Është shtyrë seanca e parë paraprake në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Toyota Yuaris”, e planifikuar për t’u mbajtur ditën e sotme, ku të pandehur janë marrë ish kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, avokati Radovan Çela, ish-Oficerja e Policisë Gjyqësore Eriona Daupaj dhe shtetasi Astrit Vladi.
I arrestuar aktualisht është vetëm Aurel Zarka, ndërsa tre të tjerët vazhdojnë të jenë ende në kërkim.
Shkak për shtyrjen e seancës u bë moslegjitimimi akoma i palëve, dhe GJKKO iu ka lënë detyrë që avokatët e personave në kërkim të paraqesin prokurat e firmosura nga vetë të akuzuarit. Edhe vetë Aurel Zarka, që është i vetmi i arrestuar, nuk ishte i pranishëm në seancë, por përfaqësohej nga avokatët e tij mbrojtës.
Seanca e radhës u caktua për t’u mbajtur më datë 20 shkurt në orën 09:00, ku pas dëgjimit të palëve, togat e zeza do të vendosin për kalimin në gjykim ose jo të dosjes.
Çështja në fazën paraprake tashmë po shqyrtohet nga gjyqtari Erion Çela, pas dorëheqjes së Irena Gjokës për konflikt interesi, pasi kishte qenë trupa gjykuese në çështjen e sekuestros së dy makinave të Suel Çelës në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, për të cilat vendosi lirimin e tyre.
Sipas SPAK, Aurel Zarka, në bashkëpunim me tre të pandehurit e tjerë, nga hetimet ka rezultuar se “në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive, për secilin prej tyre”.
Hetimet për grupin në fjalë nisën pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”, ku u zbulua se Aurel Zerka dhe tre të tjerët kishin ndërhyrë në dosjen “Toyota Yaris” për të lehtësuar pozitat ligjore ndaj kushërinjëve Elvis dhe Alfred Vladi, por edhe për një sërë dosjesh të tjera, mes të cilave edhe një për pasurinë e Suel Çelës.
Në kohën e kryerjes së veprimeve të kundraligjshme, i pandehuri Aurel Zarka ka qënë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës, e pandehura Eriona Daupaj ka qënë në funksionin e oficeres së policisë gjyqësore në ish Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe më pas oficere e policisë gjyqësore në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qënë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasve Alfred Vladi etj.
Vlen të theksohet fakti se Prokuroria e Posaçme e ka ndarë në fragmente më vete dosjen, ku dyshohet se mund të jenë të përfshirë edhe magjistratë të tjerë, për të cilët vijojnë hetimet.
DOSJET NË GJYKATË KU KA PATUR NDËRHYRJE NGA TË PANDEHURIT
Konkretisht, veprimet e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, të korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të drejtësisë janë kryer në lidhje me çështjet penale të mëposhtme, sipas akuzave dhe episodeve respektive për të pandehurit:
- Procedimi penal nr.130 viti 2018 i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 287/1, 333/a/1 e (2) dhe 334/1 të Kodit Penal.
- Procedimin penal nr.71 viti 2020 i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 179/a dhe 25 të Kodit Penal, duke përfshirë seancën gjyqësore të rivlersimit/zëvendësimit të masave të sigurimit të datës 17.01.2020 të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë, fazën e hetimeve paraprake, fazën e caktimit të gjyqtarit të seancës paraprake dhe zhvillimin e seancës paraprake në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë.
- Ekzekutimin e disa kërkesave për ndihmë juridike të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë, konkretisht nga gjyqtari i hetimeve paraprake pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, ndaj procedimit penal në ngarkim të shtetasve, Alfred Vladi, Elvis Vladi, etj, të ekzekutuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda si dhe nga Prokuroria e Posaçme.
- Procedimin pasuror nr.1 datë 20.12.2019 i Prokurorisë së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i zhvilluar në bazë të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, për pasuritë në zotërim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri.
- Procedimi pasuror nr.24 prot dt.19.02.2020 i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i zhvilluar në bazë të Aktit Normativ Nr.1 datë 31.01.2020, për pasuritë në zotërim të shtetasit Suel Çela alias Marjus Lulaj.
- Çështjen penale në ngarkim të shtetases Xhoi Mansaku, e akuzuar për veprën penale “Vjedhje” e mbetur në tentativë, të parashikuar nga nenet 134/1 dhe 22 të Kodit Penal, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.
- Mosfillimin e procedimit penal për referimin penal nr.669 datë 26.03.2020 të dërguar nga Komisariati i Policisë Himarë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë.
- Çështjen penale në ngarkim të shtetasve Altin Veizaj etj, të akuzuar për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 284/2 i Kodit Penal, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë, Vlorë.