Prokurori i SPAK, Klodian Braho kërkoi shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Afrim Shehu për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë, ndërsa subjekti i kundërshtoi diferencat negative si të palogjikshme dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.
Drejtuesi i SPAK i qëndroi të martën më 22 prill kërkimit përfundimtar të ankimit ndaj konfirmimit të prokurorit të Tiranës, Afrim Shehu, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra. Megjithëse prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson Dumanin në këtë çështje, konsideroi në analizën financiare një pjesë të të ardhurave financiare të deklaruara nga subjekti si burime krijimi për pasuritë, ai vlerësoi se sërish mbetet bilanc negativ që nuk mund t’i nënshtrohet parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, sipas praktikës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA. Po ashtu, Braho u shpreh se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë.
Konkluzionet përfundimtare të drejtuesit të SPAK, u kundërshtuan nga prokurori Afrim Shehu përmes avokates së tij, Romina Zano, e cila i cilësoi të pabazuara qëndrimet dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e subjektit. Prokurori Afrim Shehu u konfirmua në detyrë më 15 maj të vitit të kaluar, pasi shpjegimet e tij për bilancet negative të konstatuara gjatë hetimit paraprak u gjendën bindëse.
Afrim Shehu ka punuar si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si avokat përpara se të emërohej prokuror i Republikës së Shqipërisë në vitin 2009. Për gati një dekadë ai punoi si prokuror pranë Prokurorisë së Durrësit, ndërsa në qershor të vitit 2023 u transferua në Prokurorinë e Tiranës përmes procedurës së lëvizjes paralele.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ngriti shkaqe për pasurinë dhe aspektin profesional, por prokurori Braho parashtroi në KPA në seancën parardhëse më 2 prill se u qëndronin vetëm pretendimeve për pasurinë.
Braho tha të martën se, edhe pas parashtrimeve në Kolegj, subjekti nuk ka arritur të vërtetojë barrën e provës për një apartament të fituar me kontratë sipërmarrje të vitit 2003. Si burime krijimi të kësaj pasurie Shehu ka deklaruar të ardhurat nga paga si oficer i policisë gjyqësore dhe ushtrimi profesionit të avokatit, të ardhura nga emigrimi dhe interesat nga ish-firmat piramidale, një hua, si dhe dhuratë nga vëllai në Angli në masën 10 mijë euro, që i janë depozituar në llogarinë e tij në bankë.
Megjithëse nga të ardhurat nga puna si avokat, Braho konsideroi si të ligjshme rreth 1.5 milionë lekë nga 956 mijë lekë që sipas ankimit vlerësoheshin se përmbushnin kriteret, si konsideroi që të përfshihet në analizën financiare vlera e përfituar nga ish-firmat piramidale që vërtetohet me dokumentacion ligjor, sërish çmoi se subjekti gjendet në kushtet e pamundësisë financiare për krijimin e kësaj pasurie.
Braho u shpreh se nuk mund të konsiderohen si të ligjshme një pjesë e të ardhurave të deklaruara si të përfituara nga avokatia, pasi mbeten deklarative e për rrjedhojë të paprovuara.
Sipas Brahos, mbeten në nivel deklarativ dhe të ardhurat e deklaruara se janë përfituar nga puna në emigracion.
Për dhuratën nga vëllai, veç pasaktësisë në deklarimin e vlerës së shumës monetare, Braho vërejti se janë tërhequr pas kryerjes së pagesave.
Po ashtu, Braho tha se nuk mund të konsiderohet si burim një hua 4000 USD e deklaruar se është marrë cash në vitin 2003, si pjesë e një huaje më të madhe në vlerën 23 mijë USD, të marrë nga bashkëshortja në 2005-ën. Sipas SPAK, mbetet e paprovuar që shuma 4000 USD të ketë shërbyer si burim për apartamentin e blerë në 2003-in, përderisa nuk janë deklaruar si burime në deklaratat përkatëse dhe në atë veting.
Në përfundim, Braho u shpreh se subjekti mbetet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm për këtë pasuri.
Në deklaratën para fillimit të detyrës të vitit 2009, bashkëshortja e subjektit ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 103 m2. Si burime krijimi ka deklaruar dhuratë nga babai i saj në shumën 40 mijë euro dhe huanë e marrë në vitin 2005, në shumën totale prej 23 mijë USD. Sipas Brahos, subjekti nuk arriti të provojë mundësinë e dhuruesit dhe të huadhënësit, e për rrjedhojë mbetet në pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie.
Për blerjen e apartamentit tjetër në vitin 2016, subjekti ka deklaruar si burime të ardhurat nga shitja e një apartamenti të blerë më parë, një llogari kursimi në emër të bashkëshortes, një hua që është pretenduar se është shlyer totalisht me të ardhurat nga shitja e shtëpisë, si dhe kursime ndër vite.
Brahoi evidentoi se subjekti nuk ka provuar të kundërtën e barrës së provës lidhur me pamundësinë e huadhënësit. Për të ardhurat nga shitja e apartamentit të mëparshëm, prokurori Braho solli në vëmendje pamundësinë financiare për krijimin e asaj pasurie. Për rrjedhojë, vlerësohet se të ardhurat nga shitja e apartamentit nuk plotësojnë kushtin për t’u konsideruar të ligjshme.
Po ashtu, Braho konkludoi se Shehu ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe për një garazh me dy vende parkimi, si dhe se gjendet në pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie.
Në përfundim, prokurori Braho konkludoi se nga analizia financiare e përgjithshme rezulton se bilanci nengativ i konstatuar e kalon limitin e proporocionaolitetit sipas praktikës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA. Ai kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të prokurorit Afrim Shehu.
Avokatja Romina Zano paraqiti në mënyrë të përmbledhur bisedimet përfundimtare. Ajo solli në vëmendje të Kolegjit se shkaqet e ankimit për pasurinë nuk prekin integritetin apo profesionalizmin e subjektit gjatë ushtrimit të funksionit si prokuror, por lidhen me aspekte formale të deklarimit dhe me të ardhura të krijuara përpara fillimit të detyrës. Sipas Zanos, këto rrethana nuk përbëjnë shkak për cënueshmërinë e subjektit.
Zano u shpreh se Komisioneri duhej të kishte verifikuar pasurinë e subjektit, duke intepretuar nën dritën e ligjit, praktikës gjyqësore të KPA, si dhe parimeve të proporcionalitetit dhe drejtësisë materiale, prej nga sipas saj, arrihet në konkluzionin se prokurori Shehu arrin nivel të besueshëm.
Lidhur me të ardhurat nga emigracioni, Zano tha se pavarësisht se nuk janë shënuar në deklaratën veting për shkak të mungesës së dokumentacionit, realizimi i tyre është i besueshëm në kontekstin e kohës dhe rrethanave të punës në emigracion. Ajo solli në vëmendje se nga hetimi administrativ ka rezultuar e provuar se një pjesë e këtyre kursimeve është depozituar të një prej ish-firmave piramidale, prej nga dhe është përfituar shuma prej 873 mijë lekësh, posedimi të cilës vërtetohet nga dokumentet bankare. Bazuar në këto argumente, u kërkua konsiderimi në analizë i të ardhurave nga emigracioni.
Po ashtu, u kërkua të konsiderohen dhe të ardhurat e deklaruara të përfituara nga avokatia, duke theksuar se janë të mbështetura me dokumentacion zyrtar. Sipas Zanos, provohet se zyra avokatore ku punonte subjekti ka pasur aktivitet ekonomik më të lartë se ai i pasqyruar në organet tatimore, fakt që sipas saj, dëshmohet nga numri i çështjeve të përfaqësuara dhe nga deklaratat noteriale të klientëve. Sipas Zanos, volumi dhe natyra e çështjeve të trajtuara tregojnë për një xhiro të lartë dhe për rrjedhojë deklarimi i pjesshëm nga punëdhënësi për subjektin, nuk mund të përbëjë penalitet dhe ta cënojë në procesin e rivlerësimit. Ajo sqaroi se Shehu ka vepruar atëherë në mirëbesim dhe nuk ka pasur dijeni për mënyrën e pagesës së detyrimeve nga punëdhënësi.
Për vlerën e dhuruar nga vëllai u vendos theksi në mundësinë financiare të dhuruesit. Zano tha se pasaktësitë formale të subjektit nuk mund të sjellin penalizim, në kushtet kur dhuruesi ka pasur mundësi financiare.
Lidhur me cash-in e padeklaruar në vitin 2004, Zano tha se provohet nga aktet se në atë kohë, Shehu ka pasur në dispozicion shumën totale prej rreth 4.8 milionë lekësh dhe u kërkua që kjo vlerë të konsiderohet si burim i ligjshëm në analizën financiare.
Për një hua të marrë në vitin 2005, Zano arugmentoi se provohej se vlera prej 15 mijë e 296 euro e marrë në atë vit me transaksion bankar, së bashku me 4000 USD të marra cash në 2003-in, përbëjnë pikërisht shumën totale të huasë prej 23 mijë USD, sipas kontratës së huasë. Zano nënvizoi se huadhënësi ka pasur mundësi financiare dhe vërejti se pasaktësië formale, kur nuk shoqërohen me pamundësi, nuk mund të sjellin penalizim. Për rrjedhojë, u kërkua që shuma 4000 USD të përfshihet si burim për blerjen e apartamentit në vitin 2003.
Zano argumentoi se është provuar dhe mundësia e vjehrrit të subjektit për dhurimin e vlerës 40 mijë euro të bijës. Sipas saj, është vërtetuar se babai i bashkëshortes ka emigruar në Greqi që nga viti 2000, si dhe ka përfituar të ardhura të rregullta nga pensioni – vlera që u pretendua se janë të dokumentuara. Sipas analizës finaniciare të subjektit, vjehrri i tij ka pasur mundësi të kursente afro 44 mijë euro, që e tejkalon shumën e dhuruar prej 40 mijë eurosh. Për një shumë prej 9000 eurosh të dhuruar po nga babai i bashkëshortes, u pretendua se dhe në këtë rast vërtetohet mundësia e dhuruesit.
Zano parashtroi se është provuar dhe mundësia e dhënies hua nga një i afërm i subjektit. Sipas avokates, rezulton se huadhënësi ka administruar të ardhurat e një personi tjetër që jetonte dhe punonte jashtë. Zano pohoi se nuk ka paqartësi në deklarimet e subjektit lidhur me këtë hua, ashtu si pretendohet në ankim dhe shtoi se provohet mundësia financiare e huadhënësit.
Avokatja Zano i cilësoi diferencat e konstatuara në funksion të ankimit, si të palogjikshme, duke argumentuar se janë nxjerrë balanca negative më të mëdha se vlera reale e pasurive të deklaruara, ndërkohë që huatë nuk llogariten si hyrje, por vetëm si dalje duke krijuar gjendjen negative në kthimin e tyre.
Prokurori Shehu parashtroi se pamundësitë financiare janë më të vogla dhe nga ato të konstatuara prej KPK. Sipas avokates Zano, balancat negative mbeten në shumat 668 mijë lekë para detyrës dhe 341 mijë lekë gjatë detyrës, që në bazë të parimit të proporcionalitetit nuk mund të sjellin penalizim. Në përfundim, u kërkua lënia në fuqi e konfirmimit në detyrë të prokurorit Afrim Shehu.
KPA u tërhoq për të marrë vendim që do të shpallet më datë 8 maj, në orën 14:30.
/BIRN