Nga Boldnews.al
Tre prokurorë të posaçëm, Altin Dumani, Doloreza Musabelliu dhe Behar Dibra, kanë hetuar veten e tyre për 8 muaj për nxjerrje sekreti hetimor, para se ta dorëzonin rastin tek dy kolegë të tjerë të tyre, në një situatë që ngre dyshime të forta për konflikt interesi.
Gjatë vitit 2023, prokurorët Altin Dumani, Doloreza Musabelliu dhe Behar Dibra, po hetonin një prej fraksioneve të dosjes “Metamorfoza”, e bazuar në komunikimet e grupeve të dyshuara kriminale nëpërmjet platformave të enkriptuara, “SKY/ECC”.
Në 10 dhjetor të atij viti, grupi hetimor konstatoi se gazetari i “Ora Neës”, Elton Qyno, kishte publikuar akte proceduriale nga dosja e tyre hetimore, të cilët, në vlerësimin e tyre, përbënin “sekret”.
Dy ditë më pas, në 12 dhjetor 2023, tre prokurorët regjistrojnë procedimin penal për nenet 295/a/3 dhe 313/b/1 të Kodit Penal, e konkretisht për “zbulimin e akteve sekrete nga prokurori…” dhe “publikim i të dhënave konfidenciale”.
Në të njëjtën ditë, një prej prokurorëve, Behar Dibra, mbajti në pyetje për më shumë se 6 orë gazetarin Qyno, ndërkohë që u dërgua në gjykatën e posaçme kërkesa urgjente për kontrollin e banesës, zyrës dhe pajisjeve elektronike personale dhe të punës të tij.
Gazetari Qyno dhe përfaqësuesit e tij ligjorë kanë kundërshtuar veprimet e prokurorisë si shkelje të parimeve mbi transparencën mediatike në tre shkallët e gjyqësorit, Më herët, Gjykata e Apelit të Posaçëm dhe Gjykata e Lartë, kanë legjitimuar veprimet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, dhe tashmë rasti po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
Konflikt interesi?
Në seancën publike të zhvilluar në 2 Prill 2025, avokati Dorian Matlija, ngriti pretendimin se hetimet ndaj gazetarit Elton Qyno janë zhvilluar në kushtet flagrante të konfliktit të interesave.
Sipas tij, tre prokurorët e “Metamorfozës” duhet të ishin vetë nën hetim për “nxjerrje sekreti”, pasi dyshimet fillestare mbi rrjedhjen e informacionit binin fillimisht mbi ta dhe oficerët e Policisë Gjyqësore që po ndjekin rastin.
Përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme mohuan para Gjykatës Kushtetuese, se tre kolegët e tyre, Altin Dumani, Doloreza Musabelliu dhe Behar Dibra, kanë qenë në kushtet e konfliktit të interesave, megjithëse pranuan se ata të tre, për të paktën 8 muaj, nga dhjetori 2023 e më së paku deri në Gusht 2024.
Prokurori Bledar Maksuti, i cili së bashku me kolegun e tij Ols Dado, tashmë po shqyrtojnë hetimin për “nxjerrje të sekretit hetimor”, deklaroi në gjykatë se Prokuroria e Posaçme ka kryer që në fillim veprimet e nevojshme proceduriale ndaj prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të çështjes.
Në argumentin e “sekretit hetimor”, Maksuti nuk ishte i gatshëm që të jepte detaje mbi hetimet për rrjedhje të dhënash ndaj tre prokurorëve fillestarë të çështjes dhe se si ata kishin hetuar njëri-tjetrin në një çështje, ku vetë ishin të dyshuar kryesorë.
Duke vlerësuar se çështja e konfliktit të interesit është çështje kushtetuese, pasi lidhet me parimin e gjykimit të drejtë, gjyqtarja Sonila Bejtja, e mbështetur në vijim nga kryetarja e gjykatës, Holta Zaçaj, kërkuan më shumë informacion nga përfaqësuesit e SPAK-ut mbi këtë situatë.
Prokurori Bledar Maksuti deklaroi se hetimi penal për “nxjerrje sekreti hetimor” është regjistruar në 12 dhjetor 2023 nga prokurorët Dumani, Musabelliu e Dibra për disa muaj, para se, me urdhër të Dumanit, rasti i kaloi atij dhe Ols Dados.
Maksuti garantoi trupën gjykuese se hetimit ndaj prokurorëve është kryer, duke iu përmbajtur rigorizisht procedurës penale. Insistimit të gjyqtarëve dhe avokatit mbrojtës se si ishte kryer ky hetim dhe nëse prokurorët e mëparshëm kishin hetuar njëri-tjetrin, Maksuti iu përgjigj se me gjuhë të drunjtë se “është zbatuar ligji”.
Në një njoftim publik në 14 Dhjetor 2023, Prokuroria e Posaçme dha detaje mbi arsyet e hetimit ndaj gazetarit Qyno, si edhe për urdhërat e kontrollit të tij personal dhe të banesës. Referuar neneve të cituar në të njëjtin njoftim, duket se gazetari dyshohet për “publikimin e të dhënave konfidenciale” (neni 313/b/1 i Kodit Penal).
Ndërkohë, neni tjetër i cituar në atë njoftim, 295/a/3 “zbulimi i akteve sekrete nga prokurori…” lidhet drejtëpërdrejtë me veprimtarinë e grupit hetimor.
Prokuroria e Posaçme, deri më tani, nuk ka bërë asnjë komunikim publik, nëse prokurorëve Dumani, Musabelliu e Dibra u është rezervuar i njëjti trajtim si i Qynos, pra kontroll zyre, banese dhe sekuestrimin e pajisjeve kompjuterike apo telefonike, për të verifikuar nëse ndonjëri prej tyre mund të ishte “burimi i paligjshëm” i rrjedhjes së dokumentave sekrete.
Prokurori Maksuti deklaroi para Kushtetueses se aktet e publikuara nga gazetari Qyno janë në formatin që gjenden në Prokurori dhe nuk kanë shkuar në formë të tillë në gjykatë apo që iu janë vënë në dispozicion avokatëve.
Ky pohim forcon akoma më tej dyshimet se burimi i informacionit duhet të jetë nga brenda radhëve të Prokurorisë së Posaçme, mes prokurorëve dhe agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit që kanë ndjekur rastin “Metamorfoza”.
Pra, të dhënat e prezantuara nga përfaqësuesit e SPAK-ut në Gjykatën Kushtetuese ngrenë dyshime të arsyeshme se informacioni i konsideruar sekret ka rrjedhur nga brenda Prokurorisë së Posaçme.
Megjithatë, deri më tani, është ende e paqartë se si tre prokurorët e dosjes fillestare kanë hetuar njëri-tjetrin për nxjerrje sekreti hetimor. Logjikisht, secili prej tyre mund të ketë urdhëruar kryerjen e veprimeve hetimore për të tjerët, duke krijuar një sistem rotacioni.
Nëse është ndjekur një praktikë e tillë, i gjithë rasti ngre dyshime për veprime hetimore fiktive.
Rasti i gazetarit Elton Qyno ngriti shqetësimin e organizatave mediatike vendase dhe ndërkombëtare, për ndërhyrje të papërshtatshme të autoriteteve në aktivitetin e medias.
Në 17 Janar 2024, Gjykata (Komiteti) i të Drejtave të Njeriut që vepron pranë Selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës, kërkoi nga autoritetet shqiptare, e konkretisht nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), që të ndalojë kryerjen e çdo veprimi apo inspektimi, shpërndarje ose përpunimi gjyqësor të mëtejshëm të materialit të sekuestruar ndaj gazetarit Elton Qyno.
I pyetur nga Gjykata Kushtetuese nëse është zbatuar ky vendim, përfaqësuesi i SPAK-ut, Bledar Maksuti, u përgjigj se “Po”. Këmbënguljes së gjyqtarëve dhe përfaqësuesit ligjor të gazetarit nëse veprime inspektuese në aparaturat e gazetarit ishin kryer para apo pas 17 janarit 2024, Maksuti deklaroi “përpara”, megjithëse nuk ishte në gjendje në atë moment që të jepte një datë të saktë.
Ai deklaroi para Kushtetueses se do t’i vinte në dispozicion trupës gjykuese dhe avokatit një raport më të hollësishëm për këtë moment procedurial.
Gjykata Kushtetuese urdhëroi përfaqësuesit e SPAK-ut që ky material shtesë të vihet në dispozicion brenda datës 8 Prill, ndërkohë që ftoi palët të përgatisin konkluzionet përfundimtare, të cilat do të prezantohen në 10 Prill 2025.