Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sapo ka puthur flamurin e MAGA, (Make Amerika Great Again) lëvizjes që udhëheq Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që shihet me simpati nga shumë pak liderë europianë, kryesisht ata që asociohen me ekstremin e djathtë në vendet europiane dhe në Britaninë e Madhe.
Në një intervistë për “La Razon” në Spanjë, Edi Rama, të cilit i gjen më shumë foto me Aleks Soros se sa me vëllain e tij, Olsin, papritur ka ndryshuar retorikë duke përsëritur fjalët dhe mesazhet e preferuara të Donald Trump.
Presidentit të 47 të Shteteve të Bashkuara i pëlqen shpesh të thotë se ishte Zoti që e shpëtoi nga ekzekutimi në 13 korrik të vitit të kaluar në Pensilvani; dhe këtë, Ai, e bëri për një arsye; që Trump ta bëjë Amerikën sërish madhështore.
Formula, që përsëritet vazhdimisht nga Trump dhe që u ka mjegulluar gjykimin miliona amerikanëve, për habi u përsërit edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që i shton misionit hyjnor të Trump jo vetëm bërjen madhështore të Amerikës, por edhe të Europës.
Në këtë sens, Rama arrin në përfundimin se Trump na qenka një bekim për Europën.
“Donald Trump thotë se Zoti e shpëtoi nga vrasja për ta bërë Amerikën sërish të madhe. Dhe jam shumë i lumtur që Zoti e bëri këtë. Shtoj se Zoti e shpëtoi Donald Trumpin për të zgjuar Evropën. Pra, nëse është kështu, Trump është një bekim për Evropën në kuptimin që Evropa ka çdo arsye të zgjohet dhe të ndryshojë dhe të bëhet shumë më e vetëdijshme se nevoja për ndryshim nuk mund të shtyhet çdo vit, sepse përndryshe Evropa do të jetë një shtojcë. Evropa mund dhe duhet të jetë një fuqi e madhe, dhe për ta bërë këtë duhet të ndryshojë dhe të bëhet vetë-funksionale” u shpreh Rama për La Rason.
Piruetat e Ramës në raport me Trump janë të njohura, por sërish ngjallin një lloj keqardhjeje se si detyrohet ta dredhë kryeministri i një vendi sovran, që sot hidhet në prehrin e një ideologjie, nesër përulet para ideve dhe parimeve krejt të kundërta, kuptohet vetëm për të mbajtur fort pas vetes karrigen e pushtetit.
Dihet tashmë se Trump i ka dhënë formë një lëvizjeje radikale në SHBA për të çrrënjosur në themel politikat dhe aleancat tradicionale të demokratëve amerikanë. Një pjesë e mirë e njerëzve, që po largohen masivisht nga administrata Trump, qenë të lidhur ngushtë me projektet e Soros në të gjithë botën.
Dhe duke ndjerë erën e re që po fryn nga SHBA, Rama ka nxituar të ngjeshë mbi kokë kapelen e kuqe me mbishkrimin MAGA, duke përsëritur fjalë të denja për ithtarët më të flaktë të politikave kontraverse të Donald Trump.
Kuptohet se aktet e para të Trump kanë vënë në dyshim të ardhmen e marrëdhënieve me SHBA. Por gjithsesi, liderët e BE kanë pasur dinjitetin të mos i shkelin bindjet e tyre deri në pikën që të shpallin si hyjnor misionin e presidentit të ri amerikan dhe vetë atë, një bekim për Europën.
Pozicioni i ri i Edi Ramës përputhet me zërat “trampistë” të Bashkimit Europian, ku dallon Viktor Orban dhe ndonjë nga politkanët e ekstremit të djathtë në vendet e BE dhe Britaninë e Madhe.
Ndër politikat e Trump që kanë provokuar pakënaqësi dhe irritim në Evropë, ka qenë propozimi për të “pastruar” Gazën nga palestinezët, paralajmërimet për një lufte tregtare me kontinentin e vjetër dhe ndërhyrjet në proceset zgjedhore në favor të së djathtës ekstreme.
Gjithsesi kryeministri Edi Rama ka kohë që ka lëvizur në favor të politikave kontroverse anti-emigracion, që kur pranoi kërkesën e Xhorxhia Melonit për ngritjen e burgjeve për emigrantët afrikanë që kapen në det dhe që do të trajtohen në Shqipëri.
Po ashtu, Rama ka nisur procedurat për faljen e një pjese të ishullit të Sazanit, sepse dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner synon të ndërtojë një resort me vila dhe hotele nëpërmjet një investimi rreth 1.4 miliard dollarë./ Lapsi.al