Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar nga SPAK në kuadër të dosjes “Metamorfoza” ka nisur një tjetër betejë ligjore dhe juridike me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), pasi humbi të parë në Gjykatën Kushtetuese për shpalljen e pavlefshme të bisedave në aplikacionet e enkriptuara “Sky Ecc” dhe EncroChat”.
Këtë herë, Pëllumb Gjoka ka depozituar një padi në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkon heqjen e sekuestros së 390 mijë metra katrorë sipërfaqe toke (39 ha). Gjyqtarët e Kushtetueses kanë vendosur që ta kalojnë për seancë plenare mbi bazë dokumentesh këtë çështje.
Padia ku pretendohet shkelja e ligjit kushtetues, është përcjellë nga i pandehuri Pëllumb Gjoka, i cili mbahet i paraburgosur, si edhe nga përfaqësuesi Kolë Gjoka dhe ‘Shoqëria Imperial Group’, që pretendojnë se kjo pasuri është ne emër të tyre dhe jo të biznesmenit.
Si palë e interesuar është Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila ka bllokuar gati 390 mijë metra katrorë tokë në zonën e Velipojës, nën dyshimet se janë përftuar përmes falsifikimit
Por në padi insistohet se sekuestro preventive duhet shfuqizuar si e papajtueshme me Kushtetutën, me argumentin se rezultojnë të regjistruara në ASHK në emër të një shoqërie dhe të shtetasit Kolë Gjoka.
Më 23 Tetor 2023 GJKKO e shkallës së parë vendosi sekuestron që u konfirmua edhe nga Apeli më 27 nëntor 2023, duke e lënë në fuqi dhe në fund, më 7 mars 2024 edhe Gjykata e Lartë. Kjo pasuri është e sekuestruar nga të treja shkallët e drejtësisë.
Pëllumb Gjoka u arrestua më 27 Korrik të vitit 2023, në bazë të një hetimi të zhvilluar nga SPAK. Bashkë me Pëllumb Gjokën u arrestuan edhe prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, ish-shefi i operacionales së Policisë së Shtetit, Oltion Bistri dhe personazhe të tjerë të kronikës së zezë në zonën e Shkodrës. Ata akuzohen si pjesë e një grupi kriminal dhe mbi ta rëndojnë akuza të ndryshme, nga vrasja, sigurimi i kushteve dhe mjeteve për kryerje vrasjeje, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash e të tjerë.
Hetimi për këtë grup personash nisi, pasi SPAK administroi nga autoritetet franceze dhe belge të dhënat e ç’koduara nga aplikacionet Sky dhe Enchrochat.
Sipas SPAK-ut, Pëllumb Gjoka rezulton të ketë komunikuar me mesazhe me anëtarë të fisit Bajri në Shkodër për kryerje atentatesh, përfshirë pagesa për ekzekutorët dhe financim për blerje armësh.