Publikimi i listave të kandidatëve për deputet për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, është shoqëruar me pakënaqësira tek të dy kampet politike, por ndërsa tek PD-ja po bëhet e hapur dhe publike, në PS duket se si gjithmonë po kalon në heshtje, pavarësisht se aty duket se janë më të forta.
Por, duket se aq në heshtje nuk po kalon në Korçë, ku janë rindezur sërish përplasjet mes klaneve brenda socialistëve, njësoj si para zgjedhjeve lokale të vitit 2023.
Dy vite më parë, besimi i Edi Ramës tek Niko Peleshi dukej i lëkundur dhe kjo gjë ngjalli dhe zërat e parë kundër tij në qytetin juglindor, ku ka “monopolin” e partisë.
Zërat në atë kohë ishin se Edi Rama nuk do ta rikandidonte për një tjetër mandat në krye të Bashkisë të besuarin e Niko Peleshit, Sotiraq Filo dhe dy emrat që u përfolën ishte prefekti i Qarkut, Nertil Jole dhe ish-deputeti dhe ish-prefekti Ardit Konomi.
Flitej për një “luftë të egër” mes klaneve të tre kandidatëve të mësipërm, por në fund Niko Peleshi rifitoi sërish besimin e shefit dhe Korça vazhdoi të mbetet një “çiflig” i tij.
U duk se “kushti” i vendosur nga Rama që besimi i tij tek Peleshi të vazhdonte ishte fitorja në Bashkinë e Devollit, i njohur si një bastion i të djathtës dhe ish-ministri ia arriti qëllimit, pavarësisht akuzave për zgjedhjet.
Dy vite më vonë, si drejtues politik i Qarkut, Niko Peleshi kishte në dorë të bënte listën e kandidatëve për deputet për legjislaturën e ardhshme të Kuvendit dhe Nertil Jole, pasi nuk arriti dot të merrte Bashkinë, synonte që të futej në Kuvend, pavarësisht raporteve jo të mira me Niko Peleshin.
Në listat paraprake të dala në media figuronte dhe emri i tij, por kur lista u zyrtarizua, emri i tij nuk gjendej askund. Pas Peleshit të parit, lista vazhdonte me një emër të importuar nga Tirana, si Romina Kuko, e cila pavarësisht se është lindur dhe rritur në Korçë, karrierën politike e ka ndërtuar në kryeqytet, aty ku ishte dhe anëtare e Këshillit Bashkiak.
Lista e sigurtë mbyllej me emrin e të riut Genti Lakollari, i cili është kryertar i degës së PS-së në Devoll dhe nënkryetar i Bashkisë. Ndërkohë, lista e hapur vazhdonte me rikandidimin e Enslemvera Zakes dhe Ilir Pendavinjit, të cilët pavarësisht se janë deputet, nuk është se kanë ndonjë peshë të madhe në juglindje.
Më pas lista vazhdonte dhe me emra të tjerë, ku disa prej tyre nuk i njihte as “Google”, deri sa i kandidoi Niko Peleshi për deputet, teksa ka dhe nga ata që ishin në listë dhe në vitin 2021.
Burime bëjnë me dije se Rama dhe Peleshi i kishin kërkuar për të kandiduar për deputet dhe kryetarit të Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiut, i cili njihet si “Pashai” për shkak të viteve të gjata që ka si kryebashkiak, por negociata me të dështuan shpejt, pasi ai kërkoi që të garonte në listën e mbyllur.
Ndërkohë, Nertil Jole, pasi nuk e pa emrin në listën e kandidatëve, nuk nguroi që të reagonte menjëherë në rrjetet sociale, ku indirekt përcillte mesazhin se atë e donin qytetarët për deputet, por nuk e donte partia.
“Me mirënjohje të thellë falënderoj çdo mik, bashkëpunëtor, qytetar, socialist dhe jo vetëm, për vlerësimin në mesazhet dhe telefonatat e orëve të fundit, që më bënë të kuptoj se më kishin menduar mes përfaqësuesve të mundshëm. Pavarësisht se nuk jam pjesë e listës për arsye që nuk varen nga unë, angazhimi im për qytetin dhe qarkun tonë mbetet i palëkundur. Politika nuk është vetëm një mandat, por mbi të gjitha një përgjegjësi për t’ju përfaqësuar me ndershmëri dhe përkushtim.” – shkruante Jole.
Ky reagim i Nertil Joles nuk ka asjellë asnjë reagim nga kampi i Niko Peleshit, por nga Ardit Konomi. Ky i fundit, statusin e prefektit të Qarkut, e ka konsideruar si një “qurravitje”, teksa më tej, indirekt me pyetje retorike, thotë se Nertil Jole nuk ka bërë asgjë për Korçën dhe për të qenë deputet nuk mjafton vetëm të jesh djalë i mirë.
“Lexova tani një postim të djeshëm të Prefektit Jole, që troç ishte një qurravitje për faktin që nuk e futën në listën e kandidatëve për deputet. Natyrisht që nuk e pëlqeva por u bëra mjaftueshëm kureshtar për të lexuar komentet. Sidomos disa të miqve dhe të të afërmëve të tij (që dinë për çfarë flasin) që për këtë padrejtësi akuzonin ose të madhin në Tiranë ose nën-të-madhin në Korçë. Tani kam një pyetje retorike por gjithashtu të hapur; çfarë ka bërë Jole për Korçën që ta shoh edhe unë si gjëmë moskandidimin e tij? Se nëse flasim për djalë të mirë e të sjellshëm e të edukuar, unë ndaj të njëjtin mendim. Por këtu po flasim për personazhe publike dhe politike dhe jo individë dhe pikërisht kjo na jep edhe të drejtën t’i përmendim me emër. Po flasim për meritë e kontribut publik dhe kjo më jep të drejtën t’i analizoj.” – shkruan Konomi.
Në postimin e tij më tej, Ardit Konomi e mbështet Niko Peleshin për faktin se e ka lënë Nertil Jolen jashtë liste, por nuk lë “mangët” as akuzat ndaj numrit 1 të PS-së në Korçë, duke e konsideruar si problemin më të madh të qytetit dhe thekson se ai për vete do të vazhdojë ta “luftojë”.
“Sepse nga ana tjetër, i akuzuari Peleshi që nuk e ka futur Jolen në listë, ka një mal me merita pavarësisht se ka edhe një hon me mëkate. Garën për djalë më të mirë nuk e di se kush e fiton dhe djem të mirë unë njoh me qindra. Ato janë llogari që njeriu i ka me veten. Ama si politikanë të kësaj lloj konjukture, Peleshi ndoshta është edhe sot e kësaj dite, më i afti që ka parë ky qytet. Dhe si i tillë ruan të drejtën të imponojë edhe vullnetin e tij brenda grupit politik që përfaqëson. Nëse nuk i’u pëlqen atëhere mos e mbështesni. Kaq. Jole dhe shumë të tjerë me po të njëjtat ambicie, duhet ta kuptojnë që politika nuk funksionon as me simpati e as me empati, funksionon me aftësi. Peleshi e ka këtë dhe edhe unë po të isha në vend të Ramës, do të veproja po njësoj. Atij do t’ia lija në dorë besimin dhe listën. Çezarit ç’i takon Çezarit. Se flas për mënyrën se si duhet të mendojmë e të veprojmë, në rast se duam të bëhemi më mirë e më të mirë. Peleshi për mua sot është problemi më i madh që ka Korça dhe PS, ama nëse Korça dhe PS nuk mendon si unë, atëhere ta gëzojmë. Unë jo, se unë për vete kam ndërmend ta luftoj.” – shkruan Konomi.
Postimit të Ardit Konomit i është përgjigjur Nertil Jole, i cili i kërkon që të tërheqë fjalën “qurravitje”, pasi sipas tij, i ka keqkuptuar statusin.
Jole e konsideron si një tendecë të Ardit Konomit, postimin e këtij të fundit, për ta tërhequr në një debat të stisur, dhe sipas tij, statusi ka qenë i mirëmenduar nga ana e ish-deputetit, pavarësisht se e konsideron si “të nxituar”. Pavarësisht raporteve jo të mira me Peleshin, ai thotë se do të vazhdojë të punojë për fitoren e PS-së në zgjedhjet e 11 Majit, ndryshe nga Ardit Konomi.
“Lexova një reagim tuajin “shpejt e shpejt”… nga kodrat e qytetit, siç shkruani, dhe e shoh të nevojshme t’ju këshilloj të rilexoni postimin tim të cilit i referoheni, sikurse ju kërkoj të tërhiqni termin “qurravitje”, dhe ta përdorni, ndoshta kur të flisni për veten tuaj. Refuzoj me shpërfillje tendencën për të më tërhequr në një debat të stisur jashtë përmbajtjes së postimit tim. Këtë duket e kanë kuptuar më së miri edhe komentuesit tuaj në rrjet. Postimi im hapet dhe mbyllet me urimin për përfaqësuesit e PS-së së qarkut dhe suksesin në zgjedhje, që duket nuk ju intereson. Sigurisht, shprehja e sinqertë e mirënjohjes për vlerësimin, mund të mos jetë cilësi e pëlqyer nga ju, por unë e bëj me përulësi për shokë, miq e dashamirës që më drejtohen. Ndërkaq ndotja që tentoni t’i bëni çdo reagimi njerëzor e normal, ngado që vjen si koment, është për mua një reminishencë e neveritshme. Tani një sqarim për dashakeqësinë e fshehur në rreshtat e “nxituara”, por të mirëmenduara.” – shkruan Nertil Jole.
E duket se kjo “rindezje” e përplasjeve mes emrave të mësipërm në Partinë Socialiste të Korçës nuk është pa qëllim. Synimi është viti 2027, kur do të mbahen sërish zgjedhjet lokale dhe Sotiraq Filo nuk e ka të drejtën për të rikandiduar. Me sa duket, as Nertil Jole dhe as Ardit Konomi, nuk kanë “hequr dorë” nga kandidimi për postin e kryebashkiakut. Me statusin e tij, dukej se Ardit Konomi synonte të gosite njëkohlsisht edhe Niko Pelshin edhe prefektin Jole.
Gjithsesi, deri në vitin 2027 duhen dhe 2 vite të tjer dhe shumë gjëra deri në atë kohë mund të ndryshojnë. Mbetet për t’u parë nëse Edi Rama do t’i japë sërish besimin Niko Peleshit për të vendosur një tjetër të besuar të tij në Bashki apo do të kandidojë një mes dy emrave të mësipërm./Boldnews.al