Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit kanë realizuar një tjetër operacion të gjerë ku janë goditur disa grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës.
Gjatë operacionit, janë lëshuar rreth 10 masa sigurie të firmosura nga GJKKO, pas kërkesës së SPAK. Operacioni ka prekur disa qytete të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Kukësin, Fierin, Vlorën, Gjirokastrën dhe Sarandën.
Sipas burimeve, 4 nga masat e sigurisë janë për oficerë të policisë. Janë arrestuar 3 efektivë policie, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim. Një prej të arrestuarve është Shkëlzen Ruska, shef i krimeve në Himarë, i cili akuzohet për kultivim kanabisi, pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar, shpërdorim detyre dhe veprime të tjera të kryera nga organizata kriminale.
Po ashtu, është arrestuar edhe Ervis Alisinanaj, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, i cili përballet me akuzat e të njëjtave vepra penale, si dhe për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë publikë.
Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dervishi, është shpallur në kërkim dhe akuzohet për “trafikim narkotikësh”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shpërdorim detyre”.
Erdit Hazizaj është i katërti person i arrestuar, i cili ishte larguar nga policia në vitin 2022. Ai akuzohet për trafik droge, kultivim bimësh narkotike, dhe përfshirje në grupe kriminale.
Hetimet e SPAK kanë nisur prej kohësh për këta efektivë, pasi janë zbuluar lidhjet e tyre me bandat kriminale nëpërmjet aplikacioneve të koduara si Sky Ecc, ku rezulton se ata ishin të përfshirë në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikët dhe më gjerë.
U arrestua sot, shefi i krimeve në Lushnje Ervis Alisinanaj akuzohet për disa vepra penale
Është publikuar fotoja e shefit të Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Ervis Alisinanaj, një prej të arrestuarve nga operacioni i SPAK dhe policisë së shtetit.
Ai akuzohet për kultivim kanabisi, grup i strukturuar kriminal, shpërdorim detyre dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
Ndaj tij rëndon akuza e ushtrimit i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Alisinanaj u shkarkua në vitin 2022 nga Drejtori i Policisë së Shtetit të asaj kohe Gledis Nano, pas ngjarjes tragjike, ku polici Arjan Tase përplasi për vdekje një 7-vjeçare në plazhin e Potamit në Himarë.
U arrestua pasi akuzohet për kultivim kanabisi, ja kush është shefi i krimeve në Himarë
Pas një operacioni të SPAK me Policinë dhe AMP, 4 masa sigurie janë për oficerë të policisë. Konkretisht janë arrestuar 3 efektivë policie, ndërsa njëri është shpallur në kërkim.
Në pranga ka rënë Shkëlzen Ruska, me detyrë shef krimesh në Himarë.
Ruska dyshohet pas hetimeve si i përfshirë në grup kriminal, teksa akuzohet për kultivim kanabisi, grup i strukturuar kriminal, shpërdorim detyre dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
Aksioni i SPAK, arrestohet ish-kandidati për kryebashkiak Erdit Hazizaj
Detaje të reja janë mësuar nga aksioni i SPAK, ku 3 punonjës policie ranë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se janë përfshirë në grupet kriminale të trafikut të drogës.
Ndër personat e arrestuar është edhe Erdit Hazizaj, i cili është larguar nga policia e shtetit në vitin 2022.
Hazizaj ishte kandidati i opozitës për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, ku garoi për postin e kryebashkiakut të Roskovecit.
Ndërsa tashmë SPAK e akuzon për trafik droge, kultivim bimësh narkotike, dhe përfshirje në grupe kriminale.
U emërua në 2024, ku është shefi Policisë Kufitare në Sarandë që u shpall në kërkim
SPAK në bashkëpunim me AMP dhe Policinë e Shtetit, ka nisur një aksion për goditjen e grupeve kriminale që merren me trafikun e drogës.
Një prej efektivëve të shpallur në kërkim Elvis Dervishi.
Dervishi aktualisht në postin e shefit të Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë akuzohet nga SPAK për “trafikimi i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.
Po kush është Elvis Dervishi?
Elvis Dervishi mban aktualisht postin e Shefit të Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë. Dervishi është emëruar në këtë post më 18 Gusht të vitit 2024, nga disa ndryshime të bëra asokohe në Policinë e Shtetit.
Para se të emërohej në këtë post Dervishi ka qënë Kryekomisar. Dervishi, me një eksperiencë të gjatë në sektorët e policisë kufitare, është transferuar në Sarandë pas detyrës së mëparshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Elvis Dervishi zëvendësoi në detyrën e shefit Fadil Velin, i cili u emëruar Shef i Sektorit të Kufirit në Drejtorinë e Policisë për Kufirin dhe Migracionin në Gjirokastër.
Lexo edhe:
SPAK aksion me Policinë dhe AMP, raportohet për disa të arrestuar