Banorët e fshatit Tragjas në Vlorë kanë dalë sërish këtë të martë në protestë, ku kundërshtojnë projektin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve për marrjen e burimeve të ujit të fshatit për të furnizuar resortet në bregdetin e Dhërmiut.
Ata janë përpjekur të ndalojnë punimet dhe kjo ka sjellë edhe përplasje verbale dhe fizike me efektivët e Policisë, të cilët kanë qenë të shumtë në numër. Ata kërkojnë që uji nga lumi Izvor të mbetet në shërbim të komunitetit, pasi pretendojne se dhe në baneasat e tyre e kanë ujin me orar.
Po ashtu përplasje ka patur edhe me IMT-në, e cila ka shkuar për të prishur disa godina që preken nga projekti.
“Nuk i kemi lejuar dhe nuk do të lejojmë që mjetet e rënda të punojnë për të shtruar tubacioniet për marrjen e ujit. Do ta ndjekim çështjen nga ana ligjore dhe burrërore” – tha një prej banorëve.
Banorët e Tragjasit pretendojnë se kishin shkuar për një takim sqarues, por aty janë përballur me forcat e shumta të Policisë dhe IMT-në.
Ata kanë protestuar prej kohësh për këtë çështje dhe kërkojnë një reagim nga institucionet shtetërore, por deri më tani kanë marrë injorim dhe arrogancë.
Javën e kaluar ata protestën e zhvendosën në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku hodhën akuza edhe ndaj kryebashkiakut Ermal Dredha, por e vetmja përgjigje që morën ishte prej një këshilltareje socialiste, e cila me arrogancë iu kërkoi që të mos bërtisnin, pasi sipas saj, nuk do i linte njeri pa ujë.
Për këtë çështje deri më tani nuk ka patur asnjë reagim edhe nga opozita, duke mos dalë në mbështetje të banorëve.
Banorët e Tragjasit kanë nisur nënshkrimin e një peticion drejtuar Ministres së Mjedisit dhe Kryeministrit, ku kërkojnë të ndalohen punimet për marrjen e ujit nga burimi dhe po kërkojnë investime për zhvillimin e fshatit.
Po iu merret uji për t’ua çuar “strategjikëve” në Dhërmi, banorët e Tragjasit dalin në protestë