Ndryshimet klimatike po rrisin ndjeshëm rastet e astmës, sëmundjet kardiovaskulare dhe infeksionet në Shqipëri. Qindra vdekje shtesë priten çdo vit nëse nuk merren masa urgjente. Megjithëse strategjitë ekzistojnë, financimi për shëndetësinë mbetet i ulët dhe masat e zbatimit të ngadalta. Ndërkohë, grupet më të rrezikuara si të moshuarit dhe fëmijët po përballen me pasoja të rënda në shëndet.
Prej 21 vitesh, Lumturi Hysenllari vuan nga astma bronkiale por pesë vitet e fundit jetesa në Tiranë e ka përkeqësuar ndjeshëm shëndetin e saj.
“Në Tiranë të zihet fryma në çdo stinë. Krahas pompës dhe ilaçeve, tani që hyn pranvera unë kam të domosdoshme të bëj gjilpëra që nuk janë me rimbursim. I blej dhe i bëj vetë”, rrëfen ajo.

67-vjeçarja fle me dritare të hapur edhe gjatë dimrit, ndërsa i nxehti përvëlues i verës e detyron të zhvendoset në Pogradec ose Voskopojë.
“Jam e detyruar të shkoj në një vend të freskët me ajër të pastër. Këtu e kam të pamundur, nuk ia dal dot”, thotë ajo.
Historia e Lumes është vetëm një nga mijëra shembuj që na tregojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin tonë.
Prevalenca e astmës është rritur me 5% çdo vit në Shqipëri dhe ndryshimet klimatike pritet ta përkeqësojnë edhe më shumë situatën. Deri në vitin 2031, parashikohet të ketë 800-1200 raste të reja të astmës vetëm në pellgun e Vjosës, krahasuar me vitin 2019. Qarku i Vlorës konsiderohet më i rrezikuari, me gratë që priten të jenë më të prekura.
Përveç astmës, ndryshimet klimatike pritet të rrisin edhe incidencën e sëmundjeve të tjera, si ato kardiovaskulare, sëmundjet kronike të mushkërive dhe infeksionet e lidhura me temperaturat e larta dhe ndotjen e ajrit. Rritja e valëve të të nxehtit, përkeqësimi i cilësisë së ajrit dhe përhapja e vektorëve infektivë po krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e këtyre sëmundjeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës.
Vdekjet
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se, nëse nuk merren masa për të reduktuar ngrohjen globale, deri në vitin 2030 rreth 250,000 persona do të vdesin çdo vit si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Shqipëria nuk bën përjashtim. Instituti i Shëndetit Publik vlerëson se valët e të nxehtit mund të jenë përgjegjëse për qindra vdekje shtesë në vendin tonë.
“Gjatë dy valëve të të nxehtit të marra në analizë para pandemisë, u vërejt një rritje e riskut për vdekje nga 9%-36% për disa sëmundje kardiovaskulare, sidomos insuficiencën kardiake dhe goditjen cerebrale”, informon ISHP.
Doktor Alban Ylli shpjegon se si ngrohja globale ndikon drejtpërdrejt tek sëmundjet e zemrës.
“Gjatë valëve të të nxehtit, organizmi i disa personave me probleme kardiovaskulare është i kompensuar në limite. Rritja e temperaturave e bën më të vështirë balancimin e trupit dhe mund të çojë në vdekje të parakohshme”, shpjegon ai.
Instituti i Shëndetit Publik vlerëson se valët e të nxehtit do të jenë përgjegjëse për qindra vdekje shtesë në vendin tonë.
“Nëse Shqipëria do të kishte disa valë të nxehti çdo vit, siç pritet në të ardhmen e afërt, me gjasë ne mund të kemi deri në 400 vdekje shtesë (nga 22 mijë vdekje që kemi çdo vit në Shqipëri) 400 t’i atribuohen vetëm valës së të nxehtit”, thotë doktor Alban Ylli nga Instituti i Shëndetit Publik.
Fakti që valët e të nxehtit janë shtuar dhe zgjatur në kohë, duhet të shërbejë si këmbanë alarmi se bota po shkon drejt skenarit ekstrem më shpejt nga sa pritej- thekson doktor Alban Ylli.
“Dy vitet e fundit valët e të nxehtit nuk janë më nga 8 ditë, por kanë zgjatur me dy javë, temperatura që janë mbi normalen e pritshme me 3-5 gradë”
Probleme të tjera që pritet të përkeqësohen përfshijnë hipertensionin, obezitetin, kequshqyerjen, alergjitë, deri tek çrregullimet mendore si depresioni.
“Përditë e më shumë sillen prova për ndikimin negativ që ndryshimet klimatike kanë në kushtet e jetesës, duke rritur rreziqet shëndetësore si sëmundjet respiratore, sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet infektive,” shton Alma Lahe, manaxhere projektesh pranë organizatës ‘Together for life’.
Sëmundjet e së shkuarës
Fëmijët janë një tjetër grup vulnerabël ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike në shëndet. Kryesisht me sëmundjet infektive të cilat autoritetet deri dje i kanë cilësuar si të zhdukura.
“Mund të keni dëgjuar për ethet e Nilit, një sëmundje tropikale që tashmë është shfaqur në Shqipëri. Po ashtu, mushkonja tigër është bërë endemike në vendin tonë dhe ka diskutime për rrezikun e rikthimit të malaries. Pra, sëmundje që dikur përmendeshin vetëm si problematikë e rajoneve tropikale, tani mund të bëhen të zakonshme edhe në Shqipëri”, thotë doktor Alban Ylli.
Ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithashtu në përhapjen e sëmundjeve gastrointestinale. Sipas llogaritjeve, për çdo rritje prej 1°C të temperaturës së verës, priten rreth 600 raste të reja të sëmundjeve diarreike për çdo 100,000 fëmijë. Në një skenar të rritjes me 1.5°C, kjo nënkupton rreth 4,800 raste shtesë çdo vit.
“Gastroenteritet, të cilat dikur konsideroheshin si një problem i së shkuarës, po rikthehen me një tendencë në rritje, dhe pritet të bëhen një shqetësim gjithnjë e më i madh”, paralajmëron doktor Alban Ylli.
Përballë këtyre sfidave, ekspertët e shëndetit publik thonë se është thelbësore që sistemi shëndetësor dhe institucionet përgjegjëse të jenë më të përgatitura për të mbrojtur grupet më të rrezikuara.
“Është thelbësore që sistemet shëndetësore të krijojnë databaza dhe regjistra për të identifikuar grupet më të rrezikuara dhe të hartojnë plane të emergjencës. Në rastet e fatkeqësive natyrore – si valët e të nxehtit, zjarret apo përmbytjet – këto grupe janë më të ekspozuara ndaj rreziqeve që ndikojnë drejtpërdrejt cilësinë e jetës së tyre,” sugjeron doktor Ylli.
Financimi i ulët në shëndetësi
Ministria e shëndetësisë i tha Faktoje.al se ka miratuar një sërë dokumente strategjike që adresojnë rreziqet mjedisore dhe emergjencat shëndetësore.
Edhe Instituti i shëndetit publik thotë se shqetësimet lidhur me ndryshimet klimatike janë reflektuar në një sërë strategjish, politikash dhe ndërhyrjesh për forcimin e sistemit shëndetësor ku përfshihen;
- Fuqizimi i sistemit të urgjencave mjekësore në të gjithë nivelet e sistemit për të përballuar valët e të nxehtit dhe emergjencat nga moti ekstrem,
- Fuqizimi i sistemeve të survejancës epidemiologjike për sëmundjet infektive,
- Koordinimi më i mirë me strukturat e tjera në kushtet e emergjencave mjedisore
- Rritja e ndërgjegjësimit të profesionistëve dhe publikut, si dhe rritja e eficiencës energjitike të infrastruktures shëndetesore
Megjithëse janë bërë hapa përpara në sistemin shëndetësor dhe strategjitë kombëtare parashikojnë përmirësime të mëtejshme, sfidat mbeten të shumta.
“Një element i rëndësishëm është sistemi i regjistrimi dhe i survejancës së sëmundjeve. Do të ishte mirë të dinim se çfarë ndodh. Aktualisht ne nuk kemi sisteme të mira që monitorojnë emergjencat. Nuk ka sisteme epidemiologjike për ta bërë sistemin më të aftë për të reaguar” thotë Alban Ylli nga ISHP.
Pra, pavarësisht strategjive dhe planeve të hartuara ndër vite ritmi i zbatimit të politikave shëndetësore për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike mbetet i ngadaltë. Dhe mungesa e buxhetit është pengesa kryesore.
“Buxheti për shëndetësinë ka qënë 18% më i ulët nga parashikimet e bëra në strategjinë 2021-2030. Edhe po t’i referohemi buxhetit faktik, çdo vit ka ulje. Jemi vendi i fundit në rajon”, argumenton Alma Lahe nga Together for Life .
Ndryshe nga sa parashikohet në letra, financimi për shëndetësinë rezulton të jetë ndjeshëm më i ulët në realitet.
“Është koha, madje është vonë, që institucionet përgjegjëse në Shqipëri, deri tani krejt apatike, të veprojnë urgjentisht duke marrë masa konkrete për të forcuar sistemin e shëndetit publik dhe në mënyrë të veçantë duke hartuar dhe zbatuar politika që ofrojnë mbrojtje për grupet e rrezikuara,” përfundon Lahe.
Edhe për vitet në vijim, buxheti për shëndetësinë vijon të planifikohet në nivele të ulëta. Të dhënat e përpunuara nga Faktoje.al tregojnë se në buxhetin paraprak të vitit të ardhshëm financimet për shëndetësinë do të ulen me 1.15 miliardë lekë krahasuar me këtë vit.
Kujdesi Parësor do të ketë 19% më pak fonde gjatë vitit 2026, krahasuar me këtë vit. Edhe shërbimet e Shëndetit Publik do të përballen me reduktim të fondeve (274 milionë lekë më pak).
“Uljet më të mëdha vijnë në shpenzimet korente. Kjo lë vend për dyshime të uljes së numrit të punonjësve të qendrave shëndetësore ose reduktimit të tyre më tej”, arsyeton Ilir Brasha, ekspert për ekonominë dhe financat.
Ekspertët bien dakord se investimet në teknologji, infrastrukturë dhe ndërgjegjësimin e publikut janë të domosdoshme për të garantuar një shëndetësi më të fortë e më të qëndrueshme për të ardhmen.
/Faktoje.al