Seanca paraprake për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” ka zgjatur më pak se 1 orë ditën e sotme. Gjatë zhvillimit të seancës në GJKKO, avokatët e Jamarbër Malltëzit paraqitën disa akte shkresore, duke i ezauruar parashtrimet e tij.
Më pas, me kërkesë të avokatit Klodian Skënderi, i cili përfaqëson Jamarbër Malltezin dhe Andia Pustinën, për shkak të një angazhimi në një proces tjetër gjyqësor, seanca u ndërpre dhe u shty për më 14 shkurt.
Deri më tani, gjykata është njohur me pretendimet e avokatëve të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Seancat paraprake do të vijojë me mbrojtjen e Fatmir Bektashit, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Gjyqtarja e GJKKO-së Flojera Davidhi do të marrë vendimin nëse çështja do të dërgohet për gjykim, mund ta kthejë pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen.
Në seancën paraprake në Gjykatën e Posaçme më 11 janar, Jamarbër Malltezi ka kërkuar pushimin e çështjes për mungesë fakti, pasi pretendon se akuzojnë për bashkëpunim me Sali Berishën, për korrupsion i zyrtarëve të lartë kur ai nuk ka qenë asnjëherë zyrtar i lartë dhe nuk është subjekt i kësaj çështjeje.
Në alternativë, nëse gjykata nuk bindet, kërkoi kthimin, për t’i vendosur SPAK-ut detyra specifike, siç është thirrja e Edi Ramës në SPAK për t’u pyetur në lidhje me transformimin e asaj prone nga klub sportiv në truall ndërtimi dhe të gjitha veprimet e kryera.
Sali Berisha akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, për akuzën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.