturës organike)”, tha Çela.
Gjithashtu, kryeprokurori bëri me dije se në krahasim me vitin 2023, ka patur një ulje të numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë, por një rritje të të pandehurve që janë dënuar.
“Janë dërguar në gjykatë 9030 çështje me akuzë ndaj 10759 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2023 rezulton një ulje prej 6,44 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 5,63 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2024 janë dënuar 10001 të pandehur që krahasuar me vitin 2023 përbën rritje 37,87 % të numrit të pandehurve të dënuar dhe për 265 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm”, tha Çela, duke iu referuar raportit.
Më tej, drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, konstatoi edhe problematikat e Prokurorive me dhënien e informacionit, ku sipas tij, duhet përmirësuar cilësia e komunikimit me qytetarët.
Po ashtu, Olsian Çela konstatoi se sipas tij, problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është edhe ai që lidhet me arkivat, ku sipas tij, situata vazhdon të rëndohet. Kryeprokurori tha se naga ana e tyre janë marrë masa administrative në këtë drejtim, duke kthyer në hapësira arkivore një pjesë të godinave të prokurorive që pushuan së vijuari aktivitetin për shkak të hartës së re gjyqësore.
“Edhe gjatë vitit 2024, megjithë përpjekjet e bëra prej tyre, konstatohet e njëjta problematikë në koordinimin efikas me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në kuadër të kërkesave për informacion dhe mbështetjes me të dhëna të sakta e të plota.
Një tjetër problem mbetet mbikëqyrja e ngarkesës, performancës dhe disiplinës në punë e oficerëve të policisë gjyqësore, ku duhet tërhequr vëmendja e drejtuesve dhe prokurorëve për të ushtruar aktivisht dhe në mënyrë të vazhdueshme autoritetin drejtues dhe kontrollues mbi policinë gjyqësore në përputhje me kompetencat e dhëna nga ligji.
Nisur edhe nga ankesat e qytetarëve apo raporte të institucioneve/organizatave monitoruese të të drejtave të njeriut, rezulton se duhet përmirësuar cilësia e komunikimit me qytetarët në drejtim të dhënies së informacionit të kërkuar prej tyre në kuadër të hetimeve penale.
Në një pjesë të prokurorive ka nevojë për një aplikim më efikas të Udhëzimit të Përgjithshëm nr. 15/2020 dhe Memorandumit të Bashkëpunimit me Policinë e Shtetit mbi trajtimin e njoftimit të viktimës akuzuese sipas nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale dhe referimeve të tjera që dukshëm nuk përmbajnë elementë të një vepre penale, që ndikon në uljen e ngarkesës së punës. Janë 5910 materiale që u arkivuan gjatë vitit që kaloi mbështetur në këtë udhëzim, që përbën pothuaj 10 % të totalit të materialeve të trajtuara nga prokurorët në vitin 2024.
Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme ka vazhduar koordinimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve në drejtim të infrastrukturës. Nga ana jonë janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Ka përfunduar detyra e projektimit në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara.
Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente. Gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit. Gjatë vitit 2025 do të përfundojnë investimet në prokuroritë Fier, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, ku janë zgjeruar ambientet në këto prokurori në zbatim të marrëveshjes me KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Edhe pas këtyre masave, problem do të vijojnë të mbeten Prokuroria Durrës dhe ajo Sarandë, ku ambientet ekzistuese janë të pamjaftueshme nëse do të plotësoheshin organikat.
Problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata vazhdon të rëndohet, edhe pse nga ana jonë janë marrë masa administrative në këtë drejtim, duke kthyer në hapësira arkivore një pjesë të godinave të prokurorive që pushuan së vijuari aktivitetin për shkak të hartës së re gjyqësore, por edhe përmes seleksionimit të materialeve me vlerë arkivore në përputhje me kuadrin ligjor përkatës, duke punuar ngushtësisht me prokuroritë e rretheve gjyqësore në këtë drejtim. Vlerësoj se ka nevojë për ndërhyrje ligjore në lidhje me përcaktimin e saktë të periudhës së ruajtjes së dosjeve penale, sipas praktikave më të mira evropiane, si dhe për marrjen e masave ndërinstitucionale adeguate për sigurim të infrastrukturës që do të mundësojë ruajtjen e tyre.
Prokuroria e Përgjithshme e konsideron me rëndësi të veçantë për rritjen e efektivitetit së punës, ngritjen dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve.
Sistemi i ri i Menaxhimit të Çështjeve në prokurori, po mbështetet nga Bashkimi Evropian. Për këtë qëllim, Prokurori i Përgjithshëm me urdhrin nr. 04 datë 04.01.2024 ngriti grupin e punës me ekspertë prokurorë nga të gjithë nivelet e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, me qëllim për sigurimin e mbështetjes së nevojshme në krijimin e sistemit të ri të menaxhimit të çështjeve. Në muajin tetor 2024 është nënshkruar marrëveshja midis BE-së dhe UNOPS-it për implementimin e sistemit CAMS dhe komponentëve të tjerë që lidhen me këtë sistem. Gjatë vitit 2024 janë zhvilluar disa takime me përfaqësues të UNOPS dhe grupit të punës. Në takimin e zhvilluar në datë 05.11.2024 u prezantuan fazat dhe afatet e projektit, duke nisur kështu formalizimi i bashkëpunimit dhe punës për ndërtimin dhe implementimin e këtij sistemi të rëndësishëm. Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar angazhim të plotë për të adresuar të gjitha nevojat për një sistem efikas dhe mbështetje në plotësimin e kërkesave të tjera të nevojshme për implementimin e projektit.” – tha Olsian Çela