Emisioni “Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së hënës prishjen e ish-Kinema Dajtit në Tiranë, ku në vend të godinës 2-katëshe do të ndërtohet një 5-katësh.
Banorët e dy pallateve, ngjitur me godinën historike, u ankuan në redaksinë e emisionit se prishja e godinës 2-katëshe, në mes të dy pallateve dhe që lidh pikërisht këto godina, rrezikon edhe themelet e pallateve të tyre.
Një nga banoret e pallatit që u ankua në Fiks Fare është Sofie Çela, një inxhiniere ndërtimi me profesion. Ajo thotë se pallatet te rruga “Myslym Shyri” në Tiranë janë bërë në vitet ’70 dhe janë 5 të tillë që kanë lidhje me njëri-tjetrin. Sipas saj, ndërtimi është bërë në formën e mozaikut, pasi strukturat 2-katëshe shërbejnë edhe si lidhje e godinave.
“Tani vijnë këta dhe bëjnë projekte për ta bërë këtë 2-katëshin në 5-katësh. Do e prishin këtë ish kinemanë ‘Dajti’ për ta bërë një godinë të stërmadhe. Por a bënë projekt? Ne kemi 2 vjet luftë dhe s’na kanë sjellë asnjë projekt apo leje ndërtimi. Si mund ta prishin kur s’e dinë se çfarë do prishin? Këto kanë lidhje me pallatin dhe ne familjet rrezikojmë shumë. Kush do mbajë përgjegjësinë?” thotë një banore.
Ndërkohë, një tjetër banore thotë se punon te një kompani sigurimi dhe tani asnjë firmë nuk i siguron, pasi pallatet cilësohen të rrezikshëm. Të tjerë shtojnë se aty nuk lejohet ndërtimi dhe ka ballkone e dritare. “Nuk është kallkan. Ne na ikën e gjithë drita me këtë projekt që kanë bërë këta” thotë një tjetër.
Pas ankesës, Fiksi shkoi disa ditë më pas, ku ne tarracën e ish kinema “Dajti” grupi i xhirimit gjeti disa punëtorë. Ata thanë se janë të firmës “Pepa” dhe se kanë fituar një tender. Fiksi i pyet nëse kanë ndonjë projekt se çfarë do të prishin, teksa punonjësit thonë “jo, jemi të gjithë punëtorë të thjeshtë”. Sipas tyre, është dita e dytë që shkojnë dhe u kanë thënë të prishin disa trarë. Fiksi i pyet se godina që po prishin mund të ketë lidhje me pallatet, teksa ata thanë se “s’e dimë”.
Fiksi telefonon inxhinierin e firmës “Pepa”, i cili thotë se “nuk kanë një plan prishje”. Gazetarët e pyesin se çfarë dokumentesh ka firma, teksa ai përgjigjet se “dokumentet e ndërtimit”. E pyesim nëse godina ka lidhje me pallatin, dhe ai përgjigjet se “duke prishur e duke parë”. Fiksi i kërkon dokumentet dhe ai përgjigjet se do të vijë në kantier.
Disa minuta më pas, në godinën që po prishet vjen inxhinieri dhe nuk pranon të japë intervistë. Ai ndryshon deklaratë he thotë se ka plan prishje. Fiksi i kërkon dokumentet dhe ai përgjigjet se “s’jam i autorizuar t’ua jap”.
Një nga banorët telefonon policinë, e cila pasi merr të dhënat dërgon një patrullë. Punonjësit e policisë pohojnë se do të verifikojnë pretendimet e banorëve dhe të firmës. “Do te vijnë inspektoratet dhe inspektori i zonës. Do të verifikohen të gjitha” pohojnë ata. Me pas, banorët dhe përfaqësuesit e firmës shkojnë në Komisariatin e Policisë nr.2 në Tiranë për të verifikuar dokumentacionin.
Bisedë mes gazetarit dhe 4 punëtorëve
Gazetari – Ju jeni të firmës?
Punëtori – Po.
Gazetari – Po ndonjë përgjegjës, keni ndonjë përgjegjës?
Punëtori – Inxhinieri.
Gazetari – Inxhinieri, kush është?!
Punëtori – (Ngre supet)
Gazetari – S’është këtu?!
Punëtori – Jo.
Gazetari – Po si punoni pa inxhinierin! A keni ndonjë plan për të ndërhyrë?
Punëtori – Jo …
Gazetari – Plan?
Punëtori 2 – Nga këtu e këtej!
Gazetari – Po pra, po ajo do plan do ndonjë skicë! Do plan prishje se është i lidhur.
Punëtori 2 – Poshtë është tabela.
Gazetari – Tabela është për punime, po jo për prishje. Ça po prishni?
Punëtori 2 – Ne na kanë sjellë, punëtorë …
Gazetari – Kush ju ka thënë?
Punëtori 2 – Ata të firmës “PEPA”
Gazetari – Keni inxhinier është aktualisht tani?
Punëtori 2 – Jo, tani jo!
Gazetari – Po si punoni pa inxhinier? Ju të gjithë jeni punëtorë tani?
Punëtori 2 – Po.
Gazetari – Dhe tani çfarë do të prishni?
Punëtori 2 – Këto të treja. Do t’i këpusin të treja dhe do ta çojmë poshtë.
Gazetari – Po pra po, po ai është i lidhur me këtë (pallatin).
Punëtori 3 – Ne kështu na kanë thënë or ti, ça të them.
Gazetari – Po keni ndonjë plan për prishje, keni plan?
Punëtori 2 – Të marr vesh …
Gazetari – Cila firme ishte?
Punëtori 2 – “PEPA”!
Gazetari – Sot keni ardhur?
Punëtori 2 – Kemi qenë edhe 1 ditë tjetër.
Fiksi bisedon me inxhinierin e firmës “Pepa”
Gazetari – Ju si firmë keni ardhur këtu. Unë pyeta të 4 punëtorët dhe asnjëri prej tyre nuk e dinte se çfarë po prishte.
Inxhinieri – Sigurisht që punëtorë. Si çfarë po prish? Po prish objektin.
Gazetari – Nuk e dinin se çfarë!
Inxhinieri – Objektin.
Gazetari – A ka një plan? Kjo është godinë e vitit ’67-’70. Është mozaik i lidhur me të dyja pallatet këtej dhe këtej.
Inxhinieri – Po. Zotëri ta thashë.
Gazetari – Ka arkitrarë, trarë që janë të lidhur me pallatin. Ju keni një plan se çfarë ka aktualisht kjo godinë dhe çfarë do prishni?
Inxhinieri – Nuk jemi të detyruar, nuk jam ia autorizuar ose i detyruar me të kthyer një përgjigje. Kam leje ndërtimi unë kam për ta prishur.
Banorja – Unë si banore kam kërkuar.
Inxhinieri – Po ti kërkoje te institucioni jo te unë.
Banorja – E kam kërkuar po s’na e kanë dhënë.
Gazetari – Ajo është dritarja e zonjës.
Inxhinieri – Po.
Gazetari – Çfarë do prishësh atje?
Inxhinieri – Do të prish soletën, s’kam punë me dritaren. Soletën dhe këtej.
Gazetari – Soleta është e ngjitur me murin e zonjës!
Inxhinieri – Jo.
Banorja – Ku e di ti?
Gazetari – Po ku e di çfarë ka? A ke projekt? Çfarë ka kjo dhe çfarë do të prishësh?!
Banorja lajmëron Policinë e Tiranës!
129 – Policia e Shtetit, Tiranë! Alo?
Banorja – Jam një banore këtu te “Myslym Shyri” dhe jam shumë e shqetësuar, sepse këtu te shtëpia jonë, te pallati kanë ardhur punëtorë te ish-Kinema “Dajti” dhe po hapin gropa. Dhe nuk kanë asnjë leje asnjë gjë! Jam shumë e shqetësuar për pallatin, për shtëpinë për pasojat që do të ketë.
129 – Do që të marrë patrulla në telefon?
Banorja – Po le t’më marri që t’ia qartësoj më mirë.
129 – E kuptova, mirupafshim.
Banorja – Mirupafshim.
Patrulla e Policisë së Tiranës vjen te Qendra “TEN”!
Punonjësi – Ne jemi me njoftim, do t’i marrim të tëra masat.
Banori – Mirupafshim, faleminderit!
Gazetari – Ju do të lajmëroni edhe Inspektoratin e Ndërtimit apo jo?
Punonjësi – Po patjetër.
Gazetari – Do vijë inspektori i zonës?
Punonjësi – Po shkallë-shkallë.
Gazetari – Ju jeni patrulla?
Punonjësi – Po ne jemi patrulla, do të vijë inspektori i zonës, do vijnë të tjerët dhe do t’i shohin të tëra.
Banorja – Sot?
Punonjësi – Patjetër.