Për 25 vite me radhë është përfshirë në krime në tri shtete.
Në Itali, Shqipëri dhe Holandë.
Është akuzuar për dy vrasje, një herë për trafik drogë dhe u ka shpëtuar të paktën 5 atentateve të dokumentuara. Është ekstraduar 4 herë nga Interpoli.
Ka arritur t’i shpëtojë dënimit për vrasje në rrethana të dyshimta, herë për pushim hetimesh e herë për gabime proceduriale. Koha më e gjatë që ka qëndruar në qeli në këto 25 vjet, ka qenë pak më shumë se 4 vjet.
Ndërsa sot është i lire. Liri që e fitoi sërish duke kryer një vepër penale. U arratis nga burgu në Itali.
Në skedarët e Policisë ai njihet me 25 emra të ndryshëm. Por në fakt emri i tij i vërtetë është Xhevdet Plaku, 45 vjeç, nga Romanati i Durrësit.
Njihet gjerësisht me pseudonimin “Deti”, por ndryshe e quajnë edhe Akil. E ndoshta jo më kot ka marrë këtë emër. Si një njeri që u ka shpëtuar kaq shumë atentateve. Duket se të gjithë ata që u investuan për ta ekzekutuar, përfshirë këtu edhe njerëz nga strukturat e Policisë që bashkëpunuan për ta nxjerrë në pritë, nuk ia kanë gjetur ende pikën e dobët Akilit nga Durrësi. Dhe sot ai shijon lirinë e tij, edhe pse si një i arratisur, me gjasë duke planifikuar goditjen e radhës ndaj kundërshtarëve. Planet e tyre për ta vrarë tashmë janë ekspozuar në procesin gjyqësor të Gjykatës së Posaçme që i shpalli fajtorë. Madje mes njerëzve që kanë thurur plane për të vrarë “Akilit”, është edhe një personazh që sot nuk jeton më, pasi u ekzekutua në Durrës në vitin 2023.
Ndërsa janë dënuar: Me 5 vjet burg, armiku i tij Rexhep Rapi, i njohur edhe si Kep Arapi, të cilit dyshohet se Plaku i ka vrarë vëllain në Itali; Me nga 4 vjet e 8 muaj burg, nipi i tij, Algert Rapi; Ish-shefi i krimeve të Komisariatit nr.6 në Tiranë, Dedan Gjoni; Dejvi Gjermëni, i cili është dënuar në mungesë.
Por kush është Xhevdet Plaku? Cilat janë krimet që është akuzuar prej vitit 2000 dhe kush e kërkon me çdo kusht vrasjen e tij?
KRIMET DHE AKUZAT
10 qershor 2000
Më 10 qershor të vitit 2000, në Borghetto, një provincë e Savonës në Itali, ndodhi një vrasje që u konsiderua si përplasje mes grupeve që drejtonin një rrjet prostitucioni në zonën perëndimore të Savonës. Në një pritë të organizuar, u ekzekutua me dy plumba pistolete në kokë, shtetasi shqiptar Sali Rapi, ndërsa u plagos shqiptari tjetër, Alfred Hasa. Për shumë vite me radhë kjo ngjarje mbeti e pazbardhur. Prokurorisë së Savonës iu deshën tetë vjet për të identifikuar dy nga tre vrasësit e shqiptarit. Hetuesit u detyruan të shkruanin “të pagjurmueshëm në territorin kombëtar” në vendin ku duhej të shënohej adresa e të akuzuarve. Në gjyqin që filloi në Savona në vitin 2010, ata u deklaruan në mungesë, por duhej të mbroheshin kundër akuzave për vrasje, tentativë vrasje dhe rrëmbime e shfrytëzim prostitucioni. Gjyqi në Gjykatën e Lartë ishte shtyrë për në fund të vitit 2010 kur nga Shqipëria mbërriti lajmi për arrestimin e Xhevdet Plakut dhe kishte nisur procesi për kërkesën e ekstradimit. Pasi u kthye në Itali ai qëndroi vetëm 3 ditë në burg dhe iu rikthye lirisë.
Mëngjesin e datës 8 shkurt 2011, në Gjykatën e Savonës, gjatë seancës paraprake gjyqtarit iu desh t’i rikthehej një çështjeje vrasjeje. Gjyqtari i seancës paraprake kishte dërguar për herë të dytë në gjyq, Besnik Plakun, 36-vjeçarin shqiptar, i cili duhej të përgjigjej për vrasjen e bashkatdhetarit të tij Sali Rapi. Për shkak të mungesës së njoftimit, aktakuza e parë kundër tij ishte shpallur jolegjitime dhe kështu akuzuat kishin rënë. Kjo për arsye se i dyshuari ishte shpallur “i arratisur” ndërkohë që ishte i mbyllur në burg në Shqipëri dhe për rrjedhojë i gjurmueshëm. Në bankën e të akuzuarve për vrasjen e Saliut, sërish në Gjykatën e Savonës, ishte edhe një tjetër shqiptar, Xhevedet Plaku, i njohur si “Deti”.
Më 1 shkurt të vitit 2013 hetimet morën një drejtim konkret. Edhe pse kishin kaluar 13 vite nga vrasja. Më 16 prill të vitit 2013 ai arrestohet në Holandë me qëllim që të ekstradohej në Itali, ku kërkohej për vrasje. Organet e drejtësisë në Itali, i komunikuan në burg akuzën për vrasje dhe vrasje të mbetur në tentativë, shqiptarit tjetër. Xhevdet Plakun, i cili në atë kohë ishte 32 vjeç u akuzua nga Prokuroria, se në bashkëpunim me shtetasin tjetër shqiptar, të quajtur Besnik Plaku, i njohur si “Niko”, kishin vrarë Sali Rapin dhe kishin plagosur Alfred Hasën në vitin 2000.
Por kjo nuk zgjati shumë. Më 4 prill të vitit 2014, Xhevdet Plaku dhe Besnik Plaku u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Savonës. Së pari, në gjykatë u rrëzua akuza për vrasjen e 32-vjeçarit Sali Rrap dhe plagosjen e rëndë të Alfred Hasës. Ranë gjithashtu dy akuza për shfrytëzim prostitucioni, si dhe armëmbajtje pa leje. Arma me të cilën ishte realizuar vrasja nuk u gjet kurrë. Ndërsa dëshmitari i vetëm i asaj ngjarje, i plagosuri Alfred Hasa, pasi doli nga spitali, u zhduk pa lënë gjurmë, kështu që dëshmia e tij nuk u arrit të konfirmohej në sallën e gjyqit.
Gjykata e Savonës urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga burgu të dy shqiptarëve. Në fakt u lirua vetëm Xhevdeti, që në atë kohë ishte ekstraduar nga Holanda, sepse Besniku nuk ishte kapur kurrë nga drejtësia italiane. Policia italiane për herë të fundit e kishte identifikuar Xhevdet Plakun si banor të lagjes nr. 15 në qytetin e Durrësit në vitin 2003, kur ai u përfshi në një shkëmbim zjarri me motive hakmarrjeje.
Më 25 shkurt të vitit 2013, Xhevdet Plaku ishte ekstraduar nga Shqipëria për shkak se dyshohej si autor i vrasjes së ndodhur në vitin 2000 në Savona. Por ai qëndroi shumë pak në burg, duke u lënë sërish i lirë. Shkak për këtë ishte një gabim i organeve të drejtësisë. Gjyqtarët gjenovezë nuk i kishin tërhequr në kohë dokumentet e gjykimit nga Gjykata e Asizës, e cila kishte lëshuar urdhrin për masën e sigurisë në burg dhe nuk u mbeti gjë tjetër veçse të urdhëronin lirimin e tij. Kështu, Xhevdet Plaku u largua nga burgu Sant’Agostino, me rreth 280 euro në xhep dhe u zhduk. Kërkesa e prokurorit për arrestimin e tij, rezultoi e padobishme.
Xhevedet Plaku është zhdukur pavarësisht nga një dislokim masiv të forcave të policisë për të rënë në gjurmët e tij. Përveç komisariatit të policisë ishin përfshirë edhe punonjës të policisë së burgjeve, por nuk u gjet dot. Çështja e lirimit të Plakut u kthye në një problem të drejtësisë italiane në atë kohë. Nuk ishte hera e parë që pamundësia e përdorimit të “korrierëve” të brendshëm për transferimin e dokumenteve nga një zyrë në tjetrën krijonte probleme dhe shqetësime për drejtësinë.
20 janar 2001
Më 20 janar të vitit 2001, në lagjen nr. 15, në Spitallë të Durrësit, Xhevdet Plaku, i cili udhëtonte me mjetin “Benz”, me targë DR 7853 A, është qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar. Nga provat e grumbulluara në vendngjarje dyshohet se ka pasur një pritë të organizuar nga persona që përdornin mjetin “Benz” me targë SH 0848 A, kundrejt Plakut që udhëtonte me një tjetër “Benz” me targat e Durrësit. Sipas procesverbalit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, në afërsi të mjetit tip Benz me targë SH 0848 A, në pika të ndryshme janë administruar nga grupi hetimor 38 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, si dhe dy gëzhoja të po këtij kalibri të gjetura brenda autoveturës në fjalë.
Nga akti i ekspertimit ezulton se, si 38 gëzhojat e gjetura në afërsi të mjetit dhe 2 gëzhojat e gjetura brenda tij, janë qitur nga e njëjta armë zjarri. Po kështu nga këqyrja e këtij mjeti, në xhamin e derës së jashtme janë fiksuar e marrë në cilësinë provës materiale gjurmë papilare gishtash, të cilat kanë rezultuar të vlefshme për identifikim. Sipas procesverbalit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, ka rezultuar se në distancë nga vendi i ngjarjes, rrugës që të çon për në Shënavlash, është gjetur i braktisur mjeti me targë DR 7853 A. Nga këqyrja e këtij automjeti, ka rezultuar se ka pasur dëmtime të shumta, gjithsej 21 vrima në xhamin e përparmë, nga të cilat 17 janë me drejtimin nga brenda-jashtë dhe 4 me drejtimin nga jashtë-brenda. Në pjesën e brendshme të këtij mjeti janë fiksuar nga këqyrja 17 gëzhoja me kalibër 9 mm dhe një fishek i paplasur i këtij kalibri.
Ka rezultuar se të 17 gëzhojat e gjetura në sediljet e automjetit, me të cilën udhëtonte Xhevdet Plaku, janë qitur nga e njëjta armë e tipit pistoletë, model 59, kalibër 9 mm. Plaku ka qenë i vetëm në makinë në momentin kur është sulmuar dhe si rrjedhojë gëzhojat e gjetura në mjetin që ai drejtonte janë qitur nga arma që ai ka pasur dhe me të cilën ka qëlluar. Nga hetimi i çështjes ka rezultuar se në këtë ngjarje ka pasur shkëmbim zjarri duke u përdorur dy lloje armësh, automatik dhe pistoletë dhe se pistoleta ka qëlluar nga brenda makinës së Xhevdet Plaku, pasi në xhamin e makinës janë 17 vrima me drejtimin nga brenda-jashtë, që i korrespondojnë gëzhojave të gjetura në makinë. Prokuroria e Durrësit ka regjistruar procedimin penal nr. 25, të vitit 2001 për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë dhe në përfundim të hetimit është vendosur pezullimi i hetimeve të kësaj çështje. Në datën 21 qershor 2011 është vendosur ndarja e çështjes penale nr. 25 në çështjen penale nr. 25/1 në ngarkim të të pandehurit Xhevdet Plaku, i akuzuar për këtë vepër penale.
Nisur nga këto të dhëna, Prokuroria e Durrësit ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj të pandehurit Xhevdet Plaku për akuzën e veprës penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Për këtë ngjarje, më 27 tetor 2015, ai është deklaruar fajtor nga Gjykata e Durrësit dhe është dënuar me 3 vjet heqje lirie. Ndërkohë, Gjykata e Apelit Durrës, më 10 korrik 2017, ka vendosur prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes, me arsyetimin se ishte parashkruar ndjekja penale ndaj tij. Por më 28 mars 2023, Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit, duke lënë në fudi atë të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, që e kishte dënuar Xhevdet Plakun me 3 vjet burg.
24 qershor 2003
Më 24 qershor të vitit 2003, rreth orës 21:00, në Lagjen nr.15, në zonën e Spitallës, në Durrës, Xhevdet Plaku dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin Saimir Sina. Viktima dhe i dyshuari banonin të dy në Spitallë dhe ishin shokë me njëri-tjetrin. Duke qenë se Xhevdet Plaku ka qenë emigrant në Itali dhe i ndjeri Saimir Sina ishte në dijeni të faktit se Xhevdeti kishte të dashur një vajzë me emrin Nertila, duke përfituar dhe nga njohja personale me Nertilën, i ka propozuar për ta çuar në mënyrë ilegale në Itali, me qëllim për t’u bashkuar me të dashurin e saj. Ajo e ka pranuar këtë propozim dhe në korrik të vitit 2001, Saimir Sina, së bashku me një person tjetër, e kanë çuar vajzën në Itali, por jo në destinacionin në të cilin ranë dakord, por e kanë çuar në Romë ku dhe e kanë detyruar forcërisht që të ushtronte prostitucion për llogari të tyre.
Vajza është kthyer në Shqipëri në dhjetor të vitit 2001 dhe ka paraqitur kallëzim penal për personin që e kishte shfrytëzuar në Itali. Gjykata e Durrësit, me vendimin nr.299, të datës 29 maj 2003 e ka deklaruar fajtor Saimir Sinën për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” të kryer në bashkëpunim dhe e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg.
Xhevdet Plaku pasi është vënë në dijeni të veprimeve të shokut të tij, Saimir Sina ndaj të dashurës së tij, ka vendosur të hakmerret, plan të cilin e ka konkretizuar disa ditë pas daljes së Saimirit nga burgu. Pikërisht më datë 24 qershor 2003, rreth orës 21:00, pasi e kishte vëzhguar dhe ruajtur për disa ditë me radhë, Plaku ka shkuar me makinën e tij tip “Seat” afër banesës të Sinës, i cili në atë moment ishte i shoqëruar nga i vëllai, nëna dhe tre shokë. Ka rezultuar se Xhevdet Plaku i ka kërkuar Saimir Sinës që të shkonte pranë tij dhe pasi ai është afruar tek makina, brenda të cilës ishte autori, ky i fundit i ka kërkuar atij që të hipte në makinë me të, por Sina nuk ka pranuar. Në momentin kur Sina ka marrë rrugën për t’u larguar, i dyshuari e ka qëlluar tri herë me pistoletën që e mbante pa leje. Pas ngjarjes, autori është larguar me shpejtësi me automjetin e tij, që më pas e ka braktisur në një rrugë të fshatit Fllakë të Durrësit.
Saimir Sina është dërguar më urgjencë në Spitalin e Durrësit për të marrë ndihmën e duhur mjekësore, por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetoj e për pasojë ka gjetur vdekjen pas disa minutash.
Ndërsa i dyshuari Xhevdet Plaku është larguar jashtë vendit duke iu fshehur drejtësisë për disa vite, deri më datë 23 tetor 2007 kur dhe është arrestuar në Itali.
Disa muaj më vonë, në tetor të po atij viti, Plaku u ekstradua nga Italia në Shqipëri, ku rezultonte person në kërkim.
Policia e Shtetit
Më datën 23 tetor 2007, në orën 11:45 nga Zyra Qëndrore e Interpol Tiranës u krye ekstradimi nga Milano, Itali i shtetasit Xhevdet Plaku, 27 vjeç lindur dhe banues në Durrës. Ekstradimi i Xhevdet Plakut është bërë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin nr. 363 datë 31 maj 2004 e ka deklaruar fajtor për veprën penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armë mbajtje pa leje”, duke e dënuar me 21 vjet e 6 muaj burg. Sipas vendimit të Gjykatës, Xhevdet Plaku, më datë 24 qershor 2003, në lagjen 15 në Durrës ka vrarë me armë zjarri shtetasin Saimir Sina. Viktima dhe shtetasi Ervin H., shokë të Plakut kanë mashtruar shtetasen N.K., e dashura e Plakut dhe e kanë detyruar të ushtrojë prostitucion në Itali. Kjo ngjarje ka qenë shkak i konfliktit midis viktimës dhe shtetasit të ekstraduar. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol Roma, Itali u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Xhevdet Plaku dhe vënia përballë drejtësisë për veprat e kryera. Në aeroportin e Rinasit ky shtetas i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Pra, Xhevdet Plaku ishte ekstraduar në Shqipëri, në zbatim të vendimit të vitit 2004 të Gjykatës së Durrësit. Por një vit pas ekstradimit të tij, ky verdikt është prishur nga Apeli i Durrësit, që me vendimin nr. 223, të datës 2 qershor 2008 e ka kthyer çështjen për rigjykim. E duket se kaq ka mjaftuar që ai të rifitojë lirinë pak kohë më vonë. Derisa me një tjetër vendim, atë nr.597, të datës 6 nëntor 2008, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka vendosur: Deklarimin fajtor të Xhevdet Plakut për veprën penale të “vrasjes me paramendim” dhe armëmbajtjes pa leje dhe dënimin e tij me 19 vjet burg. Por në aplikim të gjykimit të shkurtuar ai është dënuar përfundimisht me 12 vjet e 9 muaj heqje lirie. Vendim që është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit më 21 korrik 2009. Por Xhevdet Plaku ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë nëpërmjet avokatit të tij, i cili kërkonte ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, duke kërkuar: Deklarimin fajtor të Xhevdet Plaku për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në gjendjen e tronditjes së fortë psikike” dhe lënien në fuqi të vendimit lidhur me deklarimin fajtor për veprën penale “mbajtjes pa leje të armës luftarake”. Avokati i plakut, pretendonte se Gjykatat kanë gabuar në kualifikimin ligjor të veprës penale si dhe në masën e dënimit. Sipas tij, kualifikimi më i drejtë do të ishte vrasja e thjeshtë apo “vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike, të shkaktuar nga fyerja e rëndë e viktimës”. Në rekursin e paraqitur në Gjykatën e Lartë, arsyetohej se nga rrethanat nuk del fakti se i pandehuri e kishte planifikuar apo menduar në detaje vrasjen, por ka qenë vetë viktima që ka shkuar në drejtim të makinës, siç del nga dëshmitarët okulare. Madje pretendohet se viktima ka tentuar të nxjerrë edhe pistoletën, pasi e ka prekur në nderin e motrës dhe i ka kujtuar poshtërimin që i kishte bërë me të dashurën.
Megjithatë, Kolegji Penal i Gjykatës së Larte, pasi shqyrtoi shkaqet e parashtruara në rekurs, analizoi rrethanat e çështjes, vendimet gjyqësore, konkludoi se rekursi i paraqitur nuk përmban shkaqe ligjore, për rrjedhojë nuk ka vend që të cenohet vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës. Po ashtu edhe pretendimi për kualifikimin e veprës penale është, sipas Gjykatës së Lartë është i pabazuar. Në vendimin e datës 30 janar 2013, Gjykata e Lartë shprehet:
Gjykata e Lartë
Në përfundim të rigjykimit të çështjes, që u zhvillua me gjykim të shkurtuar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka çmuar të bazuar akuzën e ngritur nga Prokuroria dhe me vendimin nr.597, datë 06.11.2008 e ka deklaruar fajtor të pandehurin Xhevdet Plaku për veprat penale, “vrasje me paramendim” e “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, dhe në bashkim të dënimeve e ka dënuar me 19 vjet burgim. Në zbatim të nenit 406 ka zbritur 1/3 e dënimit duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Xhevdet Plaku me 12 vjet e 9 muaj burg. Në analizë të rrethanave të çështjes në shqyrtim të pranuara nga dy gjykatat dhe në interpretim të përmbajtjes së dispozitave respektive të Kodit Penal, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës është i mbështetur në ligj, si i tillë duhet të lihet në fuqi.
Në kohën e shpalljes së këtij vendimi, Xhevdet Plaku ndodhej në Itali, ku ishte ekstraduar më 25 shkurt të vitit 2013, pasi kërkohej për një tjetër vrasje, por atje u shpall u pafajshëm, më 4 prill të vitit 2014. Ndërkohë, pak ditë më vonë, më 27 prill u ekstradua në Shqipëri, për të vuajtur dënimin. Në Rinas ai iu dorëzua Drejtorisë së Burgjeve, pasi kishte një vendim të formës së prerë që e kishte dënuar atë me 12 vjet e 9 muaj heqje lirie. Vite të cilat rezulton se nuk i ka kryer. Rrethanat në këtë pikë mbeten të paqarta. Se si kishte arritur të rifitonte lirinë, edhe pse ishte i akuzuar për vrasje, mbetet e pasqaruar. Të paktën deri në vitin 2018, që supozohej të ishte në burg, pasi kishin kaluar vetëm 4 vite nga ekstradimi, askush nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur me të. Ose të paktën këtu ishin shkëputur fijet.
Por emri i tij del sërish në skenë, kur arrestohet në Holandë gjatë një operacioni ndërkombëtar për trafik lëndësh narkotike.
22 nëntor 2018
Policia Italiane realizoi një operacion kundër trafikut ndërkombëtar të drogës më 22 nëntor të vitit 2018, që u finalizua me 56 arrestime, nga të cilat 24 në flagrancë, sekuestrimin e 130 kilogramë kokainë, armë dhe mallra mbi 1 milion euro. Operacioni u kodua “Boca” dhe çmontoi 3 grupe kriminale shqiptare. Mes të arrestuarve ishte edhe Xhevdet Plaku, i cili u kap dy ditë më vonë në Holandë per llogari të Italisë dhe dyshohet se ishte drejtuesi i këtij rrjeti trafiku të kokainës së pastër. Hetimi që nisi nga Prokuroria e Breshias bëri të mundur çmontimin e tri organizatave kriminale shqiptare që importonin kokainë nga Amerika e Jugut dhe më pas e ruanin në zonën e Breshias dhe e rishisnin në të gjithë Italinë veriore. Sipas asaj që deklaronin hetuesit italianë në atë kohë, këto grupe kriminale kishin arritur të fusnin në Itali mbi një ton kokainë. Në Italinë Veriore u zbuluan edhe 3 depo droge. Masat e arrestit u ekzekutuan në operacionin që u zhvillua në mënyrë të koordinuar në Itali, Shqipëri, Gjermani, Holandë, Belgjikë dhe gjithashtu në Greqi. 21 arrestime u bënë vetëm në zonën e Breshias. Përveç mbi 50 personave që përfunduan në pranga dhe burg, kryesisht shtetas shqiptarë, janë 30 të dyshuar në arrati. Mes tyre ishin edhe prindërit e një 14-vjeçari, i cili u kap me 3 kilogramë kokainë të pastër në çantën e shpinës, i cili ishte ndaluar në dhjetor të vitit 2017. U zbuluan tri magazina ku mbahej kokaina, që ishin në formën e garazheve dhe apartamenteve.
Hetimet zbuluan se lënda narkotike ishte sjellë në Evropë me anije dhe më pas udhëtoi me dhjetëra makina të modifikuara me fund të dyfishtë. Udhëtimi nisi nga Amerika e Jugut. Kokaina kishte mbërritur fillimisht në portet holandeze, ku grupet kriminale kishin gjetur lidhjet e duhura për të kaluar drogën. Pas një ndalese në Frankfurt, në Gjermani dhë në fund kishte arritur në zonën e Breshias. Makinat e përdorura për udhëtim ishin të pajisura me funde të dyfishta shumë të sofistikuara, të gjitha të ndërtuara brenda një garazhi makinash të përdorura në Versilia, që i përkiste trafikantëve. Ndarje e fshehta në makina hapeshin vetëm me komanda të sakta: duhet të fiksohej njëkohësisht marshi i pasmë, ajri i kondicionuar duhej të ishte i fikur dhe në këtë moment niste hapja e ndarjes së vendosur kroskot ku fshiheshin droga. Një vend që mbante 30 kg kokainë, ose shuma të konsiderueshme parash.
Makinat e përdorura për udhëtimet ishin “Audi Q5”, “Peugeot 208”, dy “Peugeot 3008”, “Opel Insigna”, “BMW Seri 5”, “Mercedes”. Të gjitha automjetet ishin të regjistruara për anëtarët e organizatës dhe shpesh me targa të përkohshme. Për të mos tërhequr shumë vëmendjen, në rast se do të përballeshin me një kontroll rrugor, korrierët kishin blerë bileta për anijet që niseshin për në Shqipëri, për të justifikuar praninë e tyre në Itali.
Ka qenë pikërisht zbulimi i pajisjes gjeniale të instaluar në makina, që ka lejuar ushtarakët të vendosin në pranga në flagrancë 24 persona. Hetimet zgjatën pak më shumë se 12 muaj, gjatë të cilëve u kryen konfiskime dhe arrestime të shumta në zonën e Brescias, në zonën e Bergamos, në Luça, Pavia, Macerata, Monza, Modena dhe gjithashtu në Holandë, pranë aeroportit të Amsterdamit.
Gjithçka kishte nisur me sekuestrimin e 6.6 kg kokainë, që iu kap një vajze rumune në Breshia, në fund të vitit 2017. Ky episod solli hetime ndërkombëtare për të gjetur furnitorët. Hetimi bëri të mundur goditjen tri organizatave: njëra i referohej një shqiptari me banim në Belgjikë, i cili më pas ruante kokainën në provincën italiane, tjetra vepronte në Holandë dhe e fundit ishte aktive si në Holandë ashtu edhe në Gjermani.
Hetuesit e përshkruanin njërin nga grupet kriminale si mjaft të fuqishëm, të rrezikshëm dhe të gatshëm për të bërë gjithçka. Madje deri aty sa për të rrëmbyer bashkëpunëtorët që kishin tradhtuar organizatën. Një rast i tillë kishte ndodhur në Frankfurt, ku personi që ishte caktuar si magazinier për të ruajtur drogën, kishte vjedhur një sasi kokainë. Ai ishte zbuluar nga grupi dhe e kishin mbajtur peng në një apartament, duke e keqtrajtuar gati për vdekje. Rrëmbyesit u arrestuan pikërisht teksa po blinin armë për të vrarë pengun.
Hetuesit vlerësonin se gjatë hetimeve organizata ka lëvizur rreth 350 kilogramë kokainë. Policia në përfundim të operacionit arriti të sekuestroi 130 kilogramë, ndërsa sekuestroi banesat, makinat, koncensionarin e përdorur nga trafikantët, etj. Në total u sekuestruan pasuri në vlerë prej 1 milion euro. Nuk ishte e lehtë të zbuloheshin të gjitha fitimet nga biznesi i jashtëligjshëm, pasi paratë e fituara nga trafiku i drogës ishin investuar kryesisht në Shqipëri.
Por Xhevdet Plaku, sërish ia kishte dalë të dilte nga burgu në Itali. Rrethanat sërish janë të paqarta. Por fakti që një vit pas arrestimit në Holandë ishte sërish i liri, provohet nga një episod i zbuluar nga Prokuroria e Posaçme në Shqipri, kur në vitin 2019 ishte planifikuar ekzekutimi i tij, pasi të dilte nga Komisariati i Policisë së Durrësit.
PLANI PËR TA VRARË PARA POLICISË SË DURRËSIT
17 shtator 2019
Më 1 shkurt 2022, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal nr. 19/2022, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve publikë”, “Sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal. Ky procedim penal rezulton të jetë regjistruar në bazë të një informacioni të përcjellë nga Prokuroria Limburg, Holandë, përmes letërporosisë. Prokuroria e Limburg ka dërguar një informacion, nëpërmjet të cilit bën me dije se, më datë 7 tetor 2019, ka filluar hetimin penal ndaj shtetasit shqiptar Dejvi Gjermëni, lindur në Këmishtaj, Lushnjë dhe banues në Holandë, me nënshtetësi shqiptare dhe greke. Ky person rezulton se është hetuar në Holandë për veprat penale të “Pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, me rol drejtues në lehtësimin financiarisht të blerjes së shtëpive me qëllim kultivimin në shkallë të gjerë të lëndës narkotike kanabis sativa, monitorimin e parcelave të lëndës narkotike, fshehja e këtyre parcelave, blerjen e lëndëve për këto parcela, gjetjen e personave që do të qëndronin në këto parcela dhe tregtimin e lëndës narkotike të prodhuar.
Në vijim nga ana e SPAK këto të dhëna janë kërkuar zyrtarisht me letërporosi, e cila është ekzekutuar. Nga të dhënat e administruara nga Prokuroria e Limburg rezulton në mënyrë të përmbledhur midis të tjerave edhe fakti penal i sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasjen e Xhevdet Plakut. Sipas të dhënave rezulton se kjo ngjarje ka qenë e planifikuar të realizohej më datë 17 shtator 2019 në qytetin e Durrësit. Gjithashtu ka rezultuar se në orën 20:10 të po kësaj date, Xhevdet Plaku është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë së Durrësit. Nga hetimet e kryera nga autoritetet holandeze të drejtësisë ka rezultuar gjithashtu se Dejvi Gjermëni së bashku me një ortak biznesi në Holandë, ka çelur një aktivitet ekonomik që merret me shitblerje dhe eksport – import të makinave. Ky operator ekonomik ka filluar aktivitetin më 23 shtator 2019 në Holandë. Autoritetet holandeze të drejtësisë, në interes të dokumentimit të përfshirjes së shtetasit Dejvi Gjermëni dhe lidhjeve të tij shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese në trafikun e drogës, kanë aplikuar metoda speciale hetimi, ku kanë kryer përgjim ambiental dhe mbikqyrje të fshehtë fizike, brenda dhe jashtë ambienteve të operatorit ekonomik. Nga interceptimi dhe zbardhja e komunikimeve të Dejvi Gjermënit me lidhjet e tij shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, janë përftuar të dhëna me interes për hetimin e çështjes penale të regjistruar. Kështu në materialin e dërguar, autoritetet holandeze të drejtësisë kanë identifikuar disa nga personat, të cilët bisedojnë në brendësi të ambienteve të operatorit ekonomik. Nga interceptimi i bisedave audio, si dhe nga këqyrja e pamjeve filmike jashtë ambienteve të kompanisë së automjeteve, janë evidentuar dhe identifikuar personat që flasin me njëri – tjetrin, si dhe persona që komunikojnë në telefon brenda ambienteve të kompanisë me persona të tjerë jashtë ambienteve.
Gjithashtu, ndër të tjera nga hetimet e zgjeruara të kryera nga autoritetet holandeze të drejtësisë, janë evidentuar disa shtetas shqiptarë, të cilët kanë tentuar më shumë se një herë eliminimin apo realizimin e vrasjes në Shqipëri të një shtetasi shqiptar të quajtur Xhevdet Plaku. Nëpërmjet metodave speciale të hetimit janë zbuluar biseda në aplikacione të kriptuara, si dhe biseda të regjistruara nëpërmjet përgjimeve ambientale. Autoritetet holandeze, përmes materialeve të dërguara me letërporosi, informojnë se konflikti ndërmjet shtetasve Rexhep Rapi (Arapi) dhe Xhevdet Plaku ka bazë hakmarrjen. Ky konflikt rezulton për shkak se në vitin 2000, në Savona të Italisë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Sali Rapi, nga Durrësi, i cili rezulton të jetë familjar i Rexhep Rapit. Vrasja e Sali Rapit, dyshohet se është kryer nga Xhevdet Plaku dhe një person tjetër, për shkak të përfshirjes së tyre në veprimtari kriminale të trafikimit të narkotikëve dhe qenieve njerëzore.
Më 2 dhjetor 2022 SPAK, nëpërmjet një letërporosie, i ka kërkuar ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore kompetente të Mbretërisë së Holandës, lidhur me procedimin penal që kishte regjistruar. Holanda, përmes Ministrisë së Drejtësisë, ka ofruar të gjithë ndihmën e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme, për të gjitha veprimet hetimore të kryera atje. Gjithashtu SPAK ka kërkuar edhe ndihmën juridike të autoriteteve gjyqësore franceze në lidhje me të dhënat e aplikacionit të kriptuar “EncroChat” dhe në dhjetor të vitit 2023 ka marrë përgjigje ng Franca, që ka dërguar CD me të dhënat e “EncroChat, por edhe të dhëna të tjera në dobi të hetimit.
Nga aktet e dërguara me letërporosi nga autoritetet holandeze rezulton se, duke filluar nga viti 2019, nga njësia e Policisë së Limburgut në Holandë, janë kryer disa hetime në shkallë të gjerë, ku ka dalë në pah përfshirja në aktivitete kriminale e disa shtetasve shqiptarë. Një nga personat i evidentuar si subjekt kryesor në këtë hetim ka qenë shtetasi shqiptar Dejvi Gjermëni, 42 vjeç. Nga hetimet ka rezultuar së më 17 shtator 2019, Dejvi Gjermëni është përfshirë në një vepër penale që ka të bëjë me sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku, në Durrës. Gjatë hetimit autoritetet holandeze kishin përdorur metoda speciale si vëzhgim me video dhe audio dhe regjistrim të bisedave telefonike, të cilat i janë vënë në dispozicion SPAK, pasi i kishte kërkuar me letërporosi. Nga këto veprime hetimore është evidentuar se, bashkëpronari i kompanisë së automjeteve në Holandë, i dyshuari Dejvi Gjermëni, ka qenë çdo ditë i pranishëm në ambientet e firmës. Në periudhën nga fillimi i muajit Mars 2020 deri në fund të muajit Shtatorit 2020, në ambientet e kësaj firme që mbahej nën monitorim me video e audio, nga Dejvi Gjermëni është folur disa herë edhe me persona të ndryshëm për një vrasje, për të cilën janë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për ta realizuar në verën e vitit 2019 në Shqipëri. Gjermëni vetë ka folur për këtë ngjarje me persona të ndryshëm, identiteti i disa prej të cilëve nuk është zbuluar ende.
Nga përgjimet ambientale të datës 23 prill 2019, zhvillohet një bisedë në ambientet e firmës ndërmjet shtetasit Dejvi Gjermëni dhe një personi të paidentifikuar, me të cilin bisedon në lidhje me krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjes. Nga bisedat e përgjuara rezulton se Gjermëni dhe ish-oficeri i lartë i Policisë së Shtetit, Dedan Gjoni, kanë pasur një rol ndihmës për personat që do kryenin vrasjen e Xhevdet Plakut. Nga hetimet ka rezultuar që personi, të cilin e kanë identifikuar me emrin Dedan Gjoni është shtetas shqiptar dhe punonjës policie, i cili në kohën e zhvillimit të bisedës ka punuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Rezulton se në këtë periudhë, Dedan Gjoni ka ndaluar dhe më pas shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës një person me emrin Xhevdet Plaku, me pseudonimin “Deti”.
Xhevdet Plaku rezulton se është në hasmëri me Rexhep Rapin, me pseudonimin “Kepi”. Plaku është ndaluar nga Dedan Gjoni pas një kontrolli rutinë në rrugë, dhe më pas është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës. Pas shoqërimit të tij në Polici, rezulton se Dedan Gjoni ka komunikuar nëpërmjet aplikacionit “Whatsapp” me Dejvi Gjermënin, të cilin e ka njoftuar mbi ndalimin e Xhevdet Plakut. Gjoni i ka shpjeguar Gjermënit se fillimisht, kur e ka ndaluar nuk e ka njohur. Dedan Gjoni ka qenë me patrullën e policisë kur ka konstatuar një makinë të blinduar, të cilën ka vendosur ta ndalojë dhe ta kontrollojë. Pasi e ka ndaluar subjektin, më pas ka bërë shoqërimin e tij në Komisariat. Aty Gjoni i ka kërkuar personit të ndaluar dokumentet e identifikimit. Ai i është prezantuar si Xhevdet Plaku dhe se mbiemrin e ka ndryshuar nga “Plaku” në “Kiss”. Më pas, Gjoni nëpërmjet “Whatsapp” i ka dërguar Dejvi Gjermënit foton e Xhevdet Plakut dhe një mesazh ku i thotë që do të dalë në orën 20:00 nga dera e mbrapme e rajonit të policisë.
Këtë informacion Gjermëni ia ka dërguar më pas një personi me emrin “Geri”, i identifikuar si Algert Rapi, nipi i Rexhep Rapit. Gjatë bisedës së regjistruar nga përgjimi ambiental në zyrat e kompanisë së makinave në Holandë, Dejvi Gjermëni ankohet për faktin se atentatorët nuk kanë punuar siç duhet, sepse kanë shkuar të armatosur me armë kallashnikov në afërsi të Rajonit të Policisë, ku ishte ndaluar Xhevdet Plaku. Biseda është zhvilluar më 17 shtator 2019.
Pas sinjalizimit që Dejvi Gjermëni i ka dhënë personit të quajtur “Geri”, Algert Rapi, i hetuari Rexhep Rapi “Kepi” është organizuar me njerëzit e tij, për të kryer vrasjen e Plakut. Gjithashtu, Gjermëni shprehet se, nuk dëshironte që “Geri” t’i tregonte “Kepit” që këtë informacion e kishte marrë nga ai kjo për faktin se më pas “Kepi” do t’i kërkojë informacion për raste të tjera. Mbi bazën e kësaj të dhëne, Prokuroria e Posaçme, më datë 2 mars 2023, ka vendosur këqyrjen dhe marrjen e dokumentacionit, konkretisht praktikave të shoqërimit të shtetasve, të administruara nga Komisariati i Policisë Durrës. Nga verifikimi i kryer në regjistrin e shoqërimeve dhe ndalimeve, ka rezultuar se, më datë 17 shtator 2019, në orën 10:10, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Durrës, Xhevdet Aziz Kiss (alias Xhevdet Plaku), me arsyen se është i dyshuar për kryerjen e një vepre penale. Nga verifikimi është evidentuar se shtetasi Plaku ka dalë nga Komisariati i Policisë në orën 20:10, të së njëjtës datë. Në këtë mënyrë ky fakt përputhet ekzaktësisht me bisedën e të hetuarit Dejvi Gjermëni, qoftë për orën dhe për datën dhe përmbajtjen e saj.
Në një bisedë të përgjuar mes Dejvi Gjermënit dhe një personi që dyshohet të jetë vëllai i tij, diskutohet për ish-shefin e Policisë, Dedan Gjoni, të cilit i referohen me emrin “Deda” dhe faktin që ai ka ndaluar Xhevdet Plakun.
Biseda
Personi X: Ç’a ka ndodhur, janë ngatërruar me Kepin atje?
Gjermëni: Jo jo, ka qenë dje tek lokali i Kepit. Or kur ai (shefi, Dedani) ishte, punonte në Durrës, kapi njëherë atë hasmin e Kepit ai. Dhe unë i thashë këtyre (njerëzve të Kepit) që kshu, kshu, kshu. Pastaj Kepi është rrotë … o burrë se nuk i bën punët me mend. Se po t’i bënte punët me mend ia jepje dhe mbaronte punë, Kepi. Po çfarë bën Kepi? Merr kallashin në krah dhe direkt tek Policia vetë. Pastaj i shkruajta unë Gerit “e ka lëshuar”. Ai brenda ishte akoma ore. Deda do e lëshonte në orën 8 të darkës. Deda më tha mua “Po e pate shok jepe”. I thashë Gerit unë “Këtu e keni”. Ai (Kepi) … shkon dhe e pret para Policisë që të dilte. Si e bën këtë mor … para Policisë ka spiuna që mund të të shohin o …. Bëji o … pritë dhe nuk shpëton ai. I shkruaj unë Gerit pastaj “I thuaj (Kepit) që e ka lëshuar”. Unë i pata thënë Gerit që unë po të them ty, por mos i thuaj gjë atij (Kepit), se po i the atij që kshu kshu, është një shoku im atëherë nuk të le rehat ai, një e dy “o Ton thuaj pak atij shokut tënd për këtë e për këtë e për këtë”. Kështu që unë i thashë Gerit që mos t’i thoshte Kepit që Deda është shoku im. Tani ka vajtur Deda dje ka ngrënë atje tek Kepi. Por Kepi nuk e ka parë Dedën më parë. Nuk e njeh. Tani bën lidhjen ai dhe ka për t’i bërë zbor Gerit tani. Do i thotë pse nuk më ke thënë që është shoku Tonit ky.
Personi X: Kur ka ndodhur kjo?
Gjermëni: Verës së kaluar. Deda kishte parë një makinë të blinduar kur ishte me patrullën. E kishte ndaluar. Sa e kishte çuar në polici dhe i kish marrë pasaportën. E kishte njohur Deda direkt atë. Ai i kishte thënë Dedës “Unë jam Xhevdet Plaku dhe e di që Kep Arapi ju ka fut juve me më kap mua”.
Personi X: Po Deda sikur ka qenë në Tiranë, kur ka vajt Deda atje?
Gjermëni: Deda ka qenë gjithmonë nënshef, ka qenë tek Operacionalja, ka qenë në Durrës, tani ka vajt në Elbasan. Ka qenë gjithmonë drejtues.
Personi X: E paskan çuar me ulje në Elbasan.
Gjermëni: Pse me keq është Elbasani? Në Elbasan vjen e kuqja, bën lekë sa të duash ai.
Më datë 30 prill 2020 Dejvi Gjermeni rezulton se ka zhvilluar një bisedë në ambientet e firmës së automjeteve në Holandë, me një person të quajtur “Tole” ose “Toqe”, në lidhje me tentativën e vrasjes së shtetasit Xhevdet Plakut. Personi që e thërrasin “Tole” ose “Toqe”, rezulton të jetë Fatjon Dervishi, i njohur edhe si Toni Margean, për të cilin nuk mund të fillohet procedim penal, pasi është vrarë pas një atentati me armë zjarri më datë 27 shtator të vitit 2023, në Sukth të Durrësit. Ndër të tjera, Gjermëni sqaron në këtë bisedë rolin e tij dhe të punonjësit të Policisë Dedan Gjoni në këtë ngjarje. Vrasja nuk është kryer, sepse “Deda”, emër me të cilin bashkëbiseduesit i referohen Dedan Gjonit, pasi e ka ndaluar në Rajonin e Policisë, i ka dërguar Gjermënit informacionin bashkë me një foto të Xhevdet Plaku nëpërmjet “Whatsapp”. Dejvi Gjermëni ka pasur frikë se, informacioni nëpërmjet “Whatsapp” mund të zbulohej më vonë dhe se në këtë mënyrë do të zbuloheshin edhe autorët e atentatit. Në këto rrethana kuptohet që Dedan Gjoni, atë ditë nuk e ka pasur me vete telefonin me programin e kriptuar “Encrochat”. Sipas Gjermëni, Rexhep Rapi ka shkuar tek Rajoni i Policisë së bashku me njerëzit e tij me kallashnikov. Në këto rrethana, Gjermëni i ka thënë Algert Rapit, që të lajmërojë ata me kallashnikov që të largohen, pasi Plaku nuk ishte më në rajon. Këtë e ka bërë pasi është ndjerë i frikësuar dhe i ka gënjyer që të largohen. Sipas tij nuk duhej të shkonin para policisë me armë, por mund ta kishin ndjekur me 4 makina derisa të mos kishte më mundësi që t’ju ikte.
Biseda
Gjermëni: Unë ja dhashë atij Detin (Xhevdet Plakun) tani. E mori Deda, e arrestoi dhe më tha mua: E ke atje. Po Deda … ç’a bën thua ti? Bëri një gabim se ma çoi mua me foto në Whatsapp. Unë i shkruaj Dedës “Ok. Pse ma dërgon këtu?” Se në fakt Deda nuk e kishte këtë (telefonin e kriptuar) me vete. Deda më shkruan mua “E kam brenda. Në orën 8 do e liroj”. Direkt i them unë Gerit “e ke brenda, por mos i thuaj atij (Kepit) që e ke nga unë”.
Fatjon Dervishi: Normal me.
Gjermëni: Ça bën miku thu ti? Ngrihet miku, kallashin dhe shkon para Policisë me dy çuna. Geri më tha mua “Ka ikur vetë ai”. I them Gerit unë “O Ger po si e lamë ne vlla. Ai (Deda) më ka shkruajtur mua në Whatsaap. Hajde takohemi shpejt. Se unë e di si shkojnë hetimet o vlla”.
Fatjon Dervishi: Po me, kush e çoi … dalin muhabetet o burr.
Gjermëni: Po pra. Kshu i thashë Gerit … Dëgjo i thashë muhabetet dalin. Ç’a të bëj, ç’a të bëj, thashë me vete … u detyrova pastaj t’i them Gerit që e ka liru Deda atë dhe ti thoshte atij të mos rrinte kot atje. S’kisha ç’a të bëja më unë se ndryshe do e haja vetë.
Fatjon Dervishi: Po normal.
Gjermëni: Ai në orën 8 dilte, biles nga mbrapa. Ai po të ishte burrë nuk i bënte fare gjërat aty … ia dhamë. Po … pullë poste … 4 makina që mos të mos kishte mundësi me shpëtu fare. Ta ruante, ta ruante sa të arrinte te destinacioni ku ai do shkonte, të futej atje dhe ta priste kur të dilte që të mos merrej vesh.
Gjithashtu, në një tjetër përgjim ambiental në Holandë, zhvillohet një bisedë ku Fatjon Dervishi shprehet se është shumë e vështirë që Xhevdet Plakun ta fusësh në kurth. Ai ruhet shumë dhe sipas tij, edhe Xhevdet Plaku nga ana e tij do ketë paguar shumë për të vrarë njerëzit e Algert Rapi, fotografitë e të cilëve i ka shpërndarë te njerëzit e vet. Për veten e tij, Fatjon Dervishi fliste se ishte shumë i kujdesshëm dhe ruhej shumë. Ai thoshte që asnjë nuk e dinte kur ai vinte në Shqipëri, përveç Algert Rapit. Dervishi thoshte se nuk do të punojë më për “Kepin”, se ai flet shumë lart e poshtë. Sipas tij “Kepit” i është bërë para një viti një ofertë për të vrarë vëllain e Xhevdet Plaku dhe kur ky i fundit të varroste të vëllain ata do të vrisnin edhe Xhevdetin. Por sipas Dervishit, “Kepi” nuk jep para me pretekstin se do që ta bëjë me dorën e vet. Sipas Fatjon dervishit, duhet të veprohet sa më shpejt, se ndryshe do të jetë Xhevdet Plaku ai që do i vrasë këta.
Nga përgjimi i bisedave ambientale, autoritetet holandeze kanë evidentuar se, në të kaluarën Toni Margean, pra Fatjon Dervishi, së bashku me shtetasit Rexhep Arapin “Kep Arapi” dhe nipin e tij Algert Rapin “Geri”, kanë tentuar të paktën në tri raste vrasjen e Xhevdet Plaku, në Golem, në Portin e Durrësit dhe në zonën e hekurudhës në Durrës.
Pra, SPAK ka parashtruar prova dhe fakte që provojnë tej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasit: Rexhep Rapi (Kep Arapi), Algert Rapi (Geri), Dejvi Gjermëni (Toni), Dedan Gjoni (Deda) dhe Fatjon Dervishi (Toqe/Tole) kanë konsumuar elementët e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Plaku, kryer në bashkëpunimin e posaçëm, të grupit të strukturuar kriminal. Prokuroria parashtron se bashkëpunimi mes këtyre nuk është në nivelin e një bashkëpunimi të thjeshtë, por ai ngrihet në nivelin e bashkëpunimit të posaçëm, atij të grupit të strukturuar kriminal, ku Dedan Gjoni ka njoftuar për lirimin nga Komisariati i Policisë të Xhevdet Plaku, shtetasin Dejvi Gjermëni. Gjermëni ka njoftuar të Algert Rapin dhe ky i fundit njoftoi Rexhep Rapin, i cili ishte në hasmëri me Xhevdet Plakun. Menjëherë pas njoftimit ka shkuar me armë pranë Komisariatit të Policisë Durrës, për të vrarë Xhevdet Plakun. Vrajsa nuk është kryer, pasi Dedan Gjoni ka njoftuar Dejvi Gjermënin rreth këtij fakti me “Whatsapp” dhe jo me telefonin e kriptuar dhe për këtë arsye Gjermëni ka pasur frikën e dekonspirimit dhe të zbulimit të përfshirjes së tyre në këtë ngjarje.
E duket se ishte thjeshtë pakujdesia e ish-shefit të Policisë që e shpëtoi nga plumbat Xhevdet Plakun për të disatën herë. Dhe ky sot është i vetmi atentat i dokumentuar nga drejtësia, për të cilët ka persona të akuzuar e të dënuar. Të gjithë të tjerët janë pa autor.
23 janar 2025
Ndërsa Xhevdet Plaku arriti të arratisej nga burgu i Ankonas më 23 janar 2025. Me një qese plehrash në dorë, ai arrin të kalojë të gjitha dyert e mbyllura të burgut. “Kështu u zhduk shqiptari 44-vjeçar Xhevdet Plaku i cili kishte mbi supe dy vrasje dhe një karrierë si trafikant ndërkombëtar droge”, shkruan “Corriere della Sera”. Një arratisje e heshtur, pa spektakël, por dukshëm e studiuar me përpikëri. Që nga mëngjesi i 23 janarit rreth burgut Barkalione, të Ankonas, policia ka nisur aksionin për të rënë në gjurmët e tij duke kërkuar në fusha, shtëpi të braktisura dhe shtigje. Por, nuk ka asnjë gjurmë të tij. Media italiane shkruan se Xhevdet Plaku ishte një i burgosur model në Ankona dhe për pak muaj do të kishte përfunduar dënimin. Kjo i kishte mundësuar që tre muaj para arratisjes të përfitojë nga regjimi i parashikuar nga neni 21 i Kodit të Burgjeve. Që do të thotë: punoni jashtë, pa shoqërues. Mëngjesin e 23 janarit, rreth orës 8.30 ka dalë për të zbrazur koshat e plehrave në kazermë. Një rutinë e përditshme, që dukej krejt e zakonshme, por që u shndërrua në një arratisje, deri tani, perfekte. Në orën 11:30, kur oficerët e burgut bënë kontrollin rutinë, Plaku nuk i është përgjigjur thirrjes. Atëherë, alarmi u aktivizua menjëherë dhe të gjitha forcat e rendit filluan ta kërkonin përreth burgut të Barkaliones, e mbushur me fusha, pyje dhe shtëpi të vjetra të braktisura. Por është si të kërkosh një gjilpërë në kashtë.
Sot Xhevdet Plaku është i lirë. Me një histori kriminale 25-vjeçare mbi supe, vrasje, drogë, atentate të dështuara e arratisje, ndoshta “Akili” tani është duke planifikuar ndonjë hakmarrje të mundshme, ashtu sikurse del edhe nga bisedat e përgjuara mes atyre që planifikonin vrasjen e tij. Madje njëri prej tyre, Fatjon Dervishi, sot nuk jeton më, pasi është vrarë në vitin 2023 në Sukth.
Drejtësia, por edhe fati kanë qenë në krahun e tij deri më sot. Askush nuk ia shënjestroi dot “thembrën” Akilit. Por ai vetë, të paktën në dy ngjarje të dokumentuara ka arritur të qëllojë në shenjë. Me hasmin në burg, edhe pse jo për shumë kohë, Xhevdet Plaku tashmë lëviz lirshëm. Për sa kohë, kjo tashmë është në dorën e Policisë, asaj italiane por edhe asaj Shqiptare. Pasi siç del në të gjitha rastet kur ai ka kryer krime, pas çdo arratisje ai kthehej në vendin e tij./“Gjërat Tona”