“Mafia shqiptare më telefononte dhe më thoshte: “Duam të dërgojmë 500 kg drogë”, nëse nuk pranon, ata të vrasin.”
César (jo emri i tij i vërtetë) është anëtar i bandës kriminale të drogës Latin Kings në Ekuador. Ai u rekrutua nga një oficer i korruptuar i policisë kundër narkotikëve për të punuar për mafian shqiptare – një nga rrjetet më të fuqishme të trafikut të kokainës në Evropë.
Mafia shqiptare ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador vitet e fundit, e tërhequr nga rrugët kyçe të trafikut nëpër vend, dhe aktualisht kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Edhe pse Ekuadori nuk e prodhon vetë drogën, 70% e kokainës në botë kalon nëpër portet e tij, sipas presidentit ekuadorian Daniel Noboa.
Ajo kontrabandohet në vend nga Kolumbia dhe Peruja fqinje – dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë.

Policia thotë se konfiskoi një sasi rekord të drogës vitin e kaluar, kryesisht kokainë, dhe se kjo tregon se eksportet totale janë në rritje.
Pasojat janë vdekjeprurëse: Janari i vitit 2025 regjistroi 781 vrasje në Ekuador, duke e bërë muajin më të përgjakshëm në vitet e fundit. Shumë prej tyre kishin lidhje me tregtinë ilegale të drogës.
Ne folëm me njerëz përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit për të kuptuar se pse kjo krizë po përkeqësohet – dhe si rritja e konsumit të kokainës në Evropë po e ushqen atë.
César, 36 vjeç, filloi të punonte me kartelet që kur ishte 14 vjeç. Shkak për këtë, ai përmend mungesën e një mundëse për punë.
“Shqiptarët kishin nevojë për dikë që të zgjidhte problemet,” shpjegon ai. “Unë i njihja rojet e portit, shoferët e transportit, ata që survejonin kamerat e sigurisë.” Ai i korrupton këta persona për ta ndihmuar të kontrabandojë drogë në portet e Ekuadorit ose për të mbyllur sytë – apo edhe ndonjë kamerë.

Pasi kokaina arrin në Ekuador nga Kolumbia apo Peruja, ajo ruhet në magazina derisa punëdhënësit e tij shqiptarë të mësojnë për ndonjë kontejner që do të niset për në Evropë.
Bandat përdorin tre metoda kryesore për të futur kokainën në dërgesa: 1) e fshehin në mallra para se të arrijnë në port, 2) e fusin në kontejnerë që janë brenda portit, ose 3) e ngjisin drogën në anije ndërsa janë në det.
César ndonjëherë ka fituar deri në 3,000 dollarë për një punë, por nxitja nuk është vetëm paraja: “Nëse nuk e bën një punë që të kërkojnë shqiptarët, të vrasin.”
Ai thotë se ndien një farë pendese për rolin e tij në tregtinë e drogës, sidomos për ata që ai i quan “viktima kolaterale”.
Por ai beson se faji i përket vendeve konsumatore. “Nëse konsumimi vazhdon të rritet, do të rritet edhe trafiku. Do të bëhet i pandalshëm,” thotë ai, duke shtuar: “Vetëm nëse e luftojnë atje, do të mbarojë këtu.”
Punëtorë të zakonshëm, jo vetëm anëtarët e bandave, përfshihen në këtë zinxhir.
Juan (jo emri i tij i vërtetë) është shofer kamioni. Një ditë ai mori një ngarkesë me peshk ton për ta dërguar në port. Ai thotë se rrugës kuptoi se diçka nuk shkonte.
“Sinjalin e parë e mora kur arrita në magazinë. Aty ishte vetëm ngarkesa, asgjë tjetër. Ishte një magazinë me qira, pa emër kompanie,” kujton ai.
“Dy muaj më vonë, pashë në lajme që kontejnerët ishin sekuestruar në Amsterdam, plot me drogë. Ne nuk dinim asgjë.”

Disa shoferë transportojnë drogë pa e ditur; të tjerë detyrohen – nëse refuzojnë, i vrasin.
Banda evropiane tërhiqen nga Ekuadori për shkak të vendndodhjes gjeografike, por edhe për shkak të sasisë së madhe të mallrave që eksportohen në mënyrë të ligjshme dhe që ofrojnë një mënyrë të përshtatshme për të fshehur drogën.
“Eksportet e bananeve përbëjnë 66% të kontejnerëve që largohen nga Ekuadori, 29.81% shkojnë drejt Bashkimit Evropian, ku konsumi i drogës po rritet,” shpjegon përfaqësuesi i industrisë së bananeve José Antonio Hidalgo.
Disa banda kanë krijuar edhe kompani fiktive eksport-importi frutash në Evropë dhe Ekuador si mbulesë për aktivitetet e tyre kriminale.
“Këta trafikantë evropianë shtiren si biznesmenë,” thotë “José” (nuk është emri i tij i vërtetë), një prokuror që lufton kundër grupeve të krimit të organizuar dhe që foli në mënyrë anonime për shkak të kërcënimeve që ka marrë.
Një shembull famëkeq është Dritan Gjika, i akuzuar si një nga liderët më të fuqishëm të mafias shqiptare në Ekuador.
Prokurorët thonë se ai kishte aksione në kompani eksporti frutash në Ekuador dhe kompani importi në Evropë, të cilat i përdorte për trafik kokaine. Ai është ende në arrati, por shumë prej bashkëpunëtorëve të tij janë dënuar pas një operacioni ndërkombëtar policor.
Avokatja Monica Luzárraga mbrojti një nga të pandehurit e Gjikës dhe tani flet hapur për mënyrën si funksionojnë këto rrjete.
“Në ato vite, eksportet e bananeve drejt Shqipërisë shpërthyen,” thotë ajo.

Ajo duket e zhgënjyer që autoritetet nuk e kuptuan më herët se grupet kriminale po i përdornin këto si mbulesë: “E gjithë ekonomia këtu është në ngërç. Por një kategori që ka rritje në eksport janë bananet. Pra, dy plus dy bëjnë katër.”
Pse po rriten eksportet
Në portet e Ekuadorit, policia dhe ushtria përpiqen të kontrollojnë situatën.
Varka patrullojnë ujërat përreth, policia skanon kutitë e bananeve për “bukë” me kokainë – madje edhe policë polumbarë kërkojnë drogë të fshehur nën anije.
Të gjithë janë të armatosur rëndë, edhe ata që thjesht ruajnë kutitë e bananeve para se të ngarkohen nëpër kontenierë. Kjo sepse nëse gjendet drogë gjatë një kontrolli, ndonjë punonjës porti i korruptuar mund të jetë i përfshirë – dhe kjo mund të çojë në një incident të dhunshëm.
Megjithë këto përpjekje, policia thotë se sasia e kokainës që kontrabandohet me sukses nga Ekuadori ka arritur nivele rekord. Faji i hidhet kërkesës në rritje dhe faktorëve ekonomikë.
Rreth 300 ton drogë u sekuestruan vitin e kaluar – një rekord vjetor i ri, sipas ministrisë së brendshme të Ekuadorit.
Major Christian Cozar Cueva nga Policia Kombëtare thotë se “ka pasur rreth 30% rritje të sekuestrimeve që ishin të destinuara për Evropë vitet e fundit”.
Kjo rritje e dërgesave të kokainës e ka bërë më të rrezikshme për ata që përfshihen në zinxhir.
Shoferi i kamionit “Juan” thotë se rritja e “kontaminimit të kontejnerëve” e bën atë më të ekspozuar.
Ai thotë se zyrtarët sekuestruan një kontejner një ditë më parë me dy ton drogë: “Më parë flisnim për kilogramë, tani flasim për ton.”
“Nëse nuk pranon që droga të futet në kontejner, ke dy mundësi: ta lësh punën ose të përfundosh i vdekur.”
Një ekonomi e goditur nga pandemia e Covid-it i la më shumë ekuadorianë të ekspozuar ndaj rekrutimit nga bandat.
Një shtet i dobësuar financiarisht pas pandemisë, një forcë sigurie pa përvojë me krimin e organizuar dhe rregulla të dobëta vizash, i dhanë mundësi grupeve evropiane të vendoseshin aty pas vitit 2020.
Monica Luzárraga thotë se viti 2021 ishte momenti kur “nisi infiltrimi i mafias shqiptare”.
Ajo thotë se kjo periudhë përkoi me një “fluks” të shtetasve shqiptarë dhe një rritje të eksporteve të bananeve, përfshirë drejt Shqipërisë.
“Kjo është një ekonomi fitimprurëse që dëmton Ekuadorin dhe pasuron organizatat kriminale. Si mund të pranojmë një ekonomi të ndërtuar mbi vuajtje?”
Një mesazh për Evropën
Kjo zemëratë ndaj karteleve të huaja është e kuptueshme, duke parë ndikimin e tyre në rritjen e dhunës.
Por një gjë ku bien dakord trafikantët dhe ata që i luftojnë: tregtia ushqehet nga konsumatorët, veçanërisht në Evropë, SHBA dhe Australi.
Të dhënat e OKB-së tregojnë se konsumimi global i kokainës ka arritur nivele rekord. Sondazhet tregojnë se Britania ka përqindjen e dytë më të lartë të përdorimit të kokainës në botë.
Agjencia Kombëtare kundër Krimit në Britani (NCA) vlerëson se vendi konsumon rreth 117 ton kokainë në vit dhe ka tregun më të madh në Evropë.
Të dhënat tregojnë se konsumimi në Britani është në rritje.
Analizat nga Ministria e Brendshme britanike tregojnë se konsumimi i kokainës u rrit me 7% nga viti 2023 në 2024. NCA konfiskoi rreth 232 ton kokainë në 2024, krahasuar me 194 ton në 2023.
Zëvendësdrejtori i NCA-së për krimin e organizuar, Charles Yates, thotë se Britania është “vendi i preferuar” për grupet kriminale që përfitojnë nga kërkesa e lartë.
Ai vlerëson se tregu i kokainës në Britani ka vlerën rreth 11 miliardë £ (14.2 miliardë dollarë), dhe bandat fitojnë rreth 4 miliardë në vit vetëm në këtë vend.
Ata që luftojnë këto grupe në Ekuador, si prokurori José, thonë se është detyrë e “vendeve të konsumatorëve të ushtrojnë më shumë kontroll” mbi ata që e financojnë tregtinë.
Viktimat e këtij trafiku janë të shumëllojshme.
Për z. Hidalgo janë biznesmenët që eksportojnë banane, që pësojnë dëme ekonomike dhe në reputacionin e tyre. Për znj. Luzárraga, janë “fëmijët, adoleshentët që po rekrutohen nga bandat kriminale”.
“Në Evropë ka qytetarë të gatshëm të paguajnë shumë para për drogën që konsumojnë. Droga që në fund po i kushton jetën qytetarëve ekuadorianë.”
NCA thekson se përveç këtyre efekteve “katastrofike” për komunitetet përgjatë zinxhirit të furnizimit, përdorimi i kokainës po shkakton edhe viktima në vetë përdoruesit, për shkak të ndikimeve kardiovaskulare dhe psikologjike. Vdekjet nga kokaina në Britani u rritën me 30% në vitin 2023 krahasuar me 2022, duke arritur në 1,118 raste.
NCA gjithashtu paralajmëron se droga ndikon në përkeqësimin e dhunës në familje.
Ata janë të qartë se përpjekjet për të frenuar furnizimin nuk mjaftojnë: “Veprimet në anën e furnizimit nuk do të jenë kurrë zgjidhja e vetme. Ajo që ka rëndësi është ndryshimi i kërkesës.”
Nga anëtarët e bandave të drogës deri te vetë presidenti i vendit – ky është mesazhi i Ekuadorit për Evropën.
Presidenti Daniel Noboa, i cili kandidon për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të 13 prillit, e ka bërë luftën kundër bandave kriminale një nga prioritetet e tij dhe ka vendosur ushtrinë për të luftuar dhunën.
Ai i tha BBC-së: “Zinxhiri që përfundon me ‘argëtimin e britanikëve’ përfshin shumë dhunë.”
“Çfarë është argëtim për një person, ndoshta përfshin 20 vrasje gjatë rrugës.”
/Marrë nga BBC