Emisioni “Në Shënjestër”
Çfarë ndodhi atë mbrëmje të 21 Korrikut 2024 në qytetin e Memaliajt?
Çfarë ishte ajo masakër e padëgjuar më parë në këtë qytet dikur minatorësh, por që prej kohësh edhe për shkak të shpopullimit kishte humbur gumëzhimën e tij dhe kishte rënë në një qetësi të thellë?
Kush ishin në të vërtetë shënjestrat e kësaj nate? Dhe cilat janë përplasjet në të cilat janë të përfshirë familja Kalemi, që çuan në harkun e pak muajve në viktima të shumta?
Një histori që është e vështirë t’i gjesh fillin, por që duket se doli në pah fillimisht me një nga atentatet më tronditëse që kishin ndodhur në Tiranë.
Atë, të ekzekutimit më 11 Qershor 2022, me anë të një shpërthimi të telekomanduar të një makine, me të cilën qarkullonte Aleksandër Sadikaj.
Atentat ky i ndodhur në orët e mesditës së kësaj date pranë rrethrrotullimit të Saukut në Tiranë, që i mori jetën rrugës për në spital në atë kohë 27 vjeçarit.
Sadikaj apo i njohur ndryshe si ‘Sanço’, një personazh deri në këtë moment i panjohur për konsumin e gjerë publik, por që pas vetes fshihte një aktivitet të gjatë kriminal, kryesisht në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, i cili kishte thyer shpesh kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë në të tilla punë.
Thuhet se ai ishte i përfshirë edhe në krime kundra shëndetit, në vrasje dhe plagosje, por që një prishje pazaresh midis tij dhe biznesmenit kontrovers Edmond Papa, atij që deri pak kohë më parë kishte qenë ortaku më i ngushtë në të tilla biznese, duket se derdhi kupën midis të dyve dhe pasoi me një hakmarrje të egër që në vazhdim nuk kurseu askënd.
Fillimisht vetë Sadikaj që ishte edhe nip te familja Kalemi në Memaliaj, i cili krahas mbiemrit të tij, përdorte edhe atë të dajave të tij, të njohur për influencën e tyre në zonë, si edhe pushtetin ekonomik dhe politik, duke arritur të fitojnë tendera të rëndësishëm deri në pastrimin e qytetit.
Por vrasja e Sadikaj, në një akt të qartë të demonstrimit të forcës nga pala kundërshtare, vetëm sa kishte kishte ngritur kapakun e arkëmortit midis Kalemajve tashmë në njërën anë dhe Edmond Papës dhe njerëzve që qëndronin pranë tij, gjë që u pa edhe në hakmarrjen e shpejtë të grupit që kishte pasur lidhje familjare dhe shoqërore me Aleksandër Sadikaj.
Paa u mbyllur viti 2022 ekzekutuan në Tiranë, vetë biznesmenin Edmond Papa, ngjarje kjo e ndodhur më datë 16 Dhjetor të këtij viti, në një lokal në zonën e Selitës në kryeqytet, gjatë kohës që Papa po priste poshtë apartamentit të të vëllait, të dilte nëna e tij, të cilën atë ditë do e shoqëronte në spital, për të kryer disa vizita mjekësore. Por me siguri jo kjo pikënisja, por as fundi i një lumi gjaku që tashmë sapo kishte marrë shtratin e tij.
Kjo pasi Aleksandër Sadikaj kishte shumë përplasje, të cilat u zbuluan edhe nga bisedat tashmë të zbardhura nga autoritetet ligjzbatuese greke, në aplikacionin Sky Ecc, aty nga ku del se Aleksandër Sadikaj ishte organizatori i vrasjes së Ari Papës më 26 Shkurt 2021, në një lokal në një lagje të Athinës, të dhëna që u bënë publike nga mediat greke vetëm së fundmi.
Ari Papa një personazh i lidhur me trafikun e lëndëve narkotike, i rezistoi këtij atentati, por që u ekzekutua disa muaj më pas po në Athinë, nga një vrasës që thuhet se erdhi nga Shqipëria.
“‘Gjatë analizës së mesazheve të aplikacionit Sky Ecc, doli në pah roli aktiv i Aleksandër Sadikaj ose Aleksandër Kalemi si dhe Denis Grabockës në një tentativë vrasje, të ndodhur më 26 Shkurt 2021, ndaj shtetasit shqiptar Aristidis Papas ose Ari Papa. Motivi i tentativës së vrasjes ndaj tij ishte hakmarrja për ngjarjen e datës 14 Dhjetor 2020 ndaj Viljan Boraj, i njohur si ‘Giannakis’, e ndodhur në zonën e Patisias në Athinë, nga e cila mbeti i plagosur më armë kushëriri i Aleksandër Sadikaj, 16-vjeçari Rubin Kalemi, pasagjer në mjetin në të cilin udhëtonte Boraj”, thuhet në dosjen hetimore greke.
Por a ishte në të vërtetë atentati i dështuar ndaj Ari Papës, apo dyshimi se eliminimi i tij disa muaj më pas u krye po nga Aleksandër Sadikaj, që solli edhe firmosjen e mandatit të vdekjes së këtij të fundit? E vërteta është se Aleksandër Sadikaj u eliminua vetëm një vit më pas, në formën më makabre që tashmë të gjithë e njohin.
Ndërkohë hetimet në Shqipëri nxorën në dritë edhe konfliktet që Sadikaj kishte me Edmond Papën dhe një personazh të shumëpërfolur të krimit të njohur si Ledjan Allushaj, ku fill pas ekzekutimit të Sadikaj nuk vonoi edhe ekzekutimi i atij që mendohej se ishte porositësi i vrasjes së Sadikaj, biznesmenit Edmond Papa, nga ata që mendohet se ishin miqtë e Sadikaj, Albano Velo si dhe 45 vjeçari Andrew Bode.
Ky i fundit i arrestuar në muajin gusht të vitit 2024, teksa u gjet i fshehur në Memaliaj, në familjen Kalemi, ku ishte nip edhe Aleksandër Sadikaj.
Arrestimi i Bodes dhe Adriatik Kalemit ndodhi pas masakrës së Memaliajt, ku hetuesit besojnë se ata po përgatiteshin për t’u kundërpërgjigjur dhe hakmarrë ndaj kundërshtarëve të tyre.
“Nga ngjarja kam mësuar diçka, që thuhet gojarisht, për hasmët që ka pasur familja Kalemi. Si të gjitha familjet e tjera edhe familja Kalemaj, ka ardhur në familjen time për të shprehur ngushëllimet. Ne nuk kemi asnjë problem, as me familjen Kalemi, as me ndonjë familje tjetër në Memaliaj”, shprehet Hamza Muka.
Por ky nuk ishte atentati i parë në të cilin përfshiheshin pjesëtarë të familjes Kalemi.
Më 12 janar të vitit 2024, vetëm disa muaj para se ndaj tyre të shkreheshin plumbat e masakrës së Memaliaj, Zamir Kalemi, një tjetër anëtar i rëndësishëm i kësaj familje, u bë pre e një sulmi me armë të ndodhur në mbikalimin e Selitës në Tiranë, ku ndaj makinës tip ‘Smart’ me të cilën ai udhëtonte, u qëllua në lëvizje nga një tjetër automjet tip ‘Nissan’ me targa të vjedhura, dhe u zbrazën 13 plumba.
Zamir Kalemi, kushëri me Aleksandër Sadikaj, mbeti i plagosur nga ky atentat, por që mundi t’i shpëtojë plagëve. Ngjarje së cilës i kishte paraprirë edhe një tjetër e ngjashme e ndodhur në Greqi, ajo e 8 Gushtit 2023, në një ishull në vendin fqinj.
Aty ku 52 vjeçari Andrea Kalemi, i njohur edhe me gjeneralitetet Adriatik Kalemi, vëllai i Zamir Kalemit, u qëllua ndërsa ishte me pushime me familjen. Duke mbetur i plagosur rëndë, i qëlluar me 10 plumba në sy të fëmijëve të tij, nga një vrasës i maskuar që thuhet se kishte ardhur enkas për të nga Italia, por që ky nuk do të ishte atentati i fundit ndaj tij.
Dhe jo thjesht ndaj tij, por ndaj njeriut që grupi kundërshtar mendon se është porositësi i ekzekutimit të biznesmenit Edmond Papa.
Andrea Kalemi, alias Adriatik Kalemi, i cili u godit disa herë me thikë disa muaj më pas nga një i dënuar egjiptian në burgun e Koridhalos në Greqi.
Por ku edhe këtu pavarësisht se sërish mbeti i plagosur rëndë, mundi t’i shpëtojë plagëve të marra në trup. Sulm që edhe këtë herë mendohet se u porosit dhe u organizua nga njerëz pranë biznesmenit të ndjerë Edmond Papa, si hakmarrje ndaj vrasjes së tij.
Për të ardhur më pas deri te masakra e Memaliaj, ku sërish dyshohet se objektiv të atentatit ishin pjesëtarë të familjes Kalemi, por që fatkeqësisht plumbat i morën jetën edhe dy njerëzve më të pafajshëm në këtë histori, Marsel Çelës që ishte klient në lokal dhe Gledian Mukës që shërbente si kamarier dhe banakier në biznesin e familjes Kalemi.
Një ngjarje e cila edhe pse kanë kaluar disa muaj vazhdon të jetë e pazbardhur. Ashtu si edhe mënyra se si toga e qitësve hyri në qytet pa u diktuar, apo se si kaloi e pashqetësuar para komisariatit të policisë si në një revistë nderi dhe iku nga aty pa lënë gjurmë, ndërkohë që për fatin e keq të viktimave të kësaj ngjarje, kamerat e bashkisë Memaliaj, atë ditë nuk kanë punuar dhe kësisoj nuk kanë fiksuar momentin kur autorët vijnë dhe largohen.
Ndoshta kjo do të ishte një mundësi e humbur për të parë se kush ishin vrasësit, apo kush i ndihmoi ata në qytet në monitorimin e lokalit, nga ku më pas makina e vrasësve do të merrte sinjalin për t’u afruar pranë objektivëve të tyre, që në këtë moment ndodheshin të ulur së bashku në tavolinë.
“Unë duke qenë se jam punonjës bashkie në Memaliaj, di të them se atë ditë nuk ka pasur korent deri në orën 15.50. Atë ditë aty ka qenë një roje i ri i cili kishte zëvendësuar rojen që ishte stabël, icili i ka fikur të gjitha kamerat e bashkisë, që kanë dalë jashtë loje. Por e bërë jo qëllimisht. Për sa i përket kamerave të tjera, autorët mesa kam parë kanë kaluar përpara policisë. Për mua si familje, unë besoj që policia nuk e ka bërë punën e saj si duhet, për zbardhjen e kësaj çështje”, rrëfen Hamza Muka.
Babai i Gledian Mukës beson që policia jo vetëm nuk e ka bërë si duhet punën e saj, por segmente të saj mund të jenë edhe të përfshirë në këtë ngjarje dhe këtë e lidh me faktin se si është e mundur që në një qytet të vogël si Memaliaj, autorët të veprojnë kaq lirisht dhe të mos pikasen në asnjë veprim të tyrin, çka të lë të hamendësosh për një ndërveprim të tyre me njerëz të brendshëm në qytet.
“Këtë e them sepse në një qytet të vogël si Memaliaj, të vish kaq kollaj, është e vështirë nga jashtë”, tha ai.
Dëshmitë e babait të Gledian Mukës
Historia e tyre është ndër më të trishtat, që mund të kemi dëgjuar. Aq sa teksa ndalesh në mënyrën tragjike se si ata kanë humbur jetën, ka bërë të harrohen edhe mëritë e vogla të përditshmërisë që na rrethon.
Njerëz pa kurrëfarë lidhje me ligësitë e botës, apo me makthet e atyre me të cilët shoqëroheshin deri në ditën e fundit të jetës, por që pabesisht u tradhtuan nga plumbat që ua ndërprenë ëndrrat në mes.
Viktima të pafajshme, të cilat të vetmin faj që patën në këtë jetë, ishte se u ndodhën në vendin, kohën dhe shoqërinë e njerëzve të gabuar dhe që si të tillë në epitafet e tyre numërohen sot me dhjetra.
Por që gjithsecili prej tyre, ka parë një lot të derdhet për një jetë që sot mungon në apelin e atyre që si bën keq njeriu në këtë jetë.
Gledian Muka është një nga shumë të pafajshmit që plumbat i morën jetën, pikërisht në moshën më të bukur, kur ai mendonte të realizonte ëndrrat e tij, larg qyteti të vogël ku ishte rritur dhe jetonte.
Aty ku pavarësisht se aty kishte familjen e tij të ngushtë, nuk mundej t’i siguronte prej kohësh atij një të ardhme të sigurt.
Ndaj për këtë kishte luftuar dhe besuar gjithmonë, për një botë tjetër më të mirë, për familjen e tij të re, por 36 vjeçari nga qyteza e vogël e Memaliaj, nuk arriti dot ta shikonte këtë ditë.
Kjo, pasi jeta dhe ëndrrat e tij, u tradhtuan pabesisht një mbrëmje korriku të vitit të kaluar nga plumbat e shumtë, që e lanë të vrarë pabesisht në pragun e lokalit ku punonte. Pikërisht në këtë lokal këtu, ku ai shërbente prej disa kohësh deri në pritje të një përgjigje fatlume nga llotaria amerikane. Përgjigje pozitive e cila për fatin e tij të keq mbërriti vetëm disa ditë pasi ai ishte ndarë mizorisht nga jeta. Në atë që tashmë njihet si Masakra e Memaliaj e ndodhur në këtë qytet orën e vonë të datës 21 Korrik 2024.
Në lokalin në pronësi të familjes Kalemi, ku mbetën të vrarë 3 persona; Shyqyri Kalemi 70 vjeç, Gledian Muka që shërbente si kamarier dhe banakier i cili ndërkohë priste të mbyllte turnin dhe të kthehej si zakonisht pranë familjes së tij.
Si edhe Marsel Çela, që ndodhej si klient në lokal. Masakër ku i plagosur rëndë mbeti edhe Artur Kalemi, i cili mundi gjithsesi t’i shpëtojë breshërisë së gjatë të plumbave.
Gledian Muka nuk e mësoi kurrë se udhëtimi që ai kishte ëndërruar prej kohësh drejt një bote mundësish të reja kishte trokitur për të dhe familjen e tij dhe se diku fati për të kishte përcaktuar një jetë tjetër, shumë më të mirë se kjo që kishte pasur deri më tani.
Kjo, pasi mesa duket i vetmi gabim i tij dhe i shumë të pafajshmëve të ngjashëm në këtë botë, ishte se atë natë tyta e armës nuk ishte drejtuar ndaj tij, por të zotëve të lokalit ku punonte. Humbje e cila ka lënë një brengë të thellë te njerëzit e tij të dashur dhe sidomos te prindërit.
Hamza Muka, ishte i pari që vrapoi të zbriste shkallët dhe të shikonte se çfarë kishte ndodhur. Pa e ditur ende se një nga viktimat do të ishte djali i tij, trupin e të cilit e pa të dergjej pa jetë në pragun e lokalit ku punonte.
Në ato hapa të nxituar, ajo që do t’i krijonte ndjesinë e ligësht se diçka e keqe kishte ndodhur, do të ishte fillimisht përballja me kapelen e të birit të rrëzuar në tokë. Aty, ku do të kuptonte se ajo telefonatë që e kishte zbritur me shpejtësi nga apartamenti ku jetonte do të ishte thirrja më e kobshme që kishte marrë ndonjëherë në jetë. Përballje me një pamje makabër, që nuk do i kishte besuar dot syve se mund të ndodhte në një qytet të vogël si ai ku jetonte.
“Unë ngjarjen e kam mësuar nga një komshi, i cili më telefonoi në orën 23.28 minuta. duke më thënë se të kërkojnë pranë Bashkisë Memaliaj. Në momentin që unë kam dalë dhe kam shkuar te vendi i ngjarjes, unë kam parë kapelen e djalit tim të rrëzuar në tokë. Duke u afruar pashë një masakër të paparë, që nuk e kam parë kurrë në jetën time”, shprehet babai i 36-vjeçarit.
Por ndërsa shpresonte që djali i tij të ishte në jetë, ose të paktën t’i jepte ndihmën e parë, tragjedia sapo kishte trokitur në familjen Muka.
Ai thotë se e gjeti të birin të rrëzuar në tokë pa grahma jete. Në errësirën dhe heshtjen që kishte pllakosur pas bataresë së plumbave dhe makabritetit që përcillte skena e ngjarjes, ai mundi të shquajë disi vetëm trupat e përçudnuar të shpërndarë në lokal. Por pa dalluar dot se kush ishin ata. Një skenë tronditëse e cila do të jetë e vështirë për të, të shlyhet gjatë nga kujtesa, dhe që vazhdon edhe sot ta shoqërojë si një ëndërr e keqe e pambarimtë. Kjo edhe për faktin që midis atyre trupave të pajetë dergjej edhe ai i djalit të tij,
“Kur unë kam shkuar në vendin e ngjarjes, arrita me telefonin tim të filmoja të ndjerin djalin tim i cili ishte rrëzuar përtokë. Të tjerët nuk munda t’i dalloj për momentin, për arsye se ishin në një errësirë, ku nuk kishte shumë dritë”, ka rrwgyer ai.
Por shpejt babai i Gledian Mukës, që sapo kishte humbur të birin, do mësonte edhe për emrat e personave të tjerë të mbetur të vrarë në këtë atentat. Njëri prej tyre ishte edhe Shyqyri Kalemi, i cili në këtë moment ndodhej i ulur në lokalin e të birit, Arturit, edhe ky i mbetur i plagosur rëndë në këtë atentat.
Një familje, e cila kishte plot telashe, për shkak të disa ngjarjeve të rënda ku ishin përfshirë pjesëtarë të ngushtë të saj. Ngjarje të cilat kishin kulmuar me atentate tragjike dhe për pasojë me viktima. Ekzekutime të cilat ishin kryer sa në Greqi dhe në Shqipëri, në harkun kohor të pak viteve dhe që duket se i kishin paraprirë edhe masakrës së mbrëmjes së 21 Korrikut 2024 në Memaliaj, me tre të vrarë dhe një të plagosur rëndë.
Aty ku mendohet se shënjestër e atentatit ishin pjesëtarë të familjes Kalemi në këtë qytet, që zanafillën e kishin në përplasjen midis familjeve Kalemi-Sadikaj në njërën anë dhe Papa në krahun tjetër.
“Gjatë këtij momenti arrita të zbuloj që në tavolinë ndodheshin edhe tre persona të tjerë, të cilët ishin goditur bashkë me djalin tim. Të cilët ishin Shyqo Kalemi, Marsel Çela dhe djali im Gledian Muka. Aty kam mësuar që ishte plagosur edhe një person i katërt që ishte Artur Kalemi, të cilin më thanë që e kanë çuar në spital në Gjirokastër”, ka dëshmuar Hamza Muka.
Sigurisht që për një baba që përballet me skenën tragjike të të birit, e vetmja gjë që mundet t’i shkojë nëpërmend në atë moment, është t’i japë ndihmën e parë.
Por Hamzai thotë se nuk e pati këtë mundësi, t’i jepte shansin e vetëm djalit të tij, të mbijetonte. Kjo pasi Glediani kishte ndërruar ndërkohë jetë.
Ndërsa dyshimi që e brente në atë momente dhe më pas ishte nëse Glediani kishte pasur sadopak mundësi të arrinte i gjallë, të paktën sa të merrte ndihmën e parë mjekësore. Brengë që e shpreh edhe sot, ndërsa kujton veprimet e para policore në vendngjarje, atë natë.
“Mesa pashë çuni im mund të kishte përfunduar. Unë kërkova nga ana e policisë, kush e ka dhënë miratimin që djali im ka përfunduar në vend. Mos janë bërë gjëra selektive. Dhe në këtë moment nuk kam marrë asnjë konfirmim nga ata”, ngre pikëpyetje ai.
Por kështu duket se kishte qenë vetë jeta e Gledianit, me ikje dhe me ardhje. Gjithmonë në kërkim të një jete më të mirë. Një djalë që kishte provuar gjithçka për të ndihmuar veten dhe familjen e tij, por që kurrë nuk e kishte tradhtuar besimin se e nesërmja do të ishte një ditë më e mirë.
Një jetë në kërkim të vetvetes siç thotë babai i tij, që nga momenti kur Glediani përfundoi në qytetin e tij të lindjes, Memaliaj, shkollën e mesme. Dhe më pas, siç do i ri, duke kërkuar shpesh punë në emigracion. Aty ku herë gjente dhe herë jo, por gjithmonë me besimin se jeta të ofron surpriza të bukura. Por pa e menduar asnjëherë atë që i ndodhi.
Një djalë që siç thotë babai i tij, nuk i solli kurrë telashe në jetë familjes. Madje nuk ishte skeduar asnjëherë qoftë edhe për një problematikë të vogël në shoqëri. Një dhimbje, ajo e babait për djalin e rritur me sakrifica, të cilën ai thotë se nuk e duron dot më.
“Çuni im ka përfunduar shkollën e mesme në Memaliaj. Dhe pas asaj kohe ka qenë rreth vitit 2005-2006 në Greqi me dokumente azilanti. Më pas është kthyer sërish në qytetin e Memaliaj. Dhe për një kohë të shkurtër ka shkuar në Belgjikë, te motra e tij. Por me hope me sezone tre-mujore, pa i shkelur rregullat e kufirit”, rrëfen babai i Gledianit.
Babai i tij tregon se ai u detyrua të kthehej në qytetin e lindjes në Memaliaj, për shkak të mungesës së letrave në emigracion.
Hera e fundit ishte në Belgjikë, aty ku kishte qëndruar për disa muaj pranë motrës së tij.
Për këtë arsye ai kishte zgjedhur, të provonte edhe llotarinë amerikane si shumë shqiptarë të tjerë në kërkim të tokës së premtuar, por ndërkohë për të mos mbetur pa punë gjatë kohës së qëndrimit në Memaliaj, kishte pranuar ofertën për të punuar pranë lokalit të familjes Kalemi, që ishte në pronësi të njërit prej djemve të kësaj familje, me të cilin kishte përfunduar edhe arsimin e mesëm.
Aty ku edhe punoi si kamarier dhe banakier, deri ditën që plumbat me shumë gjasa të drejtuar ndaj të zotëve të lokalit, nuk kursyen as atë vetë, si edhe atë ditë kur Glediani doli nga shtëpia si zakonisht për t’u drejtuar në lokalin ku punonte.
Një ritual që e ndiqte me përpikmëri, por që në fund të kësaj dite u thye për të mos u përsëritur më, pasi Glediani nuk do ta merrte më atë rrugë, nga banesa drejt lokalit, për t’i munguar përgjithmonë qytetit dhe familjes së tij.
“Çuni im ishte në lokal. E mori punën në orën 10,00. Në orën 14.00 erdhi në shtëpi. Dhe në orën 16.45 doli prapë te lokali dhe punoi deri në orën 22.30-23.00.
Djali ishte shok i ngushtë me djalin e Babo Kalemit, me të cilin ka mbaruar shkollën e mesme. Në atë kohë që u kthye nga Belgjika, që të mos rrinte kot në qytet, filloi të punonte aty në atë lokal, dhe priste një llotari amerikane”, Hamza Muka.
Llotari amerikane që siç thamë trokiti, por që nuk e gjeti Gledianin, pasi ai ishte ndarë nga jeta tragjikisht vetëm tri ditë para se lajmi që aq shumë e priste, t’i mbërrinte në derë.
Në historinë më të trishtë që mund të dëgjosh për fatin e keq të një djali që vazhdonte të besonte se fati nuk të braktis, por është aty për të dhënë një dorë në këtë jetë.
“Më datë 24 Korrik i doli llotaria amerikane. Por djali kishte ndërruar jetë që më datë 21 Korrik”, thotë Hamza Muka.