Një makinë që digjej në një fshat mes maleve të Pukës mbrëmjen e 6 janarit të vitit 2021 për disa javë me radhë shkaktoi një përplasje mes hetuesve shqiptarë e atyre italianë.
Për ekspertët shqiptarë djegia e makinës ishte aksidentale, ndërsa italianët këmbëngulnin që bëhej fjalë për një vrasje.
Ishte një automjet “Skoda Fabia”, e marrë me qira në Aeroportin e Rinasit, nga biznesmeni italian Davide Pecorelli, në atë kohë 45 vjeç.
Mbetjet kockore të gjetura brenda saj, por dhe sendet personale të Pecorellit, ishin një dëshmi për vdekjen e mundshme të tij. Por nëse ishte aksidentale apo ishte një krim i qëllimshëm, vrasje siç pretendonte pala italiane, kjo mbeti mister për shumë kohë.
Fakti i vetëm, ishte zhdukja e biznesmenit 45-vjeçar, i cili për 8 muaj me radhë nuk dha asnjë shenjë jete.
Derisa në një moment, kur mbeti pa para, të dielën e 12 shtatorit 2021, ai rrezikoi duke kryer një tërheqje nga një bankomat në Romë. Paratë i tërhoqi nga një llogari e përbashkët që kishte me ish-gruan. Ky veprim ishte sinjali i parë që ktheu përmbys hetimet.
Fakti që dikush tërhoqi para nga një bankomat në Romë me kartën bankare të Pecorellit, shtoi dyshimet e hetuesve italianë se ai ishte gjallë. Por pavarësisht dyshimeve, autoritetet nuk kishin rënë në gjurmët e tij, deri të shtunën e 18 shtatorit 2021, kur një incident me varkë zbardhi misterin e zhdukjes së tij.
Një person ka njoftuar Policinë se i kishte ardhur në ndihmë Davide Pecorellit, pasi motori i varkës së tij ishte djegur në ishullin e Montecristos. Ai e ka njohur, pavarësisht ndryshimeve që kishte bërë në pamjen e tij të jashtme.
Siç duket, fotoja e publikuar për muaj me radhë në të gjitha mediat, kishte shërbyer për diçka. Pas kësaj, prokurorët mbërritën në ishull, ku zbuluan se bëhej fjalë për biznesmenin italian që u zhduk në Pukë, më 6 janar 2021. Në anë të rrugës që kalon mes malesh, në fshatin Rrasë, të Gjegjanit, makina e tij u gjet e shkrumbuar nga flakët.
Davide Pecorelli ishte pajisur me dokumente false dhe kishte inskenuar zhdukjen, për arsye që më vonë i rrëfeu sipas mënyrës së tij. Një rrëfim që duket një histori e ngjashme me atë të romanit “Konti i Monte Kristos”, të Aleksandër Dumas.
Ndërsa ai vetë i ngjante personazhit kryesor, Edmond Dantes, që po ashtu kishte një motiv, ndonëse jo burgosjen e padrejtë si ai, por dështimin në biznes për shkak të pandemisë së Covid 19. Madje njësoj si personazhi i Edmondit, pati edhe një prift që e ndihmoi. Pasi inskenoi vrasjen e tij në Shqipëri, ai u rishfaq në mënyrë misterioze në ishullin Montecristo, në kërkim të thesarit të shpikur nga Dumas. Ai e përcakton veten si të guximshëm. Këtu nis dhe historia e tij.
Jeta, vdekja dhe ringjallja e Davide Pecorellit
Historia e ish-sipërmarrësit italian Davide Pecorelli, sot 49 vjeç, është shkëputja aventureske e një njeriu që iu nënshtrua dështimit. Të ngjan me një të sëmurë imagjinar. Ai vdiq dhe më pas u rishfaq në mënyrë misterioze tetë muaj më vonë, ndërsa lundronte me një gomone në ujërat e ishullit Montecristo, në kërkim të një thesari të pakapshëm që, në planet e tij, do t’i siguronte shpëtimin. Megjithatë, çdo gënjeshtër është një maskë dhe sado mirë të jetë bërë maska, me pak vëmendje në fund gjithçka zbulohet. Në fakt, jeta e Pecorellit luan me aforizmin e Aleksandër Dumas, që shkroi një histori të karakterizuar nga groteskja, tragjikja dhe romantikja.
Pika e nisjes qëndron në një fjali, ndoshta nga të paktat, që Pecorelli e shpreh me sinqeritet.
Davide Pecorelli
Thuhet shpesh, apo jo? Fëmijët dhe familja janë gjëja më e rëndësishme. Thuhet… Por për mua nuk ishte në të vërtetë ashtu. Për mua rëndësi kishin paratë, karriera.
Është edhe kjo pjesë e romanit? A është kjo e vërteta? Ajo që vetë Pecorelli tregoi më vonë ishte një histori, e cila për shumë njerëz që kishin lexuar romanin e Dumas, nisën të imagjinojnë një Edmond Dantes të ri, i cili ringrihet dhe kthehet nga viktimë në hero.
Të kuptuarit se ku është vija ndarëse mes përrallës dhe realitetit, shqetësoi në mënyrë të veçantë ata që ishin braktisur dhe ndjeheshin të tradhtuar. Fëmijët, partneren dhe babanë e Davide Pecorellit. Me muaj të tërë ata qëndruan duke pritur për një fjalë, për një shenjë nga një baba, që kërkonte me çdo kusht hakmarrje për atë që i kishte ndodhur.
Në aktin e fundit të historisë, ata e shohin Pecorelin përballë dy karabinierëve në ishullin Montecristo, të cilët e ndalojnë dhe i kërkojnë shpjegime se çfarë bënte atje, ku ishte e ndaluar edhe të afrohej. Ai ndodhej në një varkë me një kazmë në dorë dhe një hartë. Në fillim u thotë se ishte gjeolog. Më pas u tregon të vërtetën e tij. Po kërkonte thesarin e ishullit, që sipas tij e kishte gjetur.
Davide Pecorelli, ishte një sipërmarrës, sot 49-vjeçar, nga San Giustino, një provincë e Perugias. Kishte qenë i martuar për 22 vjet dhe kishte 3 fëmijë nga martesa e tij e parë dhe një tjetër që kishte ardhur në jetë nga lidhja me një vajzë shqiptare nga Vlora.
Një ish-arbitër futbolli nga seksioni “Arezzo”, ai madje bëri dhe një debutim në Seria A. E lë karrierën e arbitrit, me pretendimin se bota e futbollit ishte e kalbur dhe themeloi një ekip futbolli, Longobarda. Skuadra ishte jetëshkurtër, aq sa për të marrë pjesë në “Reality Soccer”, një program televiziv i transmetuar në vitin 2012 në “Rete Sole”, një transmetues lokal.
Pecorelli, shfaqet si një shpirt i shqetësuar, që mishëron shumë personazhe, që në fillim, përpara se gjithçka të fillojë. Ai është shumë i tërhequr, madje edhe i magjepsur nga paratë. Por ndoshta më shumë nga suksesi. Në një moment, për të ndryshon gjithçka dhe vendos të investojë 2 milionë euro në sektorin e bukurisë. Ai gjithashtu lançon një linjë produktesh për flokët, të quajtur “Parrucchieri Milano”. Një kompani që kishte 45 punonjës. Më pas gjithçka ndalon për një muaj në pandemi.
Davide Pecorelli
Unë u ekspozova në banka për rreth 1 milion euro. Më kujtohet dita kur më duhej të pushoja të gjithë punonjësit menjëherë. Ishte e tmerrshme. Njerëzit më thërrisnin të përlotur.
Nuk po gjente asnjë zgjidhje e mbi të gjitha i duhej të merrej edhe me kreditorët. Më pas ai vendos të përpiqet që të shesë produktet e tij në Shqipëri, në Tiranë. Por ishte një tjetër dështim.
Davide Pecorelli
U largova në shtator të vitit 2020. Fillova të studioja gjuhën dhe hapa një zyrë në Vlorë. Por dështova sërish. Megjithatë, unë kam qenë gjithmonë një person vital, por në atë moment isha i sëmurë, isha në depresion. Nuk isha më ai që kisha qenë dikur.
Kështu hapet kapitulli i parë i një serie zgjedhjesh sa aventureske, aq edhe kriminale. Ai e pranon sot, kur thotë se disa muaj pasi historia e tij u zbulua, dikush e pyeti se si do e përkufizonte veten. Dhe ai tha: “I guximshëm”.
Davide Pecorelli
Por a e dini se çfarë do të thotë guxim? Do të thotë të veprosh pa menduar për rreziqet që mund të të dalin rrugës. Vendosa t’i jap fund. Më kapën. Nuk e dija se cili ishte fati im. Shkova te një frat për t’u rrëfyer, në Shkodër, në Shqipëri. Pasi kisha blerë tashmë tubin për t’u lidhur me makinën që kisha marrë me qira. Doja të përdorja monoksid karboni. Ishte 5 janar 2021. Prifti fliste italisht. Kur i thashë për qëllimet e mia, ai mbeti i tronditur.
Por duke ndjekur udhëzimet e priftit që kishte takuar në Shkodër, ai zgjedh një rrugë tjetër. Të nesërmen, me makinën që kishte marrë me qira pranë Aeroportit “Nënë Tereza”, ai shkon në kurrizin e një mali afër Pukës. Aty, të dy, bashkë me priftin, emrin e të cilit ai premton që nuk do e thotë kurrë, inskenojnë vdekjen e Pecorellit.
Davide Pecorelli
Ai solli një grusht eshtra njerëzish. Ishin të pakta. I kishte marrë nga një varr i përbashkët. I hodhi në makinë së bashku me orën time “Jaguar”, që kushtonte mijëra euro dhe iPhone. Aty u dogj gjithçka.
Të nesërmen në mëngjes, Pecorelli nisi një jetë të re, duke kaluar kufirin në Mal të Zi dhe më pas në Bosnje Hercegovinë, ku jetoi për muajt në vijim, në një komunitet katolik pranë Medjugorjes.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare njoftuan autoritetet italiane se biznesmeni Davide Pecorelli ishte zhdukur dhe se në makinën e djegur ishin gjetur sendet e tij personale. Megjithatë, mbetjet njerëzore brenda makinës së djegur nuk ishin identifikuar. Gjithçka ishte vënë në skenë përpikmërisht nga Pecorelli dhe prifti misterioz, për të cilin ai u pyet vazhdimisht nga autoritet, por tha se ai i kishte shpëtuar jetën dhe emrin e tij nuk do e thoshte edhe sikur ta torturonin.
Davide Pecorelli
Isha shumë i sëmurë, nuk e dija se cili ishte fati im. Kam qarë shumë. Kisha humbur 20 kilogramë. Ditët i kaloja duke u lutur, duke pastruar, duke gatuar. Dhe të mendosh se më parë nuk shkoja përtej vezëve të skuqura. Pësova një metamorfozë. Aty mësova kuptimin e vërtetë të jetës.
Gjatë gjithë këtyre muajve ai tregon se ka menduar edhe për fëmijët e tij. Megjithatë thotë se nuk i ndiqte lajmet për veten, me justifikimin se nuk kishte internet.
Por teksa Davide Pecorelli jetonte si “i vdekur”, Prokuroria e Grosseto-s hap një çështje tjetër për të dhe e heton për trafik ndërkombëtar droge. Nisur edhe nga fakti që i gjithë inskenimi kishte ndodhur në rrethinat e Pukës, ku kishte të dhëna se kultivohej kanabis.
Davide Pecorelli
Është qesharake, të mendosh se isha nën hetim për trafik droge. Unë kam qenë ai që kam denoncuar djalin tim në vitin 2019 për pirjen e duhanit.
Por rruga e qetësisë shpirtërore për të zgjati deri në muajin prill, kur ai kishte 3 muaj që rezultonte i “zhdukur”. Ky ishte momenti kur ai ishte gati të kthehej në jetë. Por një bisedë me kryetarin e komunitetit ku po jetonte, në Medjugorje dhe propozimi që ai i bëri, ia ndryshoi mendjen sërish.
Davide Pecorelli
Më shpjegoi se komuniteti ka 60 vjet që mban një sekret. “Ka diçka që është në Itali dhe na përket ne”, më thotë. Dhe më jep disa harta.
Dhe ky moment, njësoj si hartat që abati Faria i jep Edmond Dantes, duket i ngjashëm si tregimet mes faqeve të “Kontit të Monte Kristos”. Duke folur për mediat italiane, ai ka treguar hartat, ku shfaqej ishulli Montecristo dhe shpjegon se aty janë 3 sëndukë, ku fshihet thesari. Ai ka treguar edhe një letër, në të cilën nuk ka një tabelë detare, por në vend të saj, ka një imazh të shkarkuar nga Google, me tri shigjeta që tregojnë po aq limane në ishullin Montecristo: Cala Maestra, Cala Corfù, Cala Fortezza.
Davide Pecorelli
Në secilën prej tyre kishte nga një sënduk. Megjithatë, më duhej të stërvitesha dhe të mësoja të drejtoja një gomone pothuajse 30 milje nga bregu. Çmenduri! Nuk e di pse ma propozuan mua një iniciativë të tillë. Ndoshta isha unë ai që kishte më pak për të humbur. Më thanë të shkoja në Vlorë, ku do të merrja mësime nga një person që njihnin. Marrëveshja ishte 50 për qind e thesarit për ta dhe 50 për qind për mua. E mendova dhe pranova.
Pas këtij momenti Davide Pecorelli “vdes” sërish dhe merr emrin Kristian. Nuk prezantohet më si një sipërmarrës i dështuar, por si një shkrimtar. Me një pamje krejt tjetër. Më i dobët dhe me flokët që i ishin rritur, ai udhëton drejt Vlorës. Të gjithëve që takoi atje, u tha se po punonte për një libër. Do të sillte një roman të ri, një ristilim të “Kontit të Monte Kristos”.
Tregon se e kishte zgjedhur atë vend, për të marrë frymëzim nga ishulli i Sazanit që kishte përballë. Aty, Davide, që tashmë quhej Kristian, i kalon ditët në breg të detit, duke takuar miq të rinj.
Davide Pecorelli
Në mëngjes isha në plazh, pasdite i kaloja orët duke u praktikuar me gomone. Ishin muajt e Kampionatit Europian, kështu që të gjithë së bashku shikonim ndeshjet në ekranet e mëdha. Kështu që takova një gazetar të një televizioni shqiptar. Imagjinoni që ai gjithmonë më pyeste nëse mund të më intervistonte sapo të mbaroja librin tim.
Në Vlorë krijon miqësi edhe me një ish-futbollist të njohur të ekipit të Flamurtarit, Rrapo Taho. Madje ai e kishte ftuar disa herë për të luajtur futboll me të në Igumenicë. Në Vlorë kalon 4 muaj thuajse i shkujdesur, derisa vendos se ishte gati për sfidën.
Ishte data 11 shtator 2021, kur ai niset me autobusin e pelegrinëve që vinin nga Medjugorje dhe kthehet në Itali. Të nesërmen shkoi në Romë, por i duheshin para për misionin.
Davide Pecorelli
Në planet e mia më duhej të shkoja në Porto Santo Stefano, më pas në ishullin Giglio dhe më pas në ishullin Montecristo. Më duheshin 5-6 net për të rikuperuar arkat. Kështu që më duheshin para për hotelin dhe udhëtimin. Më pas vendosa të tërhiqja nga një ATM duke përdorur kartën e regjistruar bashkërisht me partneren time. Dy tërheqje, secila nga 250 euro.
Por tërheqja e parave nga një bankomat do të thotë të kthehesh sërish në jetë. Madje për një njeri që kërkohej nga Policia e dy vendeve ishte një risk shumë i madh. Megjithatë ai ka deklaruar se duhej ta bënte patjetër, pasi i duheshin para. Por teksa tërhiqte paratë, thotë se mbante një maskë, në mënyrë që të mos shquhej mirë nga kamerat.
Më pas mbërrin në Porto Santo Stefano, përballë ishullit Giglio. Aty merr me qira një garazh për tre muaj, me pretendimin se i duhej që të mbante sëndukët pasi të gjente thesarin. Dy ditë më vonë, dy karabinierët e vetëm që ruanin ishullin Montecristo, një zonë e mbrojtur, e mbyllur për akses dhe lundrim brenda një rrezeje prej një kilometri, ndaluan Pecorellin ndërsa ai po ngiste një gomone pranë bregut. Atyre u prezantohet si gjeolog dhe quhej Giuseppe Mundo. Nga ky moment ai nuk ishte më Kristiani. Me vete kishte dhe një kartë identiteti të një personi që i kishte para borxh, të cilës i kishte ndryshuar vetëm fotografinë. Por më pas dorëzohet para pyetjeve të karabinierëve dhe në fund vendos të tregojë gjithçka. U thotë se kishte gjetur thesarin e ishullit Montecristo, midis shkëmbinjve dhe se kishte parë monedhat nga dy arka. Pas këtij momenti, ai kaloi një natë në barakat e vogla të ishullit. Ndërkohë karabinierët kishin kontaktuar Ministrinë e Brendshme.
Garazhi i marrë me qira nga Davide Pecorelli, ngjalli shumë interes për hetuesit sepse nuk u gjet kurrë dhe as Pecorelli nuk deshi të zbulonte vendndodhjen e tij. Çelësi i tij me etiketën “Garage Porto Santo Stefano” u gjet nga Policia në dhomën e hotelit që kishte marrë me qira në ishullin Giglio. Së bashku me të kishte edhe harta të ishullit Montecristo.
Pra, gjithçka dukej si një kopje e romanit të Dumas, “Konti i Monte Kristos”, që Davide Pecorelli kishte nisur ta shkruante në Vlorë. Dukej gjithçka identike, pothuajse sikur kompozon një pikturë, që e detyron imagjinatën të shikojë në atë dhomë: çelësat, hartat, librin. Në gardërobë u gjet edhe një listë me monedha që Pecorelli tha se i kishte gjetur në Cala Fortezza dhe Cala Corfù dhe të cilat, siç deklaroi ai në Prokurori, donte t’ia dorëzonte një eksperti për t’i vlerësuar. Ai kishte po ashtu edhe një inventar të monedhave që pretendonte se kishte gjetur.
Në një letër, të shkruar me shkronja të mëdha: “Cala Corfù cash accounting” dhe “Pesha totale: 246 kg”. Një listë vijon, e renditur në kolona me një seri të gjatë numrash. Dhe kështu me radhë në tri fletë, një për çdo ngarkesë.
Prokuroria e Grosseto-s nisi po ashtu një hetim ndaj Davide Pecorellit për imitim dhe marrjen e mallrave të vjedhura. Sepse kufiri midis romanit dhe të vërtetës nuk ndalet së shtrembëruari. Në vitin 2019, 65 monedha ari që datojnë në shekujt e IV dhe V, në fazën e fundit të Perandorisë Romake Perëndimore dhe në fazën e lindjes së Perandorisë Romake Lindore, u vodhën nga muzeu San Mamiliano në Sovana, pranë Grosseto-s. Thesari i San Mamilianos, me vlerë të madhe historike, u zbulua nga arkeologët në vitin 2004 dhe përbëhej nga 500 monedha. Sipas traditës, San Mamiliano, peshkopi i Palermos dhe kujdestari i monedhave, i mori ato me vete në ishullin e Montecristos, ku vdiq më 19 tetor 460. Përfundoi në tregimet e piratëve, të trashëguar ndër shekuj. Ndërsa studiuesit thonë se thesari është kërkuar gjithmonë në mesin e ishullit, në vendin e gabuar. Në realitet, studiuesit shpjegojnë se 500 monedhat e gjetura në Sovana janë thesari i vërtetë i ishullit Montecristo.
Kështu e insinuoi edhe Davide Pecorelli mes legjendave shekullore dhe, sipas hetuesve italianë, u përpoq të rishiste ato 65 monedha të vjedhura në vitin 2019.
Megjithatë, shumë dyshime mbeten të pazgjidhura. Edhe nëse Pecorelli ishte një mashtrues, siç ka dyshime Prokuroria italiane, mbetet ende mister se çfarë po bënte ai në një gomone në brigjet e Montecristos?
Davide Pecorelli nuk arrin as vetë që t’u japë kuptim 8 muajve të pashpjegueshëm, në të cilët ai arriti fundin deri në vdekje, vetëm për t’u ngritur sërish dhe për të ndryshuar tri jetë dhe për t’u rishfaqur nga askund, në një plazh në anën tjetër të Mesdheut.
Sot ai i përkushtohet familjes së tij, më në fund fëmijëve.
Davide Pecorelli
Unë kaloj shumë kohë me ta. Kur u tregova gjithçka, djemtë më kuptuan, ndërsa vajza ime mori pak më shumë kohë. Nga ana tjetër, partnerja ime vetëm tani ka filluar të rikuperohet nga shoku.
Ai është i vetëdijshëm se në çdo moment dikush mund t’i bie ziles dhe t’i kërkojë llogari për gjithçka që ka ndodhur. Nisur nga Policia shqiptare, e cila po heton për inskenimin e vdekjes së tij në Pukë dhe që tashmë ka kërkuar ekstradimin e tij. Ai thotë se është gati të mbajë përgjegjësi për çfarë ka ndodhur. Madje është gati të bëje burg në Shqipëri.
Në jetën e tij të re, Pecorelli ka gjetur punë si punonjës në sektorin e hotelerisë dhe ka nisur ngritjen e një shoqate. Për t’i dhënë drejtësi historisë së vet, ai e quajti atë Shoqata “Thesari i Montekristo”. Sipas tij, kjo nismë, do të ndihmojë të gjithë ata sipërmarrës që kanë përfunduar në vështirësi ekonomike, njësoj si ai.
Kur gazetarët e pyesin nëse e ka lexuar ndonjëherë romanin e Aleksandër Dumas, ai përgjigjet:
Davide Pecorelli
Jo. Domethënë, vetëm pasi gjithçka ndodhi. Dhe më duhet ta pranoj….
Ekstradimi në Shqipëri, e presin 4 vite burg
Pasi u shpëtua nga karabinierët në afërsi të ishullit të Montecristos, Davide Pecorelli vazhdoi të jetonte i lirë pranë familjes së tij edhe pse jo për shumë kohë.
Më 10 dhjetor të vitit 2022, kur kishin kaluar më shumë se një vit që ai u gjet i gjallë, Policia italiane i vuri prangat, në zbatim të një urdhër arresti ndërkombëtar. Ai kërkohej nga drejtësia shqiptare.
Policia e Shtetit
Finalizohet nga Policia italiane, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, operacioni policor i koduar “Perugia”. Kapet dhe vihet në pranga një shtetas italian, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie nga Gjykata e Pukës, për një sërë veprash penale. Në vijim të bashkëpunimit policor me partnerët italianë, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në Perugia, Policia italiane, në bazë të kërkesave të autoriteteve policore dhe të drejtësisë shqiptare, falë shkëmbimit të informacionit mes policive të të dy vendeve, finalizoi operacionin policor të koduar “Perugia”, në kuadër të të cilit kapi dhe vuri në pranga shtetasin italian Dadive Pecorelli, 47 vjeç. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Ky shtetas, në janar të vitit 2021, inskenoi ngjarjen e vrasjes së tij dhe djegies së trupit.
Mediat italiane, e komentuan arrestimin e tij si një mundësi për të marrë përgjigje rreth një misteri pothuajse 2-vjeçar. Megjithatë arrestimi i Pecorellit ishte provizor me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri. Sipërmarrësi ishte në kërkim me një urdhër arresti ndërkombëtar për krime të kryera në vendin tonë. Prokuroria e Pukës mbylli hetimet në fillim të tetorit të vitit 2022 duke e akuzuar për krime të ndryshme. Mashtrim, përdhosje varresh, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, shkatërrim prone me zjarr në bashkëpunim me bashkëpunëtorë të tjerë, por në fund edhe për kalim të paligjshëm kufiri.
Megjithatë “bashkëpunëtorët e tjerë” të tij nuk u mësuan asnjëherë. As prifti misterioz, që në rrëfimet e të Pecorellit e kishte bindur të mos bënte vetëvrasje dhe i kishte treguar rrugën për të kthyer. Dokumentet e arrestit iu dërguan prokurorit të Përgjithshëm të Perugias, Sergio Sottani, që të kalonte për verifikim në Gjykatën e Apelit. Por dy ditë pasi u arrestua, Gjykata e Apelit, me kërkesë të prokurorit të Përgjithshëm, e liroi nga burgu Davide Pecorellin, madje duke pranuar edhe kërkesën e palës akuzuese që ta shpallte të paligjshëm arrestimin.
Por nga ana tjetër, në Shqipëri hetimet për të vazhduan dhe dosja u dërgua për gjykim, fillimisht në Gjykatën e Pukës e më pas në atë të Shkodrës. Më 3 prill të vitit 2024 Gjykata e Shkodrës shpalli vendimin, duke e dënuar me 4 vite burg italianin që inskenoi vdekjen e tij. Në gjyqin që u zhvillua në mungesë të tij, Pecorelli ka qenë i përfaqësuar nga dy avokatët, Andrea Castori dhe Massimo Brazzi. Prokurori i çështjes ka kërkuar 12 vite burg, ndërkohë që gjyqtari i Shkodrës, Arbër Çela i ka dhënë 6 vite, që duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi përfundimtar i shkoi në 4 vite burgim, që sipas gjyqtarit mund të pezullohet me kusht ose të shndërrohet në punë të dobishme në komunitet.
Ndërkohë që për ekstradimin e tij, seanca dëgjimore para Gjykatës së Apelit të Perugias për të vendosur mbi kërkesën ishte caktuar për 28 maj të vitit 2024. Nga ana tjetër, vetë Davide Pecorelli ishte shprehur se shumë shpejt do të kthehej në Shqipëri për të qartësuar historinë që ai vetë inskenoi.
Por një vendim i ministrit të Drejtësisë italiane, Carlo Nordio, i dha dritën jeshile ekstradimit të tij në Shqipëri. Më 31 mars, Ministria vendosi që Davide Pecorelli t’i dorëzohet autoriteteve shqiptare për të vuajtur dënimin e dhënë ndaj tij në mungesë.
Davide Pecorelli
Vendimi i ministrit më befason. E pranoj, por jam seriozisht i shqetësuar për katër fëmijët e mi, dy prej të cilëve janë të mitur, babai im 90-vjeçar dhe vëllai im 60-vjeçar, të dy me aftësi të kufizuara. Vendimi i ministrit mu duk i padrejtë. Po mendoj të mos apeloj në TAR të Lacios, duke qenë se probabiliteti që unë të fitoj është i ulët. Me mirë le të shkoj në Shqipëri dhe ta mbyll këtë histori që ndryshoi të gjithë jetën time. Nuk kam frikë nga burgu. Jam gati të mbaj përgjegjësitë e mia. Por dua të paguaj për ato që kam bërë, jo për ato që s’i kam bërë. Jam duke pritur datën që ka përcaktuar Ministria. Ditën kur unë do të shkoj në aeroport dhe Policia shqiptare do vijë të më marrë. Duke qenë se jam një person në kërkim nga Shqipëria, fillimisht do të mbahem në një burg në Tiranë dhe më pas, pas 48 orësh do të merret një vendim nga Gjykata.
Por pavarësisht nga të gjitha këto, jeta e Pecorellit ndërkohë ka marrë një kthesë tjetër. Nga dhjetori i vitit 2023 ai është martuar me një shtetase shqiptare, me të cilën ka edhe një djalë, që është qytetar shqiptar. Ndërsa edhe vetë kërkon që të marrë nënshtetësinë shqiptare. Por së pari duhet të zgjidhet detaji i dënimit me 4 vite, që mesa duket mund të dalë në dritë pas ekstradimit të tij. Edhe pse pak gjasa ka që ai tregojë emrat e atyre që e ndihmuan. “Libri” që ai shkroi mund të prodhojë ende episode të tjera. Madje ai vetë pati premtuar që do të bënte një film për aventurat që kaloi nga koha e pandemisë e deri më sot. Megjithatë gjithçka është një cikël që mbyllet dhe, edhe “filmi” i tij në një moment do të ketë një fund./abcnews.al